top of page

MARTESA DHE LIDHJA E SAJ ME MBRETËRINË E ZOTIT


Adriana Myrtaj

MARTESA DHE LIDHJA E SAJ ME MBRETËRINË E ZOTIT

Nga Warren Felt Evans (1817-1889)


(Përktheu: Adriana Myrtaj)


Asnjë institucion nuk është më i rëndësishëm ose më i lidhur ngushtë me interesat më të mira të njerëzimit, sesa ai i martesës. Ligjvënësit më të hershëm e panë lidhjen që kishte martesa me mirëqenien e shoqërisë ndaj dhe i kushtuan asaj vëmendje të veçantë. Nëpërmjet ligjeve që ata miratonin synohej të ruhej shenjtëria e martesës duke parashikuar ndëshkimet më të rënda ndaj atyre që e shkelnin atë. Menes, mbreti i parë i Egjiptit, Cecrops, ligjvënësi i parë i grekëve, Numa, ligjvënësi i Borne, Fohi, sovrani i parë i Kinës, të gjithë këta e kthyen vëmendjen e tyre tek martesa.


Edhe poeti Lucretius (Libri v. 1009) e vuri re ndikimin që kishte martesa si një agjent për përparimin njerëzor. Pas një përshkrimi të fazave të para të jetës primitive, kur njeriu mezi po bënte përpara përtej primitivitetit, poeti thotë: "Por kur njerëzit filluan të ndërtojnë kasollet e para, të visheshin me lëkurë dhe zbuluan përdorimin e zjarrit, kur për së pari një grua u bashkua me një burrë në përpjekjet e dëlira të dashurisë së ndërsjellë dhe panë që pasardhës lindnin prej tyre, vetëm atëherë filluan të zbuteshin sjelljet e egra të racës njerëzore”.

Në atë proporcion që kjo marrëdhënie e shenjtë konsiderohet nga një komb ose bashkësi, në atë proporcion janë ata në shkallën morale dhe intelektuale dhe bëjnë përparim në të gjithë elementët të një qytetërimi të mirëfilltë. Ekziston një arsye filozofike për këtë e bazuar në ligjet e korrespondencës dhe lidhjet e fshehta që ekzistojnë midis gjërave natyrore dhe shpirtërore. Gjendja më e lartë morale dhe shpirtërore e një shpirti njerëzor është, kur ekziston një bashkim i përsosur i dashurisë me mençurinë, ose i mirësisë me të vërtetën. Ekzistenca e këtyre në harmoni të përsosur dhe në proporcionin e duhur është në thelb gjendja qiellore. Një martesë e vërtetë midis dy personave të rilindur është baza e rregullit natyror për një gjendje të tillë shpirtërore.

Nëse është kaq e madhe rëndësia e marrëdhënies që ka institucioni i martesës me punën për çlirimin nga mëkati njerëzor dhe nëse mes tyre ekziston kjo lidhje kaq vitale saqë lidhja e gjinive në çdo shoqëri të bëhet treguesi i pagabueshëm i gjendjes së tyre intelektuale dhe morale, është e qartë se një epokë e re e Shenjtërisë do të vinte vetëm me një dritë të re të lidhjes martesore. Tani, unë me guxim pohoj, se asnjë njeri, përveç autorëve të frymëzuar prej Fjalës së Shenjtë, nuk ka shkruar ndonjëherë për koncepte kaq të larta të dinjitetit dhe shenjtërisë së marrëdhënies martesore se sa Swedenborg. Ekziston një kontrast i jashtëzakonshëm midis pikëpamjeve të Saducenit që mbizotërojnë në Kishë dhe botë dhe atyre të shpalosura në punën vërtet filozofike dhe shpirtërore të tij mbi këtë temë.

Swedenborg mëson se dallimi midis sekseve nuk është thjesht një ndryshim i organizmit fizik, por konsiston në strukturën mendore të racës. Tek mashkulli mbizotëron dhe sundon intelekti; tek femrat janë ndjenjat që mbizotërojnë dhe drejtojnë. Kjo është pjesë e planit të krijimit dhe është e përjetshme, sepse i përket thelbit të shpirtit njerëzor.

Midis dashurisë dhe mençurisë, dashurisë dhe arsyes, ekziston një tërheqje e natyrshme; dhe nga kjo, nga vetë mënyra e krijimit të mendjes njerëzore, ekziston një tendencë për bashkim midis gjinive. Kjo gjithmonë do të jetë për derisa kushtet mbeten të njëjtë. Prandaj, marrëdhënia martesore i përket pavdekësisë, por jo bashkime të tilla si Saduce ka në konceptimet e tij, sepse të tillat nuk i përkasin mbretërisë së Zotit, as në këtë botë as në tjetrën, por lidhja e arsyes së ndriçuar të mashkullit me dashurinë e shenjtë të femrës.

Një bashkim i tillë është i nevojshëm për përsosmërinë e njeriut. Askush nuk mund të mos vërejë se në strukturën e saj mendore, gruaja ka përsosmëri aty ku mendja e burrit është më me defekt. Nga ana tjetër, mendja e burrit ka përsosmëri që plotëson defektet në organizmin mendor të gruas. Asnjëri i vetëm nuk ka gjithçka që është e nevojshme për një natyrë të përsosur njerëzore. Vetëm në unitetin e të dyve njerëzimi shihet në për plotësinë e tij. Pa këtë bashkim të gjinive, që përbën një martesë të vërtetë, zhvillimi i njerëzimit do ishte i njëanshëm dhe jo harmonik. Në sistemin moral të Swedenborg martesa nuk është thjesht një marrëveshje e përkohshme për arritje qëllimesh egoiste, por është po aq e përjetshme sa mendja. Bashkimi shpirtëror i një burri me një grua në tokë, na bën thirrje të ushtrohen parimet më të shenjta të natyrës sonë dhe është promovuese e lumturisë më të lartë të racës, qoftë këtu ose në botën tjetër. Pra, në shoqërinë njerëzore shpërfillja e shenjtërisë së martesës është shkaku i së keqes dhe i mjerimit më shumë se nga çdo veprimtari tjetër. 
Martesa, sipas Swedenborg, është gjëja më e shenjtë në thelbin e saj dhe në atë që ajo simbolizon. Ajo është në Mendjen Hyjnore Dashuri dhe Urtësi. Këto ekzistojnë jo veç e veç, por në bashkim të përsosur dhe lidhja e tyre është në thelb një martesë. Në një martesë të vërtetë midis njerëzve ndodh bashkimi i mençurisë ose intelektit të mashkullit me dashurinë e femrës. Kjo në pastërtinë e saj nuk është megjithatë veçse një kopje e kufizuar dhe e papërsosur e asaj që ekziston përjetësisht në Natyrën Hyjnore. Prandaj martesa, në origjinën e saj, është po aq e shenjtë sa mendja e Perëndisë. Se të gjitha gjërat në botën me formë vijnë nga Dashuria dhe Urtësia e Krijuesit. 

Ashtu si ata janë një në Të, ashtu ekziston bashkimi i së mirës dhe së vërtetës në veprat e krijimit, të cilat dalin prej Tij. Të gjitha gjërat në univers kanë lidhje dhe përfaqësojnë të mirën dhe të vërtetën. Prandaj konceptimi i natyrshëm i seksualitetit është një ide që lind spontanisht në mendjen e njeriut. Ky parim u prezantua nga Linnaeus në Filozofia e Mbretërisë së Perimeve, por për të ishte folur nga Plini shumë kohë para tij. Dallimi i seksit, përsa i përket organizmit tonë shpirtëror, e ka origjinën në Mendjen Hyjnore - në Dashurinë dhe Urtësinë e Zotit.

Prej Tij ajo vjen si një rrymë krijuese për tek raca njerëzore dhe, përmes kësaj race, në mbretërinë e kafshëve; nga kjo në mbretërinë e perimeve dhe kështu deri në hallkën më të ulët në zinxhirin e krijimit. Martesa, në gjendjen e saj Hyjnore, është një bashkim i së mirës dhe së vërtetës, ose i dashurisë dhe urtësisë dhe në rëndësinë e saj shpirtërore simbolizon një gjendje të tillë shpirtërore. Ajo e ka origjinën te Zoti, ka ekzistuar në Parajsë dhe duhet të transferohet me pastërtinë dhe lumturinë e saj gjithnjë të pashtershme në bregun Hyjnor. Ata që mund të perceptojnë lidhjen e domosdoshme midis institucionit të martesës dhe rritjes morale dhe shpirtërore të racës sonë, do të gjejnë mbi këtë temë kaq të rëndësishme në pikëpamjet e Swedenborg, farën e një periudhe të re të krijimit të Mbretërisë së Perëndisë midis njerëzish.

44 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page