top of page

LOTI I SHPIRTIT PIKON MBI BRAKTISJEN DHE VETMINË


Agron Mema

-MENDIME RRETH VËLLIMIT POETIKË “DRITËHIJE” TË POETIT DASHAMIR  Malo   Nga Agron MEMA “Dritëhije” është vëllimi më i fundit i poetit sarandjot Dashamir Malo i botuar dhe hedhur në qarkullim ditët e fundit. Titulli dhe kopertina e librit e ilustruar me një pikturë të piktores kosovare Miradie Ramiqi, jep plotësisht idetë dhe tematikën që trajton dhe përcjell poeti. Por edhe gjeografikisht përcjell një qasje metaforike; një poet nga jugu i Shqipërisë përzgjedh ilustrim kopertine të librit të tij poetikë një krijim të artistes kosovare, duke unifikuar simbolikisht çështjen kombëtare. Ky vëllim poetikë, krahas rritjes së cilësisë dhe pjekurisë krijuese të autorit, përcjell idenë, mesazhe e gjykime të drejta, të urta e me pjekuri, sepse poeti jeton me kohën, me ngjarjet, me realitetin tonë, entuziazmohet e shqetësohet, gëzohet e hidhërohet, por nuk bie në pesimizëm, ëndërron, shpreson, beson sepse është optimist për të arthmen. Poeti shkruan me zemër të pastër, me mendim të sinqertë dhe ndjenja njerëzore. Poezitë janë të thjeshta, të kuptueshme, realiste, komunikuese, me stil tërheqës e me vlera artistike. Ka vargje dhe krijime të plota që shkaktojnë situata tepër prekëse, që ndikojnë për formim dhe edukim dhe që krijojnë kënaqësi emocionale mbresëlënëse. Në disa poezi poeti bashkëbisedon me vetveten. Tematikës interesante i përgjigjet në mënyrë të kënaqshme e përdorimi i një fjalori frazeologjik të pasur, i një gjuhe me ndërtime të drejta, i një figuracioni të shumëllojshëm. E kush nuk preket, përmallohet e gëzohet, kur lexon e dëgjon vargje të tilla plotë ngrohtësi, ëmbëlsi, qartësi e dashuri: “Ah, u plandos edhe një lis tjetër, lis nga fis dodoniak, Një Zot e di kush do mbjellë Tani që dushkaja u plak...” Apo vargje të tilla si: Shkon një ditë si një vajzë e druajtur, Shkon buzë detit në të perënduar, Shkon dhe s’do të kthehet kurrë më, Shkon një ditë, më lë të menduar” Në poezitë e vëllimit gjen besimin e poetit për ndryshime. Tablove të zymta do t’ua zënë ato me dritë (Dritëhije), me gjallëri, me jetën e ëndërruar. Dhe kështu vijon leximi dhe nga tematikat krijohen mbresat. Poeti nxjerr zërin nga honet e shpirtit sëbashku me jehonën që bartin dhe nga hojet e tyre nxjerr mjaltin. Nga vëllimi në vëllim, siç e përmenda edhe më lart, ndjehet rritja e pjekurisë artistike e Dashamir Malos, që tanimë ka një profil të qartë e të vetin artistik, një individualitet tipik letrar ku krijimtaria e tij spikat me befasinë e qasjes poetike. Strukturisht libri është ndërtuar e ndarë në cikle kuptimplote. Cikli i parë titullohet “Lulet e braktisjes”, me tematikë nga vendlindja, me dramën social-shoqërore që përjeton fshati: “O lis pellazgjik i vendlindjes sime...”. Braktisja vjen poetikisht me metaforën e dhimbjes, ikje, rënim, zhdukje: “ Nuk ndihet asgjëkundi fytyrë njeriu...”. Dhe poeti tronditet, arrin deri aty sa t’u kërkojë falje thenglave që u ka prishur folenë qysh fëmijë dhe sot kjo vjen si mallkim që ndjek nga pas duke prishur foletë njerëzore, të gjenezës, origjinës, sepse “korijen e katundit s’ka kush t’a zgjojë”. Fshati i ngjanë një pylli pa cicërima që edhe rrapi i vetëm nuk është plandosur akoma, por qëndron si një obelisk i zi. Dhimbja e braktisjes ndjehet kudo. Dhimbje që dhëmb në shpirt. Deri aty arrin dhimbja sa poeti me forcën e figuracionit jep trishtimin se : “Kumbull vetmitare Në mes të ugarit Pranvera të paska veshur fustanin e bardhë, Po ku janë dasmorët, Po krushqit ku do të kenë mbetur vallë?!...”. Pikëllimi, dhimbja dhe trishtimi ndjehen në çdo fjalë e varg të këtij cikli. Ka mbetur banore e përjetshme imazhi i fëmijërisë me kujtimet dhe lirikat e saj se: “ Vijnë dhe ikin vjeshtat kujtimet e vendlindjes vjeshta s’kanë” Cikli i dytë titullohet “Mallëngjim i kaltër”. Siç shihet mallëngjimin poeti e ka veshur me kaltërsi; qielloren dhe ujërat e deteve e lumenjve në pakufishmëri të fluturimit dhe lundrimit sepse : “ Në fillim ishte deti, pastaj lulja, më pastaj erdhi njeriu dhe ngriti një mur mes tyre”. Pra shkatërrimtar i paqes biblike është njeriu, njeriu i veseve, plangprishësi, dembeli, intriganti, servili, spiuni, ai njeri që në dorë mba vetëm kazmën për të shembur muret e paqes dhe bashkëjetesës. Mes vargjeve vjen magjishëm edhe një pikë loti i peshkatarit për vdekjen e pulëbardhës, sepse të dy janë lidhur përjetësisht me detin. Një vend të dukshëm zënë edhe baladat, ato të vendeve historike dhe aktiviteteve jetike. Vjen qyteti me buçimën e jetës, me zhurmat çapkëne, me vrullin e ripërtëritjes në kufijt e një mallëngjimi të kaltër, sepse : “ Poeti është mik i detit Dhe poetit i pëlqen kur vendi i detit me pulëbardhat, Me dritat e qytetit.” Një cikël tjetër është edhe “Stinët e shpirtit”. “Hëna shfaqet e trishtë, e ëmbël, rinore, O hënë hënore” Autori thotë se i di sekretet e magjisë së saj, të asaj që i bën edhe burimet të këndojnë:” Dhe me gjebërimin tënd larg e mban vjeshtën”, ose “ Ifigjenia ishte një bukuri greke e kapërcyellthit/ të shekullit 20” dhe më tej: “Të jeshë e dashuruar/ do të thotë/ të zgjohesh pa aguar mirë dita/...dhe nuk di kush hynë më shpejt/ në bar-kafe/ dielli apo ti”, se: “Befasisht u shfaqe rrezullimë”. Dhe vjen vjeshta: “ Ç’grua çapkëne dhe magjike vjeshta”. Dhe në fund vëllimin e mbyll cikli “ Pranverën thërras me emrin tënd” ku që në fillim poeti shpërthen me vargjet: ” Ja pse të dua/ duhet të kesh diçka diellore/ prej gjebërimit të syve të tu/ në rrugën ku koha treti dhe gurët”. Duke vulosur në këtë mënyrë dashurinë e tij, duke mënjanuar fantazitë dhe trillet dhe nënshtruar përkushtimit jashtë deklamimit. Siç nënvizuam, tematika që zë vendin kryesor është braktisja, një braktisje e harruar apo e transformuar, por poeti ia ka munduar të krijojë një koncept të ri nëpërmjet poezisë duke shtuar ndjeshmëri dhe bërë apelim qytetar dhe intelektual. Dhe ky plotësim i këtij mendimi buron vetëm në hapësira të pafundme të blerimit poetikë, duke sjellur edhe kuptimin e gjerë të dhimbjes kombëtare. Poeti dhe atdhetari është përpjekur që të qëmtojë dhe të gjejë në atë vetmi braktisjeje, ku çdo gjë qëndron si relike, rënkimin poetikë të këtij fenomeni dhe të fshijë me dorën e një ambientalisti të shquar nga pluhuri i harresës dhe të rreshtë me rënkimet dhe këngët për të krijuar korin e madh të zgjimit të shumëpritur të rikthimit të jetës në braktisjen. Dhimbjet e mëdha popullore kurdoherë përcillen nga poetët. Dhe poeti, brenda këtij misioni, sjell dhimbjen sa njerëzore aq edhe hyjnore, e butë dhe paqësore, nuk zgjon kurrë urrejtje, por u bie këmbanave të përjetësisë e të dashurisë. Synon të sjellë atë dashuri në vendin e saj, të mbajë gjallë nektarin e shpirtit gjer në orët e fundit të jetës njerëzore. Dhe poeti udhëton nëpër shtigjet e vështira të vargut për të sjellë të gjallë këtë panoramë të braktisjes, në përqafim me hijet kuptimore dhe puthet me hënën. Autori e di mirë misjonin se poezia është e kundërta e telit me gjëmba, ndaj në njohjen e tij nuk ka botë të ndaluar dhe tek kjo botë, në kaçurrelat e saj, vendos karfica me karafil. Hedh dritën e mrekullisë mbi hollësirat, personazhet dhe ngjarjet, duke zbuluar të fshehta dhe kuptime të thella. Poezitë sjellin momente dhe histori prekëse njerëzore, pa harruar dhe pasionet njerëzore të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të lirikave, ku personazhi lirikë mbizotëron në protogonizëm të vendosur të realizojë ëndrrat e tij, pa tradhëtuar veten, ndaj e përdor poezinë si një busull të artë orientimi, që asgjë të mos mbetet si brengë e një nate. Përjetohet dhimbja sëbashku me banorët e mbetur. Me bindje mund të themi se përfundimi i fuqishëm dhe delikat të bën të kalosh librin përsëdyti nga fillimi që të mbyllësh edhe njëherë rrethin e së panjohurës së poezisë së këtij vëllimi ku hapen botë të reja me kujtimet e së djeshmes dhe përjetime të së tashmes dhe vetvetiu vjen pyetja se a do të kthehemi më aty ku jetojnë vetëm të dashuruarit, tre metra mbi qiell?!

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page