top of page

LARTË DHE POSHTË


LARTË DHE POSHTË

Fatmir Terziu


Para disa ditësh takova në Elbasan, një shokun tim të kohës së rinisë. Gjatë bisedës me të kujtuam atë që ne të dy prej vitesh kemi dashur të ngjitemi në një nga majat e mëdha, ndoshta Korabi dhe më pas ndoshta edhe …, Everest. Diçka në zemrën tonë tërhiqej sa herë që shikonim fshehurazi në kohën tonë ndonjë foto të ndonjë reviste të huaj, që e siguronim nga ata që kishin mundësi ti sillnin nga përtej klonit, ose të lexonim po aq fshehurazi për përvojën e dikujt tjetër, atje tej në botën e ndaluar për rininë tonë. Joshja e vendeve të egra që kemi lënë pas në rininë tonë, na përndjek, por ka edhe një dëshirë për një sfidë që kërkon gjithçka që kishim në zemrat dhe mendjet tona. Po, edhe rrezik. Ndoshta më shumë se kishte kaq, veçanërisht në rrezik mund të fusnim tërë fisin, pasi familjeve u dihej fati, që ishte internimi dhë përndjekja. Disa nga miqtë tanë, shokët me të cilët ndanim mendimet atëherë, mendonin se ishim të çmendur dhe e dinin që kjo ëndërr mund të mos realizohet kurrë gjatë jetës, por kjo nuk na dekurajoi. Ka diçka simbolike te dëshira dhe nuk mund të heqim ende edhe sot dorë prej saj.

E dini pse? Ajo bisedë e sinqertë e atij takimi të rastësishëm në Elbasan, me atë shok të rinisë sime, natyrisht sot në një kohë tjetër më solli këtë sugjerim. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta kuptojmë. Ka dëshira në zemrat tona që lidhen me atë se kush jemi dhe çfarë jemi. Janë thuajse mitike në kuptimin e tyre, duke na zgjuar diçka më të lartë dhe të përjetshme. Por mund të gabojmë për mënyrën e ekzekutimit të tyre. Mënyra se si Perëndia përmbush një dëshirë mund të ndryshojë nga ajo që na zgjoi fillimisht.

Në vitin e kaluar kam marrë një sërë vendimesh që nuk kanë kuptim nëse nuk ka Zot dhe nuk jam miku i Tij. E zgjerova punën time në shërbimin publik dhe hapa kompaninë time të përkthimeve duke menduar se bëra një hap vetë, duke ndjekur një ëndërr që e kisha frikë prej kohësh. Mora copat e shpërndara të një vegimi i cili më kishte ngecur pas në kohën kur isha me shpirt e me zemër në shërbim të gazetarisë së lirë.

Unë kisha humbur shpresat dhe iniciativat, kur një shoku dhe kolegu im më i mirë i kohës së gazetarisë në Atdhe vdiq në një aksident në ngjitje për të kaluar kufirin me shtetin fqinj, pasi ishte në rrezik për jetën nga kërcënimet e bandave kriminale në Atdhe. Ai shkruante me më shumë guxim por…, ishte dhe mbeti atje duke u ngjitur në lartësi…, dhe la pas fëmijët e tij dhe gruan në mëshirë të fatit. Ajo që duket më jonormale, pas kësaj është se unë i mbeta i hapur sërish miqësisë dhe … sërrish zhgënjimit, xhelozive, cmirës, dredhive, djallëzisë… (kot nuk. Eke thënë mere një këlysh rrite dhe ai nesër të turret të të haj ty) ose (bëji tjetrit, të paaftit edhe lartësinë që s'e meriton dhe ai pastaj nëse nuk i bën thjesht një gjë, të tenton të të hedh ty nga ajo lartësi ku e ngjitur), dhe po vazhdojmë aty ku e lamë unë dhe ngjitja që kishim mendimve tona me shokun tim të rinisë në Elbasan.

Beteja është intensive. Një ngjitje e pjerrët që na kërkonte të jepnim gjithçka. Risqet mbetën të mëdha, financiarisht, natyrisht, por edhe më shumë shpirtërisht, në lidhje me marrëdhëniet me atë që na rrethonte. Fundja në mendje. Në mendime. Në bisedat rinore ngeci dhe mbeti kështu: Kërkon një përqendrim të trupit, shpirtit dhe mendimit të lirë që nuk kemi mundur ta arrijmë kurrë më parë. Ndoshta pjesa më e vështirë është keqkuptimi që hasëm, dhe që ndoshta perceptonim duke na perceptuar ata dhe nga ata përreth nesh çdo ditë. Dhe kjo është si puna e erërave.

Nganjëherë erërat tërboheshin rreth nesh. Herë të tjera kishim frikë se do të rrëzoheshim. Atë ditë, kur u takova me shokun tim të rinisë në Elbasan, sigurisht duke folur në një kohë tjetër për një kohë të vjetër, natyrshëm të dy u ndjemë në fund të litarit tonë të ngjitjes, duke (ri)bërë rrugën tonë të dikurshme rinore përballë rrezikut absolut. Një pyetje lindi enkas dhe vazhdn të mbetem ende në zemrën time: Çfarë po bëjmë, Zot? Ne ngjitemi në ndonjë majë, apo po zbresim ende pa u ngjitur?! Shoku im më thotë duke buzëqeshur, ne jemi lart e poshtë si përherë në këtë qoshk.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page