Lexuesi në sofrën e poetit Stefan Martiko
Nga Novruz Abilekaj
Po zhduket specia e lexuesve të poezisë. Po pyllëzohet galaktika me “poetë”. Jam i trembur se mos shkretohen livadhet dhe pllajat ku bashkëjetoja me miqtë e mi të leximeve. Na ruajtë qielli nga kjo e keqe që më shfaqet më e madhe se vdekja. Me shënimet e mëposhtëme dëshiroj ta ndihmojë të largëtin qiell të gjykojë se si mund të na ndihë. Le të shtohen poetët veç të mos pakësohen lexuesit sepse na ndodhë që secili të lexojë vetëm vetveten dhe t’i pëlqejë gjithçka që zhgaravit, aq sa pëlqehet fëmija pa vëlla e motër. E mendojmë se ç’do të hiqte prapanica jonë po të na pëlqente vetëm vetja në këtë botë?!
Prandaj dëshiroj këmbëngulshëm të hedh mbresat e pashlyeshme që më regjistrohen nga leximi i përqëndruar i poezisë dhe posaçërisht këtë herë nga leximi i poezisë së Stefan Martikos ndonëse udhëtimi në labirintet poetike të tij më vë kusht pajisjen me instiktet e gjallesave që orientohen nga ultratingujt ose “armatimin” me telekomandimet moderne. Këtu stepem disa çaste-muaj, sepse nuk mendoj që zotëroj aftësinë e mjaftueshme të zhbirimit dhe të përtypjes së imtë të fshehtësive artistike, aq më tepër që vetëmbrojtja e lindur bashkë me shpirtin tim më stërzmadhon rrezikun e hapimit nëpër zgripet e honeve të thepisura të novatorizmit.
Megjithatë ngasja e papërballueshme shtyn vullkanisht dhe më gremis drejt guximit.
Raportet autor-vepër-lexues mbeten nga më të qartat dhe njëherazi nga më misteriozet në shënimet, recensat a kritikat e mirëfillta për artin, posaçërisht për letërsinë. Raportet duket se janë dhe duhet të jenë të qarta sepse bëhet fjalë për ekzistenca materiale ama sidoqoftë paraqiten mjaft të vështira. Komplikimi, misteri, mjegulla qëndrojnë midis autorit dhe lexuesit. Domethënë se pikërisht midis skajeve të trajektores autor-lexues, atje ku shtrihet e gjallon vepra, bie mjegulla, mistifikohen realitetet ekzistuese.
Sa është gjallë autori përpëlitet të nxjerrë në plan të parë veten dhe në plan të dytë veprën. Egoizmi nuk e lejon të pranojë se është i vdekshëm. E njëson veprën me veten dhe jeton si në vepër. “Autori shqiptar pjesën dërrmuese të veprës e ka shkruar si utilitarist për t’i shërbyer diçkaje, qoftë kjo edhe një ide si atdheu, gjuha, qenësia kolektive, ideologjia, doktrina, kombësia ... Roland Barthes-i kërkon vdekjen e autorit. Po kështu edhe Flaubert-i. Mirpo autori shqiptar është mësuar të jetë aktivist shoqëror ...” (Granit Zela, Mehr Licht nr. 28)
Në rolin e aktivistit shoqëror; të liberatorit, të të persekutuarit, të persekutorit, të pushtetarit, të të mjerit etj, etj, autori interpreton dhe mbron një mesazh kokëfortë të veprës. Ndënëse ky mesazh është ndoshta vetëm një nga shpjegimet e pafundme që mund të ketë fjala e mbjellë në letër, boja e hedhur mbi kanavacë.
Duke shkelur në terrenin tonë, nëpër radhët e gjata të krijuesve në emigracion, të vjen për të thënë se letërsia e bollshme që shkruhet në këto anë ka rënë në zonë të infektuar deri pashërueshëm. Autori ynë, rëndomë politizon, bën përmbysje, fshin histori, bën histori, tipizon negativin filmik të heroit tipik të së kaluarës ... dhe në thuajse në të gjitha rastet i vë gjoksin “bunkerit” për të mbajtur gjallë idetë e “klasës së tij”, në fund fare mund të kujtohet edhe për veprën.
Prandaj lexuesi çlirohet me “vdekjen e autorit”. Ky, lexuesi, e di se është dhe do të mbetet prokuror dhe gjykatës i vlerave. Avokatia e autorit përfundimisht do të burgoset brenda veprës. Aty do të lulëzojë përjetë ose do të vdes para se të blerojë. Lexuesi, cilido qoftë, ka bindje të plotë se autori e krijoi veprën sa qe i gjallë, për të mbetur i gjallë. Gjithë motivimet egoiste para publikut për gjetje të perëndishme, për kontribute mbarë kozmike, për famë e lavdi vdesin bashkë me autorin, sado autoritar të ketë qenë ai. Autoriteti, i qenë ose i paqenë, i transferohet veprës.
Më pëlqen të nënvizoj; nëqoftë se majat e artit janë vërtet transparente (si themi shpesh me aktor-regjisorin L. Simoni) dhe shumëkush jeton me iluzionin sikur është ulur në majën më të lartë, atëhere, patjetër lexuesi ka lartësinë e vet mbizotëruese që e meriton.
Sot jam përkulur e qëmtoj mbi veprën e një autori të padukshëm, qenie modeste deri në mosekzistencë
Përqëndrohem para fotografisë së Stefan Martikos: Pse më respekton duke më shikuar ngultas? Mos dëshiron të hyjë brënda meje? Pse më ironizon me nënqeshjen hënore? Mos më dalloi se ç’jam?
Cigari i digjet mes gishtave si rrëshqitje kohe. Vështron drojtur dhe shtrëmbër. Kot shmanget. E meritoj të më ngulë drejtpërdrejt shpatën e syve. Njeri jam; të ligat m’i pastron vetëm shushunja, ose shpata. O zot, mos po flas për shfrytëzues, gjakatarë dhe diktatorë?!
Jashtëtokësori Stefan, fëmijë që hedh në erë ëndërra, i moshuar që nuk e flak hirin e ëndrrave të djegura., poet fjalëbukur që filozofon, filozof që në vetminë e tij gatuan poezi.
Jashtëtokësori Stefan shkruan që “të dërgojë tek unë mendimin e tij të bukur” (Perifrazim nga Ardi Stefa,), gdhënd fjalën që të zërë vendin e patundshëm në frazë dhe pastaj thotë: Unë shkruaj për vete. Unë nuk mendoj se ç’do të thotë lexuesi për mua. Mua nuk më intereson numri i lexuesve. Poezia është një shkëndi që ndizet diku, në një vatër të trurit tim (Shikoni sa bukur e thotë këtë!). Unë e pyes: A lindin të tilla shkëndija në vatrat e trurit të njerëzve të tjerë? Patjetër që po. Atëhere përse nuk arrijnë tek poezia ata të tjerët? Sepse u mungon fjala. Prapë e cingris unë: Mijëra njerëz kuvendojnë fare bukur, gjejnë fjalën e duhur në kohën e duhur dhe sugjestjonojnë tjetrin, por poezi nuk bëjnë. Çfarë ju mungon këtyre të fundit? U mungon kultura poetike. U mungon mekanizmi i përpunimit poetik të fjalës.
Vazhdoj akoma: Mijëra të tjerë lexojnë, komentojnë dhe pastaj shkruajnë vargje. Përse këta nuk arrijnë tek poezia e vërtetë? Përse fare pak organizma e “prekin” eterin poetik dhe shumë më pak e ngjizin poezinë? Këtu duhet të jetë fjala për tharmin, për talentin, për penelin e padukshëm që rrënjëzon në shpirtin e poetit.
Stefan Martiko, midis aq pak të preferuarve të mi, jashtëtokësori i pandreqshëm, thotë përsëri se ai shkruan për vete dhe vetëm për vete. Pas këtyre metafizikave të preferuara të tij unë formuloj sfidën: Kush tha që janë aq të mëdhenj të mëdhenjtë? Vetë shkruesi, apo lexuesi? Për kë flet oratori? Për kë pikturon piktori? Për kë e vendos statujën në sheshe të dukshme skluptori? Për kë e këndon këngën këngëtari? Për kë e shkrin trupin dhe shpirtin nëna? Pastaj them: Cilido krijues; oratori, piktori, skluptori, këngëtari, nëna shkëputin nga vetja ç’të bukur mund të blatojnë brënda shpirtit të vet dhe e dhurojnë në botë. Gjithëkush, pasi dhuron, pret çmimin moral dhe ndoshta jo vetëm moral (kujto sa kërkojnë, deri dhunshëm, të jenë nobelistë). Njeriu, qoftë edhe poet, e ka brenda indeve e geneve vesin e virtytizuar për të njohur vlerën e asaj që realizoi, aq më tepër kur krijoi. Në se Orfeu ktheu kokën pas për të verifikuar deri ku u jetërsua mrekullia e lirës së tij, kjo do të thotë se ai gaboi si çdo qenie njerëzore. Ky gabim është më tepër njerëzor se mosgabimi.
Nuk bën të anashkalojmë, aq më pak të përçmojmë ekzistencën e egos sonë, dhuratë mbinjerëzore që na fuqizon krahët për fluturime në qiej të rinj.
Është dhimbje kur bota nuk ka sy e vesh. Është lëngatë kur sytë dhe veshët ekzistojnë veçse nuk kanë nge të absorbojnë tinguj dhe dritë poezie. Është gijotinë kur bota ndonëse ka sy e vesh ia kanë paaftësuar ngjyrat e parave, gjëmimet e zilive, thonjtë e urrejtjeve, tymrat e luftrave. Më duket se kësaj bote i kundraqëndron Stefani tek thotë: Unë shkruaj për vete dhe vetëm për vete.
Mirë thotë. E për kë tjetër ta shkruaj poezinë ëngjëllore? Përbindshat e parasë (madje jo vetëm këta por edhe lakmuesit naivë) e shohin që poezia nuk hahet, nuk vishet, nuk përdhunohet. Ajo është frymë, është shkëndi në vatrat hyjnore të trurit njerëzor, prandaj ata i largohen. Vërtet të shkruhet për këta poezia?!
Nga ana tjetër mirë nuk thotë sepse ekzistojnë miliona shpirtzhuritur që i kanë vënë kufi parasë dhe orgjive të tjera. Ata duan një fllad poetik të freskohen, të zbulojnë arin e qenies së tyre humane, të meritojnë biletën e fluturimit në krahët e shpresës që bleron midis fantazisë së krijuesit. Ja, pra, se për kë dhe për sa shumë njerëz shkruhet poezia. Besoj se për këta shkruan edhe i preferuari im i sotëm, Stefani.
Të thëna për Stefanin:
-Vasil Vasili: -E reja si moskuptim ... krijuesit presin me shpirt modest të kuptohen (Ndoshta janë në radhën e vlerave edhe ata që u kuptuan në kohën e duhur?) ... dhe lexuesi të fitojë një krijues.
Astrit Hajdini: -Ka kapërcime marramendse të vargut (Më duket se jo deri në humbje të ekuilibrit të shpirtit njerëzor.)
Mihallaq Qilleri: -Motivi që i përshkon gjithë këto vlera të mëdha është një dashuri absolute për njerëzimin. (A do të “honeps” Stefani nocionin “motiv”, ndërsa është partizan i mendimit se poeti nuk ulet për të bërë poezi? Poezia vjen, rrjedh, lumon dhe nuk projektohet, përsërit ai.)
Armela Hysi: -Hapon në monopate të virgjëra por me një siguri prej esteti (A pranon poeti të jetë ulur mbi poezinë si esteti mbi studimin e vet? Mendoj se, edhe pse mund të jetë mirë, Stefani nuk e bën këtë.) ... leximi i këtij libri (Heshtat e barit) është një udhëtim me peripeci në vërtetësinë e mendimit njerëzor.
Hiqmet Meçaj: -Poezia jote është një zgjim i vazhdueshëm lidhjesh nervore me ngacmim afrie dhe përafrie, të cilat fantazia i mbledh në strukturën e poezisë (Sa saktë formulohet lidhja midis racionales dhe iracionales në organizmin e poetit).
Alush Avduli (lexuesi i hipnotizuar): Poezi enigmatike. Me një kumbim shpellor, me labirinthe ku rrezet diellore shtrihen deri në zbehtësi ... e papërkthyeshme nga mesatarët, e mosqenë për ziliqarët, frymë e keqe për të shpallurit madhështi poetike (Vështirë të gjesh te poeti Stefan gradime të natyrave të tilla.)
Nase Jani: Poeti me gjelbërim ulliri (ndoshta Stefani është edhe pyll me virgjëri xhungle.) ... Stefan Martiko nuk është poet stinor ... poezia e tij nuk ka kufizim kohor.
Thanas Boçi: Sintetizon filozofinë me prakticizmin ... autori gjen rastin të parashtrojë me logjikë të ftohtë (a i përshatet parimeve dhe realizimeve të Stefanit ky përcaktim?) ato anë të qenësishme të njeriut në gjithë aktivitetin e tij ... ai mëson e sugjeron (Kush? Si sugjeron?) se duhet ruajtur diçka nga jotja ... gjithçka te poezia përshkohet nga kuadri i drejtësisë dhe jo i pasionit të çastit (pa pasion poezia e Stefanit?!!) e të interesit vetiak ... është një risi në poezinë shqipe ... ajo e mungesave të shënjave të pikësimit ... (Them: Edhe shkronjën apo fjalën e munguar mund t’i plotësojë lexuesi. A pranohet analogjia midis mungesës së pikësimit dhe mungesës së shkronjës, mungesës së fjalës? Si mund ta shvlerësojë, ta varfërojë poezinë prania e shenjave të pikësimit? Dhe si mund ta pasurojë mungesa e tyre? Është vështirë të besohet se eksperimentet janë baras me zbulimin).
Grigor Jovani: Stefan Martiko ka krijuar tashmë shtratin e tij poetik. (Dua që kjo të ketë ndodhur shumë vite më parë.) .... ka shushurimën e tij që nuk ngjan me atë të lumenjve të tjerë.
Sadik Bejko: Një poezi kjo që nuk shkëlqen në fragmentin, por në tërësinë e tekstit ... (çështja është se mua më befason dhe më ngjit pashkëputshëm fragmenti tek poezia e Stefanit, ndonse e tëra më mbështjellë botën me një cipullë misterioz nusërie, ma sjell botën absolutisht më të gëzuar, thelbësisht të trishtuar, të mundimshme, të hijshme, enigmatike, të zbërthyeshme).
Pirro Loli: Kjo formë të jep dorë të lirë, të detyron të bësh më tepër pauza për të fokusuar në mendje çdo fjalëz, fjalë e togfjalësh ... pastaj ... në dhjetë vargje, dhjetë kapërcime që në njësinë e poezisë përbëjnë një njësi tepër eklektike ... tek kjo natyrë poezie ... qëllimi është që teksti të na jap mundësinë e kuptimeve të pafundme ... (sido që mendoj edhe ndryshe, nuk më mjaftojnë energjitë për të filluar një bisedë me angazhim aq serioz sa P. Loli për poezinë e Stefanit)
Përqasja e poezisë së Stefan Martikos me konceptet bashkëkohore
... Dikush e diku mund të ketë thënë, patjetër ka thënë, diçka për poezinë e S. Martikos. Ata kanë jetuar në një kohë a vend tjetër, ata nuk kanë gjetur rrugë të mbërrijnë deri në këndin e ngushtë tek sistemon librat e pakta mërgimtari Stefan ama kanë shkruar e folur pikërisht për poezinë e tij. Ora do ta sjellë të soset këtu edhe fjala e tyre, megjithatë do të përpiqem të servir fragmente nga leximet e mia.
Duke shfletuar konceptime dhe vlerësime bashkëkohore për poezinë, më lind natyrshëm nevoja e përqasjes me krijimet e të preferuarëve të mi. Këtë herë qëmtova dy libra të S. Martikos, “Heshtat e barit” dhe “Lumë i vonuar”.
*
Poezia nuk ka nevojë për lidhje specifike të formës, as për metrikë tipike. Në fakt ajo nuk është shkruar gjithnjë me rimë (shembull të lashtë) dhe kur shkruhet me rimë nuk është përherë poezi. Për shembull, thotë amerikani në botimin e tij, birrë e ftohtë / meze e ngrohtë nuk është poezi. Më bëjnë rezonancë rima dhe ritmi në gjuhën shqipe: Qeni bën ham,ham, ham! / kockën time ku e kam? – dhe them se nuk është poezi
Bariu shokë bariu / është përjashta fatziu - kushdo që t’i ketë rimuar i pari këto vargje nuk të lënë shije poezie.
Det, o det / jam nënë e mjerë / djalin mos ma tret / lutem djalin kthemë! –është një thirrje patetike e rimuar, ama, akoma nuk është poezi.
... po zbresin ca engjëj nën det / që pas një mijë vjetësh si / amfora ne të pijmë ujë në / kafkat e tyre të vogla. Se s’do / të ketë gjyqe aq të largët / për krime të sotëm dhe duke / pirë verën e Krishtit çdo / mëkat do të falet. –Ky fragment, sidoqë rrjedh në shtratin e prozës poetike, sidoqë pasqyron edhe tendecat eksperimentale munduese, përsëri injektohet në ndërgjgjen e lexuesit si solucion i koncentruar poetik. Unë, ndoshta si çdo lexues i vëmendshëm, ulem “me mish e me shpirt” mbi fjalët dhe hulumtoj nëpër qiej e dete për të përjetuar fatalitetin e dramës njerëzore.
Kroi i fshatit tonë, uji i kulluar, / ç’na buron nga mali duke mërmëruar ... –rima e ritmi janë tradicionale, por përfytërimi, pikturimi, gjetja dhe rrjedhja e fjalës e ngrenë krijimin në lartësinë e poezisë elitë të të gjitha kohërave.
Kjo ndodh ngaqë poezia është një termë honoforik: Poeti, tek zbraz shpirtin në poezi, hedh në letër dhimbjet, ambiciet, dëshirat, dashuritë me intensitet të shprehuri veçanërisht të lartë. Gjithashtu poeti e ka poezinë mjet, armë për të përshkruar përshtypjet, emocionet që i presojnë brendësinë e kraharorit, që “i zënë frymën”. Nëpërmjet të shprehurit me intensitet të lartë identifikohen imazhet e ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes, komunikon subjekti i krijuesit me botën e jashtëme-lexuesin “... Në meslojë armët u bënë/ të vërteta dhe u mbushën / me barut për t’i nxjerrë / sytë njeri-tjetrit nga / zgavrat...” Kështu vjen imazhi i poetit për jetën tek poezia “Është a s’është lojë”)
“Nëpërmjet ritmit dhe imagjinatës-nëpërmjet të papriturave dhe, përherë, nëpërmjet lidhjeve të hijshme të ideve-poeti ofron një vizion që është më i thellë, më i gjallë, më i freskët, më i çuditshëm dhe më drithërues se sa mund të jetë proza e thjeshtë.”
Në se është kështu ja tek e kemi poezinë “Fantazma”, së cilës i përshtatet fare mirë konceptimi i mësipërm.
Sa pa u shuar flaka / nxitoj kudo që të jenë shkruar / pas pak fantazma e mendjes / më nuk do të shfaqet. / Etja e gjeti fantazmën e vet / të përdhunuar dhe iku. Unë do t’i ndih të rrijë edhe ca kohë / në mendje. Strehë e / çuditshme kjo si një / raft arkivi i mbyllur. Fantazma nuk më ngjante fare / tek shuante etjen time. Si e krijova ashtu në një / prehje gjumi e tëra qe / prej flake dhe unë rendja / ta shuaja. Flakërinte / fantazma e lëkundej / duke m’u lutur: futëm / në kujtesë – më thoshte- / para se të digjem.
Një prej arritjeve më të mira në përcaktimin e këtij termi rrëshqitës (dredharak), si paraqitet poezia, është realizuar nga kritiku anglez Uilliam Hazlitt:
“Poezia është gjuha e imagjinatës dhe e pasioneve. Ajo lidhet pandarshmërisht me çfarëdo kënaqësi apo dhimbje që i shkarkohet në mënyrë të menjëhershme shpirtit dhe mendjes njerëzore ... Ajo prejvjen nga shkëndijat dhe lëndimi në ndërgjegjen e krijuesit dhe synon drejtpërdrejt shpirtin dhe veprimtarinë e njeriut; pra, shpesh duket sikur shfaqet nga asgjëja, nga e padukshmja hyjnore, veçse po kështu, hyjënisht, depërton në vrimëzat e frymës së qenies njerëzore dhe frymëzon prirjet humane të saj ... Poezia është një gjuhë universale e cila i imponohet zemrës natyrshëm.”
Duke e pranuar vlerën e mendimit të mësipërm atëhere do të zbulojmë se dhimbja (ah, kjo dhimbja që nuk i ndahet asnjë çast poetit aq sa rrallë ose aspak gjejmë ndonjë varg të Stefanit që të ketë zbritur nga shtrati i lumturisë apo edhe nga froni i gëzimit të reduktuar), pra, dhimbja ka shtyrë lindjen e poezisë: “Njeriu është bimë (N. Lazrit)”
Njeriu që nuk duhet të kishte vdekur / për t’u shpërndarë akoma mirësia / nëpër botë kjo farë e pakët / që rrallë mbinë në / shkretëtirë sado bimë të njëllojta / të jenë toka ka marrëveshje tjetër me hënën / zëri tjetër kod me arsyen / e largët. Njeriu është / bimë që mbinë rrallë / sepse nga vdekja korret / njësoj nëpër stinët që ne / nuk i shohim.
Ai që ka mospërfillje për poezinë nuk ka respekt për vetveten, madje për asgjë tjetër. Ajo nuk është një hauz arritjesh të pavlerë, mendjelehta, për një pakicë lexuesish dembelë ose kohë e lirë e poetit, por një impuls agresiv, pasion shpërthyes, i cili gjen terren vetëm brenda tharmit poetik, nga ku mbartësi i imagjinatës pikturuese dhe i penelit të imtë të fjalës mund të dalë në breg.
Stefani e ka kryeart poezinë. Tek “Shpiti i një humbëtire” gjej impulsin agresiv, pasionin shpërthyes të mbirë e rritur nën shërbimin e tharmit poetik dhe imagjinatës pikturuese ...
Unë kam ndërgjegjen ta përndjek / veten si një horr rrugëve me / kaq patejdukshmëri të zënë nga smogu /.../ vetëm çastin kur të vrasin mos e shih ... / që duke qenë të mos jesh / shpirti i një humbëtire ku bien / tërë zogjtë që iu shuan / motorët nën krahë të fluturimit.
Me ritëm artistik, përfshijmë këtu ritmin brenda vargut poetik dhe tingëllimin muzikor që pandashëm e shoqëron, është shprehur së pari kënaqësia dhe dhimbja prej foshnjërisë së njerëzimit dhe kështu do të shprehet sa të jetë njeriu.
Për të përqasur idenë e mësipërme me realitetin poetik po veçoj pjesë nga poezia: “Jeta i lutet vdekjes” (Thashë: “po veçoj pjesë”. Si guxon e më copton poezinë do të më turret Stefani, megjithëse unë po bëjë pikërisht atë coptim që bëjnë gjithë të tjerët, pra, siç bëjnë ata pak lexuesit e përfshirë brenda zonës rrethuese të poezisë):
Tani është fundmbrëmje kohë / e dyzimeve jeta doli jashtë nga / brenda. Një përpjekje e zakonshme e jetës vdekjes për të mos / iu bindur. Po më tallin ata / kllounë që kanë hipur në / majë të reklamave ... ka një bukuri pothuaj / të çmendur sa i kanë nxjerrë / demat nga arena e s’di ku / ta gjejë kotësinë mendja...
Shumë njerëz, në hapat e para të formimit të tyre, mendojnë se poezia është diçka që gjendet vetëm në libra duke e përmbyllur vlerën e saj në kufijtë e rrokjeve me një fund të pëlqyeshëm, në se mund ta shtjellojmë më qartë këtë nocion me paragrafin në vijim.
Dikush më parë dhe tjetri më pas (por kurdoherë lexuesit me shpirt të gjallë dhe mendje vatrandezur) e dallojnë se atje, në mitrën e poezisë, është një ndiesi e bukur, një forcë mbi aftësinë e lexuesit, një harmoni e përsosur si në natyrë dhe e gjetur thelbësisht më tej se në natyrë, një mister i ngjeshur me frymë mbijetese të perëndishme: Shihni! “po dal si i çmendur në panairin / ku kam lënë veten duke e harruar / tek po e hanë të tjerët ... përgjithësisht njeriu bën flirte / puth duke / pickuar me pilulat e helmit ...(Panairi)
Në këtë udhë kuptimi shtjellohet brenda lexuesit ashtu si lëvizjet e papërballueshme të detit në tallaz, ashtu si ekzistenca befasuese (sido e padukshme) e aromës së luleve dhe gjetheve, ashtu si harbimi kureshtar i vështrimit drejt pafundësisë joshëse të qiellit, ashtu si çastet e përçartjes heroike të guximit njerëzor deri në synim të diellit, ashtu si çelja e syve të jetës brënda vezës së fshehur në guvat e nëntokës mëmësore.
Tek bukuria e rrezes së diellit në lindje deri në perëndim, tek prurjet jetësore të saj, tek humbja e dritës në gjirin e natës - atje është ditëlindja dhe amëshimi i poezisë. “Një trup që digjet / i tëri na jep flakët e / veta të shohim. / Ç’katastrofë përbrenda / ka ndodhur.” (Një trup që digjet)
Në qoftë se historia është si pllakë varri e gdhendur, poezia e sjellë të gjallëgdhendur; ky material ekziston më thellë, dhe është fushë e hapur.
Historia shjegon, kryesisht, pjesën më të rëndë dhe më inerte të sendeve e gjarjeve; nënvizon ndodhitë themelore, ndikimin e intrigave dhe të luftrave në ndryshimin e pushteteve nga shekulli në shekull: por midis këtij universi janë mendimet dhe ndjenjat brenda njerëzve që e jetuan historinë. Këtë hon mund ta plotësojë arti. “Më pak pirateri / por me anije të mëdha / si zonja të rënda dhe fanfarat / nuk kanë të reshtur sa / festa i çarmatos krejt rojat ...” (Anije si zonja të rënda)
Drita e poezisë nuk është vetëm një ndriçim direkt por edhe një dritë e reflektuar (kryesisht e reflektuar) që ndërsa ajo shfaq objektet para nesh, shpërndan një xixëllim vezullues në rrethinat tona; flaka e pasionit, duke komunikuar me imagjinatën, zbulon (nxjerr në shesh) si një flash vetëtitës, intimen e fshehur brenda mendimeve dhe penetron në brendësi të qenies sonë. Më poshtë, duke parë se si gërmon e shpërthen botën poeti që ta bëjë më të mirë, unë zbuloj dëshirën e papërmbajtur që kam thellë vetes për ta parë botën të moralshme: Vërshojnë të tërë përrenjtë / natyra ka kurdisur / tërë zilet e orëve / si një milion mendje / i luten natyrës të bëhet orkestër ... dua ca thërrime në pëllëmbë t’ua / mëkoj zogjve, mijëra zogjve / varur natyrës të bëhet orkastër ... natyra gëzon si fëmijë / dhe unë ia kap lumin në fyt / të mos dal nga shtrati i moralit / për të na përmbytur.(Vërshojnë përrenjtë)
Poezia fut, ngjiz shpirtin e jetës dhe lëvizjen e saj brënda universit njerëzor ... ajo është gjerdani lidhës i gjuhës me imagjinatën dhe imagjinata ka aftësinë të rindërtoj objektet të cilat na rishfaqen ndryshe, jo si janë në vetëvete, por si ata janë mbrujtur prej mendimeve dhe ndjenjave tona, në një pafundësi formash, shprehjesh e llojesh, në të gjitha kombinacionet e mundshme. “Bir i tokës me flatra / në çdo pemë valanidhi var lodhjen / tënde. / Deti i përmirëson imazhet / dhe çdo rënie ka një shpresë / tek i hapen flatrat. Në çarjet e shkëmbinjëve mendja i fshihet çdo / të papriture. Dalin prej saj zogj të / rëndë me krah hekuri ...” (Në Krorëz). Në këtë çast më rrëmben lirika magjike e Stefanit. Lirika e tij fshihet pas vargut hermetik dhe tërheq si sirenë sapo i dallojmë fijen e flokut. Në i dallofshin syrin asaj lirike do dashurohemi me të përjetë. Me të vërtetë lirika e tij është simotër e lirikës së ngjizur në vite tek shpirti ynë, ama sikur udhëton e shaluar mbi UFO. Sa kënaqësi të jesh i zoti të shalosh në të.
Fjala poetike nuk është pa të vërtetën e natyrës, edhe sepse ajo është e shmangur nga thelbi i sendeve por po kaq dhe më afër të vërtetës së natyrës, ndërsa transmeton impresionet e objekteve të natyrës dhe ndryshimet që pësojnë ato nën influencën e pasioneve të shkarkuara nga shpirti dhe të paraqitura estetikisht nga mendja e hollë njerëzore “... macja e egër e vrarë/ më kërkoi të flinte. Unë e / vura në kunjë të pesë maleve që ta përkundnin ... Xhaxhai ma mori / çiften e futi në këllëf dhe më tha / po e ngremë të dy me vete / krimin. Macja na ndiqte pas / e dalë si zog i vogël nga tyta e / çiftes dhe na tregonte rrugën. (Macja e egër)
Unë citoj, perifrazoj[i], shpall kënaqësinë time. Askurrë nuk synoj dhe nuk deklaroj përfundime në këtë fushë ku prodhimet janë të të tjerëve, prandaj mund të mbetem pa shlyer detyrimet. Përfundimet janë brenda ndërgjegjes sime, ndezin fantazinë dhe rrisin filiza poezie në skutat e pjesës njerëzore që më është dhuruar dhe është akoma me frymë. Kështu ndiej se e kam më të hijshëm shpirtin. Falenderoj poezinë e Stefanit pa mbyllur asnjë shteg nga ku mund të shkojnë lexuesit e tjerë apo hulumtuesit e artit, të cilët mbledhin lule, vjelin fruta, konstatojnë se nëpër rreshta e fjalë mungon buka e përtypshme, argëtohen e lodhen, gërvishen e mjekohen në përshtatje me formulën e qelizës së vet, në përshtatje me aftësinë e organeve të tretjes dhe të metabolizmit së tyre.
[i] Citimet dhe perifrazimet nga World of Culture, seria Poetry
Comentarios