LEFTERIA Motrës sime Eleftheria Nika
Javën e dytë pas ardhjes nga materniteti, në shtëpinë e Lefterisë u mblodhën fqinjat për ta uruar. Të mos merrnin mësysh nënën dhe fëmijën, hidhnin sytë pas supeve të njëra-tjetrës. «Në fisin tuaj» tha njëra prej tyre, «bukuria ka ardhur brez pas brezi. Flitet për një Hajdho; Ali Pasha e kish të parën e haremit; kur e nxori nga saraji, e martoi me hyzmeqarin e vet dhe si pajë, i fali një pasuri të madhe. Akoma më e bukur, një më e afërt. Një mëngjes nxori bagëtinë dhe humbi fushave; duan të thonë, se e vodhi trimi që e kish kërkuar.» Ndërkaq, gratë afronin dhuratat; të gjitha veshje të pambukta, të përshtatura me lëkurën dhe mishin e foshnjës. U dëgjuan urime për jetë të gjatë, por pa kaluar të njëqind vjetët: këtu, mbaruan gojëdhënat. «Të jetë dhe e lumtur!» çoi zërin folësja! «Për nënën e saj mund të them shumë të vërteta; ishim shoqe shkolle. E dashuruan shumë vërsnikë, por ai që e fitoi, ishte mësuesi. Pastaj mjeku që e donte për vete, i tha se vajza ishte e ligështuar. (E tha mësuesi; mjeku, asnjëherë nuk e pa me atë sy vajzën.) Pas shumë vitesh, për fjalët që mëshoi i kërkoj të falur.» Krenohej Lefteria për bukurin fisnore dhe akoma më shumë, që për vajzat interesoheshin trimat. Kalonin ditët, muajt, vitet; rritej Lefteria, bëhej akoma më e bukur bashkë me të bijën. Një pranverë, i ftuan në një dasmë; gjatë vallëzimit, ngatërroi hapat dhe doli nga vallja. «Mos u mërzit!» i tha e bija, «të gjithë e kemi pësuar!» Dhe me të vërtetë, po atë mbrëmje, ngjarja u harrua. Një ditë tjetër ama, vinte rrugëve dhe s’ po kujtohej pse kish dalë nga shtëpia. Pastaj erdhën dhe ndodhi të tjera të kësaj natyre. Këtë vit, ah këtë vit, iku e s’ u kthye! Ndoshta, ndoshta e mori përdore ndonjë nga trimat e gojëdhënave!
Vasil Klironomi
Miku im Kozma Gjergji me zemërgjerësinë tënde
edhe për këtë tregim të shkurtër më fale mirësi,
pasion dhe mbi të gjitha më fale kohë. Në ditët tona
(jo se nuk duam,) por nuk na tepron që ta falim.
Je një artist zemërgjerë dhe dorëdhënë; për këtë, të jam shumë mirënjohës!
Falënderimet e mia të sinqerta!
Vasil Klironomi
Një tregim tipik i fantazisë krijuese klironomiane, në të cilin bukuria,
ashtu si vetëtima ndriçon dhe verbon.
Shumë urime i nderuari Vasil Klironomi!
Miqësisht, K.Gjergji.