Magjia e Kryekolltukut
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 3, 2020
- 1 min read

Kryekolltuku ka aftësi :
Shkretëtirën kthen në oqean.
Të tjetërson si me magji,
Të bën engjëll, të bën shejtan.
Pa mund të jesh i gjatë, tra,
I trashë sa një mullar bari,
I shkurtër, metrin e kap, për ca
I hollë si hosten pendari...
Kryekolltuku të bën model,
Të trimëron, ta flak tundimin.
Të bën artist që ecën mbi tel,
Ta zbukuron si mis, vështrimin.
Mundet të flasësh si gagaç,
Shpirtin ta kesh blozë, katran,
Gojën ta shqyesh si rrugaç.
Në shkollë të jesh katraman…
Kryekolltuku zërin ta zbut,
Me dhelpëri bekon kurorë.
Dru të jesh, të kthen në frut,
Ujk, i egër kur ndan sinorë.
Le të jesh gur, i pagdhendur,
Cipëplasur e pa moral.
Emër humbur, i pa gjendur.
Gjuhë lavjerës si papagall…
Kryekolltuku n`peshë e hije
Të rrit, të bën finok n`premtime.
Të mbush me mend, të fryn me shije.
Në sofra servir fjalë, jo ushqime.
Fytyrën le ta kesh me blana,
Le të ecësh keq, si një topall,
Shtrembak trupin ta kesh si thana,
Nga sjellja le të dukesh budall …
Oaz mençurie, Kryekolltuku
Të bën për të ikur e të gjallë.
Vartësit të duken model eunuku…
Mbi Kryekolltuk askush s´mund të dalë !
Comments