top of page

Librazhdi...






Librazhdi, margaritar vezullues në gjerdanin

e artë shpirtëror e material të atdheut


Çdo pëllëmbë e këtij trualli na bën të ndihemi krenarë


Sapo hymë në qytetin e Librazhdit ndjeva kureshtje dhe mall, duke e përfytyruar qytetin nga koha kur unë punova aty, më saktë në shtabin drejtues të hekurudhës Librazhd – Përrenjas, në vitet 1973-74, por edhe kur vija me raste pas viteve 2000 si redaktor i gazetës “Mësuesi” apo punonjës i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Qendra e qytetit

Pedonalja në Shkumbin,Librazhd

Në një kohë fare të shkurtër qëndrimi, pata kënaqësi të shihja kalimthi stadiumin, i cili kishte ndryshuar pas një rikonstruksioni të përgjithshëm, qe pajisur me ndenjëse moderne, por dhe dukej i mirëmbajtur e i gjelbëruar; po ashtu dhe pallati i kulturës, që ka marrë emrin e koreografit të talentuar Sadi Halili, ”Mjeshtër i madh”. Edhe pallati ishte rikonstruktuar bukur dhe me kushte të mira; gjithashtu edhe Qendra Kulturore e Fëmijëve ishte rikonstruktuar. Aty drejton me sukses Dr. Skënder Karriqi; kërkova me sy gjimnazin e qytetit “Ibrahim Muça”, ku kishte drejtuar në vitet 1997-2001 miku im, gjuhëtari Muhamet Cenko, kurse tashmë gjimnazi ishte ndërtuar i ri në vend tjetër... Mbaj mend që edhe atëherë zhvilloheshin festivale të bukura folklorike, festivale të këngës për fëmijë, por sot standardi i tyre është edhe më i lartë, më i larmishëm. Kërkoja me sy vendndodhjen e ish - hotel turizmit, por edhe atje ishte ngritur një pallat i madh shumëkatësh, përballë ndodhej Bashkia dhe përpara saj shtrihej qendra e qytetit. Pashë urën hyrëse të qytetit, që pak kishte ndryshuar nga ajo kohë; shëtitoren që kalonte mespërmes qytetit, por po shihja edhe shëtitore të tjera të gjelbëruara e me shatërvanë; shihja rrugët e shtruara që përshkonin lagjet, teksa më mbetën në mendje lulet e shumta të qytetit, veçanërisht trëndafilat në ballkone dhe në mjedise pranë pallateve të banimit apo lokaleve...”Librazhdasit, si gjithnjë, mikpritës, njerëz të mirë dhe të dashur”, - thosha me vete...Qyteti ishte rritur më shumë, kishte marrë një tjetër pamje nga ajo që mbaja mend unë. Dallonin ndërtimet e shumta dhe arkitektura interesante. Ndjeva ajrin e pastër, shihja mjedise të këndshme dhe tërheqëse, një qytet ku binte në sy gjallëria qytetare, që shoqërohej me melodinë rrjedhëse të Shkumbinit e ku shquante e bukur dhe moderne pedonalja anës lumit.


Librazhdi i artistëve dhe i intelektualëve

Përfytyrova punën dhe veprimtarinë krijuese të shumë njerëzve në Librazhd, punëtorë të thjeshtë e intelektualë, mësues, krijues, artistë, studiues, gazetarë, rapsodë, valltarë, e veçanërisht, solla në mendje me nderim poetët: Vilson Blloshmi, Genc Leka (të dy nga Bërzeshta dhe të pushkatuar nga diktatura), kujtova me respekt këngëtarin e shquar Sherif Merdani, solla ndërmend artistët, që janë nga Librazhdi apo që kanë punuar në Librazhd, poetët: Vullnet Mato, Çelik Petriti, Qazim Shehu, Fatmir Musai; shkrimtarin e talentuar Andon Andoni; piktorët: Sami Roci, Arif Lushi, Çlirim Çollaku, Besnik Haxhillari,Rajmonda Mato...; skulptorët: Gëzim Hidri, Julian Muçollari; regjizorin dhe aktorin Muhamet Muça; kompozitorët: Gazmend Mullahi, Luan Bakiu, Naim Gjoshi, Bujar Alliu; këngëtaret: Rakipe Karaj dhe Hatixhe Lushi; kompozitorin dhe instrumentistin Vait Kuçi, përkthyesin e shquar Sami Leka, gazetaret Zenepe Luka (Çekrezi), Zyba Hysa... Në Librazhd ka jetuar familjarisht edhe Lumnie Hoti Çota, e njohur në Itali me emrin e artit Çota Luna ( e certifikuar si sozia e Klaudia Kardinales), modele, aktore filmash, fituese e shumë çmimeve ... Solla në kujtesë Koçi Petritin, të cilin e kisha njohur si një poet të talentuar dhe që ndihmonte më të rinjtë. Ai kishte qenë mik edhe me Çaush Kullafin, i cili krenohej për miqësinë me Koçiun. Siç shpjegon Çaushi, “bashkë me Koçiun shkonim në Pogradec dhe takonim Lasgush Poradecin. Unë isha adoleshent atëherë, - vijon ai,- dhe ndodhte që duhej të mbaja qenin e Lasgushit, ndërkohë që ata të dy, Lasgushi dhe Koçiu zhyteshin në bashkëbisedime letrare...” Ka qenë karakteristikë e kohës që kaloi, që një numër i madh studentësh, sa mbaronin universitetin, e fillonin punën në rrethet ku ishin kërkesat si mësues, inxhinierë, ekonomistë, agronomë, veterinerë, por edhe muzikantë, piktorë, aktorë, koreografë etj., kështu që, edhe në Librazhd, kanë punuar dhe kanë kontribuar shumë mësues, kuadro e specialistë të ardhur nga rrethet Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Tiranë, Elbasan, Përmet, Durrës...Unë dija që, në Librazhd, ka punuar mësuese edhe shkrimtarja e talentuar Adelina Balashi (Stefa), e cila ka shkruar njërën nga komeditë më të shkëlqyera shqiptare,”Pallati 176”, një komedi që ka merituar dhe meriton një respekt të jashtëzakonshëm nga publiku shqiptar. Asnjë komedi tjetër shqiptare s`ka pasur aq shumë jetëgjatësi dhe sukses të merituar, sa “Pallati 176”. Sa herë që e shohim, ajo na bën të qeshim me lot!



Një kafe buzë Shkumbinit - kafe para Bashkisë



dhe një foto nga Librazhdi

Gjatë shëtitjes nëpër qytet, takuam edhe disa miq të z. Behar Almeta dhe të Caush Kullafit, të cilët duke na uruar mirëseardhjen në Librazhd, na ftuan të pinim kafe...E pimë kafenë në njërin nga lokalet buzë Shkumbinit, ku shijuam edhe bukurinë e peizazhit, valëzimet rrjedhëse e shkumëbardha të lumit, që zbrisnin me një melodi të njohur për mua, që nga janari i vitit 1973 kur fillova punën për herë të parë në qytezën e aksionit në Bushtricë, pikërisht buzë lumit, që vërshonte ditë e natë...Në qytet takuam edhe administratorin e njësisë administrative Orenjë z. Zyhdi Duka, i cili na uroi mirëseardhjen, por u takuam edhe me z. Bashkim Isaku, koordinator i përgjithshëm i shoqatës “Çermenika 2017”, si dhe me z. Qani Kaca, kryetar i shoqatës, dega Tërbuf, Lushnjë. Ata u bënë pjesë e aktivitetit dhe së bashku u nisëm drejt shkollës së mesme të përgjithshme, Zgosht.



Zgosht, 2022


Rruga për në Zgosht kalonte përmes kodrave të gjelbëruara, midis fshatrave me shtëpi të thjeshta e ku binte në sy hijeshia dhe pastërtia, teksa përqark e larg nesh ngriheshin kodra dhe male me forma tërheqëse, plot legjenda e histori të krahinës së mirënjohur të Çermenikës...”-Ja, mes tyre, –thotë Çaushi,- duket edhe Guri i Muzhaqit, ku bëhet festa e Gurrë-Gegës”. Disa çaste përqëndrova vështrimin te Guri i Muzhaqit, i cili është mal në malësinë e Çermenikës, me lartësi 1663 m, me shpate kryesisht të rrëpirta. Atje ka shpella, disa prej të cilave kanë shërbyer si vendstrehim për partizanët gjatë Luftës Nacionalçlirimtare... Rreth Gurit të Muzhaqit dalin burime të shumta...

“-Atje pranë, - vijon të më shpjegojë Çaushi,- ndodhet edhe fshati Gurakuq, i cili përmendet edhe për vallen e famshme të Gurakuqit, e nivelit të lartë, ashtu si dhe vallja e Rrajcës. Pastaj ai më shpjegoi se në Gurakuq jetonte dikur edhe plaku i mençur Mustë Ballgjini, i cili u jepte zgjidhje problemeve të mprehta me dy-tri batuta të mençura. Nga koha kur ai jetonte e gjer më sot përcillet thënia: Mustë Ballgjini i Çermenikës,/ po i bën gjyqin krajlit të Dibrës. Nga Gurakuqi,janë edhe dy vëllezërit Haxhi dhe Shyqyri Ballgjini, dy futbollistë të shquar. Gurakuqasit janë marrë shumë me blegtori, me ndërtime, por janë të njohur edhe si sheqerxhinj, bënin ëmbëlsira dhe i tregtonin...”

-Po,- u thashë unë miqve të mi,- mbaj mend në vitet 1960, kur isha i vogël, në lagjen tonë në Vlorë vinte një burrë, që mbante me vete një kuti të madhe, herë në krahë, e herë në kokë dhe tregtonte ëmbëlsira. Ne fëmijët me ca lekë të holla në dorë vraponim për tek ai, që të blinim ëmbëlsira kush e kush më parë. Ishin me shije shumë të mirë, por ato kishin edhe forma tërheqëse dhe shumëllojshmëri ngjyrash. Kishin formë gjeli, pëllumbi, peshku, anijeje, libri, molle, lapsi...Ai që i tregtonte ishte mjeshtër i vërtetë për gatimin dhe përgatitjen e atyre ëmbëlsirave. Edhe tani që i kujtoj sikur ndiej të freskët shijen e tyre të mirë...Me siguri ai burrë i mirë, që na donte shumë ne, fëmijët, ishte nga Gurakuqi...

-Dale kur të provosh edhe pekmezin e manit, që përgatitet në Zgosht dhe në Letëm! - tha Çaushi dhe na shpjegoi mua dhe Bashkim Saliasit, se bëhej fjalë për një pije të veçantë mani, shumë të shijshme, por edhe me vlera shëruese.

-Me sa më kujtohet, - thashë unë,- Librazhdi ka pasur edhe një fabrikë të njohur për verën Kabërnetë, Shesh i Zi, Riesling... Ka qenë verë e famshme!

-Edhe tani ekziston ajo fabrikë, madje atje prodhohet edhe rakia me shafran,- tha Çaushi.

Nisëm të flasim për Zgoshtin, fshatin ku po shkonim e ku ndodhet shkolla e mesme e bashkuar.Mësova se Zgoshti është pjesë e njësisë administrative Lunik, bashkë me fshatrat: Letëm, Koshorisht, Lunik, Prevallë, Kostenjë.

Pamje nga fshati Zgosht


Vetë fshati Zgosht ka një mal shumë të bukur në Kusar, kufi me Maqedoninë. Në atë mal verojnë bagëtitë. Na shpjeguan gjithashtu se në Koshorisht ndodhet edhe shpella eremite, e cila ekzaktësisht ndodhet në faqen e malit të Letmit, quhet ndryshe edhe “Shpella e Letmit”. Ajo është shpallur monument kulture qysh në vitin 1971. Në atë shpellë ndodhet edhe një nga pikturat më të mëdha të shpellave në Shqipëri. Kjo pikturë ka disa skena, të cilat mbartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Njëra nga skenat paraqet figurën e Shën Mërisë me Emanuelin (Krishtin - fëmijë). Kurse skena tjetër ka të pikturuar figurën e Krishtit Pantokrator (i Plotfuqishëm). Në datën 2 gusht të çdo viti, fshatrat e kësaj zone zhvillojnë një festë të madhe zonale në malin e Letmit, ku ndodhet edhe shpella e akullit, e ku sipas gojëdhënës rridhte një burim uji, i cili mund të shëronte çdo sëmundje.Tregohet edhe një legjendë mbresëlënëse dhe e veçantë për atë shpellë... Dëgjuam se në Zgosht ndodhet dhe një xhami 400 - vjeçare, nga më të vjetrat e Librazhdit. Në Zgosht dhe në Letëm, që është pranë, bëhen shumë qershitë, fiqtë, pjeshkët, rrushi... Duke kaluar urën e Rrapunit, të ndërtuar dikur nga italianët, Caushi thotë:-Buzë këtij lumi është lagja e ime, Uljafi, që ka kuptimin “vend i ulët”, ku prodhohen të gjitha pemët frutore. Ky lumë ka qenë përmendur për troftën pikëkuqe, por tani ajo troftë nuk është më, sepse uji kalon nëpërmjet tubave për shkak të hidrocentralit që është ngritur.. U kujtova se kisha lexuar një artikull mbi hidrocentralet në lumenjtë e Librazhdit. Edhe në lumin Rrapun janë ndërtuar HEC-e, edhe në fshatin Togëz, edhe në Kuturman, duke krijuar një shkretëtirë dhe mungesë uji, në një kohë kur ujin, këtyre banorëve “ua ka dhënë natyra dhe zoti”. Ndërtimi i këtyre HEC-eve ka tharë thuajse një degë të lumit Shkumbin, duke i lënë banorët pa ujë të pastër, ka shkatërruar florën dhe faunën rreth e qark, por edhe po shkatërron ekosistemin e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Respekt dhe dashuri për librin


Shkolla e mesme e përgjithshme “I. Alla”, Zgosht, na befasoi me pamjen e saj. E rikonstruktuar rreth dy vite më parë ajo shfaq dhe prezanton një investim mjaft cilësor. Tashmë ajo është një ndërtesë me shumë klasa, mjedise e kabinete të nevojshme, e veshur me sistemin kapotë (e freskët në verë dhe e ngrohtë në dimër), me një mjedis të këndshëm sportiv... Nxënësit e kësaj shkolle vijnë nga fshatrat Sebisht, Borovë, Fushë Studen, Lunik, Prevallë, Koshorisht, Letëm...

Këtë paradite të 27 majit, shkolla dhe mjedisi i saj tërheqës ndrisin nga dielli, por dëshiroj të nënvizoj se gjithçka në këtë ditë shkëlqen më shumë nga prania, gjallëria dhe nga drita e ngrohtë mikpritëse që ne e shohim qartazi në vështrimet dhe komunikimet e të gjithë nxënësve, mësuesve dhe banorëve të zonës. Ne, që kemi ardhur të ftuar, po dhe si dhurues librash, ndiejmë një mirëpritje të rrallë, teksa kontaktojmë me njerëz me zemra të bukura dhe të çiltëra, të cilët shfaqin respekt dhe dashuri për librin dhe vlerat e tij. Ky respekt na u shpreh sapo u takuam në hyrje të shkollës edhe nga Drejtoresha e Zyrës Arsimore Vendore Librazhd znj. Lindita Roçi; nga koordinatorja e kurrikulës, zonja Enkeleda Çota, nga drejtori i shkollës, zoti Zabit Biçaku dhe të gjithë mësuesit pjesëmarrës.

Vlerësimin për librin e pamë të shfaqej dukshëm edhe në sallën e bibliotekës së shkollës, ku zhvilluam një bashkëbisedim frytdhënës. Atje dëgjuam pyetjet dhe mendimet e nxënësve gjimnazistë, që shprehën interesimin e tyre, sidomos për libra me vlera ideore, artistike, shkencore...Ata ishin të interesuar veçanërisht për të mësuar më shumë për mjeshtërinë e të shkruarit, për tipat, personazhet dhe karakteret origjinalë të realizuar artistikisht, si në letërsinë shqiptare, ashtu dhe në atë bashkëkohore botërore; dëshironin të njihnin përvojat tona letrare dhe të lexonin sa më shumë libra bashkëkohorë artistikë, socialë, kulturorë e shkencorë.

Në bashkëbisedime u shfaqën aktive sidomos Desara Shpata, Inverta Qoshi, Olsi Hasa, Mateo Kaca, Xhesika Gjini, Leonora Qoshi, Kejsi Ceveli, Majlind Shehu, Sabian Shpata, Tejllër Balla, Giselda Qoshi... Pati interesim edhe për letërsinë e emigracionit, e ku nxënësit dukej se përqafonin fort idenë dhe mesazhin e dashurisë për atdheun, Shqipërinë tonë të dashur.

Ne që erdhëm, respektuam mendimet e nxënësve, bashkëbiseduam lirshëm me ta dhe na u duk se takimi aty në bibliotekë ishte jo vetëm i vlefshëm e mbresëlënës, por edhe realist. Dhuruam rreth 150 libra artistikë, kulturorë e shkencorë për bibliotekën e shkollës: unë, kolegu im Bashkim Saliasi, kryetari i shoqatës “Çermenika 2017” z. Behar Almeta, administratorja e librarisë “Sara”, znj. Gëzime Sinani, drejtori i gazetës “Zana e Çermenikës”, Çaush Kullafi... Libra dërgoi edhe studiuesi i njohur Avni Alcani, poeti dhe përkthyesi Delo Isufi, por edhe shkrimtarët mërgimtarë: poetja dhe qëndistarja e njohur Emine S. Hoti nga Norvegjia, poeti dhe përkthyesi Sokol Demaku nga Suedia. Madje, poetja Emine S. Hoti, në vitin 2020 i dhuroi Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Librazhd, 25 kostume me motive dardane, të stiluara dhe të qepura me duart e saj të arta. Dhurata të tilla, Emineja ka bërë edhe në shkolla dhe mjedise të tjera kulturore në Shqipëri, Kosovë, te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, te shqiptarët mërgimtarë të Suedisë, Italisë, Norvegjisë etj.

Në atë takim na bëri përshtypje përkushtimi i drejtorit të shkollës Zabit Biçaku, i mësuesit të letërsisë Bedri Kaza, por gjatë qëndrimit tonë na ra në sy edhe aktivizimi e përkushtimi i mësuesve: Alida Hoxha, Eriona Qoshi, Valbona Qoshi etj.

Një koncert magjepsës

“Udhëto moj kënga ime/ në çdo skaj e në vendlindje!”

Një pjesëmarrje masive dhe plot ylbere ngjyrash, fëmijë dhe të rinj u shfaqën të veshur me kostumet popullore të zonës, kostume që nuk i gjen aq të bukura dhe tërheqëse askund tjetër. Pastaj ato valle aq mbresëlënëse, që pasqyronin një koreografi të shkëlqyer, tekste të bukura, muzikë popullore që të rrëmbente e ku spikaste veçanërisht vallja e kënduar e shoqëruar me vargjet “Udhëto moj kënga ime/ në çdo skaj e në vendlindje” me tekst të Çaush Kullafit. Muzika harmonizohej me lëvizjet elegante dhe të lirshme të valltarëve, aq sa na dukej sikur kishim përpara jo një grup vallesh të një shkolle të zonës, por një ansambël profesionist. Ishte një bukuri që s`mund të përshkruhet me fjalë, sepse ndjenjat dhe emocionet tona mund të krahasoheshin vetëm me vërshimet më të bukura emocionale dhe poetike. Teksa aty në skenë shkëlqente nxënësja dhe gjimnazistja e talentuar Desara Shpata.



Duke dëgjuar e ndjekur me sy recitimin dhe fjalët e saj me tingëllimë të veçantë, më shkonte mendja se kjo gjimnaziste çermenikase, me siguri mund të cilësohej si një pasardhëse e denjë e Zanës së Çermenikës, e asaj hyjnie të lashtë të pyjeve, të liqeneve dhe burimeve, e cila, në vite, sot dhe në të ardhmen entuziazmon e frymëzon artistët e poetët më të shquar.





U ndjeva shumë i emocionuar kur ajo recitoi poezinë e poetit Kullafi kushtuar ardhjes sonë aty në Zgosht... Ajo vijonte të drejtonte programin, ftonte në skenë shoqe dhe shokë të saj recitues, këngëtarë e valltarë, ftonte edhe miqtë e ardhur, sikurse drejtoreshën e arsimit, Lindita Roçin, e cila duke marrë fjalën falënderoi nxënësit e mrekullueshëm dhe mësuesit e shkollës që “punojnë me shumë mund e përkushtim në kryerjen e detyrës së tyre të shenjtë”. Drejtoresha e arsimit falënderoi dhe përgëzoi edhe drejtorin e shkollës z.Zabit Biçaku, për drejtimin me përkushtim dhe profesional të shkollës. Falënderoi gjithashtu prindërit pjesëmarrës në atë takim, të cilët siç u shpreh znj.Lindita, ishin mbështetja e nxënësve...Ajo na falënderoi edhe ne shkrimtarët e ftuar për ardhjen e dhurimin e librave bibliotekës së shkollës. U ndjemë të emocionuar, edhe unë, edhe kolegu im, Bashkimi, për vlerësimin “Miq të shkollës”, duke na dhënë me këtë rast edhe nga një certifikatë me motivacionin:”Mirënjohje për kontributin tuaj të çmuar në pasurimin e bibliotekës sonë”.



Në këtë takim foli përpara nxënësve edhe kryetari i shoqatës “Çermenika 2017”, z. Behar Almeta, i cili ndër të tjera tha: “Çermenika ka resurse natyrore të pasura, intelektualë me vlera të ndryshme. Ne i promovojmë ato. Ideja për të ardhur në shkollën tuaj,-iu drejtua ai pjesëmarrësve,- ishte e birit tuaj z. Çaush Kullafi. Ai më njohu me dy miqtë, Viron Kona dhe Bashkim Saliasi. Jam i nderuar që të dy shkrimtarët i dhuruan libra bibliotekës së shkollës. Ju siguroj që prapë do të jemi në shkollën tuaj...”.

Na erdhi mirë kur nëpërmjet mikut tonë Çaush Kullafi, morëm edhe përshëndetjet e kryetarit të bashkisë së Librazhdit z. Kastriot Gurra.



Z.Kastriot Gurra,kryetar i bashkisë Librazhd

Çermenikë,2022.


Duke e përshëndetur, edhe ne e falënderojmë z.Kastriot për kujdesin dhe vëmendjen e veçantë, që ai ka treguar dhe tregon ndaj arsimit dhe punës me librin, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave, si kjo e Zgoshtit, por e falënderojmë edhe për punën që ai bën për punësimin dhe ngritjen e standardit të jetesës së banorëve librazhdas, rikonstruksionin e mjediseve kulturore, sportive dhe artistike, si dhe për ndryshimet e dukshme të pamjes së qytetit, sheshet, rrugët dhe sidomos për ndërtimin e pedonales buzë Shkumbinit që paraqet një shëtitore me bukuri mbresëlënëse...

E prisja me padurim ardhjen në Librazhd

Personalisht e prisja me padurim ardhjen në Librazhd, sepse me këtë qytet mikpritës më lidhin kujtime të jetës sime, kur fare i ri (22-23 vjeç) kam punuar për më shumë se një vit në ndërtimin e hekurudhës Librazhd-Përrenjës(28 km), fillimisht në qytezën e Bushtricës (janar 1973), ku ngrihet ura më e madhe e vendit tonë e në vazhdim në qytezat: Librazhd, Dragostunjë, Hotolisht, Xhyrë, Qukës dhe Pishkash.

Më vjen mirë t`ju them se duke qenë njëri nga drejtuesit e sektorëve të hekurudhës, e njoh pëllëmbë për pëllëmbë zonën nga kalon hekurudha, e cila përshkon zonën e Librazhdit, kryesisht buzë Shkumbinit dhe konsiderohet njëra nga hekurudhat më malore të vendit, me shumë vepra arti, ura dhe tunele.




V.Kona 1973



Ura e Bushtricës

Ajo u ngrit në një terren të thyer e shkëmbor, ku projektuesve, inxhinierëve, teknikëve dhe ndërtuesve u duhej shpesh të ndryshonin konfiguracionin e mjedisit, që të krijohej mundësia e shtrimit të trasesë në parametrat dhe kushtet e duhura teknike. Hapja e tuneleve u realizua me teknikat më moderne të kohës, me makinerinë suedeze “Promeks”, me katër pistoleta shpimi, kurse në ndërtimin e urës së Bushtricës u përdor një vinç modern, që lëvizte betonin në mënyrë horizontale. Janë ato tipa dhe ato lloje pajisjesh e makinerish, që përdoren edhe sot në hapjen e tuneleve dhe ngritjen e urave të larta.

Në 7 qytezat e hekurudhës Librazhd –Përrenja punonin, krahas specialistëve dhe ndërtuesve të hekurudhës, edhe rreth 8 - 10 mijë aksionistë çdo muaj. Mund të them me krenari se e njoh metër për metër çdo pjesë të trasesë, tombinot, viaduktet, urat, usekët, muret mbajtës, tunelet dhe mjediset ku ne punonim gjithnjë të përkushtuar, të mirëpritur dhe të respektuar nga banorët e trevës së mrekullueshme të Librazhdit.

Duke medituar për urën, nuk ka se si të mos sjellë në kujtesë vargjet plot ritëm e pasion, si melodia e trenit mbi shina, të Koçi Petritit, poetit që i këndoi jetës, historisë së kombit tonë shqiptar: ”Unë i shoh gjith` urat, /Nga ur` e Bushtricës, /Ja ur` e Qabesë, /Ja e Drashovicës. /Shoh shekujt që shkuan, /Prek shekujt që vijnë, /Shoh shqiptarë e male, /Sup më sup të rrinë...”


Pasuri të rralla kulturore


Librazhdi prezanton dukshëm mundësi të shkëlqyera zhvillimi të gjithanshëm, ndërkohë që qyteti, rrethi dhe zonat shquhen për traditat e pasura arsimore, artistike, etnografike, kulturore e të trashëgimisë; por edhe për folklorin burimor, këngët e vallet popullore, kostumet e veçanta, për mjeshtërinë e përpunimit të gurit e të drurit, ashtu dhe përvojat e krijuara nga festivalet tradicionale të valles shqipe dhe festës tradicionale të mjaltit. Në Librazhd gjen mbrekulli të tilla, si: perëndeshën e pyjeve dhe gjuetisë, Dianën (Zanën), së cilës të parët e kësaj zone, kandavët, i kishin ngritur edhe një tempull në fshatin Babje. Ndërkaq në Librazhd dallohet si një vlerë turistike malësia Qukës-Përrenjas, ku ndodhet mali i Shebenikut (2253 m), fusha e Domosdovës, lugina e Shkumbinit të Sipërm dhe e Rrapunit, përrenjtë dhe burimet ujëkaltër, sikurse pasuritë minerale të hekur-nikelit, pyjet e dendura, traditat e blegtorisë, bletarisë; tradita e gatimit të ëmbëlsirave; mjeshtëria e librazhdasve në ndërtime, etnografia, veshja karakteristike-xhoka etj.

Nga ana tjetër, janë tërheqëse dhe të kërkuara shpellat - dikur të banuara, shpellat eremite apo shpellat - kisha, ku në mure shkëmbore ka piktura murale dhe mbishkrime me tematikë biblike, ato janë monumente tërheqëse që zgjojnë kërshëri dhe interesa të gjera shkencore, historike, kulturore dhe artistike. Po të bëhen të njohura sa duhet këto mjedise dhe monumente natyrore e kulturore, do të nxitin edhe të huaj dhe institucione me rëndësi evropiane e botërore të afrohen, të studiojnë dhe t`i shndërrojnë këto mjedise dhe vlera origjinale të botës së vjetër, edhe në mundësi turistike. Ndërkaq Librazhdi është i njohur për pasurinë minerale, për pyjet plot vlera dhe gjelbërim, ku bimët e rralla me vlera kurative janë nga më të përmendurat jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Siç kam lexuar, bimët enëzore të Librazhdit përfaqësojnë 58 përqind të florës shqiptare ose 16 përqind të florës së Evropës, duke e renditur Librazhdin ndër më të pasurit në vend me llojshmëri bimësh me vlera të mëdha medicinale-kurative. Këtu ndodhet Parku Kombëtar Shebenik–Jabllanicë, në territorin e të cilit përfshihet një popullsi afërsisht 15.000 banorë. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore...



Pamje nga parku i Shebenikut



Liqeni Fushë - Studën

Trevë e begatë ku lindi Dita e Verës

Vlerat arkeologjike, kulturore, etnografike të veshjeve tradicionale të zonës së Çermenikës dhe të Librazhdit janë mahnitëse e të shumanshme. Jo më kot emri “Librazhd” ka kuptimin “Portë e hapur”, emër ky i përdorur që në antikitet, përpara se të ndërtohej rruga “Egnatia”.

Zona e Çemenikës është nga më të lashtat, e përmendur nga studiues dhe historianë të antikitetit e ku ka lindur Dita e Verës, e cila është trashëguar deri në ditët e sotme dhe festohet në të gjitha trojet shqiptare.

E meqenëse bukuria qëndron në detaje, përmendim se: “Dita e Verës është festë pagane e lashtë, festohej nga ilirët përpara lindjes së krishtërimit. Quhet ndryshe festë e luleve, e gjallërimit të natyrës, festë e shpirtit, paqes, harmonisë, gëzimit, dashurisë... Data e 14 marsit shënon fundin e dimrit të acartë dhe ardhjen e pranverës. Në këtë ditë fëmijë e të rinj mbajnë në duar e qafë verore, të cilat janë simbol i ardhjes së pranverës. Ky zbukurim formohet me pe të bardhë dhe të kuq. Dy ngjyrat simbolizojnë dy të kundërta, ngrohtë-ftohtë, pranverë(e bardhë) dhe dimër(e kuqe). Verorja sipas besimit pagan u vihet në dorë apo në qafë fëmijëve, për t`u sjellë fat gjatë vitit...Ndërkaq mësojmë se lulet e para të pranverës, apo paralajmërueset e pranverës janë edhe: manushaqja, zymbyli, lulebora, vjollca, aguliçja, luleshqerra, mimoza...


Simbol i Ditës së Verës



Festime në Ditën e Verës

Zakoni e kërkon që vajzat apo fëmijët të lënë veroren në një shkurre, trëndafil a degë peme, të shprehin një dëshirë dhe shpresojnë, që të vijnë zogjtë, ta marrin dhe me fijet e saj të ndërtojnë fole. Nëse ndodh kjo, ëndrra apo dëshira e shprehur do të realizohet. Kjo ditë vere shoqërohet edhe me vendosjen e luleve të sapoçelura në dritare, apo me lastarë të gjelbër te dera e shtëpisë në mëngjesin e kësaj dite, në mënyrë që gjithkush, kur zgjohet, të ndiejë ardhjen e pranverës. Atë ditë përgatiten ushqime të zgjedhura, si: gjel deti e ballokume, të cilat konsiderohen ndër ushqimet më të preferuara. Në “Ditën e Verës” fëmijët, të veshur me rroba të reja shkojnë derë më derë duke kënduar ”Ditën e Verës’, ndërsa atyre u jepen dhurata. Ardhja e fëmijëve është mbarësi. Një zakon tjetër është qëndrimi që mbahet ndaj atyre që ngrihen me vonesë “Ditën e verës”, ata ”ndëshkohen” duke i mbyllur brenda shtëpisë me çelës. Në zonën e Elbasanit dhe të Librazhdit 14 marsi, thjesht hap festivalin njëjavor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar drejt 21 marsit, që është Dita kalendarike diellore e Verës. 14 marsi është “Dita e Verës” për Elbasanin dhe Tiranën, kurse krahina të tjera shqiptare caktojnë secila Ditën e tyre të Verës brenda javës 14 - 21 mars. Quhet “Dita e Verës”, sepse në kalendarin ilir/shqiptar, si dhe në disa popuj të tjerë, ka vetëm dy stinë: verë dhe dimër. Stinët nisin me ekuinokset (barasnetët) në mars dhe në shtator...

Histori dhe kulturë e lashtë


Bukuria dhe madhështia e trevave të Librazhdit kanë tërhequr historikisht edhe fuqitë më të mëdha të kohëve, midis të cilave dhe Perandorinë Romake, e cila nga shek. II para Kr. deri në shek. IV pas Kr., tregoi interes për rrugën e Kandavisë, duke e zgjeruar atë dhe duke i dhënë emrin e ri: “Via Egnatia”(Romë-Kostandinopojë). Siç dihet, në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge ndodhen monumente të rëndësishme arkeologjike e kulturore, që me një kujdes edhe më të madh do të shndërroheshin në vlera të papërsëritshme që do të tërhiqnin edhe më shumë turistë nga vende të ndryshme të botës. Rruga “Egnatia”, mund të themi se pasqyron një muze të hapur në natyrë, të cilin do ta kishte zili e gjithë bota, ndaj dhe konsiderohet rruga më e famshme e botës antike.



Sofra e Skënderbeut Guri i Skënderbeut Kështjella e Skënderbeut

Është fat që kjo rrugë perandorake, e përdorur gjerësisht nga perandorët e Bizantit dhe nga sulltanët osmanë, edhe sot ruhet ende, gati e paprekur, përgjatë gjithë rrjedhës së sipërme të lumit Shkumbin. Ajo niste nga dy degë: nga Dyrrahu dhe Apolonia, që takoheshin në Skampini. Stacionet kryesore ishin: Klodiana (Peqini), Skampini (Elbasani), Lyhnidi (Ohri), Heraklea (Manastiri), Edesa, Pella dhe Thesaloniku. Në shekullin I të e.r. u zgjat deri në Bizant. U ndërtua disa herë gjatë shek.I-III të e.r. Gjurmë të plota të rrugës “Egnatia” ruhen sot në Roskovec, Peqin... si dhe traseja e plotë nga Xibraka në Qukës.

1.Fragment nga Egnatia 2.Ura e Kamares mbi Shkumbin(1715), Mirakë,Librazhd Kështjella e Skënderbeut



Një moment tjetër i rëndësishëm i zonës së Librazhdit është edhe periudha e mesjetës, kur trevat e Librazhdit u quajtën Aranitia (Aranitid), që tregonte se asokohe ato ishin nën zotërimin e aranitëve, një nga familjet më të vjetra fisnike të Shqipërisë Qendrore dhe që u bë njëra nga mbështetëset më kryesore dhe më besnike të betejave historike e të lavdishme skënderbejane.

Lidhjen e ngushtë të popullit të Librazhdit

me Skënderbeun e tregojnë: historia,legjendat, toponimet

Beteja e Torviollit është zhvilluar në Fushën e sotme të Domosdovës në vitin 1444. Ajo ishte beteja e parë frontale e Skënderbeut kundër ushtrisë osmane shumë herë më e madhe në numër. Ndonëse ka diskutime për vendndodhjen e Torviollit, disa besojnë se ajo është zhvilluar në Dibër, prirem nga argumenti se ajo është zhvilluar pikërisht në fushën e sotme të Domosdovës. Përveç të tjerave, këtë e vërtetojnë edhe shumë toponime që lidhen me emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e që gjenden në emra gurësh, shpellash, fshatrash... “Rrajcë-Skënderbe”, “Shpella e Skënderbeut”, “Qukës-Skënderbe”, “Guri i Skënderbeut”, “Sofra e Skënderbeut”, ose siç quhet ndryshe “Guri i Pishkashit”, e cila është një pllakë e madhe gëlqerorësh me formë pak a shumë të rrumbullakët e vendosur mes shkëmbinjsh. Besohet sipas legjendave se aty, në atë “sofër” hante bukë ushtria e Skënderbeut. Prej aty shihet gjithë fusha e Domosdovës (ku u zhvillua beteja me osmanët) dhe një fushëpamje e gjerë e rrugës “Egnatia”, nga vinin më së shumti ushtritë osmane, karvanët tregtarë, karvanët e transportit me armë, mjete, ushqime për furnizimin e ushtrisë osmane etj. Prej aty, në beteja, ushtarët e Skënderbeut ndodhte që rrokullisnin gurë për të goditur ushtrinë osmane.

Në këto zona rrëfehet se në kohën e luftërave shqiptaro-turke, fusha ku sot ndodhet Përrenjasi, quhej fusha e Torviollit. Thuhet gjithashtu se në fjalimin e tij nxitës përpara betejës, Skënderbeu iu drejtua ushtarëve me fjalët “se këtë betejë duhej ta fitonin me domosdo”, gjë që shpjegon edhe ndryshimin e emrit Torvioll në Domosdovë. Edhe emri Përrenjas ka lidhje pikërisht me atë betejë, ku Skënderbeu fitoi, por me shumë humbje dhe, meqenëse gjaku i luftëtarëve rridhte si përrenj, vendi u quajt Përrenjas... Edhe toponimet e tjera janë të shoqëruara me legjenda interesante...

Gjithnjë aktivë dhe pjesëmarrës

në ngjarjet më të mëdha kombëtare shqiptare


Vazhdimisht Librazhdi ka qenë i lidhur me ngjarjet më të mëdha historike të trojeve tona, me kryengritjet e vazhdueshme për çlirim e pavarësi, por edhe me pjesëmarrjen aktive në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, në Kongresin e Lushnjës, 1920, në rezistencën e 7 prillit 1939 dhe gjatë gjithë Luftës Nacionalçlirimtare, ku përkujtohet në mënyrë të veçantë çeta e Çermenikës. Emrat e dëshmorëve dhe heronjve janë të shumtë në këto treva.

Çdo pëllëmbë e këtij trualli

bën krenar çdo shqiptar

Duke folur disi gjatë dhe me respekt të madh për trevën historike e kulturore të Librazhdit, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, kulturor e turistik, dëshiroj të nënvizoj se çdo pëllëmbë e këtij trualli bën krenar çdo shqiptar, kudo në trojet shqiptare, teksa mua si shkrimtar më tërheq me një forcë magnetike.



Mirupafshim në takime të tjera!


Gjithkush në këndin dhe me vizionin e tij, mund të kontribuojë me artikuj, studime, me krijime poetike dhe në prozë, me vepra artistike që pasqyrojnë dhe përcjellin vlerat e rralla të trevave të Çermenikës dhe të të gjithë Librazhdit. Ato përbëjnë margaritarë vezullues në gjerdanin e artë shpirtëror e material të Shqipërisë sonë të dashur.

...................

Literaturë e konsultuar:

1.Avni Alcani: “Aranitët në Librazhd” (Përmbledhje punimesh të konferencës shkencore “Aranitët në Librazhd” (10.11.2018).

2.Bashkia Librazhd, faqja zyrtare 2022.

3.Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008

4.Gazeta “Zana e Çermenikës”,(disa numra të viteve 2021-2022).

5.Shaban Gjura:”Librazhdi me historinë e tij 50-vjeçare” (11 shkurt 2013)








314 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page