BUKUROSHJA E JONIT
NGA PËLLUMB GORICA
Sa bukur kur udhëtarin që pret yllin e mëngjesit e urojnë: T’u bëftë rruga dritë!
Agu i parë i dritës dhe ardhja e ditës më gjeti në udhë drejt Sarandës së veshur me kostum kaltërsie. Ta prekësh atë, është shumë më tepër se një motiv i buzëqeshjes së diellit, të ujit kristal dhe llokoçitjeve dallgë-dallgë, që lëpijnë shkëmbinjtë, i dehjes së ndjenjave.
Magji e qëndisur nga dora e Zotit!
Rrugës për në Sarandë, ajo që të mrekullon aq shumë kur zbret Qafën e Muzinës, është Syri i Kaltër, një ndër vendet përrallore, jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjerë. Dhe nuk mund të rrish pa vizituar këtë “Blue eye”, me ndjesinë e një ngopjeje kënaqësie dhe qetësie shpirtërore në të njëjtën kohë. Para syve të shpalosen ngjyrat e gjelbërimit të lisave, rrepeve dhe shelgjeve shumëvjeçare, si të zënë prej duarsh që shtriheshin në faqen e poshtme të Malit të Gjerë.
Emri “Syri i Kaltër” e ka zanafillën në kohën kur projektohej hidroçentrali i Bistricës. Njërit prej inxhinerëve ky burim i ngjante me sytë e së dashurës (fejuarës) së vet. Dhe vërtetë uji që del nga thellësia e strukturës së tokës, të jep përshtypjen e syrit të bukur njerëzor, ngjyrë blu (si bebja e syrit) e më pas gurgullon i kaltër, duke ruajtur gjithmonë pamjen e bukur.
E kundroj këtë sy të kaltër (si qielli) dhe pamjet e përrallta rreth tij, që më duket sikur më flet me gjuhë misteresh, të përkëdhelura nga freskia e ajrit, nga fluturat e kaltra, nga ajo gumëzhimë e bletëve të palodhshme dhe e zogjve që sillen rreth tij me cicërima. Kërcimet kokëngulthi në ujin e ftohtë të të rinjve dhe çdo foto e filmim më mbajnë bukurinë e tij ndër sy, mes një dalldisjeje të ëmbël të gu- gu-së pluskuese, deri atje ku mblidhet në një liqen, për t'u derdhur më pas në lumin Bistrica.
Tregohet një legjendë, e trashëguar brez pas brezi se aty rrjedhin lotët e kuçedrës, që rrëmbente vajza e shpesh u bllokonte ujin banorëve, të cilët e vranë dhe nga syri i saj shpërtheu në sipërfaqe uji i ftohtë e i pastër.
Bistrica njihej në Antikitet si Lumi i Stihisë (Stiks për Latinët, Akeron për Grekët e Lashtë) ku ata besonin se shpirti i njeriut, pas vdekjes, vete në Botën e Nëndheshme të të vdekurve.
Homeri, Virgjili e Dante kanë thënë se hyrja për në Botën e Hijeve është një mjedis me pyll të dendur, si lumi i Nëndheshëm i Antikitetit Stihis (Stiks) e jo si në Akeron të Greqisë, i thatë nga bimësia. E përmend Odiseu se ai kur ishte te Feakët vajti e u fut në Botën e Nëndheshme nëpërmjet lumit të Stihisë, u kthye te Alkinou dhe Nausika, të cilët e përcollën me dhurata dhe një anije për në Itakë, atje në Jug, shumë afër lumit Akeron.
Megjithmend largohesh i zhgënjyer, nga kjo “dhuratë” e Natyrës, që është lënë pas dore nga ana e shtetit. Ecja në rrugën e pashtruar gjithë gropa e pluhur, të ngjall një ndjenjë jo fort të këndshme, sa gjithçka të zerohet. Nuk e dimë çfarë reklame i bën Ministria e Anti(kulturës) duke ditur që rrugët drejt vendeve turistike janë si kapilarët e gjakut për një komb.
Rrjedha e ujrave të kaltra të lumit Bistrica, pas udhëtimit me shumë dredha, merr forcë dhe krijon energji në dy HEC-e. Pas kësaj, shtrati i tij fjollë e kaltër, përshkon me një shushurimë të shtruar fushën e Vrinës, në një kanal ngjitur rrugës Gjirokastër-Sarandë.
Përmasat e tij (nga 10 m gjerësi, 3 metra thellësi dhe 25 kilometra gjatësi) shkojnë në Detin Jon, i cili me shumë dashuri e pranon në universin e vet plot kaltërsi, pafundësi e mistere.
Te kalaja përmbi qytet
Në Qafë- Gjashtë ecim për gjatë një lakoreje ngjitjeje drejt majës së Lëkursit. Që lart, nga ku ndodhemi, në kala, sytë përthithin qiellin ngjyrë pastel, atë dekolt’e të ujërave smerald të detit dhe panoramën e gjerdanit të bardhë të Sarandës,si në pëllëmbë të dorës e mbështetur shpatmalit të Kulmes. Saranda askund nuk shfaqet, si nga këtu më bukur e tërë madhështi magjepsëse. Qyteti, i përplasur në gjokset e kohës të mbush valixhen e shpirtit me historitë e moçme të Kaonëve, që kontribuan në formimin e shtetit të Epirit në shekullin V Para Krishtit, por edhe si pjesëmarrës në luftën e Peloponezit dhe e njohur prej figurave historike antike, që nga mbretëresha Teuta, konsulli romak Paul Emili, Filipi V i Maqedonisë, Pirroja i Epirit, etj.
Në Lashtësi ka pasur emrin Onhezmi. Emrin Sarandë e mori prej Manastirit të 40 Shenjtorëve, të cilët ishin ushtarë të një legjioni romak.
Mbeta në Lëkurës për një kohë të gjatë i mbështjellë nga vegime plot dritë. Më rrembeu një grimë çartja e bukur e Sarandës, nga tisi rozë në portokallinë e purpurt prej perëndimit të diellit, të këtij topthi që kuqëlon limitin e horizontit deri sa zhytet plotësisht në detin Jon. I jep vetes të drejtën e fluturimit si te Ikariusi mitologjik, paçka se mund të rrëzohesh në mes të detit dhe të plasësh kokën mbi ishullin e Korfuzit, i cili në atë kaltërsi ngjan si një njollë e madhe në mes të detit. Korfuzi (Korkyra), është emër me origjinë Ilire, i banuar në kohërat e lashta nga Liburnët.
Vështron qytetin, që i përqaset fatit të keq të kësaj toke, apo fatit të këtyre njerëzve, që ua kanë zënë frymën të pandërgjegjshmit, gjithë mendjemadhësi, duke e katandisur, nga kopësht në lulëzim, në gjysmëshkretëtirë të identitetit urban, me ndërtime të ngulfatura e të ngjeshura brinjë më brinjë, duke e vrarë poezinë e saj magjike e përjarguar pa turp me përdhosje e kafshime, që i kanë nxjerrë brinjët me dhëmbët e përbindshave matrapikë të dinosaurëve skllavatorë, si të qenë pushtues. Stërngjeshja e çdo hapësire, për të lënë fare pak vend për parqe, rrugë, trotuare sikur ia merr frymën.
E mund të mendosh se këto ndërtime e hijeshojnë Sarandën, nga ego e qytetarve të saj, që në kohën natyrore ishin në anën e duhur të gjërave për ta bërë shpejt Europë?!
Saranda është magji, një bekim i Zotit, plot ngjyra dhe gjallëri, që frymon e përtërihet, që të bën ta dashurosh, gjë që është më e fortë se shkatërrimi dhe makutëria e oligarkëve hajdutë me yshtjen e pushtetit. Ajo shumë shpejt do t’i ngjajë një Gjirokastre të dytë të bardhë, me peizazhet e pakrahasueshme dhe të ndryshme.
Brenda vetes kalaja e Lëkursit ka edhe një grimë histori të dhimbshme. Ajo bashkë me hapësirën e gjerë për rreth saj është një vend i kujtesës historike. Më 1878 u sulmua nga Grekët që hynë në Sarandë e kryen vrasje mbi popullsinë e krishterë, që nuk pranonin të greqizoheshin dhe gjatë ikjes e shkatërruan me themel atë dhe fshatin Lëkurës. Gjithkush kujton krimet makabre të Grekëve në Jug të Shqipërisë, në Çamëri e deri në Shqipërinë e Mesme, në fillim dhe në mes të shekullit të kaluar, të cilat kullojnë dhimbje nga tmerri i tyre.
Kalaja e Lëkurësit, që është një bukuri më vete, u ndërtua nga Turqit në shekullin XVII për të kontrolluar rrugët që kryqëzoheshin në Sarandë. Ndodhet në lartësi 250 metra mbi nivelin e detit, ka mure të larta, një kishë, një portë madhështore, kalldrëme dhe banesa të Traditës me Modernen, duke ngacmuar shpirtin e artistëve për të vënë kurorë.
Një mbrëmje Sarande
Marr rrugën teposhtë drejt qytetit dhe detit. Një fllad i lehtë të grish të dëgjosh pëshpërimën e valëve bardhoshe, të vështrosh gjethet e palmave që ndrijnë nga rrezet e diellit dhe të ndjesh aromën e bukenviles këndellëse, kësaj lule të bukur mesdhetare. Atë, para 150 vjetësh e pruri aty në Sarandë poeti ynë kombëtar Naim Frashëri.
Ne, si ata të dehurit, ecim (edhe pse të lodhur nga një udhëtim i gjatë) në mbrëmjen që ndezi dritat në rrugët, shtëpitë, hotelet dhe lokalet përplot me çifte të rinjsh e të Moshës së Mesme (shpesh edhe pleq) që shijojnë birrat, akulloret, krepat e ngrohta, teksa vetë shëtitorja sikur digjej nga hapahedhës të shumtë dhe gëlonte nga frymë, fjalë e tinguj. Ecëndhe përplasesh supesh me pushues, nga denduria e tyre dhe nga pengesat që krijojnë shitësit ambulantë me mallra gjithfarllojesh, të nxjerra nëpër tezga, që të ngjajnë me një panair përndritës ngjyrash e nuk mendon gjë tjetër veç të endesh në pamjen poetike të shkallareve. Aspak e këndshme zhurma e makinerive të rënda që mbushin me beton dhe gurë bregun e detit, ku po merr shtat projekti për shëtitoren e re. Ajo do të jetë ndryshe nga më parë, me më shumë hapësira, me më shumë bukuri, me shkallët buzë detit, me qytetari e kënaqësi për njerëzit, të cilët mund të ulen në mbrëmje aty dhe gjatë ditës të zhyten në ujë për të zbutur sado pak shijen e hidhur të betonizimit pa fre.
Ngrohtësia e dritave të mbrëmjes (me më shumë ngjyra se dita) zhurmat e motorrëve dhe boritë e makinave, dyqanet e shumtë që qëndrojnë hapur deri pas mesnate, tingujt e muzikës që vijnë nga lokalet, deti e shkëmbinjtë, njerëzit dhe drurët, jetojnë në një energji optimiste. Vendasit, në ketë kohë jo shumë të këndshme e aspak të sigurtë që po kalon Njerëzimi nga rreziqe virusi, i cili ka shkatërruar ekonominë dhe psikologjinë e njerëzve, janë tolerantë, mirëkuptues, të gatshëm; madje edhe arsyetues me tepritë e kësaj gjendje të qytetit të tyre, nga ky “pushtim” gazmor, që është “buka e përvitshme” e familjeve të tyre.
Një fragment muri që ka mbetur nga porta hyrëse e kështjellës antike të qytetit të tërheq vëmendjen së bashku, me ato skulpturat e mermerta, që kanë zënë vend me bazamentet e tyre mes të thjeshtës, natyrales dhe simbolikave. Nicolae Jorga ishte njëri nga personalitetet historike të kohës. I është përkushtuar një bust, me një natyrshmëri të pashembullt e zgjidhje kompozicionale perfekte të trajtimit të shpenguar të njeriut historik që bashkëjeton kaq bukur me natyrën, shoqëroren; gjer dhe me monumentalen e qytetit. Diku në anën tjetër (mjaft e dukshme dhe e ndriçuar bukur) ndodhet skulptura e Hillari Klintonit me stilin klasik. Me zgjidhje artistike të thjeshta, krejt të natyrshme, por tejet të mprehta e të befta për syrin e udhëtarit, shfaqen edhe bustet e poetit të Çamërisë Bilal Xhaferri dhe pranë tij busti i të madhit Hasan Tahsimi.
Këmbët ndaluan tek Limani. Varkat (edhe një anije e përngjashme me ato të kohës së Ilirëve) janë të vetmet që u bëjnë shoqëri sikurse edhe pulëbardhat. Ato rrinin tej në det e rrallë afroheshin në breg, vetëm kur ka dallgë të çafkojnë peshqit e vegjël si ushqim, me klithma ngazëllyese. Mëngjeseve e mbrëmjeve i sheh të qasen bregut dhe t’u gëzohen peshkatarëve, kur kthehen me rrjetat e mbushura me peshk.
Në parkun “Miqësia’’ më ligështoi shpirtin “Poema e mjerimit” e lypsve, me rroba të palara dhe vetë të palarë, që në lëkurë të vet lypin ekzistencën. Të gjithë nga shtresat e mjera të Romëve, Jevgjve e Arxhinjve. Një burrë i zeshkët e kockëdalë, me paterica dhe këmbë të shtrembra që i ka hapur vetes një plagë e ekspozon në mes të rrugës për të ngjallur mëshirën e kalimtarëve, duke zgjatur dorën, gati të prekë për t’i falur diçka.
Ja dhe një grua me foshnjën në prehër, e ulur galiç në shesh, që shqipton në mënyrë monotone, vajtuese e lutëse të njëjtën fjali:
Fali diçka jetimit zotni (zonjë); s'kam ç’t’i jap fëmijës. Ndërsa burri i saj rri ulur pak metra me larg dhe sheh me fytyrë të nderur nëse i hodhën gruas së vet ndonjë qindarkë.
Më shumë fat ka që ato pak qindarka t'i pijë raki. Sakaq fëmija nis të qajë nga sëkletet e veta. Gruaja i bërtet, e harron lutjen, madje i këput dhe nja dy shuplaka bythëve. Pak më tej një foshnjë e shtrirë për tokë që ndoshta fle rreth saj janë hedhur dy-tri qindarka. Sigurisht aty afër është dhe nëna e saj. Të vjen e athët kjo pamje, si jeta e mjeranëve të romaneve të Dikensit në Londrën e shekullit XIX apo si turma e lypësve dhe llumit të Parisit i romanit të Balzakut (“Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”), si ato të Hygoit (“Të mjerët”, apo “Katedralja e Parisit”), etj.
Kjo dukuri e përhapur si rrjedhojë e krizës ekonomiko- sociale, e rritjes së papunësisë dhe çmimeve e varfërisë dhe kriminalitetit në Shqipëri, që nuk zhduket lehtë, është kolerë; edhe pse ka shoqata që vjelin fonde nga Evropa për t’i larguar nga vendet publike, nga fjetjet në stolat e lulishteve, në rrugë, kafene; për ta çrrënjosur këtë plagë të qelbëzuar e këtë shëmti të qyteteve tona, duke u dhënë edhe Asistencë e strehë etj.
Perëndi e bukurisë
Ksamili, me bukurinë dhe befasitë e tij (i rrethuar nga ujëra e veshur me ngjyra të qeshura nën rrezet e florinjta të diellit) është një “Perëndi’ e bukurisë, që dha shije Gjithësisë”, do shkruante Naimi i madh, apo “Karaibe e Ballkanit”, siç tha aktori suedez Alexandër Ohrstrand për ishujt e saj si Poseidoni zotërues.
Ksamili u krijua, duke u qendisur artistikisht, në fillim të Viteve ’70 të shekullit të kaluar, nga mundi dhe djersa e rinisë shqiptare, ku kazma hahej me gurin, shkurret e ferrat, duke kthyer bokërrimat e tij në brezare agrumesh e ullinjsh. Më pas u kthye në një qendër banimi heterogjene me të ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe që nga ajo kohë ka pësuar ndryshime të tjera (në infrastrukturën rrugore; meshtëpi të reja, hotele, resorte, kafene e restorante) si një qëndër e mirfilltë turistike.
Janë orët e para të mëngjesit dhe një dritë e trandafiltë binte pjerrtas mbi detin. Në breg varka e çadra të ngritura si këpurdha shumëngjyrëshe, kafene e restorante. Rrezet e diellit, që shkëlqejnë në sipërfaqen e ujit, puthin trupat cullakë.Valët e detit butësisht ledhatojnë bregun shkëmbor e paskëtaj ashtu ëmbël e lehtas fëshfërijnë. E të duket sikur shkëmbinjtë kanë rënë në një marrëveshje hyjnore të përkëdhelen me dashuri nga ato, duke përsëritur shpesh këtë lojë të bukur.
E nis kështu ditën, me këto ndjesi, i ngrohur e i bekuar nga dielli bujar. Nga dritarja e hotelit shikoj plot njerëz (të rinj, dhe familje me fëmijë) që marrin rrugën drejt ishujve të Ksamilit që shfaqen si nëpër kartolina. Muzika jehon në bar-kafenetë e restorantet buzë detit me ashk erotik të Dua Lipës, të Ledri Vulës, e Jason Derulës; nga zëri i Malumës, apo ai brilant i J. Balvin.
Ksamili ka tërhequr edhe mjaft mërgimtarë. Ata nga Kosova janë modeli i turistit patriot që vijnë këtu, duke ndjerë veten si në shtëpinë e tyre dhe përjetojnë magjinë e tij. -Bukuria magjepsese e Ksamilit, -thotë Fazliu nga Vushtria,- e veçanërisht ajo blu e detit që sikur shkrihet me qiellin, merr shijen e kënaqësisë së çasteve të këndshme me familjen, me shoqërinë e miqësinë.
Kaltërsia blu e detit Jon, si në një ekran gjigant ndan dhe lidh dy brigje, dy shtete, dy popuj, Shqiptarë e Grekë. Jo larg bregut sytë shquajnë një ishull shkëmbor, në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit, të cilin Greqia e quan territor të saj. Ajo ka ndërtuar aty një far pa pyetur ligjet ndërkombëtare dhe po kërkon kufinj të tjerë detarë. Ëndrra e çdo qytetari evropian është të mos ketë kufinj. Se edhe kënaqësia nuk ka kufi. Nuk është serioze të vesh në peshore ndjenjat patriotike. Por realiteti bëhet dëshpërues ndonjëher, dhe thellë-thellë nga premisa shpirtërore, që lindin nga pretendimet greke, gjer edhe në përçarje e konflikte etnike. Ishujve të Ksamilit skiç, aq pranë dukej të lundronin anije turistike greke, si dashnore lozonjare, duke lënë pas rropollamën e zhurmës së motorrve. I shoh I trishtuar, dhe pezmatohem e s'kam ku të gjejë ca dyllë të mbyll veshët si Uliksi siujdhesës së Sirenave.
Ksamili ka një aromë ndryshe nga vendet e tjera bregdetare shqiptare, si një nga margaritarët e gjerdanit të Jugut, që Natyra e ka gdhendur me bukuri.
Aty ku është shkruar historia shumë vite para Krishtit
Një ndjenjë e thellë më shtyu të shkoj më në Jug, në tempullin më të bukur të Mesdheut dhe të gjithë Botës, në Butrint, atje ku shpërfaqet një qytetërim i lashtë. Si kushdo, edhe unë doja ta shihja dhe vështirë t’i rezistoja madhështisë së mrekullueshme që të ofron ky xhevahir i trashëgimisë kulturore shqiptare, admirimit të tij, si një pikëtakim me historinë mijëravjeçare, me misteret e magjishme të Antikitetit, si një mrekulli. Historinë sikur e bart me vete kur shkel me këmbët e mia mbi gjurmët e tij ( një magji për sytë e mi, që panë plot habi e mrekulli teatrin antik, i ngritur në shek: IV Para Krishtit me shkallët e tij për 2500 shikues).
Endem gërmadhave që të lenë një mbresë të pashlyeshme dhe drurëve gjigantë që lartohen drejt qiellit me bukuri joshëse, të përshëndetur nga koret e zërave të zogjve dhe gjinkallave përmes një afshi të nxehtë, përzjerë me fllad gjethesh, si për të na pëshpëritur harresën e trishtuar të kohës, edhe pse sadopak na ndihnin me një qetësi të “zbulojmë” Butrintin, atë që zbuloi arkeologu Italian Luigi Ugolini, që në bazë të një marrveshje të dy qeverive të kohës në vitin 1924, na la një thesar (sigurisht u morën shumë thesare të tij), që të mburremi sot në Botë. Një ditë këmbët e mia shtegtare ndjen se aty thellë e më larg hapësirave të paana të përfytyrimit (siç është vetë fluturimi i shpirtit njerëzor)merr shkëlqim rrezëllitës ky qytet me artefakte antike. Pra ‘‘mbyll’’ sytë dhe ec nëpër Butrintin, që ishte një qytet Epirotme kolona, skulptura dhe monumente nëpër dy anët e rruginave dhe shkallareve të rrethuara nga gjelbërimi, duke ndjerë kënaqësi se je futur në “Botën” që lëviz njëlloj si 2000 vjet më parë, me tinguj bisedash e trokitje të kupave të argjenda.
Shoh parinë e qytetit që frekuenton banjat dhe fëmijët e qeshur në sallën e pagëzimit e më tutje një mozaik shumëngjyrësh të një klasi me të vërtetë të rrallë. Shoh skllevër që ngrenë mure. Ilirët e veshur me veshjet e tyre karakteristike të kohës kur sundonin Evropën, Botën e pak përtej saj, sikurse shoh edhe të ardhur të tjerë me veshjet e tyrem të vendeve nga vijnë. Shoh ujanën e liqenit të Vivarit të mbushur me barka, që vozisin në unicitetin e tyre (burra, gra, fëmijë, qytetarë të serës së lartë, fshatar që shesin e këmbejnë prodhime, zejtarë që prodhojnë artikuj për atë jetesë, shoh tregun e frutave, zarzavateve, veshjes, etj). Shoh luftëtarë me armët e bukura, mbi kuaj që kalëronin me trokth, luftën e ‘‘gladiatorëve’’, apo të rinjtë e qytetit që ushtrojnë mundjen në teatrin e mbushur plot dhe që thërrasin për fituesin, sa që muret e tij të dridhen nga zërat hyjnorë që përcjellin shpirtin e legjendave mitologjike me fjalët e lashta të Homerit, Euripidit e Sofokliut të mençur, i cili thurte lavde dashurisë dhe luftonte urrejtjen: “Kam lindur për dashurinë dhe jo për urrejtjen’’, thoshte.
Më shfaqet Enea dhe shpura që i vjen pas, duke u larguar nga humbja e luftës së Trojës për të ndërtuar Trojën e re larg.
Qytetin dhe ngjarjet që u zhvilluan këtu m’i tregon Virgjili, ky vjërshëtor i këndshëm dhe epik i Romës Perandorake, në këngën III të Eneidas: “… Sapo lanë buzëdetin e armiqëve ndaluan në Kaoni. Dhe vajtën Trojanët e hynë nga porta skea në Butrint. Enea u end me shumë vuajtje në kaq dete dhe rreziqe. Pasi mori në të aguar dita, hodhën sytë lart, panë një vend shumë të bukur dhe menduan ta lartësonin aty flamurin e Trojës. Aty gjen trojanin Elen (bir i Priamit), që ishte martuar me Andromakën (gruan e Hektorit) dhe ishte bërë mbret i këtij trualli. Eleni kishte ngritur në këtë vend një fortesë, e cila i shëmbëllente qytetit, me portat, muret, pallatet madhështore me qemerë dhe kollona prej mermeri. Enea qëndroi dy ditë dhe duke shijuar shërbimet prej mbreti, që i bëjnë në mes të takëmeve të argjendta dhe kupave të arta duke dëgjuar nga Eleni jo profecira, që ia çelin shpirtin. Pastaj, pasi mori me vete shumë dhurata të vyera, falenderoi, duke ëndërruar të ngrejë një qytet si Butrinti, që t'i përgjigjet Trojës e kapërceu detin’’.
Pastaj, eca e eca nëpër fragmente të dy mijë vjetëve histori për të rishfletuar faqe të tjera të Butrintit antik. Në rrugën gjarpëruese sytë më ndeshën trakte muri (një ndër më të bukurit që kemi në Shqipëri), me gurë të mëdhenj të vendosur njëri mbi tjetrin, të lëmuar dhe pa llaç. Ato janë pellazge dhe provojnë lashtësinë në këto troje, por që humbi nën gunën e zeze të mugëtirës së shekujve.
Me shkrepje fotografike kalova “Portën e Luanit”, atje, ku, të Lashtët kanë lënë një mesazh; atje ku Bekim Fehmiu kishte bërë edhe ai fotografi në vitin1972, në luanin e gdhendur në gur.
I ngjita shkallët e ngushta që të shpien në maj të kodrës së Butrintit. Frymëmarrja më shpejtohet. Jo nga ngjitja, por nga emocionet, kur vështroj veprat e artit me pamje hyjnish në muze edhe kopjen e statujës rrezëllitëse të Deas, të kësaj bukurosheje plot elegancë që u rrëmbye si shumë mistere të tjera. Nga maja e kodrës vështrimi më kap fushëpamjen e Xarrës, brigjet e Vivarit, kalanë e Ali Pashë Tepelenës e cila më shumë se kala është një peizazh kulturor i gjallë.
* * *
Natyrisht, pas ikjes nga Saranda, fotot të çojnë përsëri atje dhe mbetesh i emocionuar nga çastet e bukura, sa që të duket sikur shumë gjëra i le pa parë. Brenda vetes të lind dëshira e fortë për t’u rikthyer përsëri e cila nuk do të më mungojë.
Saranda është si ato sirenat e Mitologjisë, që edhe në ëndërr të bën ta dashurosh.
Comments