
NJË POEZI NGA MYSLIM MASKA
LISI I DROBONIKUT
1
Qindra herë u shtriva nën hijen e tij
Dhe pashë ëndrra të magjishme,
Piva dhe raki me shokë e miq
Në një tavolinë të thjeshtë
Prej atyre degëve.
Aty shkrova qindra poezi.
Me shaka
U thosha miqve:
Arkivolin ma bëni
Prej degëve të tij…
2
Dhjetra vjet që lexoj
Miliona herë
Të njëjtat gjëra të merzitshme,
Krijimet e mia që qënkan regjistruar
Në dërrasat e arkivolit…
Kërkoj nëpër xhepa,
Por s’gjej
Një shkrepse, se mishi dhe rrobat
Qënkan kalbur. Ju lutem,
Më dërgoni një shkrepse po mundët
Që t’i vë flakën vetes dhe dërrasave
Të arkivolit. Kushedi!
Nga drita e zjarrit mbase do të shoh
Edhe njëherë
Se ç’mrekulli qenë
Grindjet dhe zëniet e atëhershme mes nesh
Nën hijen e tij…