top of page

Llesh Ndoj: EKSTREMIZMAT NJË FYTYRË KANË

1 hour ago
6 min read

-Flamuri, Gjuha e Tradita, jo Feja, duhet t’na mbajnë bashkë-


Nga Llesh Ndoj


Kurrë nuk e kam marr si diçka serioze besimin fetar, parë në aspektin e ndarjes, apo më keq akoma, të urrejtjes mes shqiptarëve. Të qënit shqiptar më ka mjaftuar t’i them secilit prej tyre vlla, sa herë është bërë fjalë për të diskutuar gjëra për të cilat ndajmë mendime të ndryshme, e kjo “vlla” më vjen si një kapak mirëkuptimi mbi gropën e zezë të mendjeve të çartura ekstremiste që mbjellin ndarjen e përçarjen, në emër të Zotit.

Kjo kur flasim për shqiptarë! Ndërsa kur bëhet fjalë për njerëz të tjerë, qofshin katolikë, mysliman apo hindu, jo shqiptarë, kurrë s’u kam thënë vllezër, por miq! Dhe kjo mjafton për ta bërë të dukshme diferencën: shqiptarët janë vllezër të një nane, e kjo nanë është gjaku, gjuha shqipe, toka që na lindi, apo atdheu / mëmëdheu, Flamuri Kuq e Zi me shqiponjën dykrenore, e traditat e përbashkëta që na dallojnë prej krejt të tjerëve. Janë këto të fundit që na kanë siguruar ekzistencën ndër shekuj, edhe pse një popull fare i vogël në raport me popujt e kombësitë e tjera, shpesh jo miqësore me ne, ndryshe kaq pak sa jemi, nuk ka rëndësi fare feja e besimi fetar, do të ishim tretur prej kohësh në lumin e stërmadh të besimtarëve të secilës prej feve që njihen në botë.

Jo më kot figurat e ndritura të kombit tonë e kanë evidentuar shqiptarinë si fenë tonë të përbashkët, e besimet fetare si pasuri të çmuar, të cilat i ushtrojmë me karakteristika të veçanta nga popujt e vendet e tjera besimdashëse. Bile, “ngjyrosja” apo “veshja” e këtyre besimeve me një “pelerinë” tipike nga tradita jonë e bashkëjetesës, çmohet në të gjithë botën.

Kanunet shqiptare, në mjaft raste e tejkalojnë edhe fenë. E ky fakt është fatlum për ne e çelësi për ta shpjeguar bashkëjetesën tonë shembullore, ndonëse të ndarë disa në kisha e disa nëpër xhamia. Personalisht gjithnjë kam besuar se besimi e feja hyn ndër ato delikatesa shpirtërore që i përkasin individit e ku askush s’ka të drejtë “të gërmojë” në to, përveçse t’i respektojë ato e bartësit e tyre, në paqe. E provoi komunizmi të ndërhyjë edhe në çështjen e besimit, e ndaloi atë me ligj dhe e persekutoi këdo që nuk iu nënshtrua, por njerëzit kurrë nuk hoqën dorë e, kur era e re trokiti, iu kthyen besimit, thuajse pa patur nevojë për “mësues”. Kardinal Ernest Troshani është shembulli i gjallë i mbijetesës, por martirët e besimit që kanë dhënë jetën për gjuhë, traditë e shqiptari, janë të shumtë e i përkasin të gjitha feve, jo vetëm katolicizmit.

Krejt mirë deri këtu! Por kohët e fundit, personalisht konstatoj një shfaqje të frikshme të ekstremizmit fetarë ndër shqiptarë, kudo ata ndodhen, por pak më shumë në Kosovë e tek shqiptaro - maqedonasit, vllezër të besimit mysliman. Disa herë ky ekstremizëm shoh të marr tipret e një fundamentalizmi islam, i përzier edhe me politikat shtetërore, ndonëse të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët janë laike. Sa vjen e bëhet më shqetësues ky qëndrim, edhe në saj të “vëmendjes së shtuar” të islamizmit turk, “vllaut të madh”, që kujdeset me na ndihmue, kryesisht me ndërtimin e xhamiave të shumta. Në Kosovë kohëve të fundit u vërejtën të dyja kahjet ekstremiste: edhe një përpjekje e shtuar propogandistike për kthim, që nënkupton konvertimin në katolicizëm, edhe ndalimi, qoftë edhe me dhunë, nga besimtarët myslimanë që feja e besimi katolik të kenë institucionet e veta e të ushtrohen në liri. Këto ditë u bë edhe “hataja” pse busti i heroit kombëtar Adem Jashari u rreshtua me ato të Bogdanit e të Gjergj Kastriotit, simbole të shqiptarizmit, në parkun e një kishe katolike.

E vërejta dhe e provova këtë fakt me shqetësim edhe në reagimet e shumta ndaj komentit tim në një status të thjeshtë, por kuptimplotë në facebook, të një intelektuali të njohur, i cili shkruante jo pa shqetësim:

“Miq të dashur!

Martesa mes të afërmve të një gjaku është:

Krim ndaj fëmijëve të pafajshëm!

Zakoni, kanuni Lek Dukagjinit dhe tradita e shqiptarve e ndalonin martesën brenda gjakut dhe quhej krim mbi krimet.

Përtej traditës edhe shkenca e mjekësia na e vërtetojnë dhe japin një alarm të qartë se: -Martesat brenda të njëjtit trung familjar rrezikojnë rëndë shëndetin e fëmijëve që vijnë në jetë.

Pasojat kryesore, sipas shkences janë:

- Sëmundje të rënda gjenetike që prekin gjithë organizmin.

- Aftësi të kufizuara mendore dhe vonesa në zhvillim.

- Defekte fizike dhe keqformime kongenitale.

Të ndërgjegjësohemi!

Çdo fëmijë ka të drejtë të lindë i shëndetshë.

Mos lejo që zgjedhjet tona t'i kushtojnë jetën dhe shëndetin brezave të ardhshëm.”


Ky status i mikut intelektual, që mban datën 12 nëntor 2026, mori vëmendje të shtuar, kryesisht pozitivisht e njohu përkrahje të madhe. Duke e çmuar fort thelbin e tij, edhe unë e komentova atë me fjalët si më poshtë vijon:


“Kanuni e tejkalon dhe doktrinën e krishterë. Ajo e kufizon (martesën) 7 brez, kurse Kanuni edhe 100 brezni në kalofshin, ndalohet martesa në lisin e gjakut…

Kryevepër për një racë të pastërt njerëzore.”

Kaq mjaftoi e djalli u zgjua ndër ekstremista që flasin shqip, fshehur pas emrave të rremë e virtualitetit të rrjeteve sociale, të cilëve sa duket u dhemb islami përtej gjithçkaje. Disa prej tyre plasën duke sharë hapur e pa asnjë edukatë njerëzore Kanunin, të tjerë fenë katolike e duke i veshur asaj të paqëna reale, si martesat në gjini të afërt, edhe duke cituar si argument burime të devijuara, apo sjell shembuj incesti që mbeten përjashtime e jo rregull. Nuk kisha dëshirë të reagoja, por ishte e pa mundur të qëndroja në heshtje përballë deformimeve keqdashëse e serioze të disave prej tyre. Në reagimet e mija, gjithnjë gjakftohta e pa asnjë tejkalim për “ekuilibër” me sharjet, mundohem t’u them se keni gjetur vendin, kohën e personin e gabuar për të tilla komente, se unë s’përmenda në komentin tim asnjë fe tjetër veç katolicizmit që e ndalon martesën deri në 7 brezni, dhe lartësova Kanunin e Lek Dukagjinit mbi e përtej besimeve, që e ndalon martesën në “lisin e gjakut” edhe njëqind brez në paçin kalue! Të sigurt se emri Llesh mjafton me më identifikue mua me katolicizmin, fjalët dhe fyerjet (jo ndaj personit tim!) rrodhën, a thue ata i kapi barku pas mishit haram të thiut!

Kur bëhet fjalë pë Kanunin, më duhet të sqaroj se meraku i tij është pikërisht meraku i autorit të statusit të sipërpërmendur, për një rracë të pastër shqiptare, kundër deformimeve që rrezikon të sjell bashkëgjakësia në martesë. Bile Kanuni s’është vetëm i katolikëve, por edhe i myslimanëve, se është “kushtetuta shqiptare” më jetëgjatë në këto troje të bekuara, siç janë edhe Kanuni i Skënderbeut apo Kanuni i Labërisë. Ky Kanun tejkalon edhe veten sa i takon martesave, kur thotë: Shoqi-shoq, e miku-mik, apo s’bahet vllau mik, etj, gjë që ka bërë që malësorët ndër shekuj të mos martohen, jo vetëm brenda fisit, por as brenda fshatit ku kanë bashkëjetuar në vllazëri (origjinë të përbashkët), edhe pse mbase breznitë mes tyre nuk mund as të numërohen…

Po me kë të flasësh?! Unë qé ujku, ata qé gjurma! Një e dy, me argument e pa argument, me e ulë fenë katolike e me ngrit lart atë myslimane, duke ngritur një furtunë në gotë, pasi unë kurrë nuk e përmenda besimin e tyre, as nuk më shkoi ndërmend të bëj ndonjë krahasim mes besimeve. Dhe këtë jo vetëm në atë koment, por askund tjetër, pasi e konsideroj besimin e tjetrit të shenjtë, ashtu si timin, ndonëse unë nuk kryej asnjë rit sipas fesë e besimit, nuk di uratë, as nuk ushtrohem në literaturë fetare, por i ushtroj bindjet e i bëj lutjet e mija thjesht si i ndjej, gjithnjë pa i rënë në qafë askujt, katolik qoftë apo mysliman, që nuk vepron ashtu si unë. Personalisht shqetësohem kur lutjet fetare nuk bëhen në gjuhën shqipe, pse mjedisi i përbashkët ku jetojmë në harmoni trazohet vend e pa vend e kohë e pa kohë nga këmbana kishe që dëgjohen gjithandej, nga këngët e lutjet (suret) e hoxhallarëve në arabisht, nga betimet në allah pa e ditur pse e për çfarë. Më shqetësojnë betimet “pasha allahun” për çdo fjalë, sidomos të fëmijëve nga komunitetet me ngjyrë, që me shkrue emrin e vet nuk dinë (jo vetëm faj i tyre, por i shoqërisë e i shtetit, në radhë të parë), njëjtë si betimi “pasha Krishtin”, apo “pasha Zotin” i besimtarëve katolikë për gjëra që as vetë nuk janë të sigurt si janë e që nuk vlejnë asnjë lloj betimi.

Zoti, për ata që duan të besojnë, apo Gjithësia, si fuqi përtej nesh, e atyre që nuk e pranojnë ekzistencën e Zotit, është ekzistencë përtej nesh e për të gjithë ne. Si e tillë duhet pranuar ose jo nga secili, pa kërkuar t’i imponohet tjetrit. Edhe besimi duhet ushtruar, pa shqetësuar tjetrin. Sa kohë që ruajmë kufijt mbetemi besimtarë të mirë. Kur i tejkalomë ata e duam të marrim tipare imponuese ndaj të tjerëve, nuk jemi më besimtarë, por ekstremistë fetarë, shoqërisht të rrezikshëm, që u duhet ndalur revanshi sot. Nesër mbase është vonë. E këtë e bën familja, shkolla, shoqëria, shteti, kisha e xhamia, secili në mënyrën e në sinorin e vet.

Flamuri kombëtar, Gjuha shqipe e Tradita duhet t’na bashkojnë edhe në diversitetin kulturor e fetar që është pasuri. Jemi pak të bashkuar, e aspak të ndarë e të përçarë “për mustaqet e Çelos!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page