top of page

LUTJA E BARDHË



LUTJA E BARDHË

Tregim i perjetuar nga Fatmir Terziu


Dhoma ishte memece. Dukej e përvuajtur. Qetësihane. I vetmi zë që dëgjohej ishte drithmëza e ngadaltë dhe e qëndrueshme nga minderi i aneksit, ku qëndronte thuajse gjatë gjithë ditës, dhimbja, çoroditja, lodhja dhe ndjesia e gjyshes sime.

“Çfarë do të thoshte, po vuante?”

Skleroza e shumëfishtë ishte, me pak fjalë, një mallkim i përditshëm dhe i pandashëm i gjyshes, edhe me heshtjen e kuitjet e minderit të saj, e gjitha ndaj asaj sëmundjeje....

Eh.... Diku përgjatë hapësirës së 78 viteve të gjyshes sime në këtë planet, sistemi i saj imunitar bëri një gabim gjigant. Për arsye të panjohura edhe nga mjeku më i mirë i asaj kohe në Elbasan, Trifon Marku, trupi i saj filloi të miklonte qelizat nervore, duke ndikuar rëndë aftësinë e përpunimit të trurit dhe duke e disakorduar mjaft lëvizshmërinë e saj në shtëpinë tipike elbasançe në Lagjen e vjetër elbasanase “Spajkore”, që kishte marrë një emër të ri “11 Nëntori”. Ky rast i vetëm, që kurrë nuk i kishte nënshtruar simptomat, fillonte të ishte pezma e saj. “Kjo nuk është një gjë e menjëhershme, Shaban. Unë ende kam mjaft kohë.”

Duke u larguar nga minderi i saj, pashë Gjyshin të fshinte lotët nga sytë. Nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të ndodhur. Gjyshi im, i vuajtur dhe i djegur nga vuajtjet e atij sistemi, natyrisht do të ishte më burri në raste të tilla dhe nuk do të lejonte familjen që ta shihte të qaj. Absolutisht në asnjë mënyrë. Kjo ishte një shaka. Gjyshja ime nuk do të vdiste. “Shaban, të lutem, bisedo me ne. Është në rregull.” Me një frymë të thellë, Gjyshi grabiti nga brendësia e mërzisë një buzëqeshje, siç e bënte shpesh, dhe struku të gjitha gjurmët e lotëve nga sytë e tij nën qepalla të rrënduara gri. Duke u kthyer për t’iu përgjigjur shprehjeve të shqetësuara të të tjerëve, djemve, nuseve, vajzave, dhëndurëve dhe nipërve e mbesave, Gjyshi vetëm pyeti me një dihatje të thellë. “Sa gjatë?” Pyetja doli më shumë si një deklaratë sesa një pyetje. Implikimet morbike të këtyre dy fjalëve të shkurtra folën më shumë se çdo fjalë që ai mund të seleksiononte nga fjalori i tij i lodhur i atyre viteve, që herë ngarkohej tinëz me të shara e ofshama, e herë me tiklime shakatore që kuptoheshin ndryshe nga mendimi i tyre parësor. “5 vjet, në më të keqen absolute." Në atë dihatje që del zakonisht nga koha, e aq më shumë me pesën e një dore, qëndroi dhe u largua duke shkundur dorën e tij të majtë sa fuqi kishte. Pastaj, si gjithmonë iu ngjiz faqores së tij të vogël që mbante aty afër televizorit “Iliria”. Edhe pse e dinte se mushkëritë e tij ishin të lënduara, mëlçia ishte gati jashtë funksonit, ai vazhdonte të mbyste mërzitjen me faqoren e “Bufe”-së së Spajkores. Por pa marrë parasysh se ku dhe sa pinte nga faqorja, e dinte se nuk mund t’i shpëtonte pëshpërimave me vetveten, që gjithnjë e tradhëtonin “burrërinë” e tij të lodhur nga vitet dhe vuajtjet. “Gruaja që më dha jetë po humbet tashmë nga jeta.” “Unë, ky lloj burri me faqore në dorë, ky lloj e soj sorrollëku …, ah, isha gjithmonë tipi i personit që dinte të fliste për çdo situatë.” “Dhe këtë herë, nuk ka .., nuk…, jo nuk ka absolutisht asgjë që mund të bëja për të.” “Ah, e di, e di, e di … nuk ka vdekje të ëmbël-folur.” Dhe me këtë, fillonte ta pranonte braktisjen e saj dhe humbjen e tij të shpërfillur nën bulëzat e gradacionit të fortë të faqores. Gllënka e parë pas gjithë atyre pëshpëritjeve u duk sikur ia dogji ezofagun dhe ndjeu që flakët po vazhdonin të lëshonin zjarr në stomakun e tij, ku iu duk qartë se kishin lënë ngrohtësi të qëndrueshme. Foli sërish lehtas me vetëveten, shkundi faqoren pak, dhe si ndjenja e mjegullt e dehjes, duke e rrotulluar kokën u shtri si i ndezur nga brenda. Dy muajt e kaluar (52 ditë, 4 orë dhe 30 sekonda) ishin një spirale e vazhdueshme në rënie në një gjendje të dehur të vazhdueshme. Kështu mbeti gardian i grithzmave të minderit në aneks. Ai tashmë e izoloi veten. Kur Gjyshja e pyeti se si ishte, përgjigjja e tij mbeti e zakonshme, “Të më lësh pak minuta kohë para teje…”. Nuk ishte, në të vërtetë, duke u bërë mirë. Alkooli e mbërtheu, e mbështolli vetveten brenda përhumbjes së tij më të mirë, dhe filloi ta lë veten të bie. Muri aq shpesh i fshehur prapa minderit ku dëgjoheshin grizthmat e shprishjes së qetësisë në atë shtëpi, muri i përsosjes së vuajtjeve dyshe, bëhej akoma më i ftohtë, gati po e gërryente diçka nga brenda, po shkatërrohej. Shkurtime ofshamash. Shprishje të shkurtra, por të thella, rreshtuan buzët e lodhura, mjaftë të kopjativosura, për t’u fshehur nga zverdhja e fytyrave të të dyve. Gjyshja lutej të kishte mundësinë për të shpëtuar jetën e saj pesë minuta pas Gjyshit. Gjyshi nuk e di përse lutej ende. “Gjyshja i refuzoi ilaçet”. “Shumë para,” tha ajo. “Shumë të papërshtatshme,” tha ajo. Krahasuar me jetën e Gjyshes, nuk kishte fjalë tjetër. Familja ishte e mërzitur. Gjyshi i dërmuar, gati-gati i dehur. Mendja i ishte bërë si kumuriat që çaftonin mbi çati, fjalët i trazoheshin, gishtat i dridheshin. Ishte i dehur, dhe bërtiste fjalë të tilla si ‘keq’ dhe ‘nuk e meriton këtë’ të qëndrojë njeriu në një jastëk pa e lëvizur trupin e tij. “E dija se Ajo ime (tani) meriton të jetojë pak më shumë se unë.” “Krahasuar me mua, ajo ka qenë një shenjtore.” Ndjehej bosh dhe patetik. “Unë meritoj të vdes më parë’ – bërtiste sa të mund Gjyshi. “Kam bindur veten se ndoshta po të bëja diçka ekstreme, Ajo do ta jetonte jetën e saj më shumë...” Mbahej fort mbi kangjellat e oborrit të ndarjes së vetme të shtëpisë, ndërsa përpiqesh ta ruante ekuilibrin. Vazhdoi duke ecur ashtu i dehur deri tek Infermeria e “Spajkores” në sheshin e vogël midis Lagjes, poshtë kanalit “Rema”, duke u kujdesur që të mos bënte zhurmë dhe të zgjonte të tjerët. Dhe aty vetëm lutej.... Pikërisht 41 pllaka të formave, madhësive dhe ngjyrave të ndryshme zbritën linjat në shtratin ku ndodhej ai. Ngjyrime pafund, shastisja e vogël dhe e madhe, e gjitha si një gjysëmhark ylberi. Gjyshi kishte mbërritur në kohë. Donte të vdiste. Para se të fillonte shuplakën e mbushur me ilaçe, u hap dritarja dhe dhoma u ndriçua nga rrezet e Diellit. Një lutje e re. Hapi sytë ishte ende errësirë. Por një zë i vinte nga Lart… “Unë e di që po ndiheshe i mërzitur pak më herët, dhe vetëm doja t’ju kujtoja se jeni i veçantë për mua dhe jetën time. Ju keni rëndësi edhe andej për mua. Rëndësia juaj është se ju po jepni një shembull të radhë duke ringjallur lutjen e bardhë." I shtrirë në shtrat, kishte filluar të mbytej në lotët e tij, dhe ngadalë e ngadalë e lëshoi trupin e tij të binte në gjumë. Sytë i kishin mbetur andej ku e bardha e kishte mbuluar në të njëjtën kohë edhe Gjyshen. As Gjyshi, as Gjyshja nuk do të luteshin më sonte e tutje.


86 views6 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page