top of page

Lili Kristuli: Snobi


 

Në ditët e sotme, kur gjithkush mund të thotë si e mendon edhe pa menduar, kur gjithkush mund të shkruajë edhe pa ditur të shkruajë, kur askush nuk të ve vesh, megjithëse të gjithë kemi veshë,  i vetmi shpëtim për t’u dalluar nga turma, është të jesh snob.

Snobizmi duhet rivlerësuar si mënyrë të menduari e të jetuari, i duhet dhënë një vend nderi, sepse snobi është përjashtimi, veçantia, dallimi.

Jo të gjithë mundemi të snobojmë. Snobizmi është profesion.

Në fjalorin e snobit nuk egziston fjala punë. Ai nuk punon. Ka projekte.

Nuk shkon në takime. Shkon në evente.

Snobi shkon në kafene jo për të pirë kafe, por për t’u përsiatur.

Snobi nuk është as simpatik, as i sjellshëm, e as i këndshëm ; cilësi të shekullit të shkuar që ai nuk i honesp dot. Mendoni pak, nuk vesh as xhinse, tepër vintage për të.

Si rregull, snobi nuk lexon letërsi të bashkëkohësve; por merr pjesë në juri letrare e jep opinione duke u nisur nga kopertina.

Snobi është kosmopolit, është qytetar i botës. Vendlindja e tij është e paqartë. Prejardhja akoma më e paqartë. Të parët e tij mund të jenë nga Jemeni, Azerbaxhiani, Kazakistani, nga  Sdikuishi, po kurrë prej Shqipërie.

Snobi është Epikurist, ndaj i snobon të gjithë, katolikë, ortodoksë, muslimanë e budistë e me the të thashë. Oh mon dieu, i shket si pa dashje...

Kahu politik i snobit është enigmë. Nuk i dihet...

Snobi nuk ha mëngjes, bën një  "brunch” fjalë  që shumë prej nesh -që i hamë  groshët me qepë të gjallë-as që e kemi dëgjuar  ndonjëherë.

Kur je tu fol me të ai të  neglizhon duke i mbajtur sytë te celulari, a thua se prej kësaj varet jeta e tij, e po t'ia vesh në dukje të thotë se po të bën  phubbing. Nuk e kupton në është mirë apo keq, por ama   të duket vetja idiot në katror.

Snobi ka një profil fëbëje me nick name interesant, anonim, ku nuk poston gjë prej gjëje, por i lejon të zhbirojë jetën e të tjerëve.

Por edhe ta vrasësh, nuk e pranon.

Motoja e tij është: o  kemi një dinjitet o një profil fëbëje.

Ndaj na snobon ne vdektarëve që mbarojmë  për njëçikë fëbë,  se snobi o snob e nuk është kollaj  të kallaisesh...

1 Comment


Fatmir Terziu
2 hours ago

E lexoj me vëmendje Lili Kristulin. E ndjek se është për tu lexuar. E lexoj se është për tu pasur pikë referimi. Edhe shkrimi i saj “Snobi” është një satirë e mprehtë. Por është si gjithnjë, një satirë elegante dhe goditëse. Një detaj që arrin të zbërthejë me ironi inteligjente një nga figurat më paradoksale të kohës sonë. Dhe jo vetëm kaq, po e pikturon me një penel profesional, snobin si produkt shoqëror. Dhe nuk mjaftohet vetëm me snobin si individ të veçuar. Me një gjuhë të rrjedhshme dhe plot finesë thumbuese, Lili nuk e sulmon snobizmin drejtpërdrejt, por e zhvesh atë nga serioziteti i rremë, duke e kthyer në pasqyrë ku lexuesi sheh deformimet e vetë kohës. Forca e…

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page