top of page

Mall që djeg


Skruaj për atë që ti di, mos shkruaj për atë që nuk di! Amos OZ


Çdo pasdite vonë, në të ngrysur, Ajdini kthehej nga puna. Sapo dëgjoheshin hapat në oborr, dy vajzat e tij më të rritura, Selma dhe Herjei menjëherë, shtronin mbulesën e bukës në tavolinë, vendosnin pjatat, lugët, kanën e ujit dhe gjellën e ngrohtë, që kishte gatuar e shoqja, dhe së bashku darkonin. Ndërsa tavolina pastrohej e çdo gjë shkonte në vendin e vet, Ajdini, e kishte bërë zakon të shplodhej. Nuk shtrihej, por ulej në minder, mbështetej në jastëkët e gjatë të zbukuruar me dantellat që kishin mbetur nga paja e së shoqes, Ajsha, mblidhte këmbët dhe mbështillte gjunjët me pëllëmbët e duarve. Me sytë mbyllur ia merrte këngës së tij të preferuar, me atë zërin melodioz, me një tonacion të ulët, që vetëm ai ta dëgjonte: “Dal me çujesh milla majko”, “A më dëgjon e shtrenjta nënë”. Këtë këngë, Ajdini do ta këndonte pothuaj çdo natë. Mija, vajza e tij e vogël, me habi mendonte: Përse vallë, babai këndon çdo natë të njejtën këngë, nuk di këngë të tjera? Pa tjetër që dinte, madje shumë këngë të bukura, por më e preferuara, qe ajo, “Dal me çujesh milla majko”, sepse i dukej sikur ishte balsam për plagën e tij, që kurrë nuk iu mbyll. Ishte kënga e nënës, që e kishte lënë jetim që nëntë vjeç. E këndonte atë kënge malli e brenge, sepse nëna i kishte munguar gjithë jetën, edhe pse ishte bërë baba e gjysh, ai mall e kishte ndjekur dhe kishte bërë folezë në shpirtin e tij. Ishin ato momente, kur në dhomë mbretëronte heshtja. Mija, e dëgjonte me sytë mbyllur e përhumbej! Ishin vërtet të magjishme ato çaste, i dëgjonte dhe padashje lotët i rridhnin çurk. Nuk i fshinte, i linte të lira, vetëm i gëlltiste ato lot të kripura, sepse në ato çaste nuk donte ta prishte atë dëgjim të ëmbël. Kur e vështronte babanë me sytë mbyllur, teksa këndonte me aq patos me zërin e tij të ëmbël burrëror, morrnica i bëhej shtati, mallëngjehej, sepse e dinte historinë e gjyshe Demkës, ia kishte treguar i ati sa e sa herë. Në ato momente, ajo ndjehej si një pjesëz e thjeshtë shpirtërore dhe materiale e universit. Përtej fjalëve dhe komunikimit tingëllor të babait, ndjente një tjetër komunikim, mjaft të afërt, që e perceptonte ashtu thjesht me ndjesinë e saj fëmijërore, si ndijim zanor e shqisor. Kishte përshtypjen sikur fjalët e tingujt e sjella me melodinë e ëmbël, ishin pjesë e atij komunikimi të ngrohtë e shpirtëror, që gjallon vetëm mes njerëzve. Natyra, universi kishin lënë një korridor mes tyre për t’u lidhur e kuptuar, e kush bëhej pjesë, zbulonte universin. Jo më kot muzika nuk kish nevojë për t'u përkthyer, ajo ishte e të gjithëve, si tingull e melodi! Dhe kështu vit pas viti, teksa rritej, vajza e vogël përjetonte një mrekulli përrallore kur dëgjonte babanë duke kënduar, apo kur i binte kavallit. Ajo zhytej nën ata tinguj aq të ëmbël, aq sa i dukej se gjithë fëmijëria e saj ishte përkundur nën këta tinguj, që rridhnin ngadalë si ujëvarë prej bjeshkëve të largëta e të magjishme të vendlindjes së të parëve.

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page