top of page

Magjia e manave


Magjia e manave


Fragment nga romani: “Shtëpia në kornizë


Fatmir Terziu


Shtëpia ku unë u rrita, është bërë një me shtëpinë e përjetshme të Gjyshit. Unë mezi dalloj midis shtëpisë dhe gjyshit tim, se të dy kanë hequr dorë nga hija e manave të bardha dhe atyre dy të tjerave me ngjyra të zeza dhe të kuqe. Të lodhur nga ikjet masive, braktisjet e këtyre viteve, po aq dhe nga frymërat, që ecin vetëm brenda shkallmave të tyre kanë mbetur ndoshta me sytë varur diku në ndonjë pikë ku manat e fundit gëlltiteshin nga zogjtë pafund të verës.

Vetëm unë ndjej disi ndryshe prezencën time të dikurshme. Jam ende fëmijë duke u rrëzuar e ngritur në ato dysheme, në ato mure, nën ato mana të shijshme.

Habitshëm përditë e përnatë jam në shtëpi, dhe ashtu ngulthmi rimarë drejtimin nëpër korridor dhe nëpër kuzhinë dhe tani unë jam duke zhurmuar nëpër dysheme.

Nuk ka njeri! Nuk ka njeri, fshij sytë dhe e kuptoj këtë togfjalësh që do të thotë “Largohu nga mahija ime!”


Të largohem? Të iki?

Unë që kam çelësin e të gjithë këtyre kujtimeve… unë të largohem?!

E habitshme. E mistershme. E dhimbshme.

Dhe bëj ashtu lehtazi, me përkujdesjen më të madhe për zhurmën, të bëj andej nga kovçeku i madh i shtëpisë, atë që stërgjyshi e pati sjellë nga larg të gdhendur e të zbukuruar për merak.

Mendova se stolitë e Nënës sime mund të ishin atje, por as nuk kuptohej se çfarë ishte bërë me ta.

Më theu zemrën kur e pashë atë që kurë s’e kisha parë. Ishte tashmë thjesht një rrangallë pa kujtime. Një sënduk i flakur, i brakstisur, i mëkatur. Doja të kisha përsëri kujtime, doja të ribleja të gjitha memorjet. Dhe sikurse ndodh në të tilla raste, Njeriu i asaj dynjaje, në zgullimën e tij kërkon të hapë banka e të shkruajë e të firmosë çeqe, për të mos thënë dengje e dengje me para nga shtete e vende të ndryshme. Ishte kot. As edhe të gjitha paratë në botë nuk mund t’i blinin kujtimet.

Magjia me të cilën isha rritur me të kishte vdekur. Nuk kisha më fëmijëri që të binte mbi zhardhokë të bardhë, që vinin në jetën e tyre pranverore nën derdhjen e gëzofit dhe të pjalmnin ballin me freskinë dhe aromën e tyre. Ata ishin sikurse bora që bie për herë të parë në sytë tanë. Dhe tashmë ishin fshirë. Atje nuk ishte bishtalecja ime e dashur e fëmijërisë, nuk binte më borë që ta shembja me sa forcë që kisha atë bullafiqe të vogël, me të cilën kaloja mjaft kohë. Dhe pastaj t’i thoja se shumë e shumë e doja… dhe kur të rriteshim… Ah, kur u rritëm.


Kur u rritëm? Doja t’i thoja: “Më pëlqen të jem i vjetër në moshë kaq të re”. Mblidhnim mana me të dhe laparosesha unë e ajo qeshte me dënesë. Hapësirat e gojës, faqet, flokët, duart, këmisha ime me mana. Pastaj rrokullisesha bashkë me të si brumë në lëndinë dhe e mbyllja në errësirën e ëndërrave të mia, atë xixllë me duart e vockla, atë vajzushkë ku gishtat e hollë të saj më ledhatonin ëndërrat.

Dhe akoma peltja e vetme që unë do të ha është peltja e manave.

Manat që mblidhnin doçkat e saj ishin më të mirat. Ajo ishte e qeshur. Dhe qeshte derisa e zinte kolla.

Më shumë se një kollë ishte dhe koha që ndryshonte shpesh. Dhe ajo pastaj tentonte të ndalonte kollën derisa dukej sikur po ia merrte frymën e saj. Derisa nga larg i sollën një makinë. E atë e mbante me vete. Që e vogël kishte punë me frymëmarrjen. Ajo makinë duket se më ndjek edhe tani. Ajo duket me sy të gjelbër gjatë natës dhe qëndron në derën e hapur që kurrë nuk e kuptoj pse duhet të qëndrojë atje. Dera prej saj asnjëherë nuk u mbyll. Mbeti e fshehur në atë makth ku insistonte të bëhej palë me mua në të njëjtin korridor që do të deshte të ishte dhe gjyshi im. Unë kam dashur gjithmonë të rend si i çlirët pas kësaj ane të shtëpisë.

Magjia që kishte shtëpia tashmë ishte zhdukur. Ajo kishte hyrë thellë në ëndërra të gjata e të largëta. Fshiva sytë, ndërsa po zgjasja duart tek manat në tryezë, ndjeva se aty strukej diçka më e magjishme, ndjeva se ende po e ndiqja magjinë që ulej në papafingo të shtëpisë që nuk e pashë kurrë.

85 views12 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page