MAXHUN OSMANAJ: TË GJITHË ...

TË GJITHË BASHKUDHËTARË NËPËR VETAT E FOLJES
UNË s’jam udhëtar i gjithëdijshëm në këtë maratonë jete
për t’i njohur hilet dhe fshehtësitë e kësaj bote,
jam hapi dhe fryma që ende ekzistoj, shpresoj.
TI ke një udhëtim tjetër për një stacion të panjohur,
diçka mësova për ty si bashkëjetuam stinëve,
kurrë nuk desha ta hedh në gjyq fatin tënd,
sepse ti ke fatin suprem, legjitim, të paprekur.
AI hip e zbret trenave të fatit të mërguar,
kur djersa vazhdimisht i pikon rrugëve të tretura,
koha dhe fati sikur e qajnë netëve pa gjumë
për këngën e jetës që i humbi pa gjurmë.
NE të gjithë zgjohemi me një ëndërr të mashtruar,
dikush di drejtimin, di stacionin, di qëllimin,
dikush njëri-tjetrin tenton keq ta kafshojë.
JU jeni fara që u mbolli dikush dhe ju kultivoi,
jetën e përtypëm dhe e vollëm nganjëherë.
ATA janë të gjithë që me bronket e mushkërive
u lindën, u poqën, u dogjën për një ideal,
stinëve të zjarrta veç për një frymëmarrje – pranverë...








Comments