Në sytë e tyre pashë hutimin dhe vetminë e Botës
të dy ishin pusulla të shkëputura nga sfilata e kohës
kurse e fshehta çlirohej nga padurimi për të njohur
anën tjetër prapa maskës,
në sytë e tyre kisha ngrirë edhe unë. Të gjithë
ishin atje, me modën e re të kollës,
nuk e njihnin më njëri-tjetrin
bënin ndryshe dashuri
në ekrane të ftohta linin buzët.
Në sytë e tyre ishte edhe ora.
Trokiste për inatin e tyre me akrepa thuajse të palëvizshëm
numrat gërryenin si mola
fusha ishte një dremitje. Zgjaste shumë
koha dhe vetmia për të prekur tej prekjes
trupa të shënuar në një fletore
drejt vdekjes.
Në një fletore të tillë sytë e tyre
pikturonin vetëm numra në çdo qytet,
me gjasa bënin vend në zemër të kohës
piklat që ushqenin dallgët
dhe kur pashë zbrazëtinë e zemrës sime
mjafton, me kaq thashë,
më tmerron çfarë pashë.
Nga sytë e tyre tek sytë e mi kishte qindra prita
brenda qerpikëve të lodhur s'ulej dita,
rrënjët lëkundeshin në varëse si dallgë deti.
Edhe kur nata ikte përtej tyre
brenda syve shkruhej me zjarr
e zjarri shuhej pa fjalë
si qëmoti:
ndoshta historia është një gabim, psherëtinte poeti.
njerëzimi ishte një gabim? – pyeste veten Zoti.
Përtej syve koloriteshin leckat ceremoniale
asnjë zhurmë nuk shkonte më përtej fjalëve
maska është e korruptuar
si besohet më shumë se sa një brezi rreth brinjëve,
njerëzit janë një gabim? Ripyeste Zoti.
Unë kam ardhur për t'i rregulluar gjërat mirë
u lodha duke përzgjedhur fjalë të përdorura
që nga leckosja e këtij moti.
Kur s'gjendeshn fjalët rishfaqeshin të huazuara yjet
por kjo kushtonte shtrenjtë
se duhej të mbulohej e gjithë nata e tillë fatale
nga pëlhurat ment-afsh për lecka ceremoniale.
Për të zbutur sytë, më duhej të imitoja kuajt
lakun dhe lukun e tyre
e të ulesha këmbëkryq si i paftuar
për të ç'ekulibruar buzëvarjen e ftohët
brenda kësaj merakotje pa fjalë
që ha leckat e kohës.
Kjo është e vërteta:
Të pres poshtë syve. Në mos më lexofsh
Zoti i lexoftë dihamat e mia të fshehta.
Nëse ndodh të mos gabohet se njerëzimi ishte një gabim,
duke korrigjuar këto maska mbi fytyra
të paktën le të mos ketë më hidhërim,
nuk duhet asgjë më shumë se liria dhe dashuria.
Këto janë sytë, këtu janë të dyja
ndoshta ngaqë them se i duhemi kohës
në sytë e tilla fshiva hutimin dhe vetminë e Botës.
Miho Gjini
Ne një veshtrim bashkekohor, me vargun e vet të lire, sfidonjës e satirizonjes, poeti e shehe domethenien e "maskës" më përteje gjësë dhe fenomenit "nga leckosja ketij moti", sikunder e thote haptas që në vargëzimin e parë eksponorizues , si "e fshehta (që) endej nga padurimi për të njohur anën tjetër prapa maskës!".
Ullmar Qvick
Falemnderit! A do të fundoset njeriu si gabim?
Nexhi Baushi
I nderuar Fatmir! Ti e meriton më së shumti atë çmim që u dha nga Presidenti Macron! Poezi rënqethëse
Astrit Q. Memia Zoti te nderofte!