top of page

Lumnie Thaçi-Halili: URA FJALËSH ...

  • 3 hours ago
  • 16 min read

URA FJALËSH MIDIS PRELUDIT JETËSOR DHE INTERLUDIT PËRJETËSOR


Zanafilla e universit poetik

Vëllimi poetik “Prelud në Filadelfia” i Miranda Kabashit, botuar më 2026 nga Shtëpia Botuese “URA” në Prishtinë, që në titull sjell jehonën e një zëri që vjen nga larg dhe prek kujtesën. Fjala prelud sjell ndjesinë e një fillimi të qetë, të një melodie që sapo ka filluar të marrë frymë dhe përgatitet të hyjë në botën e poetes. Edhe Filadelfia, qyteti që historia e njeh si një nga djepet e lirisë dhe të kushtetutshmërisë amerikane, i jep titullit një përmasë të veçantë, sepse prej kësaj hapësire tejoqeanike, poetja kthehet drejt vetes, kujtimeve dhe rrënjëve të saj. Prelud në Filadelfia emërton kështu botën e  brendshme të poetes, universin e saj, ku e tashmja takohet me të gjitha ato që kanë mbetur larg: vend­lindjen, atdheun, prindërit, dashurinë, fëmijërinë, mallin dhe gjurmët e jetës së dikurshme. Mes këtyre dy hapësirave lind poezia, si një urë e ndërtuar me kujtime dhe ndjenja. Çdo varg i librit përmbledh atë që largësia e ka shpërndarë dhe i jep zë asaj heshtjeje përmes fjalës poetike. Titulli shënon pikë­nisjen shpirtërore të vëllimit, çastin kur kujtimi merr jetë në tingull, ndjenja bëhet fjalë dhe jeta merr trajtë poezie. Këtë e dëshmojnë edhe vargjet: “do ta zgjoj ëndrrën e fjetur, t’pikturoj me ngjyra, art” dhe “Për ty shkruaj veç poezi,/derisa të tret gjithë jetën” (Me ty, Prelud në Filadelfia, URA, Prishtinë, 2026, f.22), ku poezia shfaqet si fuqi rizgjuese e ndriçuese që e shoqëron tjetrin me dashuri deri në fund. Vjen dhe tjetra poezi mjaft kuptimplote, titulluar “Fantazi” (po aty, f.71), në të cilën M. Kabashi shpalos kredon e saj krijuese dhe filozofinë e jetës. Ajo zgjedh vetëdijshëm botën shpirtërore përpara asaj materiale, duke e vendosur krijimin poetik, imagjinatën dhe lirinë e ëndrrës në qendër të ekzistencës njerëzore. Lapsi bëhet simbol i misionit krijues, ndërsa fantazia tjetërsohet në hapësirën ku njeriu e tejkalon kufizimin e së përditshmes dhe e rindërton jetën sipas ligjeve të bukurisë. Kështu, poezia merr vlerën e një manifesti artistik, ku lumturia buron nga akti i krijimit dhe jo nga zotërimi i pasurisë materiale: “S’kërkova shumë, pak doja nga kjo jetë,/as vilë në bregdet dhe as pasuri./Një laps për të shkruar, të mbushja pa fund fletë/dhe pak verë të kuqe, pak ëmbëlsi” (f.71).

Në këtë vëllim poetik, ligjërimi ngrihet në vetën e parë, “unë”, një zë i përkorë e shpesh vetmitar, që shpalos botën shpirtërore të gruas së dashuruar e të përmalluar larg atdheut, ndjeshmërinë e amësisë, pengjet e kohës dhe udhëtimin nëpër stinët e jetës. Përballë kësaj vete të parë “unë”, qëndron vazhdimisht veta e dytë, “ti”, si bashkë­bisedues, si kujtim i rizgjuar, si mungesë a si prani e dëshiruar. Pikërisht dialogu ndërmjet këtyre dy poleve i jep ligjërimit poetik ngrohtësinë, afërsinë dhe intensitetin emocional që përshkon gjithë vëllimin.

Tërë përmbledhja poetike mbështetet mbi katër shtylla të mëdha tematike, e ato janë dashuria, atdheu, kujtimet dhe mërgimi. Të gjitha temat dhe nëntemat e tjera, si dashuria e largët, e plotë, e plagosur, e kujtuar dhe e përjetshme; mërgimi, atdheu dhe përkatësia, që i japin librit thellësinë auto­biografike; familja, nëna, babai dhe të parët; kujtesa, fëmijëria dhe rrënjët; besimi, Zoti dhe jeta shpirtërore; vetmia dhe zbrazëtia shpirtërore; koha, plakja dhe vdekja; natyra dhe stinët; gruaja dhe përvoja femërore; poezia, shkrimi dhe figura e poetit. Të gjitha këto, zhvillohen rreth këtyre katër bërthamave të lartcekura që i japin vëllimit unitetin e tij poetik. Mirëpo vlen të theksohet se atdheu vjen në këtë vepër si thirrje e thellë kumbuese në libër nga largësia. Atdheu për M. Kabashin merr frymë në gjuhën e nënës, në figurën e prindërve, në letrat e dërguara, në gjurmët e të parëve, në fshatin e kujtimeve, në varret familjare dhe në aromat e fëmijërisë. Edhe matanë oqeanit, vendlindja mbetet gjurmë e gjallë jehuese dhe dritë e brendshme drejt së cilës kthehet vazhdimisht zëri shpirtëror i poetes.

Veçori që i jep identitet këtij vëllimi poetik është mënyra e konceptimit që Miranda Kabashi i jep aktit të shkrimit poetik, sepse poezia nuk i shërben për të treguar mjeshtërinë formale, as ushtrimin estetik, por domosdoshmërinë për t’u shprehur. Në disa poezi libri flet vetë për lindjen (krijimin) e poezisë. Pikërisht aty zëri lirik bëhet më i vetëdijshëm për misionin që ka. Poezi si “Poet i harruar”, “Modernizëm”, "Dyzimi”, “Fantazi”, “Të duash është përtej ëndrrës” dhe “Fjala që puth botën” ndërtojnë një poetikë të shkrimit, ku fjala është mënyra e vetme për ta shpëtuar përvojën nga harresa.

Veçanërisht poezia “Poet i harruar” nuk duhet lexuar vetëm si një meditim mbi fatin e krijuesit. Në thelb, ajo është një reflektim mbi kohën e letërsisë. Pluhuri, merimangat, rafti i harruar dhe libri i mbyllur krijojnë ikonografinë e heshtjes kulturore, por fundi i poezisë e përmbys këtë pesimizëm. Shpresa nuk buron nga fama, por nga besimi se fjala e vërtetë e gjen gjithmonë lexuesin e saj. Kështu, poezia nuk i kundërvihet harresës me zukamë, ajo e tejkalon atë me durim, duke e zhvendosur vëmendjen nga autori te jetë­gjatësia e fjalës poetike: “Ylberi, pas lotëve, ngjyrat ndez në mal,/ndërsa lart mbi re buzëqesh i gëzuar./Dikush do të thotë: “Oh, i gjori djalë,/nuk do ngelesh kurrë poet i harruar”(f.42).

 

Dashuria mes afërsisë dhe pafundësisë


Dashuria mbizotëron si burimi gjenerues prej nga burojnë e marrin trajtë të gjitha motivet e tjera. Ajo shpërfaqet si afrim, përqafim, dëshirë, mungesë, pritje, rikthim, dyshim dhe qëndresë përballë kohës.

Te poezia “Ëmbëlsia e dashurisë”, kjo ndjenjë përjetohet përmes prekjes, shikimit, përqafimit dhe puthjes, duke marrë trajtë trupore dhe shpirtërore njëkohësisht: “Ëmbël është një prekje e lehtë dore,/një puthje e padhënë,/po ashtu një drithërimë./Ëmbël nuk është vetëm një fjalë minore,/ është përkëdhelje, më tej një përqafim.” (f.21).

Ndërkaq, “Me ty” e paraqet përjetimin si përkushtim të pakushtëzuar, ku zëri lirik dëshiron ta zgjojë ëndrrën e tjetrit e t’i qëndrojë pranë deri në tretje.

Veçanërisht të bën përshtypje eksplikimi solar në veprën e Kabashit, i cili bart metaforën e shpresës dhe të energjisë transformuese. Sa herë që trishtimi, mërgimi dhe vjeshta sjellin grinë e mbytshme ekzistenciale, dielli dhe drita vendosin një kundërpeshë të fuqishme estetike, duke e hapur përjetimin drejt ngrohtësisë, rigjallërimit dhe besimit. Pikërisht nga kjo prani e dritës, vëllimi zgjerohet natyrshëm edhe drejt përmasave kozmike në poezitë “Qiell dhe yje”, “Univers” dhe “Qiell dashurie”, ku hëna, dielli dhe yjet shndërrohen në njësi matëse të fuqisë dashurore: “Vajza u zgjat aq shumë parvazit në dritare,/diellin me hënën, si një fëmijë t’i dëgjonte./Kush ngroh dhe bën dritë më shumë se njëmijë fare,/ata të dy... apo djali që ajo dashuronte?” (Univers, f.35). Kështu, drita nuk simbolizon vetëm shenjën e shpresës, po bëhet edhe gjuhë e dashurisë, ndërsa universi shërben si horizonti ku ndjenja njerëzore fiton përmasa të pakufishme. Në këtë kuadër, vargu fillestar i strofës te “Qiell dhe yje” nuk vjen si një imperativ i prerë, por shfaqet edhe si apel ekzistencial. Autorja fton në përjetim përmes vetëdijes për ikjen e pakthyeshme të kohës: “Pra, dashuroni me shpirt e zemër,/se koha ikën dhe nuk kthehet më./Është kaq e bukur të dashurosh një femër,/si qielli plot yje dhe hëna nëpër të.” (f.23).

Në poezitë “Nëse” dhe “Dashuria”, ndjenja merr trajtën e një dorëzimi të plotë të zemrës: “Nëse nesër unë nuk zgjohem,/do të lutem me gjithë shpirt:/Futmë në zemrën tënde,/më shtrëngo që të mos ik!” (f.38).

Këtu dashuria nuk njeh moshë, nuk i nënshtrohet kontrollit dhe shpërthen njëkohësisht si dritë, zjarr e stuhi. Kurse te poezitë “Të duash” dhe “Të duash është përtej ëndrrës”, ligjërimi ngrihet në rrafshin e meditimit, sepse të duash do të thotë të dëgjosh heshtjen, të jetosh përtej së zakonshmes dhe ta vështrosh botën përmes qenies së dashur. Poetja e shpreh dashurinë në një përmasë plotësisht metafizike e transhendentale. Përmes imazhit të ecjes zbathur drejt qiellit, dashuria zhvishet nga çdo veshje tokësore për të marrë trajtën e një pelegrinazhi shpirtëror. Këtu, përjetimi emotiv nuk shfaqet si raport i zakonshëm ndjenjash, por lartësohet në rrafshin e bashkëbisedimit mistik e të heshtur mes shpirtit dhe Zotit, ku çdo akt dashurie merr trajtën e një lutjeje të ngjizur në hapësirën e sublimes: “Të dashurosh është të ecësh zbathur në hapësirën e qiellit duke puthur yjet,/ ku hapat e tu janë bisedë e heshtur mes shpirtit tënd dhe Zotit.” (f.90).

Poezia vijuese “Fjala që puth botën” (f.91) është treguese e një dashurie universale. Shprehjet “të dua”, “I love you”, “Je t’aime”, “Ti amo” dhe “s’agapo poli” dëshmojnë se gjuhët ndryshojnë, ndërsa ndjenja mbetet e njëjtë. Fjalët në gjuhë të tjera këtu nuk shprehin objekte poetike më vete, por shprehin ndjenja nëpërmjet të cilave dashuria kapërcen kufijtë gjuhësorë dhe gjeografikë.

Te “Fjalë të pathëna” dashuria lidhet me nevojën e gruas për ta dëgjuar fjalën e ëmbël dhe me dëshirën për të  pasur një marrëdhënie të shprehur pa kursim: “Porsi engjëll fluturon mbi retë, kur dëgjon të thonë “të dua.” (f.47). Ndërkaq, “Shija e jetës” e përfytyron dashurinë si ëmbël­sinë që i jep kuptim jetës, ndërsa fjalët e pamenduara bartin kripën e lotit. “Engjëlli im”, “Romancë”, “Në sytë e tu”, “Eja” dhe “Ti hëna unë dielli” janë poezi të afrimit erotik dhe të magjepsjes. Te kjo e fundit, ndjenja vishet edhe me figuracionin e këngës popullore: përroi, bucela, thëllëza, zana e malit dhe trimi shqiptar krijojnë një atmosferë dashurie me ngjyrime folklorike: “Ndalu se jam trim i marrë,/më shih pak, o hënë, jam dielli./Jam një Arbër, një shqiptar,/si një yll i rënë nga qielli.” (f.114).

 

Largësia dhe rrënjët e përkatësisë (familja dhe vendlindja)

 

Mërgimi përshkon thellë gjithë veprën poetike dhe te Miranda Kabashi ai matet me largësinë e gjuhës, familjes, tokës dhe të shkuarës së dikurshme. Përmallimi mallë­ngjyes ndërthur një rreth të gjerë rrëfimor, në të cilin oqeani shënon ndarjen, ndërsa gjuha shqipe ruan lidhjen me vendin e origjinës. Pra, malli krijon rrethin e gjerë rrëfyes me dy pole të fuqishme, në njërën anë është oqeani që e ndan dhe në tjetrën gjuha amtare që e bashkon. Te “Letra e emigrantit”, letra e nënës dhe e babait zëvendëson zërin e munguar, ndërsa fotografia ruan praninë e familjes matanë oqeanit. Në të mbeten shkrimi i dorës, loti, lajmi me gjurmët e tyre dhe të një kohe: “Një letër nga larg prisja, çdo ditë e muaj,/nga dora e nënës, shkruar në fletë me lot./Malli më përvëlonte në këtë tokë të huaj,/një letër të më vinte, ndaj lutesha në Zot.” (f.30).

Ndërsa te poezia “Mall”, kurbeti merr peshën e barrës më të rëndë, kurse vendlindja mbetet hapësira e vetme ku shpirti gjen lehtësim: “Nëse ju më pyesni,/kush është më i rëndë?/Do t’ju them, kurbeti,/s’ka si i yti vend.” (f.37).

Në poezinë “Kthimi”, aeroporti, valixhet, avioni dhe gjuha e huaj krijojnë itinerarin e mallit. Subjekti kthehet në vendin ku jeton, ndërsa zemra mbetet në vendin që sapo ka lënë. Kjo thyerje bëhet më e theksuar te poezia “E huaj në dy vende”, ku mungesa e përkatësisë shfaqet si gjendje ekzistenciale. Në vendin e huaj mungon gjuha amtare, ndërsa vendlindja nuk e njeh më plotësisht autoren që është larguar. Kjo përvojë përmblidhet në mënyrë të goditur në vargjet: “E huaj ndihem gjithmonë në këtë vend,/më mungon gjuha ime hyjnore.../E huaj ndihem dhe në vendin tim,/më thonë të gjithë: “Ke shumë vite larguar…’” (f.64). Atdheu në poezitë e Kabashit nuk është nocion i largët, por prani që preket. Te “Dëshirë”, kthimi shprehet si nevojë për të puthur tokën dhe për të prekur gurët, kur thotë: “Të marrë frymë nga vendi im,/tokën do puth sa të zbres,/gurët do prek, është bekim,/malli shpirtin do të ndez.” (f.44). Përkundruall kësaj, edhe te poezia “Naimiane”, ajo rikthehet përmes maleve, burimeve, livadheve dhe zogjve: “Atje ku dëgjonte blegërima e zogj si Naimi,/kur ajri i freskët ia përkëdhelte sytë dhe fytyrën.” (f.45).

 Ndërsa te “Fije malli”, përkatësia mblidhet në një grusht dheu prej varrit të babait, në ca guralecë të marrë nga toka mëmë dhe në sendet që e identifikojnë atë: “Një grusht me dhé, që të lotoj”,/me psherëtima i përmalluar.../ Kërkoj një gur/dhe një cigare ta dredh tani,/se malli bën të qaj një burrë.” (f.111).

Kështu, kujtesa nuk përmblidhet vetëm në mendim, ajo bëhet peshë, relike dhe dëshmi fizike e lidhjes me vendin e të parëve.

Familja në këtë vepër poetike shpërfaqet si vatra e dashurisë së hershme dhe e dhimbjes më të thellë, e cila nuk ndërtohet përmes nocioneve abstrakte, po përmes memories shqisore, sendeve shtëpiake dhe ritualeve të përditshme. Si për shembull te poezia “Aroma e sëndukut”, fëmijëria e poetes rikrijohet përmes detajeve mikroskopike të botës së gjyshes, peri në gjilpërë, arnat mbi rroba, era e ftonjve në sënduk dhe tullumbja e ujit. Në këtë hapësirë intime të kujtesës, përpjekja për të ribashkuar copëzat e së shkuarës, merr trajtën e saj më të ndjeshme në vargjet prekëse: “Më ka marrë malli të trokas dhe një herë në portën e madhe,/të trokas aq fort, sa zhurma e saj të dëgjohet deri në parajsë,/në qiellin e arnuar me yje./Më ka marrë malli për “fëmijërinë time të arnuar.” (f.60). Me këtë përmbyllje të fuqishme, fëmijëria e “arnuar” shfaqet si pëlhura më e shtrenjtë e shpirtit, e thurur me kujdes nga duart e ngrohta të atyre që nuk jetojnë më, ngaqë koncepti i “arnimit” zhvishet nga nocioni i skamjes dhe lartësohet në metaforë shpirtërore, siç është dashuria e prindërve dhe e gjyshërve si fije e padukshme që arnonte krisjet e jetës dhe e mbante lidhur në zemër qiellin e fëmijërisë së përbashkët. Mirëpo, kjo vatër e ngrohtë e humb një pjesë të harmonisë së saj te vargjet me titull “Modernizëm”, ku zëvendësimi i sendeve të vjetra me drita moderne pasqyron distancimin kulturor dhe trishtimin e heshtur të prindërve të moshuar. Malli për origjinën merr përmasa thuajse sakrale te “Fije malli”, ku lidhja me të atin e humbur mbahet gjallë nga reliktet fizike si për shembull, një plis me dhé nga varri dhe llulla e tij e vjetër (f.111). Përgjatë këtij motivi, të tërheq vëmendjen edhe poezia “Prindërit” (f.84), në të cilën dhimbja e të atit dhe e së ëmës shihet te gishtat e lodhur, lotët e papër­mbajtur dhe psherëtimat e fshehura. Ndërkaq, poezia “Nënë” ndërton linjën e dashurisë që nis që në embrion dhe përmbyllet me vetëdijen e pjekur të së bijës, e cila tashmë e kupton se ç’do të thotë të jesh nënë. Dëshmi e këtij kërkimi shpirtëror janë pikërisht vargjet: “Më fal, në të kam mërzitur,/e gjumi natën s’të ka zënë!/Tani e kuptoj, jam e rritur,/ç’do të thotë të jesh nënë.” (f.102). E megjithatë, më e ndërlikuar në nëntekst shfaqet “Nuk kishte kohë nëna”, sepse këtu mungojnë shpjegimet apo përkëdheljet, për arsye se koha e nënës është përpirë nga puna e pandërprerë. Në fund, hija e kësaj mungese zbërthehet edhe tek vetë strofa e fundit: “Fëmijë i frikur vitet jetova,/si oqean me dallgë pa fund,/sot mbas kaq kohësh unë e kuptova,/ çfarë nuk më tha, ma dha me mund.” (f.107).

Ky cikël përmbajtësor, kurorëzohet me poezinë “Kam frikë”, e cila ngrihet si një klithmë për plakjen e babait dhe ankthin e humbjes. Dridhja e duarve, sheqeri i derdhur në dysheme, rubineti i harruar hapur, kanapeja, lajmet në shqip dhe zhurma e dominove, këto të gjitha formësojnë portretin e tij fizik e shpirtëror. Mirëpo, frika e poetes tejkalon humbjen fizike, më shumë i druhet boshatisjes së shtëpisë dhe heshtjes së sendeve që do të mbeten jetime pa njeriun e tyre, e cila reflektohet natyrshëm me vargje: “Më tej s’do të merrem me sheqerin në dysheme,/thërrimet poshtë tavolinës,/apo rubinetin e harruar pa mbyllur,/i cili do të pikojë lotët e rinj.../Më trembin mendimet për kohën pa ty,/më tremb jeta pa supin tënd…” (f.112-113).

 

Hijet e qenies dhe drita e besimit


Përreth fillit kryesor, në përmbledhje spikat edhe një linjë e fshehur rezonuese shpirtërore, ku besimi, Zoti e përshpirtshmëria nuk shfaqen si dogma, por si mbështetje ekzistenciale përballë lodhjes, dhimbjes dhe sprovave të jetës. Poezia “Beso” (f.29) reflekton pohimin më të drejtpërdrejtë të këtij besimi, ku Hyjnorja konceptohet si forcë mbrojtëse që e mban njeriun kur fati e rrëzon. Në mënyrë të natyrshme, kjo përsiatje thellohet te “Botë pa Zot?”, e cila nis nga mahnitja para stinëve, natyrës, ujit e ajrit, për të mbërritur te pyetja thelbësore se a mund të kuptohet harmonia e botës pa një inteligjencë apo fuqi hyjnore. Siç theksohet edhe tek poezia: “Si do dukej vendi pa asnjë nga këto stinë,/mëngjeset me vesë munguar në këtë botë?/Pa ajër, pa ujë, pa kafshë dhe njerëzinë,/po qielli pa re dhe unë pa një Zot?” (f.26). Krahas kësaj poezie, kjo frymë merr trajta edhe më intime te poezitë tjera, siç është “Engjëll” (f.31), tek e cila flutura përjetohet si lajmëtare nga parajsa e ku besohet se dhimbja e lutja pasqyrojnë një shenjë nga të dashurit e humbur, apo tjetra te “Lotët e Zotit”, ku vrasja e një zogu ngrihet në nivelin e një fyerjeje morale e hyjnore, bashkë me Zotin që qan për shkatërrimin e pafajësisë: “Në ëndërr Zotit ju shfaq një ditë,/ashtu i bukur ai zog i mirë./Qau më pas Zoti, qanë perënditë,/pse vranë një frymë, engjëll të lirë.” (f.46). Kurse te poezia “Vetmi” (f.51), njerëzit e gjallë që ndihen si të vdekur, i shtrijnë duart nga Zoti në kërkim të dashurisë, ndërsa te vargjet e poezisë “Mizantrop” (f.96), drita e parajsës vihet përballë errësirës së zilisë njerëzore, si dhe tek poezia “Harrojmë”, jeta rikujtohet me çmimin e saj të vërtetë, vetëm përmes dinjitetit dhe shpirtit të pastër.

Funksion specifik në vepër ka edhe vetmia, zbrazëtia shpirtërore, e cila shfaqet si pasojë e mungesës së dashurisë, mërgimit, humbjes dhe pamundësisë për t’u kuptuar. “Vetmi” (f.51) dallon mes të vdekurve në varre dhe të gjallëve që jetojnë si të vdekur. “Vetmia e një nate” (f.72) e vendos vetminë në një dhomë ku çdo send kujton një afërsi të humbur. “Vegim…” (f.85) ndjek një grua të vetmuar në bar, duke mos e gjykuar, po duke pyetur se çfarë dhimbjeje mund ta ketë çuar aty. Ndërkaq poezia “Park” e ndërton vetminë përmes vjeshtës dhe rënies së gjetheve: “Dhe rrugës shkel mbi britma gjethesh,/një shi më lag në trotuar./Në park unë ndjej lot të djegur ethesh,/ah, park i vjeshtës, për gjethet... varr” (f.33).

Të tillë specifikë kanë edhe poezitë “Mungesë” (f.34), “Alternativë” (f.55), “Largësia” (f.103), “Pritja” (f.108) dhe “E huaj në dy vende” (f.64), të cilat e lidhin unin lirik me braktisjen, pritjen dhe mungesën e përkatësisë.

Ndryshe nga linja kryesore e librit, këtu autorja e trajton kohën, plakjen dhe vdekjen jo si koncepte të largëta, as si nocione abstrakte, por si përvojë të drejtpërdrejtë njerëzore, përjetuar në trup e mendje. Te poezia “Kam frikë” (f.112), plakja e babait nuk vjen si kujtim i vonuar, por si ankth i së tashmes, mishëruar në ligështimin e trupit dhe zbehjen e kujtesës. Ndërkaq, te “Harrojmë”, Kabashi kritikon me mprehtësi njeriun modern që largohet nga vetvetja dhe nga gjërat thelbësore, duke e humbur kohën pas dytësoreve deri sa kupton se më e çmuara ishte ajo që kishte falas thotë autorja: “Ishte dashuria” (f.75). Sidoqoftë, përballë kësaj kalueshmërie (efemeriteti), te poezitë si “Takim” (f.27). Ndërsa poezia “Mungesë” është meditim që e mposht vdekjen përmes artit dhe shpirtit. Braktisja e hapësirës fizike si dritares, tryezës dhe qirinjve të fikur nuk sjell harresën, por shpërnguljen e pranisë njerëzore në dy dimensione të tjera, në njërin te libri, ku vargu ruan frymën e shkruar, dhe tjetrin te kozmosi, ku qenia shndërrohet në yje, re e dashuri të padukshme: “Nëse prania ime një ditë do të të mungojë ty,/atje në qiell, ku yjet vallëzojnë, do të më gjesh.” (f.34). Në thelb, mungesa fizike nuk është fund, por e shndërron dashurinë në prani të pafundme shpirtërore. Më tej tek poezitë “Nëse”(f.38), “Të dy” (f.39) apo “Nuk vdes dashuria” (f.100), në vend të trupit që mungon, funksionin e pranisë e marrin simbolet, si libri, fotografia, ylli dhe kujtimet që bëhen ura ku dashuria e mposht harresën.

Nuk duhet kaluar pa përmendur se, në këtë vepër, natyra e tejkalon rolin e peizazhit të heshtur dhe hyn si prani e gjallë në universin emocional të subjektit lirik. Te poezia “Prelud” (f.70), ardhja e vjeshtës, e shënuar nga shtegtimi i zogjve, vyshkja e trëndafilave, shkurtimi i ditës dhe zbehja e ngjyrave, nuk dëshmon vetëm kalimin e stinëve, por edhe ritmin e brendshëm të shpirtit. Çdo hap mbi gjethet e rëna tingëllon si përfundimi e një kënge, duke e bërë melankolinë të ecë krah për krah me bukurinë e përkohshmërisë. Kjo marrëdhënie me natyrën përfton tjetër thellësi te poezia “Naimiane” (f.45), ku peizazhi i atdheut ngrihet në hapësirë kujtese dhe përkatësie, ndërsa te poezitë “Rilindja”(f.82) dhe “Vigjilje pranverore”(f.110), cikli i stinëve merr vlerën metaforike të qëndrueshmërisë shpirtërore. Trëndafili që çel nën borë dhe pema e drobitur nga dimri që nxjerr sythet e parë të pranverës, dëshmojnë se jeta e gjen gjithmonë udhën e ripërtëritjes. Në poezitë “Muzgu” (f.92), “Mirazh tetori” (f.78), “Bardhësi” (f.88), “Shpresë” (f.81) dhe në poezinë “Ëndërr” (f.69), tek të gjitha këto, peizazhi nuk manifestohet si sfond i përjetimit lirik, por si pasqyra e tij më besnike, sepse muzgu bart heshtjen, vjeshta zgjon mallin, bora zbardh vetminë, ndërsa drita e brishtë mban gjallë shpresën.

Universi femëror zë një vend të veçantë në këtë tërësi poetike, ku gruaja përshkruhet si bartëse e dashurisë, e dhimbjes, e sakrificës dhe e dinjitetit njerëzor. Te poezia “Fjalë të pathëna” (f.47), ajo shfaq nevojën për afërsi dhe për fjalën që i jep dashurisë prani të ndjeshme. Në “Pesha e një loti” (f.66), dhimbja çlirohet nga çdo ndarje gjinore dhe vendoset në hapësirën e përbashkët të përjetimit njerëzor. Kjo ndjeshmëri zgjerohet te poezia “Tetori rozë”, ku vuajtja përballë sëmundjes bashkon frikën, lutjen dhe shpresën në zë solidariteti: “Universi i gruas, ndihet deri tutje,/me ata gjinj të bukur, si lulet në maj,/ndaj tempujt për Zotin, kanë gjithmonë një lutje:/Thaja lotët gruas, thaja… të mos qajë!” (f.77).

Te “Dashuri e padukshme” (f.109), fjala e dashurisë përballet me mungesën e dëshmisë së saj, duke zbuluar largësinë mes asaj që thuhet dhe asaj që jetohet. Ndërsa te “Vegim…” (f.85), gruaja e vetmuar vështrohet me mirë­kuptim dhe pa paragjykim, poezia kërkon, përtej pamjes së jashtme, plagën e heshtur që mbetet e padukshme për të tjerët. Veçanërisht te “Ëndrra për një djalë”(f.28), amësia paraqitet si mundësi e fuqishme edukimi moral dhe ndry­shimi shoqëror, ngase këtu dëshira për të pasur një djalë, tejkalon nocionin tradicional të vazhdimit të mbiemrit, sepse poetja synon ta edukojë atë me kulturën e respektit ndaj gruas, duke i dhënë forcë zërit femëror për të ndërtuar botën ku ajo dëshiron të jetojë. Në tërë këto poezi, gruaja vjen me zërin, vetëdijen dhe dinjitetin e saj, duke sjellë në vepër një botë ku dashuria, dhimbja dhe qëndresa prekin thellësisht njerëzoren. Zë i cili nuk ndërtohet mbi demon­strimin e forcës, jo, por forca e këtij zëri bëhet e dukshme në aftësinë për të ndier, për të kujtuar, për të pritur, për të dashur dhe për ta kthyer dhimbjen në fjalë. Subjekti lirik femëror nuk është vetëm objekt i dashurisë, ai kërkon, zgjedh, flet, shkruan, përballet me largësinë dhe gjykon marrëdhënien e vet me botën.

 

Disiplina e formës dhe liria e vargut


Një prej tipareve më të dallueshme të librit poetik “Prelud në Filadelfia” është bashkëjetesa e dy mënyrave të ndërtimit poetik, të cilat alternohen natyrshëm përgjatë vëllimit. Pjesa më e madhe e poezive mbështetet në strofa katërshe me rimë të rregullt dhe me vargje që e ruajnë ekuilibrin ritmik, duke iu afruar më së shpeshti tetë­rrokëshit, dhjetërrokëshit ose dymbëdhjetërrokëshit. Poezi si "Ëmbëlsia e dashurisë" (f.21), "Beso" (f.29), "Vetmi" (f.51), "Rilindja" (f.82), "Qiell dashurie" (f.68) apo "Fantazi" (f.71) ndërtohen me një sintaksë të ngjeshur, ku çdo varg përbën njësinë e qartë kuptimore ku ritmi mbështetet në përsëritjen e strukturave sintaksore, në kadencën e rimës dhe në ekuilibrin ndërmjet vargjeve. Kjo rregullsi formale u jep poezive muzikalitet të natyrshëm dhe qartësi komunikimi që përputhet me karakterin lirik të tyre. Ndërsa në anën tjetër, një grup poezish si "Kthimi" (f.40), ”Aroma e sëndukut" (f.59), "Harrojmë" (f.73), "Kam frikë" (f.112), "Përmes të kaluarës" (f.104), "Të duash është përtej ëndrrës" (f.90) dhe "Ëndrra ime…" (f.94), pa përjashtim, secila prej tyre është shkruar në varg të lirë ose mbi një ligjërim përafrie të prozës poetike. Në këto ndërtime vargjesh, ritmi nuk buron më nga rima dhe masa e vargut, por nga frymëmarrja e fjalisë, nga përsëritjet, pauzat, enumeracionet dhe rrjedha asociative e kujtesës. Në këto poezi, fjalitë janë më të gjata, shpesh vazhdojnë prej një vargu në tjetrin dhe ndjekin rrjedhën e mendimit, të kujtimeve dhe të përshkrimit më shumë sesa disiplinën metrike. Kjo mënyrë ndërtimi krijon hapësirë për përshkrim, meditim, rrëfim dhe kujtesë, sidomos në poezitë kushtuar mërgimit, familjes dhe realitetit të jetuar.

Alternimi i këtyre dy regjistrave ndërtimorë krijon një ritëm të brendshëm në gjithë librin. Poezitë me formë të rregullt sjellin përqendrim, muzikalitet dhe kondensim lirik, ndërsa poezitë me varg të lirë zgjerojnë hapësirën refleksive dhe i japin zë kujtesës, përjetimit dhe meditimit. Ky ekuilibër ndërmjet disiplinës së formës dhe lirisë së ligjërimit përbën një nga veçoritë më të dukshme të arkitekturës poetike të përmbledhjes “Prelud në Filadelfia” të Miranda Kabashit.

Në fund, mund të thuhet se “Prelud në Filadelfia” është univers poetik, ku ndjenja, kujtesa dhe drita bashkohen në një përvojë lirike të njëtrajtshme. Pikërisht prej kësaj ndërthurjeje lind një botë poetike e njësuar, ku dashuria, malli dhe mërgimi nuk paraqiten si tema të veçuara, por si përmasa të së njëjtës përvojë përjetuese njerëzore. Poezitë komunikojnë natyrshëm me njëra-tjetrën, motivet rikthehen në kontekste të reja, figurat pasurojnë njëra-tjetrën dhe kuptimet thellohen nga ky dialog i brendshëm, duke i dhënë vëllimit një kohezion të qëndrueshëm estetik.

Prandaj, vlera e këtij libri nuk qëndron vetëm te bukuria e poezive të veçanta, por te mënyra e bashkimit për të krijuar universin e njësuar lirik, ku çdo varg, apo strofë e zgjeron horizontin e tjetrit. Lexuesi nuk do të lexojë thjesht vetëm një varg poezish, por ai do të hyjë në një hapësirë shpirtërore, duke parë se këtu fjala ruan kujtesën, drita mposht errësirën dhe dashuria është forca më e qëndrueshme e qenies njerëzore. Ky është preludi i vërtetë që Miranda Kabashi i dhuron lexuesit, po, hyrjen në një botë ku poezia nuk synon vetëm të emocionojë, por edhe të rikthejë besimin te njeriu. Më e rëndësishme është se vlera e veçantë e këtij vëllimi poetik, qëndron edhe në ndërtimin e tij strukturor, ku preludi i ndjenjës së pastër harmonizohet me interludet e reflektimit ekzistencial dhe të ndjeshmërisë shoqërore, duke i dhënë poezisë unitet estetik që nga vargu i parë deri tek i fundit.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page