
Lamtumirë, miku dhe shoku ynë i shtrenjtë, Prof. Murat Gecaj!
Sa shumë rende…,sa shpejt që na ike!
Pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë, sot më 16 korrik 2020, u nda nga jeta Prof. Murat Gecaj. Ai u lind në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në një familje të thjeshtë e me tradita atdhetare. Shëtpia e tyre u bë bazë e rëndësishme, ku strehohej “Heroi i Popullit”, Bajram Curri. Nëna e la jetim, që në moshën 4-vjeçare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Në shtator të vitit 1958, pasi u lirua nga ushtria për arsye shëndetësore, ai nisi studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës. Aty kreu, me rezultate të larta vitin e dytë, ku u përzgjodh për t’i vazhduar studimet në Universitetin “Zhdanov” të ish- Leningradit, për t’u specializuar për dialektologji. Por, pas ndërprerjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, Murati u rikthye në Shqipëri, për t’i vazhduar studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë për gjuhë dhe letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate të larta, në vitin 1963.Pas mbarimit të Universitetit, nga që kishte filluar të shkruante që në moshën 14-vjeçare, ai u emërua redaktor në gazetën javore të fëmijëve, “Pionieri”. Ndërsa në vitet 1966-1973, punoi me rininë e kulturën, në qytetin “B.Curri”, ku shkoi të punojë vullnetarisht, bashkë me familjen. Në janar 1974, meqenëse ishte tepër aktiv me shkrimet e tij në shtypin qendror, u rikthye redaktor në gazetën e përditëshme “Bashkimi”. Pasi shërbeu aty më shumë se shtatë vjet, u emërua redaktor në Gazetën “Mësuesi”. Aty shërbeu për 22 vjet radhazi, deri sa doli në pension. Në vitin 1992 mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”, ndërsa katër vjet më pas, mori titullin e lartë“Profesor i asociuar”.
Murati, edhe pse kishte vite që është larguar nga puna e përditshme e gazetarit, mendjen dhe shpirtin nuk e ndau, për asnjë çast, nga shkrimet publicistike dhe studimore, aq sa ne shokët dhe miqtë e tij të hershëm i thoshim, si me shaka:”Ku është lajmi e debati, atje është dhe Murati”. Ai, me përkushtimin dhe pasionin e tij të rrallë, “bëhej sy e vesh” i ngjarjeve dhe problematikave të shumta të kohës. Vazhdoi të shkruajë e të botojë pa ndërprerë: artikuj, studime, libra..., me një problematikë, sa të gjerë aq dhe të shumëllojshme.
Prof. M.Gecaj shquhej edhe si veprimtar shoqëror. Ka mbi 15 vjet, që kryente me pasion detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, me qendër në Tiranë. Po kështu, ai ishte anëtar dhe “anëtar-nderi” i mjaft shoqatave të tjera, të cilat veprojnë brenda e jashtë vendit .
Për punë të shquar në fushën e arsimit dhe të shtypit, Prof. Murat Gecaj është dekoruar, me shumë Udhëra e Medalje. Ndërsa, për veprimtari të dendur shoqërore, ai është nderuar me shumë “Mirënjohje”, të dhëna nga shoqata të ndryshme, që funksionojnë brenda dhe jashtë vendit.
Me përkushtimin dhe punën e tij të palodhur, Murati la pas gjurmë me vlera të mëdha shoqërore. Ishte njeri i dashur dhe tepër i ëmbël. Kjo cilësi e tij e rrallë e gjen shprehjen dhe në vargjet:”Murat Gecaj nga Tropoja/burim pena mjaltë goja”, të cilat ja citonim, sa herë pinim kafe bashkë”.
Në personalitetin e tij, ishin harmonizuar mirë cilësitë njerëzore, me ato të intelektit krijues, Ne, miqtë, shokët dhe kolegët e tij të hershëm, tek ai gjetëm shembullin e publicistit koherent dhe të studiuesit prodhimtar. Gjurmët e jetës dinamike të Prof. M. Gecaj, brezat do t’i gjejnë të mishëruara në 17 librat e tij të botuara, me problematikë të larmishme e shumëplanshe: për publicistikën e pedagogjinë, për gjuhësinë e dialektologjinë, për folklorin e letërsinë. Objekt i përmbajtjes së librave të tij janë bërë, jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova, Shkupi, Ulqini, Presheva dhe shumë vende të diasporës. Me krijimtarinë e tij të larmishme, M. Gecaj u përçon brezave: pasionin dhe dashurinë për kulturën dhe diturinë; gazetarisë, profesionalizmin dhe përkushtimin; ndërsa shoqërisë, ëndrrën, shpresën, optimizmin dhe gatishmrinë për t’i shërbyer asaj me devotshmëri.
Qofsh i paharruar, miku dhe shoku ynë i shtrenjtë Murat!
Nga: Bardhyl Xhama, Hysen Ibrahimi, Sejdo Harka, Viron Kona, Kadri Tarelli, Arif Hasko.
Tiranë, më 16 korrik 2020
Është një lajm i tishtë dhe i papritur nga të gjithë ne miqtë dhe shokët. Do të na mungoje fjala e tije e ditur, buzëqeshja e ngrohte dhe dora e shtrire miqësisht! Do të na mugojë ne tavolinën ku prisnim njeri-tjetrin të takoheshim e te pinim kafe, ku nuk mungonte humori yt dhe fotot, që i ujdisje per t'i percjelle ne facebook, apo të futura nëpër shkrime të publikuara ne faqet e gazetave. Do të na mungojnë eshe shkëmbimi i librave dhe bisedat për to. Do na mungojë fizikisht, pasi me veprat që na ka lëne do të jetë përsëri në bisedat tona dhe në raftet e bibliotekave. I përjetshëm kujtimi i tij!
LAMTUMIRË MIKU IM I SHTRENJTË PROF. MURAT GECAJ
Ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e jetës të profesorit të nderuar,të dashur e shëmbullor të intelektualit me fymë të lartë atdhedashurie Prof. Murat Gecaj . Nderime e respekte mikut tim të dashur Prof. Murat Gecaj që ishte frymëzues edhe i jetës sime të dytë. Me një shpirtë dashamirës të sinqertë u donte të miirën të gjithëve. Veprimtaria e krijimtaria e tij me botimet e shumta është e pavdekshëme si studjues e botues i palodhur. Zemra e tij rrezatonte vetëm dashuri për jetën,për atdheun ,shoqërinë e miqësinë. Personaliteti tij me karakterin soliid është modeli më mirë i një intelektuali të talentuar,që mbillte vetëm dashuri njerëzore. U prehët në paqe! Lamtumirë miku im…