top of page

Madhështia e një vepre letrare



RECENSION PËR LIBRIN “REAGIME” TË AUTORIT IBRAHIM R. IBRUSHI.

Madhështia e një vepre letrare, shkruar nga një mësues, përtej kritikës letrare, më së miri reflekton kur ai bëhet zë i fortë letrar, zë i zhveshur nga lëvozhgat paragjykuese të një shoqërie në zhvillim. I tillë është edhe mësuesi, tashmë i njohur për dashamirësit e librit, Ibrahim R. Ibrushi.

Kjo dëshmohet qysh në titullin e librit të tij ”Reagime”, që përmban materiale jetësore: letra, kujtime, reagime, përshëndetje, krijime artistike, poezi, ku autori merr përsipër rolin e rojtarit të zërit të qytetarit dashamirës, njerëzor. Hollë-hollë këto shkrime hedhin dritë mbi jetën e autorit, por dhe të bashkqytetarëve gramshiotë që i kanë lënë mbresa të pashlyeshme nga jeta familjare e shoqërore, ku qëllimshëm e vendosa në numrin shumës, ku janë bashkë rojtarë të këtij zëri , madje, gjithmonë duke treguar racionalitet që çiltërsia e këtij zëri t’i ngjajë zemrës së pastër, plot dashuri për njeriun, e cila rrezaton njësoj për të gjithë, shfaq njësoj durim për të gjithë. Kjo është edhe ideja kryesore e gjithë veprës, mirëpo brenda saj gërshetohen edhe motive tjera nga këndvështrimi i një mësuesi, që ka kryer detyra si drejtor shkolle, inspektor arsimi, që i ka përjetuar disa nga ngjarjet që ka kaluar shoqëria jonë, për të cilat mundohet të lëjë një fabule interesante, veç ndjenjës së përjetimit, që lexuesi e ndien gjatë leximit.


Në këndvështrimin e përgjithshëm letrar, vepra paraqet një vlerë të veçantë, kjo antologji, siç mund ta quajmë, me poezinë moderne shqipe, duke ardhur me një stil të dalluar, temë interesante, varg të lirë e të guximshëm, gjuhë të komunikueshme lehtë me lexuesin si dhe figuracion të pasur letrar.

Autori, ndonëse me profesion është mësues, edhe pse pensionistë, nëpërmjet letrave, kujtimeve, reagimeve dhe vargut të tij modern, ai kujdeset që poezia e tij të lë shije të mirë tek lexuesi, duke trajtuar bukur realen deri te surrealja, konkreten deri te abstraktja dhe tradicionalen deri tek modernia.

Temë bosht te e gjithë vepra është tema e dashurisë njerëzore, e cila është çelësi i të gjitha problemeve njerëzore, sipas autorit. Tema e dashurisë zë fill edhe në poezitë me motive atdhetare duke pasqyruar rrugëtimin e vendit tonë drejt lirisë e pavarësisë, zhvillimit dhe demokracisë.

Vështruar nga aspekti gjuhësor, vepra është e ndërtuar kryesisht në gjuhën letrare, ku ai përdor drejt gjuhën standarde shqipe, që e hasim në shkrimet, por dhe në poezinë e tij.

Figuracioni në këtë librër vjen i pasur dhe në masën e duhur, si shenjë që libri i tij të kuptohet e përjetohet nga gjenerata të shumta, në veçanti rinia, brez të cilit nuk i takon autorit.

Autori, veç vargut të pasur me figuracion, edhe në titujt e poezive të tij është kujdesur që të ketë një dozë artistike të figuracionit. Disa nga figurat letrare më të përdorura në vargun e Ibrushit janë: metafora, personifikimi, litota, epiteti, krahasimi, etj. Paralajmërimi i një shije të mirë në varg, ku shikohen edhe nga titujt e poezive, realizuar artistikisht nga poeti, ku veçojmë: “Dshuria ime”, dedikuar Fatmirës ne vitin 1972 nga Gjirokastra, që më pas u bë bashkshortja e tij:

“ E ndiej në zemrën time/ që zhuritet e larguar/ nga ti dashuria ime/ku është duke qëndruar.”

Pra, këto vargje ngjajnë si një ëndërr e kuqe,si një kafshatë jete etj.

Poezia për fëmijë, një nga elementet përbërëse të poezisë së Ibrahimit, paraqet territorin sovran të mësuesit, ku aty shfaqet liria e vërtetë e botës fëmijërore. Shpesh vargjet kthehen në një lloj meditimi, që përcillet deri tek lexuesi. Ai paraqitet shtytësi kryesor që edhe në jetën reale femijët kërkojnë lirinë e tyre. Këtë e vërejmë në vargjet e poezisë

“Unë harabeli”:

“Unë jam mjaft i vogël/ dukem sa një gogël/ kërcej shpejt përmbi bar/dhe kudo jam krenar.”

Tek poezia “Gjua shqipe”:

“Je gjuha ime e mirë/që të mësoj me dëshirë/më jep aq shumë dituri/më bënë të flas për mrekulli.”

Elementin e ndjesisë, autori e vazhdon edhe në poezi të tjera, duke mos e shkëputur asnjëherë nga realiteti njerëzor. Dhe, vazhdon akoma më fuqishëm te

poezia “Nëna”:

“Nënë, sa fjalë e shenjtë!/e shqiptoj me mjaft dëshirë/për mua është e shtrenjtë,/fort e dashur dhe e mirë.” dhe te mjaft poezi të tjera, si: “Mësuesja ime”, “Dhurata ime”, “Pranvera”, “Vjeshta”, “Atdheu im”, “Brez pas brezi” etj.

Në librin “Reagime”, autori nuk lë pa prekur edhe tema familjare e sociale, siç është ajo për djalin e tij, Ilirianin, në poezinë “Fitimtar”, ku vijojnë vargjet:

“Oh, na dhurove kaq lumturi!/trishtimi e brenga u larguan/sa shumë na dhe kënaqësi/zemrat tona sa u gëzuan!”

Dashuria, optimizmi, shpresa janë ato që e shoqërojnë vazhdimisht vargun e autorit, duke vënë në lëvizje mendjen e lexuesit se a kanë epilog të njëjtë poezitë, mirëpo kjo përgjigje mungon, kur autori dëshpërohet me jetën, (kovidin), por tregohet i kujdesshëm që të mos e bart edhe te lexuesi të njëjtin pesimizëm. Andaj epilogun e vërejmë në vargun e shpresës, dashurisë së çiltër, optimizmin prindëror etj.

Libri fillon me parathënien e Astrit Bishqemit, ku në realitet e vendos Ibrushin si promovues e përgëzues i përparimit, i mirësisë dhe i dashurisë njerëzore si një fillim i fuqishëm i ndërtimit të shtëpisë së merituar për librin e Ibrahim R. Ibrushit, me titull “Reagime”.

Libri që tashmë kemi në dorë, paraqet një punë të madhe të cilën e ka filluar me intervistën për çështjet arsimore dhe kulturore për shkollat 8-vjeçare, pastaj vazhdon për mësuesin e tij nga Elbasani, biseda për librat artistikë, refleksione për librin, letra, reagime, komente midis shumë personazhve, qytetarëve e intelektualëve dhe poezi, ku ai ka shprehur gjithë imagjinatën e tij krijuese, gjithë frymëzimin e tij, inspiruar nga jeta e përditshme, nga rrethanat dhe koha në të cilën ka jetuar, nga ngjarjet që ka përjetuar dhe nga pasionet që kanë ngjizur në brendi të tij.

Libri “Reagime” ngërthen në vetvete një mori ngjarjesh, me përmasa kohore më tepër se një gjysmë shekulli, cikël poezish, të cilat janë të renditura sipas një rendi kronologjik dhe trajtimi të temave të ndryshme duke filluar nga ato që kanë për bazë ndjenjat e tij dhe dhembshurinë, deri te përshkrimi i një realiteti sa të rëndë dhe të hidhur, po ashtu të mirë dhe të gëzueshëm, ku me shumë përpikëri ka përshkruar atë që ka parë, atë që ka ndjerë, si dhe atë që ka dashur të ndodhë në jetën dhe në imagjinatën e tijj.

Secili impresionim apo varg përfaqëson një tablo, qoftë reale, apo të imagjinuar, që të tërheqë shumë dhe të bën të vazhdosh të ndiesh që brenda këtij libri fshihet edhe një ngjarje, një përjetim i secilit nga ne, duke krijuar kështu një mendim te secili se ky libër nuk është vetëm i autorit, por është një përshkrim i ngjarjeve nga vet jeta jonë.

Te libri “Reagime” Ibrahim R. Ibrushi ka trajtuar tematikë të ndryshme, duke i trajtuar veç e veç temat nga jeta e përditshme, nga tradita dhe tradicionalja, tema nga ngjarjet jetësore me të cilat është rritur dhe ka përjetuar në jetën e tij, tema nga e kaluara, tema nga jeta e tij sentimentale dhe idilike, e deri te temat e imagjinuara, të cilat i ka trajtuar me një zotësi të madhe, duke përdorur një teknikë të veçantë në shkrimin dhe përgatitjen e poezive. Në këtë libër është përdorur vargu i lirë, pa i dhënë ndonjë rëndësi rimave apo përshtatjeve të vargjeve nga ato paraprake. Kjo e bënë këtë libër të veçantë, ku më shumë rëndësi i kushtohet temës dhe përmbajtjes..Pra, shikuar në përgjithësi, libri “Reagime” sa fillojmë të analizojmë dhe studiojmë më thellë, kuptojmë që ka një arsye më shumë që të lexohet me kujdes, ngase çdo kujtim, letër, intervistë, reagim apo poezi ka një mesazh në vete dhe përçon një simbolikë të veçantë, të cilën mund ta kuptojmë pasi të kemi lexuar të tërë librin dhe të kemi trajtuar në mënyrë serioze dhe të duhur.

Prandaj lirisht mund të themi se ky libër është i veçantë dhe shumë i rëndësishëm, se në qendër të tij qëndron trajtimi i institucionit të modelit pozitiv me ndikim tē gjithanshëm frytdhënës, dobiprurës te brezat e shtresat e ndryshme shoqërore, i cili do të jetë një pasuri e madhe, që po i shtohet opusit të madh të letërsisë sonë.

Autorit i dëshiroj jetë të gjatë dhe punë të palodhshme në prurje të reja letrare, për të cilat ka shumë nevojë letërsia shqipe.


144 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page