Lumnie Thaçi-Halili: AMERIKA NË GJURMËT E NJË SHKRIMTARI SHQIPTAR

Në veprën letrare “Simfonia e udhëtimeve” shkruar nga Adnan Mehmeti (UETPRESS, 2021), Amerika nuk hyn si një kontinent i parë nga larg, përmes hartave, statistikave apo përfytyrimeve të trashëguara, drejtpërsëdrejti ajo vjen për lexuesin shqiptar e prekur nga afër, e përshkuar me makinë, me avion, me tren e me anije, vjen përmes ecjeve të gjata, ndalesave të papritura, radhëve të vizitorëve, bisedave me ciceronë dhe mbrëmjeve kur qyteti vazhdon të vezullojë edhe pasi kanë pushuar hapat e udhëtarit. Autori i këtij libri nuk e sheh Amerikën nga një pikë e vetme, ai e ndjek në të gjitha ndryshimet e saj, atje ku madhështia natyrore përballet me ndërhyrjen njerëzore, pasuria me historinë e skllavërisë së dikurshme, qytetërimi modern me gjurmët e kulturave të lashta, ndërsa shkëlqimi urban me heshtjen e shkretëtirës.
“Simfonia e udhëtimeve” i përket letërsisë së udhëtimit, ndonëse kufijtë e saj gjinorë mbeten qëllimisht të hapur. Udhëpërshkrimi, reportazhi letrar, ditari autobiografik dhe eseja kulturo-historike bashkëjetojnë me poezinë, e cila lind sa herë që pamja e një vendi kërkon të thuhet përtej informacionit dhe rrëfimit. Vepra mund të përcaktohet, pra, si një udhëpërshkrim letrar me strukturë ndërgjinore (hibride) dhe me ndërfutje lirike poetike.
Në këtë libër ka lumenj të gjatë e rrjedha nëntokësore, liqene, gjire, oqeane dhe ujëvara që e bëjnë ujin njërin prej elementeve më të pranishëm të peizazhit amerikan. Ka male të larta, kanione të mëdha, shkëmbinj të kuq, fusha pambuku, nëntoka me bakër e diamante, shkretëtira të mbushura me kaktuse dhe vise ku stinët e ndërrojnë pamjen e tokës me tërë larminë e ngjyrave të tyre. Ka bregdete të gjata, plazhe me rërë të bardhë, xhungla dhe ishuj që, në mënyrën si rrëfehen nga autori Mehmeti, marrin herë-herë karakter legjende. Ka vende ku vera duket se zgjat dymbëdhjetë muaj dhe të tjera ku klima e ashpër ia kujton njeriut se natyra amerikane, krahas bujarisë së saj, njeh edhe gjuhën e tornadove dhe të stuhive.
Ka qytete të ngritura si mirazhe vezulluese në mes të shkretëtirës dhe qytete ku e kaluara ruhet në kalldrëme, në ura druri të shekullit XIX, në fortifikime bregdetare, në porte të vjetra dhe në shtëpi të kthyera në muze. Ka metropole kozmopolite, qytete-shtete, kryeqytete me miliona banorë dhe qendra të vogla administrative ku qetësia duket se e ka ngadalësuar kohën. Ka qytete që njihen si vendlindje të automobilit, të muzikës, të filmit, të bixhozit dhe të festës, ka një Montreal që organizon qindra festivale në vit (480 sosh, f.170) dhe një Las Vegas ku reklamat ndriçuese ndërtojnë çdo mbrëmje një skenografi të re. Ka pallate, kështjella që na e kujtojnë botën e Hirushes, shtëpi të mermerta, hotele madhështore, rrota gjigante, fusha golfi, parqe rekreative dhe shëtitore druri që e çojnë këmbësorin drejt detit.
Begatia e pamjeve, asnjëherë nuk shterohet nga kënaqësia e soditjes turistike. Çdo shtet dhe qytet shoqërohet me një histori përmbledhëse, me të dhëna për themelimin, emërtimin, kolonët e parë, zhvillimin ekonomik, krizat, luftërat dhe shpalljet e pavarësisë. Emërvendet bartin gjurmët e historisë. Xhejmstauni ruan emrin e mbretit Xhejms I, Virxhinia lidhet me figurën e Elizabetës së pamartuar (f.176), ndërsa shumë qytete të tjera mbajnë në emërtimet e tyre kujtimin e mbretërve, presidentëve, eksploruesve dhe themeluesve. Kështu që, vendi nuk përshkruhet vetëm në gjendjen e sotme, ai lexohet në shtresat që ia kanë përftuar fytyrën.

Në këto faqe ka muze të shumtë, galeri arti, murale nëpër qytete, skulptura gjigante, objekte kulturore, relike dhe dëshmi të qytetërimeve të hershme. Tulumi ruan dëshmitë e qytetërimit maja, parqet arkeologjike pasqyrojnë një kohë shumë më të lashtë se historia moderne e kontinentit, ndërsa anija Mayflower rikthen kujtimin e kolonëve dhe të zanafillës së një shoqërie të re. Ka biblioteka me miliona vëllime dhe librari të vogla, ku takimi me librin mbetet po aq domethënës sa madhështia e institucioneve universitare. Yale si universitet përfaqëson prestigjin akademik, ndërsa shtëpitë-muze të shkrimtarëve dëshmojnë se letërsia amerikane është e ngulitur edhe në hartën reale të vendit.
Siç shihet, prania e artit është e shumëfishtë. Ka muzikë, këngëtarë, filma western, aktorë emblematikë, biografi shkrimtarësh dhe tituj veprash që tashmë i përkasin trashëgimisë botërore. Qytetet lidhen me autorët që kanë jetuar, shkruar ose janë frymëzuar prej tyre. Florida sjell praninë e Ernest Heminguejit dhe të veprës së tij “Lamtumirë armë” dhe njëkohësisht bëhet vendi ku Fan Noli kaloi vitet e mbrame të jetës. Në këtë afërsi të papritur, historia e letërsisë amerikane dhe ajo shqiptare tashmë takohen në të njëjtin truall dhe hyjnë natyrshëm në të njëjtin rrëfim libror të Adnan Mehmetit.
Pas bukurive natyrore, arkitekturës dhe artit, libri shfaq edhe anën e dhimbshme e dramatike të historisë. Ka plantacione pambuku dhe histori skllevërish, qytete të prekura nga krizat, fusha betejash, varreza të të rënëve për liri dhe monumente gjigante kushtuar emigrantëve. Portet si vepra të mëdha inxhinierike simbolizojnë edhe vendet ku kanë mbërritur në këtë kontinent mijëra njerëz me pak plaçka dhe me një jetë të tërë përpara, për ta jetësuar ëndrrën amerikane. Historia amerikane shfaqet kështu si histori lëvizjesh njerëzore: e kolonëve, e skllevërve, e të dëbuarve, e punëtorëve dhe e emigrantëve që kanë sjellë me vete gjuhë, besime, shije ushqimesh dhe kultura të ndryshme. Larmishmëria njerëzore që autori ndesh në qytete përbën themelin shoqëror dhe kulturor mbi të cilin është ngritur dhe është zhvilluar Amerika.
Në panoramën e gjerë të veprës shpaloset edhe historia personale e autorit, përmes së cilës ardhja në Amerikë, bashkëshortja, fëmijët, jeta familjare dhe takimet me shqiptarët bëhen pjesë e pandashme e udhëtimit. Jeta personale bëhet e pandashme nga vendet e vizituara, një qytet lidhet me lindjen e të birit, një universitet me studimet e së bijës, një udhëtim me praninë e Vilmës, një takim letrar me miqtë dhe bashkëpunëtorët. Për këtë arsye, atlasi rrëfyes i veprës sjell edhe praninë familjare. Në rrëfimin e udhëtarit-shkrimtar, qytetet ruajnë njëherësh historinë e Amerikës dhe gjurmët që kanë lënë në jetën e tij. Në këto rrjete kujtimesh familjare, Presheva është shumë më tepër se vendlindja e Adnan Mehmetit, mbi të gjitha ajo është njësia e fshehtë barazuese me të cilën ai mat dhe e përshkon botën. Amerika shtrihet para tij me gjerësinë e oqeaneve, shkretëtirave, qyteteve dhe kufijve të saj, mirëpo mendimi i rikthehet pareshtur Letovicës, Miratocit dhe Luginës së Preshevës, prej të cilave çdo vend i ri merr përmasën e afërsisë ose të largësisë. Duke përshkuar udhët e panjohura të Galvestonit, ai kujton Letovicën, ku njihte çdo rrugicë, çdo shtëpi e çdo njeri, kurse përballë kufirit ndërmjet pjesës franceze dhe asaj holandeze të Shën Martinit, mendja i shkon te kufijtë që ia kanë zënë frymën Luginës, ndërsa Arizona e quajtur Lugina e Diellit, ia sjell ndërmend edhe trojet e tij të cilat janë po aq të diellta. Mullinjtë e erës në Kejp Kod e rikthejnë te mulliri me ujë i gjyshit në Miratoc, ku fëmijëria e tij ende dëgjon mokrën e bluarjes së drithit dhe rrëfimet e udhëtarëve që strehoheshin aty.
Veçanërisht domethënës është çasti kur Tea dhe Andi, duke udhëtuar nëpër viset rurale të Dellëuerit (Delaware), thonë njëzëri: “Na kujton vendlindjen e bukur të Luginës së Preshevës.” (f.159). Në atë fjali të thjeshtë zbulohet se rrënja e prejardhjes nuk ka mbetur vetëm në kujtimet e të atit, ajo u është përcjellë fëmijëve si ndjenjë përkatësie, mënyrë njohjeje dhe dashuri e trashëguar. Presheva nuk mbetet pas udhëpërshkruesit si një vend i harruar larg kontinentesh, përkundrazi, ajo udhëton brenda tij, hyn në përqasjet që zgjon çdo pamje e re dhe bëhet e dukshme edhe në sytë e brezit që po rritet viseve tjera. Sa më larg të udhëtojë njeriu nëpër botë, aq më shumë vendlindja rritet brenda tij, duke mbetur emri i parë dhe i pashlyeshëm i çdo vendi ku mbërrin.
Mes udhëve që përshkojnë natyrën, historinë dhe qytetërimin amerikan, autori ndalet edhe te motoja e Nju-Hempshërit (New Hampshire), “Jeto i lirë ose vdis!”, të cilën e quan metaforën më të bukur të udhëtimit. Për lexuesin, kjo thënie në libër nuk lexohet vetëm si emblemë e një shteti amerikan, ç’është më e rëndësishmja, ajo merr vlerën e një besimi mbi dinjitetin e njeriut. Në pak fjalë bashkohen kujtimi i luftërave për pavarësi, nderimi për të rënët dhe kundërshtimi ndaj çdo forme nënshtrimi. E veçanërisht për lexuesin shqiptar, jehona e saj bëhet më e afërt, sepse prek historinë e një populli që lirinë nuk e ka marrë si dhuratë, po e ka fituar me qëndresë dhe flijime. Kështu, “Jeto i lirë ose vdis” nga një mbishkrim i ndeshur gjatë udhës, ngrihet si parim moral, duke i dhënë udhëtimit kuptimin e tij më njerëzor.
Teksa përshkon gjeografinë politike dhe kulturore të Amerikës, Adnan Mehmeti gjen në të edhe kapituj të historisë shqiptare. Nëpër qytetet që viziton, Mehmeti kërkon edhe vendet ku janë marrë vendime me rëndësi përcaktuese për fatin tonë kombëtar. Aty është presidenti Wilson, i cili, përballë synimeve për copëtimin e Shqipërisë, e vuri autoritetin e tij në mbrojtje të të drejtave të saj (f.174); është Kalvin Kulixhi, i lidhur me përçimin e kërkesës së studentëve shqiptarë për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit (f.19); është Bill Klintoni, emri i të cilit në ndërgjegjen e shqiptarëve të Kosovës mbetet i pandashëm nga ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i vendit; aty është edhe Xhorxh W. Bushi, atëherë guvernator i Teksasit, para selisë së të cilit shqiptarët u tubuan më 1998 për ta ngritur kërkesën për pavarësinë e Kosovës dhe për ta përcjellë atë deri në Uashington (f.60). Më vonë, si president, ai e pohonte në Tiranë Shqipërinë dhe popullin shqiptar si një realitet të ri politik në Ballkan (f.86). Në këtë itinerar shqiptaro-amerikan, autori ndesh edhe figurat përfaqësuese përmes të cilave mërgata me aktivitetet e saj e ka bërë të njohur prejardhjen e vet krenarisht në mjedisin amerikan. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Nënë Tereza shfaqen në monumente, buste dhe emërtime që përveç ndikimit përkujtimor i japin vendit një shenjë shqiptare dhe e gdhendin historinë tonë në peizazhin kulturor të qytetit amerikan. Veçanërisht të bën krenar pamja e Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit, ku monumentet e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës e shndërrojnë oborrin e saj në një mjedis njëherësh fetar, kulturor dhe kombëtar. Krahas lutjes, kjo kishë mban gjallë gjuhën, traditën, takimet letrare dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Të njëjtën peshë historike merr Katedralja Ortodokse Shqiptare e Shën Gjergjit në Boston, e lidhur pandashëm me figurën e Fan Nolit. Vizita në katedrale, takimi me Atë Artur Liolinin, simpoziumi kushtuar Nolit, biblioteka ku ruhen relikte personale të tij dhe homazhi te varri i tij i japin këtij udhëtimi solemnitetin e përnderimit kulturor. Pranë varrit të Nolit ruhet edhe vendi ku, për afro gjysmë shekulli, preheshin eshtrat e Faik Konicës, derisa më 1995 u kthyen në atdhe, duke përmbushur amanetin e tij të mbramë. Në këtë mënyrë, varri, katedralja dhe biblioteka e kanë ruajtur, e ruajnë dhe do të vazhdojnë ta ruajnë historinë shqiptare në Amerikë të gjallë ndër breza. Përkrah figurave të Nolit e Konicës qëndron edhe prania e shkrimtarëve dhe veprimtarëve shqiptarë të kohës sonë. Takimet me ta, pjesëmarrja në veprimtaritë e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, promovimet, simpoziumet dhe vizitat në qendrat kulturore dëshmojnë se udhëtimi i Adnan Mehmetit është njëkohësisht edhe lëvizje brenda jetës letrare të mërgatës. Në faqet e librit shfaqen emra si Peter Prifti, Naum Prifti, Gjekë Marinaj, Mëhill Velaj, Dalan Luzaj, Rozi Theohari, Ramiz Gjini, Qazim Rrushaj, Petraq Pali, Pjetër Jaku, Elinda Marku, Raimonda Moisiu, Lek Gjoka e Xhevat Limani etj. Emrat e këtyre nuk renditen si inventar nderimesh, sepse secili lidhet me një libër, një revistë, një takim letrar ose një nismë kulturore. Përmes kësaj veprimtarie intelektuale, shqipja në Amerikë ruhet si gjuhë e prejardhjes, si gjuhë që shkruhet, botohet dhe hyn në jetën kulturore të vendit ku ata jetojnë. Kështu, historia shqiptare nuk paraqitet si shtojcë e udhëtimeve. Ajo është një nga fijet që i lidh vendet e vizituara me fatin e atdheut. Krahas thënieve që kanë hyrë në ndërgjegjen universale, si “Unë kam një ëndërr” e Martin Luter Kingut, vepra ruan edhe emra, fjalë, vepra dhe vendime që për shqiptarët kanë marrë peshën e kthesave historike. Duke e vështruar këtë marrëdhënie në të dy kahet, udhëpërshkruesi Mehmeti nuk kërkon vetëm shenjat që Amerika ka lënë në historinë e shqiptarëve, ai dëshmon njëherësh edhe kontributin e shqiptarëve në jetën kulturore, qytetare dhe ekonomike të Amerikës.
Dy ballinat (kopertinat) e kësaj vepre mbajnë brenda tyre një kontinent të tërë, të cilit fjala e autorit ia shton madhështisë gjeografike edhe përmasën njerëzore. Aty bashkohen natyra, historia, arti, letërsia, pasuria, tragjedia, emigrimi, mikpritja dhe ëndrrat njerëzore. Është një botë e vështruar nga një shkrimtar shqiptar, i cili nuk mjaftohet me soditjen, sepse dëshiron të dijë çfarë ka ndodhur në secilin vend, kush ka jetuar, luftuar e ndërtuar aty dhe si lidhet historia e atyre vendeve me fatin e shqiptarëve dje, sot e nesër.
Herë pas here në veprën “Simfonia e udhëtimeve”, proza ndalet për t’i lënë vend në udhëtim vargut, për arsye se pamjet e vizituara përveç se të rrëfehen, kërkojnë të marrin frymë edhe poetikisht. Nëntë poezitë e përfshira në libër sipas këndvështrimit tim, kanë lindur në ato çaste kur pamja e vizituar kërkonte të përjetohej përtej rrëfimit dhe të merrte frymë në varg. Bëhen të kuptueshme kështu: në poezinë “Dëshirat e dështuara”, kazinoja zhvishet nga shkëlqimi mashtrues dhe pasqyrohet si makinë që “pjell dëshpërim”, ndërsa te poezia “Në rodeo”, argëtimi i turmës errësohet nga analogjia me tokën e pushtuar përmes forcës; te poezia “Kujtoni Alamon!” autori ia beson peshën e historisë një shtëpie të vogël që klith përtej kohës, kurse tek “San Antonio” i bën lumin dhe urën pjesë të një rituali laik të dashurisë; me poezinë “Vjeshta në Lufkin”, udhëtimi zë vend në kopshtin familjar, ku, mes rënies së gjetheve, fëmijët, gruaja me fustan të verdhë dhe valsi rreth dardhës i japin vjeshtës ngrohtësinë e jetës familjare; në vargjet e titulluara “Me kuajt e erës përtej detit”, malli merr trajtën e baladës dhe trupi i mërgimtarit mbijeton “i gjysmëmbetur rrugëve të botës”, teksa dashuria niset përpara tij drejt vendlindjes. Në dy poezitë kushtuar Konicës dhe Nolit motivi i kthimit lidhet drejtpërdrejt me historinë kombëtare. Te “Udhë e mbarë, Kostandin!”, Konica mbërrin në atdhe si heroi i besës së mbajtur, ndërsa në “Me Nolin në Boston”, poezia e përfytyron Nolin duke ngjitur shkallët e Katedrales së Shën Gjergjit dhe duke i pritur shkrimtarët me ngrohtësinë e zotit të shtëpisë. Në këtë tufë poetike, Amerika shfaqet herë në ethet e parasë e në dhunën e pushtimit, herë në bukurinë e qyteteve dhe në ngrohtësinë e kopshtit familjar, derisa udha e mërgimtarit merr drejtimin e amanetit shqiptar. Kështu pra, përderisa proza përndjek e përflet për udhëtimin e autorit, poezia mbledh mbresat dhe frymëzimin e zgjuar përgjatë atij udhëtimi.
Përtej kësaj morie udhësh, libri “Simfonia e udhëtimeve” ushqehet nga pasioni i autorit për ta vështruar botën nga afër dhe për ta njohur përtej pamjes së saj të parë. Amerika shfaqet me përmasat e saj gjeografike, me kundërthëniet historike dhe me larminë njerëzore, njëherësh afrohet deri te udhëtimi familjar, takimi letrar, varri i vizituar, biblioteka, fotografia dhe fjala e mirënjohjes. Nga kjo afërsi ndërmjet kontinentit të madh dhe jetës së krijuesit shqiptar buron veçantia e veprës, e cila bashkon vende, kohë, njerëz, kultura e fate, ndërsa çdo nisje drejt së panjohurës dhe çdo kthim i Adnan Mehmetit ruan Preshevën si pikën e vet të patjetërsueshme. Një vepër e shkruar me kërshërinë e hulumtuesit, vëmendjen e kronikanit, ndjeshmërinë e poetit dhe dashamirësinë mirënjohëse të shqiptarit ndaj Amerikës!








Comments