top of page

Magjia e dashurisë ushqen botën me jetë




Para pak ditësh, doli nga shtypi romani i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, me titull “Gjuha e zemrës”. Me këtë vepër të re, shkrimtarja, si një autore me emër në fushën e krijimtarisë artistike me vlera mbarëkombëtare, e ka lëvizur deri në fund perden e dritares së jetës, prej nga lexuesit i shpalosen disa realitete, të cilat ai i ndjek me një kërshëri të veçantë.

Këto realitete shkrimtarja i ka ravijëzuar në disa linja.

Së pari, atë e ka shqetësuar dhe e shqetëson një e vërtetë tragjike për fatet e etnisë shqiptare në gadishullin tonë, si kombi më i madh i tij që asokohe kur në skenën e historisë u kristalizuan kombet evropiane. Me këto shqetësime fillon uvertura e romanit, në të cilën autorja shpreh brengën e vet të thellë për krimet e rënda që kryen kundër kombit tonë fuqitë e mëdha evropiane, nën diktatin e Rusisë shoviniste, të cilat nuk u mjaftuan vetëm me copëtimin e trojeve tona etnike, por arritën edhe deri aty, saqë ndryshuan edhe emërtimin e gadishullit, nga “Gadishulli i Ilirisë” “Gфdishull Ballkanik”. Ai copëtim eksperimental u bë në kurriz të kombit shqiptar për krijimin e shteteve artificiale ballkanike në trojet e lashta pellazgo-ilire. Por projekte eksperimentale të fuqive evropiane kundër edhe atyre ngastrave që mbetën pas thikave të tyre të vitit 1878 dhe të vitit 1913, vazhdojnë të hartohen edhe në ditët tona dhe, fatkeqësisht, sot është bërë bashkautore e tyre edhe diplomacia e Blinkenit. Megjithatë, faji nuk është i të huajve perëndimorë, faji e ka strehën në përçarjen tragjike të dordolecëve të politikës shqiptare, të cilët bëhen urë e vigë para tyre.

Së dyti, shkrimtaren e shqetëson një plagë e kahershme në historinë e kombit tonë, plaga e emigrimit. Për shkak të natyrës së panënshtruar ndaj të huajve, shqiptari, në një masë të madhe, është detyruar të braktisë atdheun dhe të emigrojë drejt vendeve të huaja.

Kjo shkrimtare, si një penë me talent të veçantë, ka aftësinë të mishërohet në figurat e heronjve të këtij romani, të përjetojë të gjitha përpjetat dhe tatëpjetat në rrethanat ku ata ndodhen, të qeshë, të gëzojë, të dëshpërohet, dhe të tronditet, njëlloj si vetë ata, në varësi të sfidave ku i pëplas jeta me të papriturat e saj. Dhe të gjitha këto përjetime që i burojnë nga zemra, ajo ia përcjell lexuesit me mjeshtërinë e fjalës artistike. Prandaj ajo i zbulon lexuesit furtunat e shpirtit të vet:

“…i mërguari pas punës së lodhshme në dhé të huaj, me nostalgji kujton gjithçka që ka lënë pas. I gjori derdh lot dëshpërmi për njerëzit që tashmë i mungojnë”.

Mungesa e mjedisit komunikues me bashkatdhetarët e vet, është gjëja e parë që emigrantit i bie në sy sapo shkel në një vend të huaj. Sepse aty duhet kohë për të gjetur miq dhe të njohur, duhet këmbëngulje dhe vendosmëri për të ruajtur lidhjet e vjetra me bashkatdhetarët e njohur në atdheun amë, sepse ruajtja e atyre lidhjeve në largësi kërkon edhe sakrifica. Madje qëllon që edhe miqtë më të ngushtë mund t’i largohen apo edhe ta ndërpresin komunikimin për fare. Në raste të tilla, emigranti bie në një gjendje stresi, sepse e ndien veten në kushtet e një izolimi social, si një njeri i braktisur.

Me brengosjen e vet për fatin e emigrantit, autorja e nxit lexuesin të bjerë në përsiatje se cila duhet të jetë rrugëzgjidhja e tij. Sipas teorisë universale të përshtatjes së njeriut në kushte krejtësisht të tjera, teori kjo, të cilën, në mesin e shek. XX, e ka pasë parashtruar antropologu kanadez Kalervo Oberg (1901-1973, çdo emigrant kalon një periudhë krize, e cila mund të jetë kaq e rëndë, saqë mund të çojë në një depresion klinik. Pikërisht kjo është periudha më e rëndë, kur në fund të “tunelit” nuk shkëlqen ndonjë rreze drite.

Në strukturën e romanit, autorja ka përfshirë edhe poezinë “Mërgimi”, në të cilën shpërthejnë gulshet e shpirtit të saj për fatin e gremisur të emigrantit.

Kjo poezi më emocionoi jashtë mase dhe më shtyti tutje në vite, drejt vitit 2014, kur poeti i talentuar Përparim Hysi më pati dhuruar përmbledhjen poetike me titull “Kurthi i mallit”.

Në njërën prej poezive po me këtë titull, bien në sy një shpirt plot ndjesi, një përsiatje e plagosur, ca ndjenja dhe ca mendime prekëse deri në dhembshuri.

Kur lexon strofat në vijim, bindesh menjëherë se ç’mall i patreguar vlon në shpirtin e poetit zemërpërvëluar për atdheun që e ka lënë atje larg, matanë Oqeanit:

Ashtu si kujtesa që kapërdin çastet e hidhura,

Sa, pak nga pak, gjatë kohës i harron,

Kështu dhe malli të lidh si me zinxhira

Që janë aq të trashë, sa zor se shpëton.


Kur them kështu, e kam për mallin për Atdhenë

Që ngrihet mbi çdo mall, më i lartë se Everesti.

Këtë mall e kupton kush lë si unë Atdhenë,

Nga kurthi i këtij malli s’shpëton deri sa të vdesi.


Oksana Korzun (1988), shkrimtare dhe gazetare, ish-shtetase ruse dhe tani shtetase amerikane, me banim në Nju Jork, ka shkruar një libër të posaçëm, me përmbajtje mjaft interesante, kushtuar jetës së emigrantëve. Në Rusi ajo ishte aktiviste politike. Punonte në Agjencinë e luftës kundër korrupsionit. Pas një përvoje disavjeçare në punë, ajo pati arritur në përfundimin se lufta kundër korrupsionit në Rusi mbetet thjesht një ëndërr në sirtar e njerëzve idealistë, prandaj vendosi ta braktisë Rusinë një herë e përgjithmonë dhe në vitin 2016 emigroi drejt Shteteve të Bashkuara. Aty ajo e gjeti veten, duke hyrë ca nga ca në indin e jetës amerikane dhe në vitin 2018 botoi librin me titull “Si të zhvendosesh në një vend tjetër dhe mos ta pësosh nga malli për atdheun”, një vepër interesante kjo, të cilën nuk pranuan t’ia botonin në Rusi.

Në atë libër ajo thekson se zhvendosja në një vend të huaj, për shumë njerëz, kthehet në një nga ngjarjet më serioze në jetën e tyre. Ajo e vë theksin tek ajo që është shumë më e rëndësishme - te përgatitja psikologjike, në mënyrë që emigranti të mos mposhtet nga të papriturat që do t’i dalin përpara, nga malli për njerëzit e dashur dhe nga vetmia. Në atë libër janë radhitur dhjetra fakte nga jeta e emigrantëve që kanë përjetuar gjëra të tilla, janë shtjelluar mënyra të argumentuara për kapërcimin e problemeve emocionale dhe jepen këshilla mjaft të vlefshme për vetëqëndresë, sidomos në çaste të vështira.

Ja çfarë thotë për jetën në emigracion Profesori i mirënjohur Saimir Lolja, shtetas kanadez, dikur pedagog në Fakultetin e shkencave të natyrës të Universitetit të Tiranës:

“Ndonëse këndej prodhohen lumë filmat artistikë, jeta këndej nuk është film artistik... Fluturuam e zbritëm në Toronto më 6 Qershor 2000... Tre netë fjetëm mbi parket, me batanijet dhe velenxën që kishim marrë, derisa na erdhën krevatet dhe kolltukët që porositëm. Dy javët e para ishim si në muzg: gjysmë të zgjuar, gjysmë gjumë dhe rrjedhja e kohës kishte ngrirë” (Citohet sipas: “Jeta në emigrim nuk është film artistik - Intervistë me Prof. Saimir Lolja, Toronto”. Faqja e internetit “Flas shqip.ca”. 17 tetor 2021).

Me kalimin e kohës, shqetësimet dhe ankthehet e emigranit, ca nga ca, zënë e kalojnë në plan të dytë dhe instinkti i mbijetesë fillon e merr sipërinë edhe në kushtet e një mjedisi krejtësisht të huaj. Njerëzit, me të cilët emigranti komunikon gjatë punës, fillojnë t’ia largojnë ngapak ndjenjën e vetmisë, gjendjen stresive dhe, në përshtatje e sipër, ai nis ta shikojë realitetin e ri me një tjetër sy dhe diku në largësi zë e shfaqet një horizont me pak më shumë dritë, me pak më shumë optimizëm. E megjithatë, malli për atdheun vazhdon t’ia ndrydhë zemrën kohë pas kohe. Dhe lexuesi i romanit mallëngjehet së tepërmi nga fjalët e autores plot brengë sfilitëse:

Mërgimi, ah, mërgimi! Eshtë plagë e rëndë e shekujve që edhe pse nuk e shkakton plumbi, përsëri ajo rrjedh gjak, hap plagë të rënda shpirtërore që përherë rihapen dhe kanë shumë dhembje. Malli për fëmijët në emigrim përherë ka zhuritur zemrat e nënave. Për ata kanë rënkuar trojet… Emigracioni sjell shpopullimin dhe shpërbërjen e kombit”.

Autorja i përjeton artistikisht thellë turbullimet shpirtërore të emigrantit, sidomos të atij që sapo është zhvendosur në një vend të huaj, ajo hyn mrekullisht në botën e shqetësimeve të tij, duke i përcjellë lexuesit atë që në psikologji quhet culture shock, në anglishte, apo choc culturel, në frëngjishte, domethënë, në përkthimin fjalë për fjalë - shok kulturor, që mund të shpjegohet me barasvlerësin tronditje shpirtërore nga një mjedis krejtësisht i panjohur. Ky është një proces patologjik, që zhvillohet si përgjigje ndaj ndikimit të ngacmuesve të jashtëzakonshëm dhe që shoqërohet me një çrregullim në rritje të funksioneve të rëndësishme jetësore të sistemit nervor, të qarkullimit të gjakut, të frymëmarrjes dhe të këmbimit të lëndëve. Këtë term, në vitin 1960, e pati përdorur për herë të parë antropologu i lartpërmendur kanadez Kalervo Oberg.

Me fjalë të tjera, me termin shok kulturor nënkuptohet konflikti i dy kulturave në nivelin e vetëdijes individuale të emigrantit.

Së treti, në uverturën e romanit të lë mbresa të pashlyeshme linja e luftës së klasave, e këtij demoni të përbindshëm që shkatërroi themelet e fisnikërisë shqiptare dhe çoi në shfarosjen pothuajse tërësore të elitës intelektuale, të pajisur me kulturë të gjerë në universitetet perëndimore. Kjo ishte tragjedia më e rëndë që diktatura komuniste i shkaktoi vendit tonë gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore. Autorja e këtij romani, me prejardhje nga një familje me tradita të kahershme fisnikërie dhe atdhetarie, ka qenë vetë viktimë e luftës së klasave.

Së katërti, autorja ndalet në politikën e shpronësimeve kriminale që zbatoi diktatura komuniste, duke i grabitur popullit pasuri të jashtëzakonshme monetare dhe shumë prona të tjera. Nga studimi i dokumenteve arkivore, historiani Kastriot Dervishi ka bërë publike grabitjen e floririt të tregtarëve shqiptarë që arrinte në 320 tonë (Kastriot Dervishi. “Historia e plotë se kush e vodhi floririn shqiptar”. Faqja e internetit “Opinion”. 01 shkurt 2016).

Familjen e autores së romanit, diktatura e egër komuniste e pati vënë jo vetëm në tehun e luftës së klasave, por edhe në tehun e politikës së shpronësimeve të dhunshme. Dhe, fatkeqësisht, edhe pas vitit 1990, asaj nuk ia kthyen pronat e dikurshme, sepse diktatura komuniste u zëvendësua me demoshëmtinë dhjetoriste, në përputhje të plotë me strategjinë ramiziste.

Pasi e vazhdon rrëfimin edhe në disa linja të tjera për fatkeqësitë që e kanë ndjekur pas në shekuj etninë shqiptare, autorja ndalet në burimin e tyre - në përçarjen e tragjike të shqiptarëve, e cila ka qënë mbështetje e fuqishme për gjëmat e rënda që na shkaktuan të huajt. Prandaj ajo ndan me lexuesit një brengë që i buron nga shpirti:

“Për fat të keq, nuk i lë smira, xhelozia dhe urrejtja ndaj njëri-tjetrit. Eh, sikur shqiptari ndaj shqiptarit, në vend të këtyre cilësive negative të përdorte mirësinë, ne sot do të ishim ndryshe”.

Pas mbylljes së uverturës së romanit, autorja “ka përveshur mëngët” dhe “ka hyrë në magjen e gatimit”, ka filluar “të mbrujë” brumin kryesor të tij - dashurinë që ka lindur mes një të riu shqiptar, Dardanit, student në Rumani, dhe një vashe rumune, Aurelës, një bukuroshe që “e pati luajtur nga mendtë”. Kur lexova përshkrimin aq joshës të autores për lindjen e asaj dashurie, më erdhën ndër mend ato vargjet gjëmimtare për dashurinë e atij djalit nga treva e Labërisë:

Bukuroshe flokargjentë,

Më prishe fare nga mendtë,

Ika, lashë vetëm dhentë

Nga sevdaja jot’ e shtrenjtë.

Autorja e këtij romani, në krijimtarinë e saj të pasur artistike, temën e dashurisë e ka pasë trajtuar në disa nga veprat e saj në prozë dhe në poezi. Mund të thuhet me bindje të plotë se ajo është një mjeshtre e vërtetë në pasqyrimin e kësaj ndjenje hyjnore që mban njerëzimin më këmbë. Dashuria në penën e kësaj shkrimtreje është burim frymëzimi, e cila, të rinjtë, të rrëmbyer nga magjia e saj, i bën fatlumë që flatrojnë në rrugët e jetës shend e verë. Por, si një zonjë me prejardhje nga një familje fisnike, të cilën diktatura komuniste e bëri objekt të luftës së klasave, ajo ka trajtuar me një vërtetësi befasuese edhe temën e dashurive të vrara. Kushdo që ka lexuar veprat e kësaj shkrimtareje, me temë kryesore dashuritë e vrara, e kthen kokën pas dhe ringjall në kujtesë dramat e atyre dashurive të sakatuara për vdekje, ai rri e përsiat në qetësi: megjithëse ato ngjarje, që mbartnin në vetvete paradoksin e një diktature absurde deri në marrëzi, zhvendosen tutje në vite, drejt mjegullnajës së historisë, prapëseprapë mbresat e njerëzve zemërplagosur që ato i përjetuan me brenga aq të thella në shpirt, vazhdojnë të mbeten të pashlyeshme deri në botën e amshuar.

Shkrimtares nuk i ndahet shpirti nga tema e dashurisë. Edhe ditët e fundit, ajo botoi në internet tregimin me titull “Dashuroni si ne”.

Në këtë roman i bëhet një homazh fort mbresëlënës një dashurie të pastër, e cila i përballoi të gjitha tallazet e jetës, deri në moshën e thyer të heronjve të saj. Përshkrimin e kësaj dashurie autorja e bën me një frymëzin hyjnor, çka lexuesit i nxit fantazinë për këtë ndjenjë të shenjtëruar: dashuria është fillesa dhe vazhdimi i jetës në planetin tonë. Dashuria e Dardanit për Aurelën nuk është iluzion, ajo është shpërthim i një ndjenje të fuqishme nga dy zemra të pastra. Ajo lindi në një mënyrë fare rastësore. Ajo ishte dashuri me shikim të parë.

Gjatë pushimeve të verës, studenti Dardan Voka, në një karrocë ambulante, tregtonte ëmbëlsira dhe ndofarë çikërrimash të tjera. Një ditë prej ditësh, para tij ndali një karrocë luksoze, që i ngjante një karroce mbretërore. Prej saj zbritën dy zonjusha elegante dhe u afruan pranë karrocës së tij. Njërën prej tyre, shkrimtarja e përshkruan me aq ëmbëlsi, saqë lexuesit i ngjethet kurmi:

Ishte e hollë, e gjatë, shtatselvi, me flokët e mbledhura topuz, dukej si një artiste filmash.

Bukuroshja i kërkoi një krehër, të cilin Dardani deshi t’ia bënte dhuratë, por ajo s’pranoi, hodhi paratë dhe të dyja u larguan. Karroca mori drejtimin për nga pallati mbretëror.

Dardani u kap në befasi. Iu përfytyrua menjëherë sikur dy përcjellësa me ngarkesë pozitive dhe negative ranë në kontakt dhe u ndez një shkëndijë. Dhe me të vërtetë, një ndjenjë e shenjtëruar i shpërtheu në gjoks për fraksione sekondash. Në raste të tillë, lexuesi shtron pyetjen: çfarë ndodhi në organizmin e Dardanit, kur, sapo pa atë bukuroshe, afshi i dashurisë iu ndez aty për aty?

Për dashurinë që shpërthen me shikim të parë, shkencëtarët e fushës së mjekësisë dhe të psikologjisë kanë arritur në përfundimin se brenda një të pestës së sekondës pas kontaktit pamor, një ngcmim i fuqishëm vihet re menjëherë në shumë seksione të trurit, në gjak shtohen disa hormone të ndryshme, që sjellin si pasojë shpërqendrimin e veprimtarisë normale të sistemit nervor.

Po pse ndodh një gjë e tillë? Ku e ka burimin ajo shkëndija e parë e dashurisë?

Shkencëtarët e lartpërmendur kanë nënvizuar se dashuria me shikim të parë lind mbi një bazë gjenetike. I dashuruari apo e dashuruara, sipas tyre, brenda fraksioneve të sekondës janë në gjendje të përcaktojnë nëse është e përshtatshme gjenetikisht zgjedhja e partnerit ose e partneres së mundshme për shtimin dhe përftimin e një trashëgimie të shëndetshme. Sa më i goditur të jetë kombinimi gjenetik i mashkullit dhe i femrës, aq më e fuqishme do të jetë ndjenja që ka lindur midis tyre.

Shkrimtarja, me intuitën e një mjeshtreje të fjalës artistike, me fantazinë e saj, ka shtegtuar drejt seksioneve të trurit të Dardanit dhe të Aurelës, të cilëve shkëndija e dashurisë për njëri-tjetrin u pati shpërthyer njëkohësisht. Ajo ishte një dashuri me një magnetizëm kaq të fuqishëm, saqë, që nga çasti që shpërtheu dhe deri në moshën e tyre të thyer, pati folur jo vetëm me gjuhën e zemrës, por edhe me kthjelltësinë e mendjes.

Dardani ishte bir i një familjeje të thjeshtë fshatare nga Shipkovica, një fshat që shtrihet në qarkun e Tetovës, në shpatet e malit Sharr. Aurela ishte bija e një gjenerali, që kishte rënë gjatë Luftës së parë botërore. Ai kishte qenë mik i familjes mbretërore, në të cilën Aurela vinte si e ftuar dy-tri herë në vit. Pra, Aurela ra në dashuri me një djalë jo të sërës së vet. Kjo dashuri të kujton diçka nga jeta e artistëve të njohur.

[Gjëra interesante hasen nga jeta e artistëve të Hollivudit, të kësaj “kështjelle” të njohur të kinematografisë botërore, ku historitë e dashurive dhe të aventurave dashurore pas njohjesh rastësore, të shoqëruara me kurorëzime dhe shkurorëzime të shumta, janë pa fund. Por mbresa të veçnta të lë dashuria me shikim të parë e një artisti.

Aktori i Hollivudit Matthew McConaughey (1969) ka qenë i njohur si modeli i rrëmbyesit të zemrave, kurse pas filmit “Super Majk”, u bë një seks-simbol. Është zor ta besosh që ky bukurosh i kinematografisë jo vetëm që ka shumë vjet i martuar, por edhe lë kokën për bashkëshorten e tij. Ajo është modelistja braziliane Kamila (Camila) Alves (1982), me të cilën aktori qe njohur fare rastësisht në vitin 2006. Sapo e kishte parë, kishte thënë me vete: është pikërisht ajo. Aktori ka rrëfyer se para atij takimi, e ndiente veten si një “beqar fatlum”, por kur sapo kishte parë Kamilën, i ishte drejtuar shokut të vet jo me pyetjen “Kush është kjo?”, por me pyetjen “Çfarë është kjo”?. Dikur aktori pati shkuar për të ngrënë darkë në njërin nga restorantet e Los Anxhelosit, ndërkohë që braziliania aty po festonte ditëlindjen. Si zor ta thuash që ajo e dimte se, disa tryeza më tutje, qe ulur i zgjedhuri i ardhshëm i zemrës dhe, me këtë rast, dhurata më e bukur për ditëlindjen e saj. Në një intervistë, para se ta pikaste Kamilën, aktori qe shprehur se cila duhej të ishte e zgjedhura e tij ideale. Ai do të parapëlqente ndonjë kolege ose ndonjë yll të \kinematografisë, në mënyrë që ta kuptonin më mirë mënyrën e jetesës së njëri-tjetrit. Rastësia e solli që ai të njihej me Kamilën që nuk ishte as aktore, as nga ato të famshmet e Hollivudit, por zjarri i dashurisë për të iu ndez kundër çdo parashikimi].

Që nga ai çast kur shkëmbeu vështrimet me Aurelën. Dardani e humbi qetësinë, zemra po i rrihte me një tjetër ritëm dhe frymëmarrja i qe shpeshtuar. Karrocën ambulante e mbante diku jo fort larg pallatit mbretëror dhe shpesh herë sytë i hidhte nga një dritare, prapa së cilës dikush lëvzte perden kohë pas kohe. Ishte Aurela, të cilën e shqetësonin po të njëjtat emocione. Kështu, dashuria e tyre erdhi u bë edhe më e ndezur dhe një ditë u takuan. Mandej shpesh e më shpesh. Por në takimet e tyre nuk u vunë re kurrfarë përbetimesh, kurrfarë premtimesh apo, thënë më thjesht, kurrfarë deklaratash për besnikëri deri në amshim. Ata flisnin me njëri-tjetrin vetëm me gjuhën e zemrës. Sepse jeta na mëson që dashuria me përgjërime dhe me premtime të shumta, zakonisht nuk është jetëgjatë.

[Këtu e disa vjet të shkuara, kur ndodhesha në Tiranë, një mbrëmje isha duke ndjekur lajmet kryesore në televizionin “Klan”. Pasi mbaruan lajmet, prezantuesja njoftoi për vazhdimin e programit me emisionin “Më shumë dashuri”. Pas pak, në ekran doli një çift. Vajza ishte bukuroshe mahnitëse. Nuk e quaj me vend t’ua përmend emrat, se nuk dëshiroj t’ua lëndoj ndjenjat. Drejtuesja e emisionit u drejtoi shumë pyetje dhe kur biseda po i afrohej fundit, i pyeti se si e vlerësojnë dashurinë që ushqejnë për njëri-tjetrin. Bukuroshja u përgjigj e para. Ajo shpërtheu me fjalë plot afsh për dashurinë e saj për të fejuarin që kishte në krah:

“Pa… (përmendi emrin e të fejuarit) nuk mund të jetohet”.

Nuk më la përshtypje të mirë një deklaratë e tillë, sepse dyshova në jetëgjatësinë e asaj dashurie. U çova nga kolltuku dhe shkova mora bllokun e shënimeve mbi tryezën e punës, ku, kohë pas kohe, hedh ndonjë mbresë nga jeta. Shënova datën e transmetimit të emisionit (11 prill 2008), deklaratën e bukuroshes dhe reagimin tim ndaj saj:

“Të shikojmë se sa jetëgjatë do të jetë dashuria e saj për të fejuarin. Uroj nga zemra që dashuria e tyre të jetë e përjetshme”.

Pas 14 vjetësh, çuditërisht dhe fatkeqësisht, çifti u shkurorëzua].

Takimet u shpeshtuan, por Aurela ishte vetëm mysafire në pallatin mbretëror, kurse nëna e saj jetonte 600 km larg, në Transilvani. Pas ca kohësh, e ëma e saj, Rozana Grauer, i kishte dërguar një letër familjes mbretëore që ta njoftonte për t’u nisur menjëherë. Para se të largohej, Aurela i la Dardanit një parullë të qëndisur, ku shkruhej në gjuhën shqipe:

“Rroftë Shqipëria dhe e ndihmoftë Perëndia”.

Atë natë Aurela e kishte larë me lot dhe, herët në mëngjes, qe nisur për tek e ëma. Dardanit iu ngrit mendja. Aq më tepër që dyshohej se e ëma mund ta fejonte Aurelën me ndonjë djalë me prejardhje nga një familje e sërës së saj.

Paskëtaj, shkrimtarja përshkruan odisejadën e Dardanit, i cili sapo mbaroi provimet, u nis për në Transilvani. Dashuria nuk mposhtet kurrë as nga vështirësitë, as nga largësitë. E dinte se, siç i kishte thënë Aurela, nëna e saj ishte “tel i sertë”, por Dardani, sapo arriti në Transilvani dhe u njoh me Rozanën, iu prezantua asaj si “kopshtar” që kërkonte punë sezonale gjatë verës. Shpresonte shumë se me punën si kopshtar mund t’i hynte në zemër nënës së Aurelës Me punën që bëri si një mjeshtër i vërtetë, asaj ia ngrohu zemrën. Rozana dha pëlqimin dhe bekimin për fejesë.

Gjatë qëndrimit në vilën e Rozanës, Dardani përjetoi njërin nga çastet më të lumtura të jetës së tij: gjatë kohës që Rozana ishte larguar për punët e fermës, ata patën dalë për një shëtitje në një lëndinë me bar të shëndetshëm. Atje u shtrinë përtokë, por afshi i dashurisë qe kaq i ndezur, saqë nuk i bën dot ballë joshës për kryerjen e një akti erotik, kurmet e tyre u shndërruan në një të vetëm.

Pasi Dardani përfundoi studimet në Bukuresht, organizuan një dasmë të thjeshtë, ku kishte ardhur edhe nëna e Aurelës. Çifti mendonte të vendosej aty me banim. Por autorja e romanit e vë çiftin e ri para një prove të vështirë. Dardanit i vjen një lajm i papritur nga Shipkovica për Babain e sëmurë rëndë, çka e detyroi të marrë vendim të nisej menjëherë për në atdhe. E diente veten të pushtuar nga ankthi: si do ta linte Aurelën vetëm. Por Aurela e dëshmoi se për dashurinë që ushqente për Dardanin kishte folur sa me gjuhën e zemrës, aq edhe me kthjelltësinë e mendjes. Dhe kur dashuria mbështetet mbi këto dy shtylla të fuqishme, ajo nuk tutet kurrë para çdolloj sacrifice dhe vështirësie. Dhe çifti mori rrugën për në Shipkovicë. Aty Aurelia, për herë të parë, u ndesh dhe u befasua me egërsinë e mjedisit: një fshat i largët malor, në të cilin nuk mund të bëhej fjalë absolutisht për kurrfarë infrastrukture, një fshati i braktisur nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik dhe kulturor, ku mund të përballej me një stres social dhe psikologjik, për arsye se, sipas mendësive patriarkale, gruaja jo vetëm që trajtohej si shërbëtore, por edhe keqtrajtohej.

Para pak ditësh pata një letërkëmbim me Zonjën Vilhelme për dy heronjtë kryesorë të romanit. Zonja Vilhelme më shkruante:

“Aurela në fshat milte lopët, dhentë dhe bënte çdolloj pune”.

Menjëherë më ra ndër mend diçka. Kur isha pedagog, në fakultet kishim një shef administrate. Ishte nga Korça. E kujtoj me shumë respekt se ishte shumë i komunikueshëm, përherë buzagaz dhe dallohej për një humor të këndshëm. Në njërën prej “dritareve” të orarit, e ftova në pinim diçka në kafenenë përballë fakultetit. Shkuam, u ulëm dhe po bisedonim. Pas pak, në kafene hyri Profesori i frëngjishtes, miku im Edmond Tupja, së bashku me një kolege dhe shkuan e zunë vend disa tryeza më tutje. Në bisedë e sipër, shefi i administratës më tha:

“Ky është Profesor shumë i përgatitur, i ka mbaruar studimet në Paris”.

Dhe, sa përmendi Parisin, psherëtiu lehtë dhe vazhdoi:

“Kam pasur një kushëri të parë që i pati mbaruar studimet në Paris, në vitet ’20. Atje ra në dashuri me një studente franceze. Ishte nga një familje intelektualësh, e lindur dhe e rritur në Paris. Dashuria e tyre paskej qenë kaq a madhe, saqë ajo la Parisin dhe erdhi me tim kushëri në Korçë, i cili familjen e kishte në fshat. Në fillim, para se të sistemohej me punë në qytet, shkoi me nusen në fshat. Ty të duket e pabesueshme, por nusja franceze i vuri emër vetes, sikur të ishte nuse shqiptare shembullore: milte dhitë, i nxirrte për kullotë, shkonte mbushte ujë në çesmë, gatuante, bënte të gjitha punët e shtëpisë, saqë gjithë fshati la mendjen për thjeshtësinë e saj befasuese”.

Jeta e Aurelës në Shipkovicë përbën një enciklopedi më vete. Një vajzë bukuroshe si yll i këputur, bijë gjenerali, e rritur në një familje fisnike, bëri emër në atë fshatë të largët malor. Ajo u bë busulla orientuese për të gjitha gratë dhe vajzat shipkovicare. Ajo iu fut me pasion studimit të gjuhës shqipe, derisa e zotëroi për mrekulli, duke pasur gjithmonë Dardanin pranë, dhe u bë melhem për zemrën e prindërve të tij të moshuar. Aurela ndikoi në mënyrë të jashtëzakonshme për emancimin e grave dhe vajzave jo vetëm të Shikpovicës, por edhe të zonave përreth, ndërkohë që Dardani punonte mësues, u jepte nxënësve për të mësuar poezi të Fishtës, të Naimit dhe të Çajupit, kushtuar Atdheut. Aty Aurela përjetoi çaste gëzimi dhe lumturie familjare kur pati lindur katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Por ajo përjetoi me dhimbje të thellë largimin e prindërve të Dardanit drejt amshimit. Megjithatë, goditjen më të rëndë në jetën e saj e pësoi kur humbi tragjikisht njërin nga djemtë, Skënderin 15-vjeçar, i cili qe nisur për në atdheun amë, për në Dibër, por, fatkeqësisht, në një ditë me shi mjaft të rrëmbyeshëm, e përpin dallgët e lumit Drin. Tronditjet e zemrës së saj vazhduan pas arrestimit të Dardanit, të cilin bishat fashiste serbe e patën torturuar egërsisht se pse u mësonte nxënësve gjuhën shqipe, se pse shpërndante gazeta, libra dhe parulla në gjuhën amtare.

Dihet që shumë prej shqiptarëve në Jugosllavi mundoheshin të arratiseshin drejt atdheut amë. Por sa kalonin kufirin, arrestoheshin nga rojat shqiptare dhe përfundonin në burg, duke iu nënshtruar torturave. Pra, andej skëterrë, këtej edhe më skëterrë. Edhe djali i madh, Albani, qe arrestuar nga rojat serbe dhe qe rrasur në burg. Por ai mundi të arratisej dhe të përfundonte në Rumani.

Kushdo që lexon me kërshëri faqet e këtij romani dhe njihet me jetën e Aurelës në Shipkovicë, befasohet dhe shtron pyetjen: si është e mundur që ajo vajzë bukuroshe la vendlindjen në Transilvani, ku kushtet e jetesës i kishte të shkëlqyera, edhe nën kujdesin e njerëzve që i shërbenin familjes, si të punësuar, dhe nëna e saj kishte në zotërim një fermë të tërë?

Aurela e la vendlindjen dhe familjen për dashurinë me shikimin e parë që i shpërtheu në gjoks si një shkreptimë rrufeje. Vërtet me shikim të parë, por ajo ishte një dashuri e madhe dhe për “administrimin” e një dashurie të tillë duhet talent. Jeta vërtetoi se Aurela ishte një vajzë me shumë talent. Kjo për arsye se dashuria e saj e madhe ishte e tillë, që i binte jo një teli, por të gjithë telave të zemrës. Dhe për më tepër, zemra e Aurelës, ashtu si edhe e Dardnit, rrihte jo për çdolloj dashurie, ajo rrihte vetëm për një dashuri të përjetshme. Shpërthimi i saj vërtet ndodhi brenda fraksioneve të sekondës, por ato fraksione u shndërruan në përjetësi. Dashuria e madhe është prova e zjarrit, përmes së cilës zbulohet edukata, karakteri, aftësia dhe zotësia e njeriut për t’i përballuar me vendosmëri furtunat e jetës me të papriturat e saj.

Ja, kjo është vërtet dashuri,

Kjo heroinë plot bukuri,

Që t’i merr mendtë si me magji,

Të përtërin, të merr në gji,

Të mbush me shpresë dhe mirësi,

Se nuk njeh tutë, vështirësi,

E besës gjer në përjetësi,

Se mbi kët’ Tokë ësht’ vetë Hyjni.

Në fund të romanit lexuesi mëson se gjithë historia e dashurisë dhe e jetës së Aurelës dhe të Dardanit, është një rrëfim me lirizëm të thellë, sipas regjistrimit që vetë Dardani kishte bërë në magnetofon dhe ia kishte lënë Albanit në trashëgim. Këtë histori, Albani ia pati rrëfyer gazetarit Bardhyl Korça, i cili kishte shkuar në Rumani për studime. Bardhyli e pati takuar Albanin në njërën nga rrugët e Bukureshtit, ku, ashtu si edhe i ati i tij dikur, shiste ëmbëlsira dhe çikërrima të tjera në një karrocë ambulante. Në karrocë Albani mbante një gazetë dhe një revistë të vitit 1932, ku ishte botuar historia e dashurisë së Dardanit dhe të Aurelës. Bardhyli e këshilloi Albanin që atë histori ta botonte si libër më vete në kujtim dhe në nderim të prindërve të tij. Dhe librin Albani e pati botuar me titullin “Gjuha e zemrës”.

Titulli i këtij romani më solli në kujtesë romanin “Zemra” të shkrimtarit të shquar japonez Nacume Soseki (1867-1916), njërit nga themeluesit e letërsisë bashkëkohore japoneze. Romani pati dalë nga shtypi në vitin 1914. Heroi kryesor është një student i zakonshëm, në emër të të cilit bëhet rrëfimi i shkrimtarit. Autori e njeh lexuesin me jetën e atij studenti në Tokio, ku kishte marrë me qira një dhomë në shtëpinë e një vejushe, me vajzën e së cilës ra në dashuri. Pas përfundimit të studimeve, ai kthehet në fshat, tek i ati, gjendja shëndetësore e të cilit sa vinte e keqësohej nga dita në ditë.


Kur ka filluar të hedhë në kompjuter këtë roman, autores i ka dal përpara një problem : cila do të jetë zgjedhja e strukturimit gjuhësor. Sepse çdo shkrimtar ka gjuhën e vet, mënyrën e vet të të shkruarit, të përpunuar mbi bazën e arsimimit, të formimit kulturor dhe të vetëpërsosjes gjatë përvojës jetësore. Gjuha e shkrimtarit është “mjet prodhimi” me shumë peshë në krijimtarinë e tij.

Në themel të këtij romani, autorja ka vendosur mënyrën e ndërkëmbimit të monologut me dialogun, çka e bën mjaft tërheqës stilin e saj rrëfimtar. Dikur, në njërin nga shënimet e mia për një vepër të autores, e kam pasë theksuar se gjuha e saj është mjaft e pasur me aforizma. Edhe në këtë roman, aforistika e saj është mjaft mbresëlënëse. Meqenëse në qendër të romanit është dashuria, aforizmat për këtë ndjenjë hyjnore janë të shumta, prandaj nuk mund të rri pa i përmendur:

Dashuria është oksigjeni që më jep shpresë për të jetuar.

Dashuria s’është vetëm gëzim, por është dhe trishtim.

Gjuha e dashurisë është kënga e jetës, është gjuha e zemrës.

Gjuha e zemrës është gjuha e dashurisë.

Kur këndon zemra, atëherë ka triumfuar dashuria.

Muzikën e shpirtit na e përciell gjuha e zemrës,

Të fshehtat e shpirtit i ruan vetëm zemra.

Vetëm zemra di të flasë ëmbël dhe bukur me gjuhën e saj.

Zemra flet në heshje.

Shpresoj që zonja Vilhelme dikur do t’i mbledhë të gjitha aforizmat, duke i vjelë ng korpusi i më shumë se pesëdhjetë veprave që ka shkruar dhe t’i botojë si libër më vete. Do t’i kujtojnë lexuesit aforizmat e famshme të Sami Frashërit.

Kaliforni, 17 qershor 2023

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page