top of page

Letër Hamza Koçit në Toronto


Nga blloku i shënimeve

1.Letër Hamza Koçit në Toronto I dashur Hamza, rreth dyzetë vjet më parë, qëlloi të ishim në një grup pune për të përgatitur materialet e konferencës së radhës së partisë në aviacion. Në letër ishim tetë vetë, mbase dhe pak më shumë por u katandis kokoshi një thelë, nga katër që mbetëm në fund, na bishtnove dhe ti, gjete një “arsye” pa arsye. Mirë ja bëre, edhe unë të isha në rolin tënd ashtu do bëja. Meqë ishte verë, punonim te shkolla e aviacionit, që kur të na merrte zjarr koka të vinim dhe ta freskonim në det. Kur ishim drejt përfundimit, mbërrite dhe ti, por kohën e kishe të kufizuar, sa ti hidhje një sy materialit shkrimor, jo rresht më rresht por vertikalisht, siç lexon një roman që i rikthehesh sëdyti. Pasi mbete i kënaqur me punën e bërë nga treshia”fakire”, na ftove për kafe të klubi i shkollës. S’ta prishëm, nuk bëmë sikur s’donim, se mund të na thoshje “hajt mirë u pafshim”. Por një hile të vogël ta bëmë!...Kur u futëm në klub, të thamë: “ Kafen e kemi pirë dhe meqënse qe e përzyer me çikore, nxorrëm preteks se na bënte dëm. Nuk na u bëre barrë të pinim nga një të dytë por zgjate kokën si dymetrosh që je sipër banakut duke u përkulur prapa tij dhe me një vështrim të shpejtë i kape të gjitha asortimentet që kishte klubi. Nuk u mendove dy herë, i the klubxhiut:- Mbushu nga një raki këtyre të treve, duke i bërë shënjë nga ne, kush ta dojë teke, kush ta dojë dopjo, bën dhe nga një racion djath dhe nga një salçiçe për secilin. E bëre zakonin e vëndit, ç’kishte klubi e porosite, me ato që iu ndodhën.I pagove fap e fap, bënë rreth njëqind e ca lekë, na dhe dorën dhe ike në Kuçovë, kishe gruan në derëbabe. E prura këtë kujtesë për të thënë se këto ditë mora librin që më dërgove :”Kujtime të një aviatori shqiptar”. Ke harxhuar rreth 15 dollarë për postimin, e di nga përvoja. Zëre se u ulëm dhe pimë nga një shishe birrë. Kur t’na ikij “pushtuesi i kovid-19-ës”, mbase shihemi, nëse jo në Atdhe, të paktën në Toronto. Sipas zakonit, librin tënd sa e mora në dorë e vështrova nga pamja, kopertina, lidhja, faqosia, e të tjera içkëla e vickëla, si ato parjet që bëhen në fejesat me mblesëri. Nuk shahej nga pamja, ia vlente, ndaj iu futa më në brëndësi, se, siç thotë populli « bukuria shkon e vjen.... » Unë e di që s’je letrar prandaj dhe pritja ime s’qe letrare, por di që të pëlqen letërsia, madje ndien kenaqësi kur lexon dhe poezi të bukura, sepse siç thonë, poezia e ka motër filozofinë, që ti e ke qejf. Kjo të ka ndihmuar të jeshë i kujdesshëm në ndërtimin e “kullës tënde letrare”, je realist dhe i vërtetë në ato që shkruan, përcjell mbresa të veçanta, nxit emocion dhe kureshtie, struktura e librit është e thjeshtë por me jetë, pasqyrohen punë të mëdha, arritje të pamohueshme, ndjen dhimbje shokësh të mbetur në tokë e në qiell si Hazbi Serani, Luto Sadiku, etj. Libri nuk ngarkohet me hollësira të panevojshme, sepse ti e di, mbipesha e kërrus, episodet janë të shkurtër, nganjëherë dhe gjysmë faqe, po qëndrojnë vet në këmbë, të pavarur nga episodi para a pasardhës sepse libri pavarsisht unikalitetit është ndërtuar me copëza jete që mund të qëndrojnë dhe në vete, fjala e zgjedhur zë vend aty ku duhet dhe fraza është përpunuar me shije, rrjedh si ujët e kroit të Shtiqnit, të krahinës tënde të Lumës, ku qenë mblidhur vajzat dhe nuset e zonës me kostumet tradicionale, siç e përshkruan ti, për festën e qethjes së deleve por arsyeja e vërtetë ishte për të parë nusen tënde që e kishe sjellë nga Kuçova ku shërbeje si pilot. Libri është modest por i vërtetë, ka jetë dhe thjeshtësi, një sintezë e plot e jetës tënde që prej fëmijërisë, por jo vetëm, libri është si një udhëtim i gjatë ku gërshetohet fat yt si individ me shoqërinë, nis me rrënjët familjare, të Koçëve, të fshatit, krahinës e më tej shkallë-shkallë, nga kohë të largëta, vjen jehona e luftrave, qëndresa dhe përpjekjet e popullit të kësaj treve ndaj hordhive otomane e dyndjeve sllavo-barbare deri tek lufta nacional-çlirimtare të cilën e ke përjetuar si fëmijë, vuajtjet dhe varfërinë e mëpasme, pesë fëmijë të mbetur jetim që ushqeheshin vetëm nga krahët e nënës, shkollimi, nisja e rrugës së fluturimeve në shkollat ruse të aviacionit, puna në aerodromin e Kuçovës, pastaj në atë të Gjadrit dhe kthimi përsëri në prag të pensionit, atje ku të shkrepi sefte për t’u bërë pilot, në aerodromin e Laprakës. Me një stil gati -gati telegrafik, si për dokumentar filmi, trajtohen aspekte të ndryshme të jetës dhe të punës në aviacion, të marrëdhënieve njerëzore në repart, në familje e shoqëri. Në të shumtën e episodeve ti je drejtpërsëdrejti protagonisti i ndodhive dhe ngjarjeve të shumta, por mrekullisht i je shmangur kurthit të stërzgjatjeve e hollësive teknike, përsëritjeve dhe euforisë vetiake, bën rolin e nje ciceroni muzeumi që u tregon vizitorëve (lexuesve) me modesti një realitet të një djali të varfër malësor me zell të mëdh për dije e kulturë, që zgjedh zanatin më të vështirë “me kokë në trast”, fluturon për tridhjetë vjet pa pasaport në qiellin e shqipërisë dhe hap pas hapi, me punën dhe vullnetin e tij, bëhet ndër pilotët më të shquar dhe drejtues i njërës prej bazave më të rëndësishme të vëndit. Kapitulli i rrugës së fluturimeve dhe i familjes janë pjesët më me emocion, kujtimet vërshojnë natyrshëm si ujërat e borës së bjeshkëve, në to ndihet gëzimi, shpresa, shijohet çerdhia e re familjare, kapërcehen vështirësi, gëzon frutet e jetës. Libri nuk është shtjellim kronologjik i këtyre kujtimeve, as ditar i mbajtur me pikësynim, ca më pak një shpërthim spontan, paraprakisht ke bërë një strukturë të kujdesshme për të prurë çaste dhe aspektet interesante, me veçantitë dhe të papriturat e jetës në aviacion, të cilat janë pasuruar dhe me një farë dokumentacioni të mbajtur rigorozisht si dëshmi të kohës që pasqyrojnë, vlerësime pune, dekorime, libreza notash,diploma, fotografi, shënime ditari etj, çka dëshmon rregullsi në jetë. Në libër bie disa portret njerëzish të dashur të realizuar kënaqshëm si Lokja, mësuese Marikën, majorin Tjelpov si komandant i studentëve shqiptar në shkollëne aviacionit Çkallov, instruktorin e fluturimeve etj. Nuk je kursyer për të portretizuar edhe ndonjë ish pushtetar të kohës së monizmit, që të ka lidhur puna apo rastësia por çka më bëri pershtypje është se ti nuk i sheh si “të rënë nga kali” dhe ca më pak t’i gjykosh sipas vijës zyrtare të politikës së kohës, vlerësimet e tua për ta, m’u dukën njerëzore, të drejta e tepër objektive. Kjo është një cilësi e njeriut me burrëri, që atij që bie nga kali, kur e meriton njerëzillëkun, nuk i jep shkelmin por i zgjatë dorën. Për të mos i lënë meritat vetëm ty, një punë profesionale ka bërë dhe redaktoria e librit, e nderuara Drita Koçi. Siç mbaje ti mbizanorin nën fre edhe ajo të ka mbajtur dorën të mos e lëshoje vend e pa vënd. Në shumë fragmente ndjehet dora e saj për ta dhënë sa më lakonik mendimin. Keni gjetur gjuhën e përbëshkët të bashkëpunimit autor-redaktor, për ta shprehur sa më bukur atë që thotë Çehovi, se : « Arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit. » Të jem i sinqertë me ty, por dhe me lexuesin që më ndjek, nëpër faqet e librit prisja të cikja dhe ndonjë çik humor,që ty në jetën reale nuk të ka munguar por e ke patur hermetik, sepse gjatë leximit, që të mos mërzitet, lexuesi duhet dhe të qeshë, prandaj siç e hapa me pak humor edhe po i mbyll këto shënime, duke u bërë prap interpret i humorit tënd. Besoj se të kujtohet, nga fillimi i viteve 80-të, erdhi nje ekip i aparatit të Komitetit Qëndror për ndihmë e kontroll ne Gjadër, nga aviacioni i shoqeroja unë, jo si pjesë e tyre, por për të qënë dëshmitar i problemeve që mund të gjenin. Mbasi mbaroi te ashtuquajturin ndihmë e kontroll dy-tre ditorë, u ulën të bënin konkluzionet. Pergjegjës i grupit ishte Mark Marku, jo ky analisti i përnatshëm i ekraneve shqiptare por një burr i bëshëm e i shtruar, me një qeshje gurgullimë prej malsori, fjalëpakët, që kishte kënaqshëm haber nga problemet burokratikë të partisë sepse kishte qënë disa vjet sekretar komiteti në Mirditë. Mbasi bëri hyrjen dhe vazhdimin rutinë të përfundimeve ose « konkluzioneve » siç i quajtën ata, mbas lidhëses « megjithatë" e cila shprehte një gjëndje kundërtie me çka ishte shprehur në fjalitë paraardhëse, nisen vrejtjet dhe moralizimet e njohura : « Duhet edhe kjo…., po duhet dhe ajo…., jo ashtu po kështu, bëni këto që them unë.. « Dhe pasi pa nga i ndieri Bardhosh Hasani, që ishte i shtëpisë sepse prej andej kishte dalë, u kthye me fytyrë nga ti dhe të pyeti, me pamje pak triumfale por dhe miqësore : - Kini ndonje rezerve ju shoku Hamza…? Ti vure buzën në gaz por jo ngaqë të erdhi për të qeshur, ta vura re nervin që të lëvizi te balli. Bardhoshi e kuptoi dhe të ndiqte gojë hapur si do të reagoje. Ti nuk u mendove gjatë, u kuptua që nuk e mirëprite dhe me një biçim parafjale « di-di » të rrokjezuar para ligjërimit, ia ktheve: « Di-di, unë s’mbaj rezerva në stol, ato që kisha i kam hedhur në fushë. Plasi gazi nga të gjithë por Bardhoshi më shumë, mbante barkun me dorë nga te qeshurit. 2.Pulovra me rombe Pa patur ende kompjuter dhe pa ditur ç’ishte feisbuku, në fillimet e mia të emigracioonit, gazetari Avdulla K, që kishte ardhur para meje në Kanada, më thotë se kishte lexuar në internet një takim të poetit Agim Shehu, me disa letrar emigrant në New York, ku përmendesha dhe unë. I qe fiksuar emri i autorit për faktin se ishte adash me poetin. Duke i prurë në mëndje të gjithë emnakët e poetit që njihja në aviacion, e pyeta: - çfarë të kujtohet nga ai shkrim?... Më sqaroi se bëhej fjalë për një fluturim me një aeroplan reaktiv dyvëndësh. Kaq desha dhe ngjarjen e prura para syve, kishte ndodhur në fillimvitet shtadhjetë, një fluturim me poetin Agim Shehu i Agron Dacit, piloti trupshkurtër e zemërmadh, ku zemra baraz me shtatin, s’qe thjesht figurë letrare por një realitet që e kisha ndier nga afër, të dy progonatas nga Kurveleshi, shok fëmijërie. Pa e lodhur mëndjen, vura gishtin tek autori i shkrimit. -Mos ishte Agim Bacelli? -Më duket se ky....më tha. Nuk e dija që kishte ardhur me llotari në Amerikë. Më bëri kurreshtar ta gjeja shkrimin dhe ta lexoja. Kur u bëra dhe unë si shokët me kompjutër e facebook, s’mu durua. E kisha lokalizuar » të dyshuarin », vizitova çdo postim në profilin e tij dhe sa e gjeta, pse ta fsheh, ndjeva kënaqësi. Sikur dola nga mjegullnaja e emigrimit, fillimi këtu, më qe dukur ogurzi, një tunel pa dalje, «të humba » i kisha thënë vetes, s’më ndaheshin mendimet e makthta, fatkeqësitë që mund t’i ndodhnin njeriut si këtej si andej nga kisha ardhur , këtej më dukeshin më me llahtar. Merreni me mend sa e vuajtshme, të të gjejë vdekja në një vënd të huaj, larg të tuve! U ndieva “gjallë” kur lexova me sytë e mi që s’qënkisha harruar, më kujtonte një mik i mirë. Por aq sa u gëzova dhe u pezmatova. Përmendej shkarazi dhe Petraq P, një shoku imi viteve të fillimkarrierës ushtarake, i cili ishte kunat i poetit. Për një çast e urreva autorin e shkrimit, sepse për shokun tim të cilin dhe ai e kishte koleg, përdorte eufemizmën “i ndieri”, nuk e dija se ishte ndarë nga jeta dhe e kuptova krejt ndryshe përdorimin e këtij tropi letrar, siç themi për ndonjë që është njësoj si brënda dhe jashtë varrit. “Ndonjë mëri mes tyre”, i rashë shkurt.....Kur u kthjellova,më mbyti pikëllimi. « Qofsh i parajsës, thashë- i dashur Peçi” dhe në heshtie shtova : « Të paktën je në vëndin tënd “…tek të duket balta më e ëmbël se mjalta….” siç thoshte Çajupi. Kjo sikur më lehtësoi. Dhe nisa të kujtoj copëza jete në shoqërinë e përbashkët, Desha s’desha, mendia më fluturoi andej nga kisha ardhur, prandaj poetët mendjen e quajnë bredharake, ia improvizova varrimin pa iu ndodhur pranë, me një dorë të shtrirë që prej këtej mbi ballin e ftohtë pa më parë njeri, siç ia bëra sime mëje në mungesë, para ca vitesh. Isha lidhur në një shoqëri të sinqertë me Petraq Petron, sa futa këmbët në bazën ajrore, e përforcoi këtë lidhje dhe marrëdhënia me poetin Agim Shehu, ai si kunat, unë si nxënësi i tij në poezi. Historitë e beqarisë në hotelin e oficerave me të, s’kanë të mbaruar, por s’dua ta bëjë tërkuzë, do t’u tregoj për një pulovr me rombe që e kishte blerë për qejf të vet, por s’çuditeshe po ta shihje të veshur dhe nga ndonjë shok i tij. M’u rrëqeth mishi, u kujtova që ia kisha marrë dhe unë « për një xhiro ». ky togfjalësh përdorej kur ndërronim « mbilëkurën » me shokushoku dhe më bëhej sikur ende e mbaja veshur. Peçi, siç i flisnim shkurt, ishte teknik aeroplani në skuadrilen e parë. Të gjitha skuadrilet qenë njësoj , por meqë ajo komandandohej nga Gëzdar V, njëri prej pilotave më të zot, më dukej më cilësoria. Dhe, s’besoj të kem gabuar sepse pikërisht, e tërë skuadrilia, me disa plotësime të vogëla, shkoi në Kinë për të mësuar dhe pilotuar avionin Mig 21, më të perfeksionuarin, që kishte aviacioni ynë. Ishte grupi i parë që çeli shtegun për aty. Mes tyre ishte dhe Petraqi. S’kishte ndonjë fizik që të binte kushedi në sy, shtatmesatar por i plotë, tepër energjik, plot shkathtësi, që të jepte idenë se qe përherë në lëvizje, me flokë të drejta, pikë të zeza, hedhur anash, që mund t’i shtrinte me dorë pa nevojën e krehërit; me sy të zesë, të butë që s’linin pamje pa kapur, në qetsi. Hera-herës dukej i zymtë me hije trishtimi, helbete, njeriu i gjallë i provon të gjitha gjëndjet shpirtërore, por kur ndodhej midis shokësh, bëhej tjetër njeri, i gjithë Petraq, bujar, kavalier, me shpirt fëmije, i përgjegjshëm në kulm, punës i thoshte punë dhe qejfit qejf, lumturohej pa cak kur qe në formë, përkulej mbi bark të lehtësonte te qeshurën. Nuk e kisha parë ndonjëherë të dehur megjithse qe i gotës dhe tavolinës.Terjaqinjtë e nuhatnin që ishte dhe ai si ata por krejt i përkorë. Ia hëngri shpirtin me të mirë përgjegjësit të hotelit, një “usta” i thekur i qylit, s’u kursye, duke e dëndur me kafe e konajk te klubi i repartit, vetëm e vetëm të lyente dhomën që mori në hotel para se të futej, e mbyste ankthi nga gjurmët e atyre që kishin fletur para tij. Pasi e leu dhe e rregulloi për qejf të vet, bëri çmos, që në dhomë të merrte dhe Shovin, jo vetëm si korçarë, por i puqte dhe estetika e të mbajturit të vetes. Peçi vishej me gusto, copat i blente me shije dhe i qepte ku shkruhej « Rrobaqepsi speciale » . Nga Kina pruri aq veshje sa dhe të tjerët, por të gjitha të zilepsura. Veçanërisht i pëlqeja një bluzë trikotazhi me rombe, por duke ia njohur merakun më vinte rëndë t’ia kërkoja për ndonjë sebep. Një ditë, tek po hanim drekë në restorant, mësoi se të nesërmen do të ikja për një dasmë në Gjirokastër. -Merr pukovrën time, më tha, se darkave freskohet andej, ua ka marrë erën kalldrëmeve të Gjirokastrës, ajo (d.m.th pulovra) . Aso kohe qe bërë dhëndërr në atë qytet dhe shkonte shpesh. Më erdhi vet zogu pa u munduar. Më tepër për kapardisje, iu pergjigja se mezi duroja këmishën me mëngë të shkurtëra. Ishte fillim shtatori. Kur ia ktheva, e falenderova dhe i thashë: – Më shumë pata kujdes për të sesa për vete.... U prek. -S’ta dhashë për siklet, ma ktheu, me një nerv zemërimi, -vet ta shtyra në mend, e mora parasysh dhe sikur të shpërdoroje. Pulovër blej prap, shok, s’blej dot.

60 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page