top of page

Lojë gjarpërore


Lojë gjarpërore

Tregim nga Fatmir Terziu


Në fillim Ribini propozoi të pajiseshin të gjithë me maska. Propozimi tjetër erdhi nga Teli, shoku i tij i grupit të karatesë. I tiji ishte, që të visheshin si gjarpërinj.

- Nëse vishemi kështu, ka të ngjarë të jemi më të suksesshëm, - aprovuan Deni me Mokun.

E kështu tundja e kokës së Ribinit thuajse vulosi pikën tjetër përcaktuese. Kjo pikë i gjeti bashkë në të ikur të diellit në thellësi të Kreshtave të Zbrazura. Teksa e kuqërremta e kadiftë e diellit u bë paqësore mbi telajon e zverdhur mbi Liqen, aty ku pikturoheshin nga një dorë e padukshme shelgjet lotues, të katër ishin afër mureve, të asaj godine tipike, atyre mureve të forta, që ishin të ngritura me blloqe betoni nga çimentoja e markës 500. Rojet duket se ishin në kohën e ndërrimit të turneve kur Ribini bëri i pari nga pas derës kryesore. Por edhe pse bëri i pari në planin e shkruar në letër, ai nuk mundi të kalonte më tej. Qeni survejues dhe kamerat ndoshta ishin gabimi në atë letër. Të katër nuk e kishin menduar mirë këtë pikë. Sidoqoftë, kur Deni, Moku dhe Teli kaluan në anën e pasme, aty ku rojet zakonisht bënin stërvitjet pas shërbimit, ose kishin kohë-pushimin e tyre, Ribini e pati të lehtë të fshinte rregjistrimin e kameras së parë, me atë tub spërkatjeje të blerë në SHBA dhe që ishte mjaft efektiv për të bllokuar syrin e vëllait të madh që endej gjithandej në atë hapësirë ku shtrihej godina.

Kur hynë në katin e parë, panë se e gjithë godina kishte robotë të instaluar. Ata lëviznin në të qindtën e sekondës dhe kapnin të gjitha lëvizjet e painkuadruara në trurin e tyre elektronik. E panë njëri-tjetrin në sy dhe tashmë, ato që kishin shkruar e planifikuar ishin vetëm një idiotësi.

- Sa kot që jemi lodhur gjithë këta tridhjetë vite? – foli i pari Moku.

- Na shkuan kot të gjithë ato studime në Itali, Gjermani, SHBA, Rusi, Japoni. – shtoi Deni.

- Eh, - shfryu më pas Teli.

I vetmi që nuk foli ishte Ribini. E, ashtu në heshtje, ai mbuloi më shumë fytyrën e tij dhe u zvarrit nën robotin e shkallës së parë. E preku me një cep të rrobes së veshur që kishte ngjyrimet e një lëkure gjarpëri dhe për një çast ndjeu se makina me trurin e saj elektronik gati e kishte shpërfillur këtë prekje. Asnjë dritë e kuqe nuk doli nga syri i robotit. Asnjë zhurmë. Ai nënqeshi dhe vazhdoi të zvarritet. Pastaj vuri gishtin tregues të dorës së djathtë mbi hundë, në shenjë që të heshtnin tre të tjerët dhe vazhdoi zvarritjen. Aty kuptoi më shumë se robotët nuk ishin klasifikuar të shënonin lëvizjet gjarpërore. Ndërsa më pas iu kujtua ajo që kishte mësuar gjatë kohës kur vazhdonte kursin e tij pasuniversitar në Britani të Madhe. Atje kishte mësuar se lëvizja e gjarprit ndihmon punën e kërkim-shpëtimit dhe njëkohësisht ç'akordon robotët që kanë programim të fiksuar për vëzhgimin dhe 'raportimin' e lëvizjes së trupave të panjohur.

Prandaj, Ribini, tashmë e dinte dhe e kishte më se të qartë, se projektimi i një roboti që i shërben të gjithë terrenit për misionet e tilla ishte dhe është ende një detyrë e mundimshme dhe e vështirë për shkencëtarët.

- „Makina duhet të jetë mjaft fleksibël për të lëvizur mbi sipërfaqe të pabarabarta, por jo aq e madhe sa të përjashtohet efektivisht nga hapësirat e ngushta. – i kapi lehtë shpatullën, Deni dhe ia bëri të mirëkuptoheshin.

- „Mund të kërkohet gjithashtu ngjitja e shpateve me pjerrësi të ndryshme.“- vazhdoi më tej Moku.

Tashmë sytë e tyre kishin plotësuar numrin tetë që përqëndrohej në atë pikën më kryesore, e që me sa duket ishte dhe truri kontrollues dhe komandues.

- Këta janë robotët më të avancuar, - sqaroi më pas Teli duke shtuar se, robotët e tillë mund të bëjnë shumë nga këto gjëra, por ata zakonisht kërkojnë sasi të mëdha energjie për ta bërë këtë dhe janë të prirur ndaj mbinxehjes.

- Këta robotë i kanë projektuar shkencëtarët e Universitetit tim, dhe me sa di unë janë si një makinë e re e prirur për të studiuar lëvizjen e një lloji të njohur zvarraniku, që shfaq fleksibilitet të madh. Dhe ju e dini atë? – shpjegoi dhe pyeti Ribini.

Ata i prekën shpatullat dhe buzëqeshën. Tashmë qëllimi i tyre ishte bërë plotësisht i mundur që të hynin në atë ndërtesë, që ishte nga më sekretet e nga më të kontrolluarat e atij shteti. Aty strehohej mundi, paraja, valuta, floriri, tërë ato objekte të shtrenjta e të kushtueshme, që përbënin thesarin e shtetit, e që shumica e tyre u ishin grabitur me forcë nga Pushteti i quajtur Popullor, të pasurve pas luftës.

- E si do ta realizojmë këtë poshtë atij truri të madh elekronik, që kontrollon më shumë se sa është menduar nga ne? – pyeti Deni, e që në fakt u duk sikur ishte një pyetje që dilte nga goja e të treve.

- Duke përdorur shkallët e tyre për të kontrolluar vetitë e fërkimit, gjarpërinjtë janë në gjendje të lëvizin distanca të mëdha duke ushtruar shumë pak energji, e kështu truri elektronik po nuk pati rritje temperature nuk e kap lëvizjen tonë - tha Ribini.

- Po, sikur lëvizjet gjarpërore … - ndërhyri Teli, por që në fakt menjëherë ia ndërpreu fjalën Deni.

- Gjatë lëvizjes drejtvizore, një gjarpër nuk duhet të përkulë trupin e tij anash për të lëvizur, - shpjegoi Ribini. Gjarpërinjtë ngrenë luspat e tyre ventrale dhe tërhiqen përpara duke dërguar një valë muskulore udhëtuese nga koka në bisht. Lëvizja drejtvizore është shumë efikase dhe është veçanërisht e dobishme për zvarritjen brenda të çarave, një përfitim i paçmuar për këtë lloj roboti.

E gjithë ajo atmosferë gëzimi, ndërsa dukej se ata po shkonin drejt një suksesi të paparë më parë, u zymtua menjëherë, kur panë se një trup i bëshëm njeriu, i shoqëruar me dhjetë e dymbëdhjetë të tjerë të armatosur e të maskuar tërësisht u ndal para gjapërpërimit të tyre. Qeshi me të madhe dhe foli…

- Gjarpërinjtë janë krijesa shumë keqdashëse, na keni mësuar juve" tha ai njeri i panjohur prej tyre, që nga zëri ngjante si ndonjë kurator herpetologjie në kopshtin zoologjik të kryeqytetit, duke u kollitur lehtë e duke shtuar, „më pëlqen shumë fakti që ky zbulimi juaj tani po i tregon publikut se gjarpërinjtë mund t'i ndihmojnë njerëzit“.

- Ti? – pyeti Ribini dhe u bë gati të ngrihej.

- Sa e vogël është kjo botë. Eh, sa e vogël. Nuk do ta besoja që këta gishta të kësaj dore që më ka stërvitur mua të gjendeshin tashmë nën këto këpucë të rrënda, - shtoi ai, që tashmë nuk ishte më një i panjohur për Ribinin, e që ia gjakoste tashmë gishtërrinjtë e tij.

- Të kam mësuar more…, more shpirt e … Grykës i djallit! – foli me zemërim të madh Ribini.

- Mos u ngut në konkluzione. Ti ke mësuar shumë prej nesh. E zëri të tradhëton. Mua nuk mund të më njohësh kurë. Ndaj, mos u ngut… Mos! – foli ai mjaft i qetë.

- E fundja, kushdo qofsh, ti je një … gjarpër… gjarpër… i … , - foli Ribini, që ndjente dhimbjet e fuqishme të asaj këpuce të rrëndë mbi dorën e tij të djathtë në dysheme.

- Ha, haaaa, sa më bëre për të qeshur. Por mos harro se këtu është shkruar e gjitha pas kësaj.

- Ndonjë kurdisje tjetër?

- Jo. Në fakt një realitet. Ja ju jeni tashmë hajdutët e Thesarit.

- E si do ta realizoni këtë?

- Fare thjesht. Ju e vodhët floririn dhe …

- Dhe … do të ju besojnë?

- Ne na besuan pesëdhjetë vjetë, besuan baballarët tanë e pse të mos na besojnë edhe neve. Marrim të gjitha këto, pasurohemi dhe ju kemi në dorë përsëri për pesëdhjetë vite të tjera. Madje i blejmë dhe ata miqtë tuaj të Demokracisë Perëndimore. Paraja e shemb malin, apo jo?

- Të poshtërr!

- Nuk e di se kush do ta provoj ndryshe këtë poshtërsi!

- Më shumë se kaq…

- Mirë atëherë. Dëgjoje me kujdes. Ose më mirë ja po të jap mundësinë të ngrihesh në këmbë e ta lexosh ti, dhe këta tre të tjerët. Këta trimat e tu, që e paskan studiuar mirë atë filmin e Robin Hudit.

- Po këtë nuk do ta bëni dot.

- Pse?

- Sa të dilni që këtu do të jeni në kryeartikuj të gazetave.

- E pastaj?

- Pastaj njëri dhe ja ky … ky Teli yt do të varret i pari këtu. E ti do të akuzohesh për grabitje, vrrasje dhe … Dhe ja shikoje sa bukur duket tani në atë tel, Teli yt!

- Do ta paguani këtë!

- Do ta paguajmë? Kjo është tashmë qesharake. Fare qesharake. Ne ua dhamë shansin, por ju na bëtë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Ne ishim të qartë në atë thoshim, jo si ju. ne ju thamë se ishit tradhëtarë dhe armiq… Nuk lëvizëm nga e jona.

- Po. Keni të drejtë. Po. Ne nuk donim më gjak …, por ju jeni tamam gjakpirrës. Jo më kot jeni dhe keni kopjuar gjarpërrinjtë.

- Gjarpërinjtë?! Edhe kjo është qesharake. A nuk ju lamë që ta vërtetonit me zbulimin tuaj se gjarpërinjtë mund ti bëjnë mirë njerëzimit?

- Mos … mos e bëni atë! – ulëriti Ribini, ndërsa një katërshe me bluza të bardha i drogoi Denin dhe Mokun.

- Ata tashmë do të jenë bashkëpunëtorë të vjedhjes… goja e tyre do të flasë njësoj si këto robotë. Ja pra sa mirë është që të vendosësh gjarpërinjtë në shërbim…

Ribini tashmë kërkonte ndonjë gërvishtje mes atyre katër mureve ku e kishin mbyllur. Nuk mund të kapte asnjë të tillë. Asgjë me sy… Iu duk se gjithë ajo torturë ia kishte ngrirë dhe shikimin, kur ndjeu të hapej dera e blinduar. E në derë u pa sërrish ai. I gjatë, i zhvendosur i tëri në një mbulesë të mistershme. Pas asaj mbulese kapërcente vetëm imagjinata. Edhe perceptimi nuk hynte më në punë.

- Ja thjesht nënshkruaj këtu. Dhe ..

- Dhe … ne do të të bëjmë President. Do të jesh Njeriu ynë…

- President? Njeriu juaj…

- Po. Fare e qartë. Lexoje këtë mesazhin e familjes tënde.

- Po më kërcënoni?!

- Ne nuk kërcënojmë. Ne… propozojmë dhe…

- Mirë atëherë.

- Pra pranon?

- Natyrisht që ju jeni mjeshtra.

- Mos u fut më në errësirën tënde!

- E si ta kuptoj?

- Nuk ka më shumë rëndësi më. Kam punë të tjera tashmë.

- Po e kuptova. Ne jemi mirëkuptuar. Mirëkuptuar. Gjarpërinjtë gjithnjë janë në zvarritje. Gjarpërinjtë janë në shërbim të njeriut.

- Ej, mos harro. Kjo është edhe kuranike. Gjarpërin e bekoi vetë Muhamedi A.S. Pejkamberi ynë, kur gjarpëri e shpëtoi nga mbytja në det, teksa udhëtonte me anijen e tij, që u aksidentua.

- Po ashtu është, por macja ama ia kujtoi se sa i duhej, kur e mbrojti nga pickimi i gjarprit, të cilit Pejkamberi i fali gjak njeriu, kur ajo donte ta pickonte atë vetë.

- Nuk është kohë gjykimi, apo jo? Ju do të mbeteni si një qen pas nesh…

- Qen? Ok po dije se vetë Pejkamberi e quajti, kafshën më besnike, kur u ankua macja për ushqimin e pritshëm nga njeriu.

Gjarpër, qen, mace… Fshiu sytë. Nuk e besonte pse e kishte parë këtë ëndërr të cilën kur ishte fëmijë daja i tij, Hoxha i zonës, ia kishte treguar një natë teksa e vinin në gjumë. Fshiu dhe një herë sytë. Në dhomë me të ishin të tre të tjerët, Teli, Deni dhe Moku.

- Po ju?

- Ishte thjesht një lojë. Për të shpëtuar jetën tonë duhet ti bindeshim lojës. – folën ata.

- Ah, kjo loja gjarpërore. Ah… - ofshau Ribini, dhe shtoi duke ua ngulur sytë të treve, nesër kemi punëra të tjera. Ju do të jeni pjesë e ekipit tim në Presidencë!

- Tashmë duhet të dëgjoni mirë. Ata e kanë bërë të vetën. Ne hymë në këtë valle. Por… Ende nuk është vonë për të provuar e sqaruar të vërtetën.

- E vërteta?

- Po. E vëreta. Në atë letër që ma dha Ai, shkruhej: „Ne nuk manipulojmë. Ne vetëm ndihmojmë turmën. Kur turma e lodhur nga varfëria, do të dëgjoj se atë që ata e kanë mbajtur si mburrje në pesëdhjetë vite, pra kur është kapur hajduti i floririt do të irritohet dhe nuk do të u shkoj pas atyre…“, pra neve.

- E si do të bëjmë?

- Do të luajmë lojën e tyre gjarpërore.

- Si?

- Ja sikurse dihet, … sikurse dhe gjarpëri ndërron lëkurën e tij.

- Edhe ne do të ndërrojmë lëkurën?

- Jo.

- Por do të ndërroj lëkurën dikush prej tyre…

- Dhe…

- Dhe atëherë do të dalin zvarritjet gjapërpërore.

- Pra?

- Ne do të marrim vesh të fundit se ku ka shkuar destinacioni i hajdutit të Thesarit.

- Po të parët, kush do të jenë?

- Turmat… Turma do të jetë e para.

- A thua do të besojnë këtë realitet?

- Do kohë. Por do të dalë e vërteta. E vërteta vonon, por nuk harron!

- Lojë gjarpërore… lojë gjarpërore… Fundja, fundja le të shpresojmë se nuk do të pickohemi sërrish.

- Për këtë i kam marë masat.

- Si?

- Ja të gjithë ata që ishin paguar prej tij, TV, gazeta, media online… tashmë janë me turmën. E gjuha ka ndërruar destinacion. Po vjen dita …

- Po vjen dita me lojëra gjarpërore?

- Jo. Por duhet të besojmë ndonjëherë tek ajo që ka ardhur nga Fjala…Turma është e dehur, e hutuar… e kur të dëgjihet Fjala do të jetë ndryshe. Vërtet edhe gjarpëri do të jetë në shërbim të Njeriut.

104 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page