top of page

Loja e narrativit me identitetin tek „Kryqëzimi i dytë i Krishtit“


Loja e narrativit me identitetin tek „Kryqëzimi i dytë i Krishtit


Prof Dr Fatmir Terziu



Romani „Kryqëzimi i dytë i Krishtit“ i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Dhimitër Xhuvani është hapësira në të cilën pyetjet rreth natyrës së identitetit personal artikulohen si kurë ndonjëherë më parë në mënyrën më provokuese. Narracioni i këtij romani është një model i privilegjuar për kuptimin dhe ndërtimin e identitetit, veçanërisht sepse meton atë që ne e vendosim tek personazhet që vijnë e shkojnë në vend, hapësirë dhe kohë të dualizuar. Një tërësi e tillë narrative përbëhet nga një "histori" dhe një "komplot", si një kompleksitet krijues në pikën e tij më të ndjeshme. Ndërsa historia e qëmtuar mjaft bukur artistikisht në këtë roman thjesht paraqet një zinxhir ngjarjesh, komploti i sqimtë paraqet histori që nuk janë vetëm të lidhura kronologjikisht, por gjithashtu të lidhura në aspektin e shkakut dhe pasojës.

Rrëfimi gjithashtu u mundëson lexuesve të shkëputin vetveten e karakterit nga akti i të folurit, për të marrë një pozicion reflektues kundrejt vetvetes si personazh, që lëviz në identitetin e tij, paqëndrueshmërinë dhe rrjedhën evetë identitare. Ky shkëputje apo defamiliarizim ndërgjegjëson, duke hapur hapësira të reja për ri-negocimin e identitetit. Kjo vlen për personazhin e Isaf Metas që pas kthimit nga greqia është Josif Pagëzori dhe tashmë ka marë më shumë nga Greqia dhe murgjit në Malin e Shenjtë, se sa nga elektricisti Isaf Meta i vitit të vështirë dhe pa drita 1992, por po aq mirë romani dhe pena e shkrimtarit shkon më tej edhe për negociatat e identitetit që vjen në mendjen e lexuesve. Dhe s'ka si të ndodh ndryshe: „Ngrej kokën ta shoh në sy, por nuk i gjej sytë e tij. Ai po vështronte kalendarin në faqen e murit, një riprodhim i Shën Mërisë mes një kopshti. Sytë e tij të pagjumë e gati të mbydhur, shikonin vetëm Krishtin e vogël, bebe, pranë njërit gji të zbuluar“ (1996: 4).

Siç shikohen nga perceptimi mes leximit të këtij romani, proceset e identitetit të vetë këtij karakteri janë dinamike. Ato janë rezultat i negociatave dhe ndërveprimeve sociale, lëvizjeve dhe përshtatjeve, që rreken me proceset e negocimit të identitetit, të cilat sipas këtij narrativi u referohen atyre aktiviteteve përmes të cilave njerëzit krijojnë, ruajnë dhe ndryshojnë identitetet e tyre. Kjo vjen qartazi në një botë tashmë ndryshe, të hapur dhe me lëvizje të kah-kahshme, se gjithmonë ka takime me të tjerët, ose situata të reja në të cilat statusi dhe roli i personazhit Isaf Meta sfidohet, duke çuar në mospërputhje. Kjo na jep në qartësim trasparent thelbin, se imazhi i vetvetes në këtë pikë duhet të ri-negociohet. Identiteti nuk krijohet një herë e përgjithmonë, por është në rishikim të vazhdueshëm sepse jemi anëtarë të një shoqërie dhe të një kulture që tashmë kërkojmë përtej dy anëve. Identiteti kulturor na mëson studiuesi Stuart Hall „është një çështje e të bërit po aq sa të qenit [dhe] i takon të ardhmes po aq sa të shkuarës” (Hall 1990, 435).



Mospërputhja në proceset e identitetit mund të çojë në shqetësim, por gjithashtu mund të hapë një hapësirë ​​​​në mes ku mund të negociohet një identitet i ri. Kjo hapësirë ​​në mes i ka dhën shkrimtarit Dhimitër Xhuvani një ide, por më së shumri një hapësirë ​​për kreativitet, kjo pasiguri ekzistenciale ia ka nxitur eksperimentimin, duke luajtur në kufijtë ku mund të sfidohet, zgjerohet, kapërcehet, apo edhe lëvizet me atë që përcakton thelbi tek kufijtë identitarë. Pikërisht në këto hapësira krijuese zhvillohet negocimi i identitetit, atë që romani „Kryqëzimi i dytë i Krishtit“ i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Dhimtër Xhuvani e tha kohë më parë, në një kohë kur viti i botimit të tij do të pasohej me një vit të errët në historinë e Shqipërisë dhe ikjet masive të Shqiptarëve do të shënonin një kahje tjetër në këtë pikë identitare, e cila ende sot është një plagë, një forcë determinuese në përcaktimin dual të identitetit. Bota që ata shikonin ishte ndryshe, ndoshta më e fortë se ajo që pa Isaf Meta, atje tek shkëlqimi dritave, reklamave, luksit, ndërsa në torbën etij kishte vetëm një kore buke dhe atë e hëngri „në pellgun ku luante hëna“ (1996: 7) aty ku identiteti vinte nga miti i lashtë grek, aty ku“ai zambak uji po merrte format e plota të një trupi të ëprsosur femre“, pasi „shtojzovallet e kanë fuqinë e tyre tek sytë“ (1996:8).

Identiteti i personazhit Isaf Meta rrëfehet nga goja e tij, ndaj kjo është mënyra më fine e autorit, ku narrativi bëhet më tërheqës, më ngacmues, më fluid, si vetë identiteti i tij.

Isaf Meta tregohet nga këndvështrimi i narrativit, i cili së bashku me tërësinë dhe kompleksitetin e shtjellimit të romanit lejohet të rrëfejë udhën nëpër mjedisin gjeografik dhe mental për transmetuar atë që në thlb ristrukturon identin e tij.

Komploti sillet rreth përvojave të kësaj situate në gjeografi tjetër dhe zgjerohet me kujtimet e kohës kur ai ishte elektricist në vendlindje.

Romani insinuon me udhëjetën e tij, problemet dhe situatat, dhe përfundon me retorikën „O zot, kur do m'i heqësh gozhdët nga kraharori?“ Pas një udhëjetë problematike, zhvillimi i protagonistit shpaloset në dy gjuhët e detajuara, ca shqip dhe ca greqisht. Në këtë kontekst, të fjalët thotë autori u kacaytën në fyt e mezi dolën si një shpërthim: „O varfëri, o varfëri, të bëfsha nënën!“ në këtë insinuatë vendoset një motiv kompleks udhëtimi problemor dhe ndikues duke nënkuptuar kështu që unë jam duke shkuar në një udhëtim. Unë në fakt nuk arrita kurrë atje, as me të parën dhe as më pas zgjeruar duke iu referuar lojës identitare: “shpëtoni shpirtin dhe trupin tuaj. Kjo është… rruga e fryma e Satanait…“ (1996: 82). Në roman, një lojë që luhet kryesisht duke qëndruar në identitete të brishta avancon përmes ekuilibrit të turbulluar të kohës dhe veprimeve adekuate, dhe dikush ia del mbanë vetëm duke bërë devijime, në kuptimin e lëvizjeve koncentrike dhe përpjekjeve të përsëritura për vetëpozicionimin e ndjesisë dhe fatit të Njeriut. Duke vendosur këtë metaforë në kontekst, Xhuvani nënkupton një proces të vështirë të zhvillimit të identitetit, në të njëjtën kohë që e vendos protagonistin në një pozicion eksperimental, „Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë“.


Ajazma artistike e ”Kryqëzimi i dytë i Krishtit”


Ajazma[1] e një burimi pagëzues që udhëton në një rrugë të çuditshme imagjinare nga dera e xhamisë së “Etem Beut” në Tiranë dhe pastaj përfundon nëpër ikonat e kishës së “Shën Marenës” në Greqi është një instancë karakteristike, që ngre dhe ul prestigjin, moralin, gjendjen shpirtërore, pamjet e gjendjen e brendshme, situatën në të cilën ndodhet ndjesia, përmbysjen e besimit, zbulimin e ndryshores së ndjeshmërisë mashkullore, ndryshimin e emrit, pagëzimin e mjaft gjëra të tjera të jetës së Isaf Metës, të shndërruar në Josif Pagëzori. Në tërë këtë udhëtim imagjinar dhe në tërë këtë ndryshim tipik është një Elenë në mes.

Është një situatë amorfe që herë zvetënohet, herë shfaqet si hija e një asketi[2] e herë përfundon në zhurmën e thyerjes së pjatave atje në atë apartament të vogël. Është një mesele që nis me një propozim tipik të atij që ishte ‘pronar tokash, pyjesh, dyqanesh, bankash, hotelesh dhe anijesh që i binin kryq e tërthor detrave të botës’ ndaj ‘një shërbëtori’ si hallexhiu, Isaf Meta. Në fakt kjo mesele është paksa e trazuar në një dyzinë shikimesh që përthyhen në retinën e Elenës, “që vishej si hyjneshë, ishte grua, femër me mish, gjak e epsh, aty të fshehur, aty të shfrenuar, aty engjëll, aty shejtankë. Mace, tigër, luaneshë, dhelpër, qengj e ujkonjë e, mbi të gjitha një aktore e shkëlqyer që i flisnin të gjitha pjesët e trupit, duke fshehur cuditërisht vetëm shpirtin”, ndoshta atë shpirt që më vonë do të ngjizej në atë ‘fytyrë demi të përskuqur’ të atij udhëtimi mes malesh të Isaf Metës me Elenën.

Këtu nis ajo dilemë tronditëse mes një tresheje bos-grua-shërbëtor, që sa vinte e nënshkruhej ndryshe për hir të shpirtrave të tyre që s’kishin gjetur dot ‘shtëpizën e prehjes së përjetshme’. Pas asaj zhveshjeje lakuriq, veç me të mbathura të Isaf Metës, nis një rrugë tjetër jete, një emër tjetër i ngjizet, Josif Pagëzori, por edhe një frymë tjetër priftërore e ndjek nga pas, një ndjesi e cuditshme ndjell tërë urtinë e Priftit dhe pas atij hezitimi të cuditshëm fjalët e Elenës: “Uratë, ky nuk është Krisht. Është një emigrant nga Shqipëria, është…”, krijojnë një skenë të mrekullueshme artistike për të shijuar një mjeshtëri të lartë artistike që vetëm pena e shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, mund ta realizonte.


Bukuria narrative


E gjithë kjo ndodh mrekullueshëm në një nga romanet më të bukura, më të ndjeshme e më interesante të shkruara nga shkrimtari shqiptar, Xhuvani, nën një titull që gatuan fabulën që në fjalëgjetjen e tij plot filozofi “Kryqëzimi i dytë i Krishtit”. Është kjo fabulë që me fuqinë filozofike të saj realizon lidhjen historike me faktin e ndrydhjes shpirtërore të Priftit që mendon se ai, Josif Pagëzori, është shembëllimi i Jezu Krishtit dhe me gjithë mllef i vërsulet ‘djallit që, sipas tij, ishte fshehur te unë, ten e shqiptarët që shembëm kisha e xhamia, që zumë me gurë e futëm në burg çdo njeri me mjekërr, që spiunoi vëllai vëllanë, që mbushën burgjet e kampet me gra e fëmijë”. Romani ka në thelb stilin e tij tipologjik. „Kryqëzimi i dytë i Krishtit“, ky roman me autor Dhimitër Xhuvani është botuar në Elbasan nga "Onufri", në vitin 1996 dhe ndodhet si një dhuratë e kahershme në Bibliotekën time personale. Libri ka 174 faqe dhe është përgatitur për shtyp nga shkrimtarja Flutura Açka nën korektimin e Albana Bitrit dhe me kopertinën nga Andon Lakuriqi.

Ndonëse në vitet e para të ndërrimit të kursit të qasjes së shkrimeve letrare, Dhimtër Xhuvani mbeti dhe këtë e vërtetoi se ishte një shkrimtar i një kohe të re, një kohe me narativin në ngjitje, që i përkiste estetikisht ditëve tona, ndoshta më shumë se disa të tjerë të udhës së djeshme, ndaj ai me narrativin e tij të bukur e meriton epitetin e shkrimtarit bashkëkohor. Ai shkruan me metodën postmoderne, tërheqëse, duke karakterizuar arsyen e një ndërlidhjeje narrative klasike, monumentale, ku qasen në tërë dimensionin e tij në roman, trajta artistike plot gjallëri dhe me tablo që lenë mbresë, sikurse do ti citojmë e seleksionojmë më poshtë. Narrativi e zbras thelbin e bukurisë së tij, që lexuesi të ndjejë thelbin filozofik: „Isaf Meta nuk kishte ndërruar vetëm emrin në Josif Pagëzori. Ai sikur kishte marrë hua nga Greqia diçka të veçantë, sikur të mos kish pasë qenë në Athinë, po murg në Malin e Shenjtë.“ Dhe shkojmë më tutje: „Shën Mëria ishte një nënë që mëkon pjellën e saj dhe Krishti, një bebe që ka etje për një pikë qumësht“; „ai zambak uji po merrte format e plota të një trupi të përsosur femre“; „m'u duk njëlloj si deti i Ksamilit“; „Prita në ankth të ndodhte çudia, siç i ndodhi Moisiut në mal“; e mjaft të tjera.


Krijues i figurave karakteristike


Romani “Kryqëzimi i dytë i Krishtit” është një model i narrativit ku prodhohen mjaft figura karakteristike. Figura të tilla na mësyjnë të kuptojmë thelbin e ndryshesës së ndryshimit, kontekstin e kuptimin e kuptimit të këtij ndryshimi, ku mjaft nga karakteret e tij rrojnë gjatë tek ne, duke marë në thelbin e tyre logjik qashtërsinë logjike, me një stil shprehës, sqarues, gjuhë të bukur letrare që ka harmoninë dhe qartësinë sintaktike.

Dhimtër Xhuvani nuk shkon të mënjanojë defenitivisht dialektalizmat dhe barbarizmat që i duhen për esteikën e narrativit, pasi me ato rikrijon thelbin filozofik të mesazhit. Tek “Kryqëzimi i dytë i Krishtit” pa dyshim ka konstruktivitet dhe përkujdesje letrare dhe formati leksikor mbetet mjaft i shquar ku mund të thuhet se është një fryt dhe shprehje e formës gramatikore të gërshetuar me modernizmin dhe postmodernizmin bashkëkohor të krijuar nga emra më të avancuar të letrave globale. Autori në roman na jep një përshtypje të qartë dhe të saktë se me karakteret e tij ai ka furnizuar dhe thelbin e duhur të bindshmërisë në realitetin e përjetuar.

Shkrimtari i mjaft veprave të shquara të tij, që padyshim kanë një kënd të rrëndësishëm në krijimtarinë shqiptare, shkon përshtat me atë që Ortega i Gaset do të thoshte se „jeta ka rrënjë më të thella se çdo koncept mbi botën“.



Rreth autorit



Dhimitër Xhuvani 1934-2009

Dhimitër Xhuvani lindi më 23 maj 1934 në Pogradec. Studioi letërsi në Tiranë dhe në Institutin e Letërsisë "Gorki" të Moskës. Vdiq në Tiranë më 19 tetor 2009. Ishte djali i mësuesit të nderuar elbasanas Kostaq Xhuvanit.

Në vitin 1944 familja e tij shpërngulet nga qyteti, kur ushtria gjermane vjen në Pogradec dhe ikën muhaxhir në Mokër, ku qëndron deri në çlirimin e vendit, dhe kthehet në Elbasan. Dhimitri pas shkollës së mesme mjekësore punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut, Peqinit. Shkëputet nga mjekësia dhe vazhdon studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe më pas studion në Institutin "Gorki" të Moskës. Krahas punës së shkrimtarit, ushtroi edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit, saldatorit. Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laureat i "Çmimit të Republikës", proza e tij është përkthyer në disa gjuhë si në italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, në gjuhën kineze dhe japoneze.

Pas një sëmundjeje të rëndë, më 19 tetor 2009, ai ndërroi jetë, duke lënë pas për breza të tërë një thesar të madh si dramaturg, skenarist dhe publicist. Korpusit të tij krijues i përkasin një numër i madh tregimesh, novela, romane ,drama, skenare filmash artistike etj. Veprat e tij të para "Kambana e fundit","Midis dy netëve","Tuneli"' „Përsëri në këmbë“ etj. dëshmojnë për një shkrimtar që u vu në radhët e para të asaj plejade shkrimtarësh shqiptare të cilët bëjnë përpjekje për emancipimi dhe zhvillim letrar.



[1] është një prishje e kuptimit të parë, që do të thotë shenjtërim.

[2] dikush që jeton pa tepricë materiale ose kënaqje, një person që fokusohet në vlerat e brendshme.


VAZHDON …

34 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page