top of page

Lumturi Metkaj: LAMTUMIRË FATMIROSHE XHEMALAJ


 

LAMTUMIRË FATMIROSHE XHEMALAJ  SPECIALISTJA E HISTORISË SHQIPTARE QË I DHA GJITHÇKA ARSIMIT, ATDHEUT.


Të dashur kolegë në diasporë !

U nda nga jeta mikesha jonë, e çmuara kolege Fatmiroshe Xhemalaj.

Kjo ndarje është një humbje e madhe për familjen, por dhe një humbje e madhe për kolegët , dashamirësit e saj dhe për institucionet shkencore të arsimit.

Po e përjetojmë me dhimbje e lot këtë lajmë të trishtë për humbjen e Fatmiroshes sonë, metodisten e mësuesëve të diasporës, specialisten shkencore të Ministrisë së Arsimit  Shqiptar e cila i dha arsimit kombëtar shqiptar botime të teksteve shkollore të historisë së kombit shqiptar.

Mësuesit e diasporës do ta kujtojnë për kompetencat e saj si specialiste shkencore me  botimet e vlefshme të  teksteve mësimorë "Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare" në tri nivele ,ku kanë mësuar dhe do të mësojnë mijëra nxënës kudo në diasporën shqiptare.

Do ta kujtojmë specialisten shkencore Fatmiroshe Xhemalaj për ligjëratat e kumtesat tematike si eksperte e shkëlqyer në fushën e saj përkatëse të historisë, të identitetit e të origjinës së trashëgimisë sonë kulturore .

Fatmiroshja ishte eksperte e  përgatitur me standarte evropiane ku prezantonte denjësisht historinë e popullit shqiptar në konferenca shkencore evropiane,  ku kishte titullin Ambasadore e EURO-CLIO, Organizatë e Historianëve të Evropës.

Kolegët e diasporës shqiptare e kujtojnë të thjeshtën kolege Fatmiroshe për orët model para mësimdhënësve në Seminaret Mbarëkombëtare të Gjuhës Shqipe , me tema të historisë së shqiptarëve. Kujtojmë  paraqitjen e saj akademike ,diskutimet,  bashkëbisedimet, udhëzimet si të menaxhojmë klasën në mësimin e historisë duke na këshilluar...,fëmijëve të mos u mësojmë dogma por historinë e vërtete , të njohë truallin historik të të parëve të tij dhe ndryshimet që kanë ndodhur gjatë historisë në truallin e shqiptarëve.

Nuk kursehej për Diasporën, valixhet plot libra , afishe, materiale didaktike shkollore, historike, identitare për ngjarjet kombëtare.

Së bashku me z.Fatmir na ka nderuar në festa kombëtare ka referuar para komunitetit shqiptar në Athinë rëndësinë e Kongresit të Lushnjes me rastin e 100 vjetori të  tij.

Fatmiroshja ishte një atdhetare e madhe, e çmonte shumë mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Ajo mori rrugën e gjatë për të falënderuar me mirënjohje z.Jorgo Ioakimidhis, Kryetarin e Bashkisë së Rendit-Athinë i cili u bë protagonist ku me vendim të këshillit bashkiak i dha mundësinë fëmijëve tanë të mësojnë gjuhën tonë amtare në ambientet e shkollave publike greke. Me krenari i vendosi në tavolinën e punës një shishe konjak "Skënderbeu" dhe një libër mbi historinë e shqiptarëve në gjuhën angleze, botuar nga vëllai i saj Agron Shehaj. Këtë gjest mirënjohje dhe nderimi për këtë njeri që për herë në Athinë iu dha mundësinë fëmijëve tanë të mësojnë gjuhën shqipe askush nga pushtetarët tanë të institucioneve shtetërore arsimore në Athinë dhe Tiranë nuk e mori mundimin për ta falënderuar.

Fatmiroshja dinte të nderonte si personalitet me kompetenca institucionale, si intelektuale, si dhe në rolin e mikes . Ajo dinte të ndihmonte, dinte të komunikonte, dinte të sugjeronte, dinte të të dëgjonte, dinte të të respektonte e  të çlodhte me një drekë speciale kur shkoje në Tiranë. Puna e saj e palodhur si eksperte shkencore dhe specialiste e historisë së popullit shqiptar e ngriti arsimin në nivele bashkëkohore në rrafshin kombëtar.

Por fatkeqësisht erdhi një ditë kur në trupin e saj të zhdërvjellët,  me temperament e dinamike që i thoshte jo plogështisë zuri vend simptomat e sëmundjes së gjatë e rivalizuese me shëndetin e Fatmiroshes sonë. Sëmundja gabohej kur mendonte se do ta mposhte lehtë Fatmiroshen .

Fatmiroshja e mposhti sëmundjen paçka se gjithçka e ka edhe një fund. Por kolegët, miqtë e  të afërmit , ajo plejadë e gjerë mësuesish të formuar nën shëmbullin dhe punën e saj të palodhur prej 5 dekadash , familja dhe të dashurit e zemrës do ta kujtojnë vazhdimisht  Fatmiroshen e dashur, me fëmijët e saj fisnikë , me bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e saj në punët shkencore ,z.Fatmir, do ta kujtojmë me sensin e gjerë , me dashamirësinë e madhe , me respekt e konsideratë ashtu siç na deshi ajo me vlerën e bukur e plotë dritë si fisnikëria e saj , kultura, dashuria dhe respekti që na jepte paratë  deri në fund të jetës së saj.

Fatmiroshja po ndahet me dhimbje prej nesh , por me shëmbullin e punës, veprën dhe virtytet e saj , ajo do të mbetet vazhdimisht për ne si një ndjenjë krenarie e  frymëzimi, që kemi patur fatin të punojmë me të,  të drejtohemi nga ajo dhe të mësojmë prej saj.

E paharruar atdhetarja jonë, e bukura jonë, Roshja jonë, kështu si të thërrisnim shkurt, ne ! Të qoftë i lehtë dheu i Mëmëdheut ku e doje dhe punove për të deri sa mbylle sytë përgjithmonë !

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page