Federata e Paqes Universale me 6000 ambasadorë në Shqipëri dhe Kosovë
Manushaqe Shehu, e vetmja gjeneral majore në FA, ambasadore për paqe
Nga Halil RAMA
· Me titullin “Ambasador për paqe” u vlerësuan edhe: Prof, asc. Dr. Ali Tonuzi – kirurgu vitreoretinal më i mirë që ka sot Shqipëria; ikona e këngës qytetare Hysni Zela-Mjeshtër i Madh, atleti profesional olimpik i Federatës Atletike Shqiptare Izmir Smalaj me arritje sportive mahnitëse dhe gazetari i mirënjohur Ervin Kurti
Në këto kohë të ringjalljes së konflikteve ndëretnike dhe të thellimit të krizës globale, të promovosh paqen universale është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet njerëzimit. Këtë shërbim po e bën më së miri Federata e Paqes Universale - Shqipëri, e cila në harkun kohor të dy dekadave (nga viti 2005 kur ka nisur aktivitetin në Shqipëri dhe Kosovë) u ka dhënë titullin “Ambasador për Paqe” 6000 personaliteve të nderuara të botës akademike, artit, kulturës e letrave në dy shtetet shqiptare. Më së miri e ka kryer këtë mision Këshilli i Paqes Tiranë që drejtohet me përkushtim të rrallë e profesionalizëm të spikatur nga kreu i këtij këshilli, ikona e gazetarisë sportive dhe e dokumentarit televiziv, Defrim Methasani.
Eventi më i fundit i këtij këshilli, nën logon “Modele pozitive që frymëzojnë paqe” që ishte vërtetë mbresëlënës, do t’i surprizonte edhe Dr.Michael Balcomb, President i Federatës për Europën dhe Lindjen e Mesme, si dhe Dr.Song Yen Chon, President Ndërkombëtar i Federatës së Familjes, të cilët në fjalët e tyre përshëndetëse vlerësuan maksimalisht rolin që ka luajtur dhe luan Federata e Paqes Universale – Shqipëri.
NUMRI DY I FA TË RSH, MISIONARE E PAQES GLOBALE
E kush më mirë se Manushaqe Shehu, e cila me me Dekretin Nr.1313, datë 17.06.2021, të Presidentit të Republikës, u bë e para grua shqiptare me gradën madhore “Gjeneralmajor”, e meriton titullin “Ambasadore për Paqe”?! Ndaj dhe qindra pjesëmarrësit në sallën moderne të Federatës së Paqes Universale në Tiranë, ajo do t’i magjeste me fjalët e ngrohta, me sytë shkëlqimtarë, me mençuri të rrallë, vizionare si askush, si misionare e vërtetë e mishërimit të paqes në çdo qelizë të saj.
Gruaja e hekurt që ka shërbyer dhe drejtuar ekipet tona të paqes në disa vende të botës, ndërsa ka marrë titullin “Ambasadore për Paqe”, ndër të tjera në fjalën e saj të mirënjohjes do të sillte në vëmendjen e të pranishmëve mesazhet e të Madhes Nënë Tereza, se: “Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen…..Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri…. Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe..”. Pikërisht edhe në këto çaste solemne, Zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH, gjeneralmajor Manushaqe Shehu përçon tek publiku shpirtmirësinë, largpamësinë dhe vizionin e saj për domosdoshmërinë e mishërimit dhe promovimit nga cilido të Paqes Universale. Veçanërisht gratë dhe vajzat oficere krenohen me profilin e shefes së tyre, doktore e shkencave, gjeneralmajor dhe juriste. Mbi të gjitha, tek ajo spikasin vlerat njerëzore. Personaliteti dhe karakteri i saj në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri, ajo mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare.
ËSHTË POLITIKA AJO QË KA MË SHUMË NEVOJË PËR PAQE
Dr.Arian Starova, ish deputet, Ministër i Punëve të Jashtme dhe zv/ministër i Mbrojtjes, aktualisht President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë dhe Kryetar i Bashkimit Liberal Demokrat, në përshëndetjen për të pranishmit dhe veçanërisht për të vetmen grua shqiptare gjeneralmajor në FA, Manushaqe Shehu, që tashmë mban edhe titullin “Ambasador për paqe”, ndërsa është shprehur me modesti se merret me veprimtari të ndryshme, por edhe me pak politikë, theksoi se është politika ajo që ka më shumë nevojë për paqe. Diplomati Starova, ndonëse e konsideron shumë të vështirë misionin e futjes së paqes në politikë, ka shpesë se nga amasadorët e paqes dhe shumë të tjerë, mund të bëhet diçka edhe në politikë që më në fund të shihen më shumë gjërat që na bashkojnë në interes të kombit tonë. Në këtë event të rëndësishëm Ai uroi Gjeneralen Shehu për titullin që iu dha si Ambasadore e Paqes. Duke i uruar suksese, Starova tha se misioni i paqes nuk ka filluar sot, për Gjeneralmajor Manushaqe Shehun, sot ajo mori vetem titullin…
Prof, asc. Dr. ALI TONUZI – kirurgu vitreoretinal më i mirë
që ka sot Shqipëria, tashmë edhe “ Ambasador për Paqe”
Këshilli i Paqes për Tiranën ka bërë përzgjedhjen më të mirë, duke i dhënë titullin “Ambasador për Paqe” Prof, asc. Dr. Ali Tonuzit, kirurgut vitreoretinal që kryen ndërhyrjet më të ndërlikuara në sy, që u ka kthyer dritën e syve mijëra e mijëra njerëzve që i janë mirënjohës për jetë.
Prof.asc.dr.Ali Tonuzi, në mesin e moshës së tij ka arritur një karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale. Jo vetëm si një okulist famoz (ndër të vetmit në rang vendi e rajoni që kryen operacione të shkallës së lartë), por prej dy dekadash edhe si një ndër pedagogët më të mirë në Departamentin ORL-Okulistikë të Fakultetit të Mjeksisë në Universitetin e Mjeksisë Tiranë. Ai është përfshirë intensivisht në botën akademike pasi fitoi titullin “Doktor i Shkencave Mjeksore” (Maj 2002) dhe Prof. Asc në Tetor 2012. Gjithnjë është karakterizuar nga humanizmi i pashoq, paqja e mirësia ndaj pacientëve. Ai, si dhe bashkshortja e tij D.SH.M. Orjeta Tonuzi, ndër mjeket më të mira Otorinolaringologe pranë Shërbimit O.R.L, Spitali Francez - QSU “Nënë Tereza”, parasëgjithash janë prindër dhe familjarë shembullorë…
Para se t’u jepet titulli “Ambasador për paqe”, si të tillë u prezantuan nga Z.Methasani edhe moderatori i emisionit “E Diell” në Top Chanal Ervin Kurti, një ndër gazetarët më të talentuar që ka përfunduar edhe studimet master për Diplomaci e marrëdhënie Ndërkombëtare; atleti profesional olimpik i Federatës Atletike Shqiptare Izmir Smalaj me arritje sportive mahnitëse (kampion Europian i sallave të mbyllura – Beograd 2017; Fitues i çmimit “Atleti më i mirë i Kampionatit” – Lihtenshtejn 2018; kampion ballkanik 7.90 m – shkurt 2021; rekordmen i atletikës shqiptare, rezultat historik 8.16 m-2021; kampion ballkanik i sallave të mbyllura, Stamboll-Turqi, 2022; Dekoruar nga Presidenti i Republikës në vitin 2017 me titullin “Mjeshtër i Madh”). Meritat dhe rezultatet e këtij kampioni që bën krenar çdo shqiptar i evidentoi më së miri Mjeshtri i Madh Leonard Tase, ndër personalitetet me rrezatim mbarëkombëtar në fushën e sporteve, si sportist dhe drejtues i talentuar.
Dhe ai që do ta elektrizonte sallën qe padyshim artisti me famë botërore “Mjeshtri i Madh” Hysni Zela, jo vetëm me intepretimin mjeshtëror të këngëve të tij karakteristike, por edhe me fjalët mbresëlënëse pas marrjes së titullit “Ambasador për Paqe”. Në vlerësim të të tij, maestro Zhani Ciko do të shprehej se z.Hysni Zela përfaqëson vlerat më të vyera të familjes lushnjare, si ikonë e këngës qytetare.
SHQIPËRIA DHE KOSOVA ME 6000 AMBASADORË PËR PAQE
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Paqes Universale për Shqipërinë Gani Rroshi, ndërsa ka uruar pesë ambasadorët e rinj, që iu shtuan numrit 6000 të Ambasadorëve për Paqe në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët përfaqësojnë elitën e shoqërisë shqiptare duke përfshirë këtu udhëheqës të sferës politike, akademike, fetare, shoqërisë civile etj, ka bërë të ditur se Federata e Paqes Universale (FPU) është një rrjet global individësh dhe organizatash që i janë përkushtuar ndërtimit të një bote në paqe, bazuar në vlera morale dhe shpirtërore universale dhe se FPU është një OJF me Status të Përgjithëm pranë Këshillit Social Ekonomik të OKB-së.
Është vërtetë frymëzues dhe inkurajues numri prej rreth 150.000 Ambasadorë të Paqes që numërohen deri tani në botë. Në Shqipëri, Kosovë e Republika e Maqedonisë së Veriut, ndër 6000 Ambasadorë të Paqes këtë titull e mbajnë edhe: Presidenti Rexhep Meidani, Presidenti Alfred Moisiu, Presidenti Fatmir Sejdiu, Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeparlamentari Skënder Gjinushi, Kryeparlamentari Namik Dokle, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Kryeparlamentari Talat Xhaferi, Kryeministri Vilson Ahmeti, Kryeministri Pandeli, Majko, Kryeministri Bajram Kosumi, Kryeministri Ramush Haradinaj.
Kryeministri Albin Kurti, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, Prof. Dr. Jani Dode, Prof. Dr.Gjergj Mero, Prof Dr. Bilal Shkurtaj, Prof. Dr. Mahir Hoti, Prof. Dr. Arben Puto, Prof. Dr. Mernglen Verli, Prof. Dr. Valentina Duka, Prof. Dr. Sokol Axhemi, Prof.Dr. Lisen Bashkurti, Prof. Dr. Përparim Kabo, Prof. Dr. Selami Xhepa, Prof. Dr. Sulejman Abazi, Prof. Asoc. Ali Tonuzi, Prof. Dr. Eralda Çani, etj si dhe Artistët e Popullit Margarita Xhepa, Tinka Kurti e Rexhat Arbana, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetari Nderi” i Qarkut Dibër Muharrem Gjoka, njëherësh President i Ansamblit Artistik Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, që ka fituar disa çmime të para e trofe në festivale kombëtare e ndërkombëtare, si në Turqi, Ulqin, Strugë e Prishtinë, si dhe dhjetra personalitete të letrave e publicistikës.
Duke konfirmuar mbështetjen dhe promovimin e punës së Kombeve të Bashkuara, si dhe arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit për Zhvillim, Z.Rroshi bëri të ditur se “Titulli Ambasador për Paqe u jepet atyre individëve, jeta e të cilëve mishëron parimin e të jetuarit për hir të të tjerëve dhe që i përkushtohen praktikave që promovojnë vlera morale universale, familjen e fortë e të qëndrueshme, bashkëpunimin ndërfetar dhe ndëretnik, harmoninë ndërkombëtare, rinovimin e Kombeve te Bashkuara, median e përgjegjshme dhe vendosjen e një kulture të paqes. Duke kapërcyer kufijtë raciale, fetare, kombëtare dhe etnike ambasadorët për paqen kontribuojnë në përmbushjen e shpresës së të gjitha kohërave – një bote të bashkuar në paqe ku dimensionet fizike dhe shpirtërore të jetës janë në harmoni.”, -tha ndër të tjera Z,Rroshi.
Për këtë mision të rëndësishëm folën edhe Prof.dr.Saemira Pino-Kryetare e Akademisë së Paqes, ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, Prof.dr.Astrit Memia, Znj.Manjola Vashnatiç, Presidente e Federatës së Familjes Shqiptare, etj. Më të larmishëm e bënë këtë event, maestro Armaldo Kllogjeri dhe grupi i valltarëve të Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit” me performancën e tyre artistike.
Comments