
Kokën mbështes,
E nënkresa prehër më bëhet.
Është prehri yt, e ndjej,
I njoh rrahjet e zemrës,
E njoh aromën e rrobave.
Gjithçka ka mbetur e paprekur,
E njohur dhe e freskët,
Si ditën e parë,
Kur në prehër më more,
Dhe u gëzove, u përlote.
Kishe marrë në prehër,
Atë që sot përlotet,
Në prehrin tënd imagjinar,
Dhe nuk e beson,
Se më nuk je.
Nuk janë më si dikur,
Fryma jote e ngrohtë,
Këshilla jote e rreptë,
Kolla jote e thatë,
Dhe dera gjithmonë hapur,
Për miq e shokë,
Dhe sofra e shtruar,
Dhe fjala “Bujrëm!”
Dhe s’mund ta besoj,
Se një derë u mbyll,
Për të mos u hapur më.
Tani,
Nuk di në ç’portë,
Të trokas e të çmallem,
Të më dëgjojnë e këshillojnë,
Siç bëje gjithmonë Ti,
O i shtrenjti babai im!
Nëse pranon,
Një lutje dua të ta bëj:
Nëse ngushtë gjendem,
Ndonjë ditë a ndonjëherë,
Prano të trokas si në derë,
Në pllakën e ftohtë prej mermeri,
Dhe fol, mos nguro!
Fol, se do të të dëgjoj!
Ka ikur vetëm trupi,
Gjithçka tjetër ka mbetur,
E do të mbetet tek unë,
Përgjithmonë.
Comentários