Nga Petrit Malushi
„Lypsi i votave“
Ikin vitet një, dy, tre
Dhe i katërti po mbaron.
Rrugën merr e vjen tek ne
„Lypsi i votave“, na takon.
Thesin e fjalëve e hap
Si kaceku i gajdexhiut.
Hidhet nga plepi në rrap,
I flet plakut dhe të riut.
„Tuajat halle i zgjidh unë !
Të pasur bëj fukarenjtë,
Të papunët fus në punë,
Mendje jap për budallenjtë !
Bizneset i lulëzoj,
Taksat heq e çmimet ul.
Të sëmurët i shëroj,
Kockën në mish e bëj tul.
Malin kthej në fush të shtruar,
Në qytet mbjell pyllin me lisa.
Shkëmbin bëj arë të punuar,
Lulishten e mbush me plisa„.
Nuk përdor fare peshore
„Orator i rrallë“, klas.
Kokën ta lodh si fallxhore,
Gozhdë betoni në dërras.
„Pastroj ajrin që mbush qiellin,
Ujin që derdhet te deti !
Në dorë kam hënën dhe diellin !
Jam vet Krishti, Muhameti !
Por që të lidhet magjia,
Mes të mirave të rroni,
Kur të shkoni te kutia
Vetëm emrin tim shënoni !
Se pastaj në parlament
Deputet, do jem hero !
Do luftoj, do bëhem shenjt
Veç për ju! Për vete jo !...“
Ia kthen plaku shkurt e shtruar :
„Bëje gjumin pa siklete !
Kur të shkojmë për të votuar
Do marrim sitë me vete !„
Comments