Lutfi Mema: Libri “Brunilda jeta ime e dytë “Një prurje e re për dashurinë ndaj prindit...”
- 2 days ago
- 6 min read

Nga Lutfi Mema
Ka libra që të tërheqin dhe i lexon me një frymë, ka libra që shpalos nga një faqe me zor, duke kalitur durimin, ka libra të tjerë tërheqës, që të lënë pa frymë, që zgjojnë kureshtjen dhe lexuesi pret ç’do të ndodhë nga faqja në faqe... I tillë është libri i Qatip Marës, titulluar “ Brunilda, jeta ime e dytë “, një monografi me vlera njohëse dhe tepër edukuese, që prek zemrën e cilitdo, që i bie në dorë...Frymën e bukur të krijimit e mban të gjallë lexuesi.
“ Çdo libër ka shpirt, shpirtin e njeriut, që e ka krijuar dhe atij që e lexon dhe ëndërron me të “-shkruan Carlos Ruiz Zabon.
Në libër del qartë ideja themelore: E bija e ka tërhequr përdore të atin nga kthetrat e vdekjes në vallen e madhe të jetës...I ati ka sfiduar vdekjen dhe me këmbëngulje e guxim ecën ballëlart në jetë.
Arkitektura e librit i ngjan një ditari pa data, ku vetë autori rrëfen episode e ndodhi marramendëse, por në disa faqe do të lexojmë fakse dhe letra, që Brunilda i dërgon të atit, të cilat ai i ka ruajtur me fanatizmë dhe që përbëjnë trajtën epistolare të kësaj monografie të larmishme. Përjetime dhe personazhe reale të përjetësuara e skalitura në libër, që të mbeten në mendje...
Libri është një skaner i jetës së autorit, por pa lënë në hije familjen, të afërmit dhe shokët e tij.
“ Përpiquni të shkruani mbi ato që keni provuar vetë në jetë, shkruani autobiografinë tuaj, por pa fshehur gjë, sepse librat më të mirë, që janë shkruar deri më sot, janë pikërisht librat autobiografike”- shkruan Fan Noli.
Nis libri në një plan retrospektiv me rekomandimin e prindërve për një vajzë nga Kallarati, në vitin e tretë të shkollës së mesme pedagogjike në Fier, e thjeshtë, e çiltër dhe me karakter, Dhurata Qejvani, me të cilën Qatipi pas një viti do të ndërtojë një familje të re në Selenicë, ku do të përhapin si mësues me zell dritën e dijes...Bashkëshortja do ta mbështesë të shoqin në mendimet e tij.
Autori do të përshkruajë me mjeshtëri peizazhet e bukurinë e Kallaratit dhe njerëzit dashamirës të kësaj krahine.
I lindin katër vajza njera pas tjetrës: Anita, Brunilda, Daniela dhe Ermira, që do të rriten dhe edukohen në këtë familje nga Dhurata, por edhe Qatipi, i përkushtuar ndaj punës, fëmijëve, familjes. Vajzat do t’i gëzojnë prindërit për çdo hap, që do të hedhin në jetë...Të etura për dije ato do të mbarojnë edhe Universitete brenda e jashtë vendit, duke shkëlqyer në mësime...Vajza me shumë ëndrra për jetën, që me vullnet i kapërcyen këto ëndrra... Ndonjeri, me mentalitet patriarkal, do t’i shprehë keqardhje për një djalë, por indiferentizmi i Qatipit flet, se ai është i lumturuar: “ Edhe 100 djem të kisha pasur, nuk do të bëja jetë të dytë...”.
Deri këtu rrjedha e jetës ecën në mënyrë normale. Qatipi e Dhurata përhapin dije në vite në Vlorë e më pas edhe në Tiranë.
Por “ Jeta është e çuditshme, miku im i ri. Ka momente, kur të lë të ngrohesh buzë detit në rrezet e diellit dhe momente të tjera, kur të përplas e të bën copë mes shkëmbinjve “- shkruan Aleksandër Dymas, Ati, te romani “ Konti i Monte Kristos “.
Në vitin 2013 do të fillojë Odiseja e rrugëtimit të tij të gjatë me befasi e të papritura. Në ecurinë e ngjarjeve, një mëngjes, te “ 21 dhjetori “ do të nisë pika e startit, ndien të përzjera, pështjellim e të vjella, që paaftësia e mjekëve të poliklinikës aty afër e vlerësojnë si kalimtare, i bëjnë një serum, me mendimin “ helmim “ dhe e dërgojnë në shtëpi. Pas tri ditësh vajza e gjen në shtëpi të atin të asfiksuar, në gjendje kome. E tronditur telefonon Ramizit, shokut të babait dhe e çojnë në spitalin “ Nënë Tereza “. Mjekët diagnostikojnë “ infarkt “ dhe rekumandojnë spitalin gjerman si më të mirin për sëmundjet kardiovaskulare. Që nga Neviorku Ramizi dëgjon zërin këmbëngulës të Brunildës, bijës së Qatipit: “Çojeni në spitalin gjerman, mos pyesni për shpenzime, ato i kam unë”. Në shërbim të transparencës mjekët e spitalit gjerman me reputacion bëjnë mjekim intensiv, duke thënë: “ Po u përmend pas tri ditësh, kemi shpresë të shpëtojë “.
Familja, vëllezër, të afërm e shokë presin në ankth, të stresuar, me lot në sy. Qatipi u përmend!
Koha ecën, por Qatipi dhe të gjithë jetojnë me pasigurinë e të nesërmes. Vellezërit, Devolli, Arturi me frymë mirëkuptimi, me besim e shpresë e çojnë në Torino e më pas në Milano për ta kuruar...
Në libër ndjejmë dhimbjet e autorit, të familjes, vëllezërve, të afërmve, shokëve, ndjejmë mirësinë, që rrezaton në zërin e ngrohtë, në peshën e fjalëve dhe veprimet e tyre...Që të gjithë vendosën për të ardhmen e tij. Qatipi do të kalojë nëpër filtrat e mjekësisë dhe çdo gabim e pakujdesi lënë gjurmë pasigurie për jetën...
Që nga Nju Jorku Brunilda, një mjeke anesteziste, me një botë mahnitëse e të papërsëritshme në hapësirat e shpirtit, që ruan virtytet e vlerat e dashurisë për prindin, me të shoqin kirurg, i drejtohen bankës për kredi dhe këmbëngulin që Qatipi të shkojë në Amerikë...
Nju Jorku mbetet e vetmja konstante dhe lëvizja e funit për të.
Brunilda paguan ambulancën fluturuese: dy pilotë, dy mjekë, Qatipi dhe Dhurata, e cila i ka mbërthyer sytë e përlotur herë te Qatipi e herë tek aparaturat, që tregojnë parametrat jetësorë të tij...Dridhërima, që përcjellin emocione...Ky udhëtim përbën preludin e jetës së tij... 15 orë udhëtim! Një udhëtim tejet i vështirë, i tensionuar, delikat...Po a do të arrijnë?! Gjumi i familjes është shuar. Ambulanca fluturuese fluturon si nëpër përralla. Nuk është dëgjuar një udhëtim i tillë drejt Amerikës transoqeanike! Shokë, miq e dashamirës janë fokusuar aty. Ndjekësit presin për ndonjë lajm të mirë... Hamendje, pikëpyetje, dilema, ankth. Meraku rritej. Pritja mundon shpirtin. Mbërriti! Një mrekulli! Forca e Qatipit dhe e të gjithëve amplifikohet...
Një rrugëtim i gjatë, ku bashkëudhëton dhimbja, pasiguria, shqetësimi, besimi, shpresa...
Mbi shtratin, ku dergjet, do të mbijë një fidan i ri, që do të sjellë një aromë të re, aromën e jetës...
Mjeku kirurg, profesor David D. Alessandro, me një potencial të lartë e profesionalizëm brilant, të larmishëm e efikas, e ushqen pacientin me optimizëm për jetën. Qatipi pret i kryqëzuar...
Dy operacione: një duke vendosur për të punuar aparaturat në vend të zemrës, tjetra transplanti i zemrës...Veprime komplekse të pandërprera spitalore. Këto ditë do të mbeten gjatë në memorien e familjes...
Realiteti i kalon edhe fantazitë. Qatipi rrëfen me mendje të kthjellët e me imtësi për çdo gjë. Po kur ai është në koma, në një det traumash?! Kush rrëfen? Në libër nuk ka vakum. Rrëfen fantazia e ndezur e autorit, që vazhdon rolin e udhërrëfyesit në procese mjekësore, plot emocione e të vërteta, sikur të ishte mjek dhe ne lexojmë me kureshtje...Krijues me fantazi të gjerë e të begatë...Me një gjuhë të thjeshtë autori shpreh ndjenjat e tij, dëshirat dhe kërkesat shpirtërore të njerëzve të afërt, i njohur me hallet, brengat dhe gëzimet e tyre. Me bukurinë dhe forcën e fjalës së përzgjedhur, me pasurinë e mendimeve lexuesi shijon botën krijuese të autorit.

Stili i Qatipit vazhdon rrjedhshëm, i freskët.
“ Të kam bërë të ri!- i thotë e bija, Brunilda me një thesar shpirtëror, që ka finalizuar dëshirën dhe ëndrrën e saj, kur është kryer transplanti i zemrës. Qatipi buzëqesh i rinuar. Ai ka sfiduar vdekjen dhe më vonë e kthen vështrimin pas, do të marrë rrugën për në Shqipëri të takojë shokë e miq, me dëshira e dashuri njerëzore, i mirënjohur e i respektuar prej tyre, do të eci në rrugët e fëmijërisë në Kropisht, me zemër të re...Këtyre rrugëve u jep jetë...E ardhmja për të po agon më e gëzuar... Do të shkojë edhe në varreza të takojë nënën dhe babanë, të bëjë një foto mes varreve ku prehen, të takojë shokë e të njohur, por tani me zemër të re...
Lot, nostalgji. Çdo gjë i shfaqet si një mirazh malli...
Brunilda babait i dha jetë, të afërmve e shokëve të tij u dha gëzim në shpirt, ëndrrave dhe dëshirave u dha dritë...
Në rrugëtimin, që zgjat, Qatipi ndjen dorën e butë e të ngrohtë të së bijës, Brunildës, që e rrëmbeu nga kthetrat e vdekjes dhe e tërhoqi në vallen e madhe të jetës. Një vallëzim i bukur, i mrekullueshëm! Në shpirtin e madh, të ndjeshëm e human të mjekes vallëzon një botë e madhe, e paanë... Kohë e bukur me ëndrra pranverash...Brunilda vlerësohet nga të gjithë për atë që ka menduar dhe ka arritur... Nuk mund të mos vë në dukje edhe një meritë tjetër të autorit në këtë libër: pajisia me foto, që vijnë varg sipas viteve...Në këto foto është familja, vajzat, vëllezër e motra, personalitete të mjekësisë, shokë e miq në festa e gëzime, që zgjojnë edhe më tepër interesin e lexuesit. Një renditje shumë e kujdesshme. Libri, që na dha në dorë Qatip Mara, është gjuha e shpirtit, gjuha e zemrës së re...
LUTFI MEMA, Personaliteti arsimit kombëtar








Ju falënderoj me mirënjohje kolegu e miku nderuar Lutfi Mema. Ju uroj me respejte jetë të gjatë me gëzime në familje dhe suksese në krijimtari!
Qatip Mara , Raleigh North Carolina USA 22,7,2026