top of page

Londra është një poezi e rëndë


Londra është një poezi e rëndë

/Ia dedikoj vetes/

 

E premtja e Londrës është një gotë birrë e tejmbushur në lodhjen e strukur brenda lëvizjeve metropolitane. Më saktë është një thithkë gjoksi e ngritur në strofkën e vargut që të meton ngadalë dy ditët që e pasojnë. E kështu e shtuna dhe e diela kanë atë që vetëm këta dy ditë e pasojnë. Dhe e ndjen se pse Londra është një poezi e rëndë.

Të shtunën Londra ka pak më shumë nga ato që të lë në mendje e diela. Të dielën, Londra përpiqet të duket provinciale. Papritur, rrugicat, dyqanet e suvenireve, kafenetë e rregullta dhe butikët në miniaturë, bëhen të dukshme në lirshmërinë e ndjeshme të turmës, e cila ka braktisur pamjen e saj biznesore, diku, tashmë pasdites të së premtes. Një festë detajesh, kështu do ta përkufizoja pamjen e detajeve të vogla urbane, që guxuan t'i kujtonin vetes, pas javës që ikën thuajse pa e kuptuar. Është sikur sharmi i modës së vjetër të megalopolit po shkel me kujdes në Bushek të Elbasanit, ku gurgullon uji i freskët, dhe jeta po i kthehet logjikës së saj primordiale hyjnore, madje, pa vëmendje, dhe krejt e zakonshme.

Pastaj vërej edhe njerëzit. E çuditshme. Gjatë ditëve të javës, fytyrat e tyre mjegullohen vazhdimisht si bojëra uji nën vargëzimet që pasojnë xhamave me shpejtësi të madhe të qytetit. Dinamika e trotuarit me anë të së cilës graviteti i tokës e tërheq në mënyrë magnetike shikimin tim në qindra këpucë dhe goma makinash të trazuara në trafikun e ashpër. Fillimi i përjetshëm i tregimeve me një fund të panjohur, përzierja kaotike e komploteve në një zhanër të errët londinez, ku proza ​​dhe drama thirren me thekse të ndryshme dhe rreshtat kalojnë pa u prekur. Kur hapësira personale është në mungesë, gjithçka që thuhet është thjesht zhurmë.

Prandaj, Poezia e qytetit ka të drejtën e një shëtitjeje të së dielës. Gjashtë ditët e mbetura të javës janë larguar, duken aq mitike, aq të lashta dhe të harrueshme, sa për ata që i mbijetuan kanë rëndësi vetëm të dielat. Me siguri Zoti e bëri poezinë të dielën. Vetëm atëherë ai pati kohë t'i ndjente vjershat dhe t'i drejtonte në një ritëm të hollë e të pacënuar, të dukshëm për të zgjedhurit që zgjodhën lirinë për të derdhur tërë atë dashuri në të dhe të dashuroheshin me të. E ku më shumë se në Londër mund të ndodhte kjo? Ku mund të ndodh më shumë të dashurohesh në mjegull, në shi, në tërë këtë anarki klimatike. Rrugët, dyqanet e suvenireve, kafenetë e rregullta, butiqet në miniaturë dhe së fundi fytyrat e njerëzve që duket se gjithnjë kanë një varg për ta ritreguar, kanë një strofë për ta shkruar, kanë një këngë për ta kënduar. E gjitha duket si një amnisti në mungesë peshe. Një lehtësim i përkohshëm nga skema e ndërlikuar e qindra këpucëve dhe gomave të makinave. Disa prej nesh buzëqeshin.

Kur jeton mes rregullave të tilla të pashkruara, ti zhvillon instinktet për provokimet e vogla të lirisë që futen me mjeshtëri në rendin imagjinar, e gudulisin, flirtojnë me kënaqësi me të, por më pas largohen dorë për dore me shpirtmadhim. E Poezia shëtit në një instikt të përjetshëm duke konkurruar me fatin e madh Hyjnor mbi kotësinë, për ta bërë gjuhën dhe formën më të mirë e më të bukur të artit të Fjalës të aftë, që ti bëjë ballë edhe procesit të mosbindjes së vazhdueshme. Vlerësoni këtë. Të jesh në gjendje të jesh i lirë në mes është një talent që vjen jo thjesht se je i talentuar, por që ka fatin të vij vetëm për pak njerëz. Është e rëndësishme vetëm të bëni zgjedhjen e saktë, u them hapave të mi, që ecin ndonjëherë kryeneç, tipik allashqiptarçe në konfuzitetin e takave dhe gomave pafund. Dhe më pas instiktivisht kthej sytë lart. Atje Lart… Lart ku ndjej se më shikojnë të dy, nënë e babë. Faleminderit Zotit që shpirti i lirë e di më së miri se kush është një varg, një varg i rëndë në poezi. Londra është një poezi e rëndë. Nuk mund të lexohet kurrë aq lehtë. Atë mund ta ndjesh vetëm ndërsa ecën nëpër të, ndërsa e ndjen erën e librave, arkivave, shijeje të Tjetrit, e formëzimeve të tjera që i shkojnë vetëm talentit.

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page