RESMI OSMANI
TREGIM
1
Në gjidetin e limanit të Argostolit të ujdhesës joniane të Qefalonisë , në atë kohë protektorat anglez, më 28 dhjetor 1823, pak dit pas kremtimit të kërshëndellave, kishte hapur velat gjemia e hidriotit Andon Kryeziu. Do shpinte në Mesolongj ndihmat ushqimore, armët dhe lordin anglez Bajron, me gardën e tij suliote.
Dita ishte e kthiellët, dielli dimërak i ngritur në lindje, ndrinte sa të lbyrte sytë, por ngrohte pak. Deti llapste me reflekse blu të thella, stolisur nga laryshia e rrezeve diellore dhe nga dantella e bardhë e shkumës së valëve të cilat, llapashiteshin dhe shuheshin me psherëtimë në breg.
Lord Bajroni, në shoqërinë e guvernatorit, sir Malkolm Blejkut, qëndronte më këmbë në bankinë. Era që vinte nga veriu, i shpaloste kindat e pelerinës dhe i trazonte kaçurrelat e bukur te flokeve. E mrekullonte bukuria e këtij deti jugor. Ajo s’kish të krahasuar me ftohtësinë dhe grinë e shpëlarë të Detit të Veriut. E mrekullonte gjithë pamja: psherëtima e valëve, ciatja e pulëbardhave dhe horizonti i kaltër. Gjelbërimi i ullinjve brigjeve, i rrinte si kurorë qytetit të vogël me shtëpi të bardha dhe pullazet e kuqërremta. I ngjallnin në shpirt lirizëm dhe ngazëllim. Një dritësim të brendshëm që, do ta hidhte në vargje me bukuri verbuese dhe tingëllim hyjnor si një ode për lirinë dhe dashurinë.
Ndërkaq, kujdesej që në anije të ngarkoheshin pajisjet për udhë. Pa harruar asgjë, por veçanërisht, arkat me armë, barut dhe plumba, për luftëtarët e qytetit kryengritës.
Në të dy krahët dhe pas tij, ishte rreshtuar garda suljote dhe prijësit e saj, kapedanët Xhavella , Fotomara e Drako dhe dyzet trima nga ata që, si thonë shqiptarët”Të marrin gjak ne vetull!” Sir Blejkut i mbetën sytë te suljotët. Veshur me kostumet e tyre kombëtare, fustanellat e bardha, jelekët e qëndisur, këpucët me xhufka të kuqe. Fytyra të rrahura nga era e të rreshkura nga dielli, ballin të lartë, që ua bënte edhe më të lartë floku i rruar, flokët e gjata të lidhura pas koke, ose të derdhura mbi supe, mustaqet e mëdha e të përderedhura. Në brez të ngjeshura armët dhe shpatat, që ata e kishin merak të ishin të stolisura. Të heshtur e hijerëndë. Fjalëpak e punë shumë. U përngjanin malësorëve skocezë, dukeshin si të dalë nga tabllotë ekzotike të Delakruasë apo Davidit.
-Milord, ç’të shtyu të formosh gardën tënde me këta shqiptarë suliotë, kur ti po u vete në ndihmë luftëtarëve grekë?
- Sepse ftesën për në Mesollongj ma bëri një suliot, Marko Boçari. Siç mund ta dish, ai ra heroikisht më 23 të gushtit, të këtij moti, një ditë më pas nga dërgimi i letrës me ftesën. E dhimbshme, apo jo? Suliotët janë trima e të besës.Të mëkuar me ‘to që me qumshtin e mëmës.Lindin e rriten si luftëtarë, me dashurinë për lirinë. Ata kanë mbrojtur me heroizëm atë shkëmbin e tyre të lindjes që, i thonë Sul. Kanë pranuar syrgjynin,për të qënë të lirë, në vend të nënshtrimit dhe skllavërisë së turkut. I dua, se janë trima, të bindur, kurajozë. I durojnë si askush vuajtjet e luftës, por edhe për fatkeqëitë e tyre. E tillë është raca shqiptare. Mu dha rasti ta njoh së afërmi në udhëtimin e parë më 1809.
Kur ngarkesat u dërguan në anije, lord Bajroni u la lamtumirën sir Malkolmit dhe parisë vendëse dhe hipi në varkën që e dërgoi në anije. Aty e priti dhe uroj mirseardhjen kapedan Kryeziu, një ujk i vjetër deti. Ai dhe ekuipazhi u habit kur lord Bajroni puthi me nderim si të ishte e gjallë, parvazin e drunjtë të fajkës së anijes. Kur pa habi dhe pyetje te heshtur në sytë e tyre, ai u tha:
-Kjo anije është Argoja jonë. Ne jemi argonautë. Argonautët e kohëve të reja. Nuk shkojmë në Kolkidë për bashkën e artë, por në Mesollongj, në kërkim të lirisë, duke e paguar dhe shënjtëruar atë qoftë edhe me jetët tona!
Velat u frynë, era ishte e mbarë dhe anija pasi doli në det të hapur mori drejtimin nga jugu, për në gjirin e Patrës. Shkiste lehtë, duke lënë pas një vazhdë të shkumëzuar.
Lord Bajroni doli në bash, hodhi duart në parmakë dhe vështrimin e treti larg.
Kapedan Fotomara dhe Xhavella ju gjendën përanash. Kur u vunë në shërbim të lord Bajronit, ai u rroku duart dhe u tha:
- Me besa besë, shqiptarisht! Ju jeni kapedanët e mij dhe unë jam lordi juaj.
Besa u lidh. Që atë ditë ata e ndjenin veten bashkëluftëtarë e pjesë të pandarë e lordit anglez.
Dhe ja ku ishin. Xhavella nisi ta kundrojë me admirim: Shtat pak më i gjatë se mesatar, hollak si fidan që, e bënte të dukej edhe më shtathedhur nga sa ish. Atij ju kujtua se ç’i kish thënë djaloshit të ri, vite me pare Ali pashai, kur e kish pritur në sarajet e Tepelenës: ”Duket që je nga derë e fisme, se i ke duart të bardha e të vogëla, flokët kaçurrela dhe veshët të vegjël !” I kishte thënë pashai udhëtarit anglez. Kapedan Fotomara po admironte pamjen e tij. Një bukuri gati femërore: hunda e drejtë, nazike, sytë të butë si të pëllumbit, goja e vogël, buzë të plota të kuqe e mishtake, mjekra e rrumbullt, qafa e gjatë, e tëra kjo në kornizën e fkokëve kaçurrela. Çudi, mendoj kapedani suljot, sesi, zoti ja jep të gjitha një njeriu të vetëm: hijeshinë e pamjes(se për burrin nuk mund të thuhet i bukur!), shtatin e hedhur prej atleti, mençurinë si prej filozofi, bukurinë e fjalës e të ligjërimit, trimërinë dhe guximin, dashurinë për lirine ,urrejtjen për shtypësit e popujve dhe tiranët, zemrën bujare dhe talentin e poetit që i këndonte lirisë, burrërisë e trimërisë. Kish dëgjuar se në vendin e tij, kish kamje e gjë për të jetuar pa gajle e me salltanet, por kish lënë pallatin dhe rehatin e kish zgjedhur rrugën e mundimshme të luftës për liri.
2
Lundrimi zgjati disa dit. Lajmi i ardhjes së Lord Bajronit, kishte fluturuar për në Mesollongj, me krahët e erës, më shpejt se anija e Kryeziut. Ishte 5 janar 1824. Atë kishte dalë për ta pritur gjithë qyteti.Nga skela deri në qëndër të qytetit, para sheshit të kishës, rreshtimi i qytetarëve të gjithë moshave , gra e burra, fëmijë, të rinj e të reja, me buqeta lulesh, trëndafila, luleshëmitri, degë të blerta dafine dhe flamurë me kryq, brohorisnin me sa zë kishin dhe i uronin mirseardhjen në qytetin e lirë të Mesollongjit.
Ishte pamje e paparë ndonjëherë, pritja dhe nderimi që i bëhej mysafirit të shquar. Kapedanët Drako, Fotomara e Xhavella, hapnin udhën dhe lord Bajroni i ndjeshëm, i gjendur para kësaj pritjeje, të pamenduar, i mallëngjyer por edhe i ngazëllyer ,i buzëqeshur, i mbuluar nga tufat e luleve dhe degëve të dafinës, përshëndeste me dorë. Ja dha lulet kapedan Xhavellës dhe nga krahët e një nëne të re, mori në krahë një fëmijë që mbante në duar një pëllumb dhe e ngriti lart. Djali i bukur si ëngjëll, e lëshoi pëllumbin që fluturoi mbi qytet.
Në sheshin para kishës njerëzia ishin mizëri. Por ata u habitën, e u zhgënjyen kur në vënd të një kreshniku luftëtar, mustaqemadh, flokëgjatë, të armatosur gjer në dhëmbë, u shfaq një djalosh i hajthëm, pamjebukur, që sytë, nën qerpikët e gjatë i rrëzëllenin dritë dhe, pamja e qeshur i zbukuronte fytyrën. Vajzat e pëlqyen shumë. Nënat do ta donin për dhëndërr, burrat si shok lufte.
Aty lordin e pritën dhe i uruan mirseardhjen prefekti Metaksa, paria e qytetit dhe shënjtëria e tij peshkopi, imzot Athanasi. Kambanat e kishave dridhnin ajrin, ushtonin si për festë. Qyteti festonte mbritjen e mikut fisnik.
Lord Bajroni, i zënë ngusht nga kjo pritje, e kuptoi se hallku, gra e burra, të vegjël e të medhenj, prisnin që ai diç tu thoshte , tu ngjallte guxim, shpresë dhe besim, në fitoren e luftës për liri.
Ngriti dorën. Përnjëherë zotëroi heshtja dhe ai foli në greqisht:
-Ku është vëllai i Leonidhës së sotëm?
E nisi fjalën me nderimin e kujtimit dhe lavdisë së Marko Boçarit, heroit të Mesollongjit që, e krahasoi me heroin legjendar të termopileve.
Kur dëgjoi pyetjen, Kosta Boçari, vëllai i Markos, që kishte zënë vendin e të vëllait në krye të luftëtarëve suliotë, ngau përpara dhe qëndroi duke e nderuar me dorë në zemër. Bajroni i tha:
-O luftëtar trim i Sulit, krenohu dhe lumturohu! Ti je vëllai i një heroi që u flijua për liri, e që nuk do të fshihet kurrë nga trashëgimi i shekujve në përjetësi.
E vuri Kostën në krah të djathtë të tij, pastaj iu drejtua masës së gjindjes:
-Helenë! Ju po shihni midis jush një anglez, që nuk ka pushuar asnjëherë së studjuari Greqinë e lashtë e së menduari për të renë, një anglez që ju ka dashur e ju do me shpirt, dhe që ka uruar tërmonë për lirinë, për të cilën ju sot po luftoni e bëni kaq përpjekje heroike. Jam mirënjohës për ndjenjat që po më dëshmoni në këtë pritje. Nga personi im ,nuk do të mbeteni të zhgënjyer.Pas pak kohe, ju do të më shihni në mes të luftëtarëve, për të fituar apo për të vdekur me ju!
3
Lord Bajroni, mori dijeni, që përveç Kosta Boçarit, të vëllait të heroit, në qytet jetonte dhe e motra Marua. Kur familja e Markos, u dërgua nga vetë ai, në Ankona të Italisë, Marua nuk pranoi të shkonte. Qëndroi për t’u kujdesur për të vëllanë. Tashmë ajo përjetonte dhimbjen e humbjes, një dhimbje krenare dhe priste miqtë e vonuar për kryeshëndoshë.
Zakoni e donte që ti shkohej e të ngushëllohej në shtëpi. Të ndahej me të dhimbja t’i rrëfehej se ajo s’ishte vetëm, por edhe të ngjallej shpresa në fitore, se jeta e heroit ishte gurthemeli në altarin e lirisë. Lord Bajroni, para se të shkonte te motra Maro, pyeti prefektin Metaksa, në se ishte mirë që t’i gjendej me një ndihmë në të holla.
”Jo i tha ai, ajo do ta ndjente veten të prozvalur, ndër shqiptarë, gjaku nuk paguhet me flori, gjaku lahet me gjak.”
Dhoma që zbardhte nga gëlqerja, në muret e së cilës luhatej flaka e qirinjve, ishte e ngrohur mirë nga zjarri që bramullinte në vatrën e oxhakut. Në krah të djathtë, në një kamare, një kandile i bënte dritë ikonës së Shën Marisë me të birin në pëqi.
Marua i priti më këmbë, u uroi mirëseardhjen e i ftoi miqtë të ulen në divane, teksa vetë u ul në krye të vendit kundruall tyre.
Lord Bajronit i mbetën sytë mbi të. Kishte para vetes një zonjë që i përngjante një statuje mermeri, si të dalë nga tragjeditë e Sofokliut, me tipare të skalitura, të hijshme, paksa të ngurtësuara nga koha dhe hidhërimet, me ca rrudhëza të mezidukshme në cepat e buzëve, me shikim krenar. Ishte e veshur e tëra me të zeza. I zi dhe shalli hedhur mbi supe, nga thekët e tij dukej se pikonte hidhërim. Ishin këto gra,-mendoi ai- këto nëna, shqiponja suljote, që lindnin dhe rrisnin të tillë trima.
Lord Bajroni theu heshtjen. U mundua t’i zgjidhte fjalët, sepse foli greqisht. I shprehu hidhërimin për ikjen nga jeta të Kapedan Markos, humbjen e tij e kishte qarë gjithë Suli, Greqia dhe Evropa mbarë dhe se ajo motra e tij ,familja dhe luftëtarët e lirisë duhet të krenoheshin dhe kthenin në qëndresë dhimbjen e vdekjes, të përkrahësit e luftëtarit më të fuqishëm të revolucionit grek. Se gjaku i tij dhe luftëtarëve të tjerë, vadiste dhe rriste pemën e lirisë aq të dëshiruar që, nuk do vonohej të fitohej dhe të jepte fryte……
U shërbyen raki dhe kafe pa sheqer.
Marua hodhi sytë nga Kosta. Ajo do të fliste shqip. Kosta do t’ia përkthente mikut.
- Më kanë thënë se vini nga një vënd i largët , e nga derë e fisme për të luftuar bashkë me ne. Kësisoj nderoni veten po edhe vëndin tuaj. U falënderoj për ardhjen në shtëpinë time, që është edhe e Markos dhe për fjalët që thatë për të ndjerin tim vëlla.
Heshti dhe priti që Kosta të përkthente mikut fjalët e saj, pastaj vijoi:
- Siç mund ta dini, ne jemi fis luftëtarësh dhe jeta nuk na ka kursyer nga vdekje të kësaj natyre, kur burrat vdesin jo në shtrat nga pleqëria, por në zjarrin e luftës. Që nga çasti që kemi njohur botën, nuk kemi dëgjuar të flitet për tjetër gjë, nga baballarët dhe vëllezërit tanë, veçse për luftëra dhe vdekje. Fëmijët i rrisim si luftëtarë. Jemi mësuar të bëjmë durim. Nga kjo shtëpi e prita dhe e përcolla tim vëlla, i lidha buzën, i mbylla sytë, e savanosëm me duart tona, i bëm tërë nderimet dhe e vajtuam me ligje sipas zakonit të vendit tonë, pastaj ja dorzuam kurmin tokës dhe shpirtin qiellit. Kështu qe e thënë.
Pas këtyre fjalëve çdo tjetër do të ishte e tepërt. Kjo ,Lord Bajronit I solli ndër mend dhe përfytyrim Zalongun, gratë e zëna dorë për dore që fluturonin në greminë me fëmijët në krahët e tyre.
Më mirë të vdekura sesa skllave e në robëri.
Këto ishin suliotet.
4
Kishte kaluar një muaj nga mbritja në Mesollongj.
Lord Bajroni pajtoi një shtëpi me qira. E bukur, ndërtuar me gur të bardhë të skalitur. E bollshme, me dy kate, bodrum e papafingo, me ballkon në katin e dytë. Shtabin e tij të luftës e vendosi në kat të dytë, në kat të parë garda suliote. Bodrumi ishte i mjaftueshëm për depozitimin e armëve, barutit dhe plumbave. Shtëpia gëlonte si zgjua bletësh nga hyrje-daljet e shumta dhe vizitorët, armatolët e sipërmarrësit.
Në qytet përditë mbërrinin vullnetarë: nga Morea, Kreta, Dodekanezi, gjermanë, venecianë ,lombardë, flamandë. Të gatshëm për luftë. Ndër ta edhe një officer anglez nga regjimenti i “Gjuetarëve të Uellsit”. Me suliotët si bërthamë dhe të ardhurit, vendosi të krijonte një regjiment. Për stërvitjen dhe përgatitjen e tyre për betejat e ardhshme, kujdeseshin kapedanët suljotë dhe togeri uellsian Xhon Klark.
Bashkë me Mavrokordatosin, qw ato dit’ erdhi në qytet, planifikuan sulmin për fortesën e Lepantit në gjirin e Korinthit. Atë qytet ku flotat evropiane kishin ngadhënjyer mbi flotën osmane në vitin e largët 1571.
Në ndërkohë pati ngjarje: qeveria greke me ne krye arvanitin Kundurioti, vendosi që lord Bajroni të shpallej qytetar grek, ti jepej atij shpata e luftëtarit dhe qyteti I Mesolongjit, ta regjistronte qytetar nderi në librin e vet.
Prefekti Metaksa vendosi të përgatitej një ceremoni solemne.
Ishte java e parë e shkurtit. Lord Bajroni, i veshur me kostum kombëtar dhe i shoqëruar nga garda suliote, u drejtua për në kishën e shën Spiridonit, mbrojtësit të qytetit. Kisha fekste nga drita e qirinjve të shandanëve dhe llampadarëve, teksa reja e tymit të temjanit aromatizonte atmosferën. Kisha ishte mbushur, sa si i thonë, s’kishe ku të hidhje mollën. Kori i fëmijëve këndonte psalme ku më së shumti dëgjohej “Qirje eleison”. Kryepeshkopi, me petrahil të qëndisur, me kryqin e artë varur mbi gjoks, mjerkrën krejt të thinjur, por çuditërisht me çere të freskët, bëri madhërisht kryqin , e bekoi dhe i zgjati shpatën dhe diplomën e qytetarisë. Lord Bajroni, mori diplomën por refuzoi shpatën. Ai gjykoi se nuk ishte ky vendi. Shpatën duhej ta merrte mbi varrin e heroit Marko Boçari, ndaj të cilit, disi ishte i detyruar edhe për ardhjen në Mesolongj.
-Hirësia juaj, dëshiroj që shpatën ta marr mbi varrin e heroit, kapedan Marko Boçarit.
Atypëraty, proçesioni i tërë, me gjithë gjindjen, në heshtje, dolën nga kisha dhe u drejtuan në varreza, për te varri i Marko Boçarit. Mbi qivurin, ngritur me mermer të çmuar,kryepeshkopi vendosi shpatën.
Lord Bajroni, i emocionuar, me një ngazëllim të shënjtë mistik, që i zgjoi në zemër e shpirt ndjenja trimërore të frymëzuara nga jeta e heroit suljot që, prehej në atë varr të shënjtëruar,duke i zgjedhur fjalët me kujdes, mbajti këtë fjalë në gjuhën greke:
- Qytetarë të Mesollongjit, hirësia juaj kryepeshkop, shkëlqesi pefekt Metaksa. Mirënjohje pafund për nderimin që më bëhet.
Cili është ai që prehet në amshim nën këtë mermer?
Cili zë madhështor del nga ky varr?
Ç’është ky varr nga ku del klithma dhe flaka e lirisë?
-Ç’po them?
A nuk është ky varri i Marko Boçarit, i vdekur para disa muajsh, që me një grusht trima, u vërsul mbi aradhet e shumta të armiqve të llahtarshëm dhe shpëtoi qytetin nga mynxyra e barbarëve?
Pyes veten: si guxoj unë ti afrohem këtij vendi të shenjtë ku prehet ai në amshim, unë që nuk kam as vyrtytet as heroizmin e tij?
Megjithatë, duke prekur këtë varr e duke marrë këtë shpatë, shpresoj se kjo shenjtëri do të mbushë zemrën time me trimëri e patriotizëm.
Pastaj u afrua nderoi i përkulur , puthi varrin dhe vetiu u shkreh në lot. Mori shpatën para duarve dhe e puthi.
I tërë populli i pranishëm brohoriti një zëri”Rroftë lordi Bajron”
E mbylli fjalimin me një fjali e cila i thoshte të gjitha:
-Helenë, shpresoj të jetoj me ju, të luftoj e ta mund armikun me ju, e po të jetë nevoja, të vdes me ju!
Përsëri brohoritje:”Rroftë lord bajroni!”
5
Përgatitjet për sulmin mbi Lepant po shkonin mirë por ngadalë. Lord Bajroni kishte ngut e padurim për një fitore. Përditë ndiqte me shumë kujdes përgatitjet. Nga Lepanti u kthye një zbulues që kishin derguar. Ai i dha togerit Xhon klark skicën me vendosjen e artilierisë, muret e kështjellës , llogoret e ledhet mbrojtëse. Kurse lord bajronin e vuri në dijeni se midis regjimentit të shqiptarëve myslymanë dhe regjimentit të aziatikëve(turqve ) kishte grindje që arrinin deri në gjakderdhje. Ai kishte takuar oficerin shqiptar, i cili i premtoi se në rast sulmi, ata nuk do të bënin qëndresë, do të dorzoheshin, por me kusht: të mos u prekej jeta dhe t’u paguheshin rrogat e prapambetura. Ky ishte lajm i mirë.
Kishte hyrë gjysma e dytë e marsit. Pranvera frymëngrohtë kishte ardhur me çeljen e lulebajameve, ditët më të gjata dhe qiell të kthiellët e të ndritur. Lord Bajroni ishte ulur në tryezën e punës ku ishin një pirg me letra që duheshin lexuar dhe kthyer përgjigje. Të parën hapi letrën që vinte nga miku i ngushtë Hobhauz. Ndër të tjera ai i shkruante: “Këtu, (në Angli) të gjithë ne miqtë e tu, e presim me ankth betejën fitimtare të Lepantit. Kjo fushatë, me siguri është më e lavdishmja që, një njeri mund të ndërmarrë. Ne ju kemi më shumë zili për atë që po bëni tani, sesa për të gjitha dafinat tuaja të së shkuarës, sado të bukura që ato të jenë…..”
“Ah, Hobhauz i dashur, sa më mungon shoqëria dhe fjala jote” psherëtiu ai. E vuri letrën mënjanë që t’i kthente përgjigje dhe vijoi të shfletojë letrat e tjera.
Në ditët që erdhën, filloi të mos e ndjejë veten mirë, iu shfaqën ethe. Në fillim ai si dha rëndësi, por gjëndja shëndetësore iu rëndua. Kishte ethe , balli i digjej, e thyenin djersët. Më nëntë prill i ra epilepsi. E shtrinë në shtrat. Mjekët e vizituan. Vunë re: temperature ishte e lartë, rrahjet e zemrës të shtuara dhe tensioni i gjakut i lartë. Ishte sëmurur nga tifua. I vunë kompresa me uthull dhe ujë të ftohtë dhe për të ulur tensionin e lartë të gjakut i morën gjak. Ai u qetësua por ishte i pafuqishëm dhe nuk mund të ngrihej. Dukej se po ia hidhte. Pas një jave i morën sërish gjak, por nga kjo s’pati dobi.
Ishte në jerm dhe fliste përçart.
Për të kujdeseshin dy infermiere nga spitali I qytetit dhe, dy kapedanët suliotë që i rrinin mbi kokë dit’ e natë.Trupi i tij i hajthëm dhe i drobitur nuk i bëri dot ballë së keqes. At Athanasi i bëri kungimin dhe vajimin e fundit. Pas etheve sfilitëse, u shua më 19 prill të 1824-ës.
E hidhur kjo vdekje, e këtij burri , e këtij poeti luftëtar,qytetar i botës, që aq shumë e donte jetën dhe lirinë.
Tupin e pajetë e savanosën dhe e shtrinë dyshekët mbi bangon e mermertë. Me duart e kryqëzuara mbi gjoks dhe sytë e mbyllur përgjithmonë, dukej sikur flinte. Kapedanët Xhavella e Fotomara bënë roje mbi trupin e tij. Më vonë ata thanë se s’kishin parë një të vdekur aq të bukur.Dukej sikur flinte. Në cepat e buzëve kishte ngrirë buzëqeshja. “U buzëqesh ëngjëjve”- tha Xhavella, - se edhe vetë ai ishte një ëngjëll” dhe s’ju mbajtën lotët. Qau që të lehtësonte dhimbjen. Iku në përjetësi ai që ishte sivëllai i tyre. Ata në luftë për ta mbrojtur do të jepnin edhe jetën, por nga kjo e keqe nuk mundën ta mbrojnë.
E kishin bërë me besa-besë, ai ishte i tyrja dhe ata të tijët.
-Lamtumirë , vëllai ynë lord Bajron, të qoftë i lehtë dheu që do të mbulojë. Qoftë me ty mëshira e Zotit. Prehu në paqe. Betohemi mbi trupin tënd se amanetin që na le, luftën për liri dhe çlirim, do t’a shpiem deri në fund, qoftë edhe me jetët tona.
Epilog.
Qeveria revolucionare greke, e kryesuar nga arbëreshi hidriot Gjergj Kundurioti, për vdekjen e lord Bajrionit shpalli zinë dhe ceremoninë kombëtare. Ranë perzishëm kambanat, në tërë kishat u falën mesha. E tërë popullsia në shenjë pikëllimi, vazhdoi të vishej me të zeza për 20 dit. U bënë 36 të shtëna artilierie, aq sa vjeç ishte lordi Bajron. Iu dërgua një letër e ngrohtë ngushëllimi vajzës së tij Adës. Ajo u shpall bijë e adoptuar e Greqisë, ndërsa lord Bajronin, qeveria e shpalli baba dhe mirënjohës të kombit.
Arkmorti i lord Bajronit u dërgua në Angli dhe u varros në kishën Santa Meri Magdalene të Nottinghampshire, pranë varrit të nënës së tij.
Monumenti i tij dhe Marko Boçarit ngrihen madhështorë në parkun e heronjve të Mesollongjit. Një basorelief me pamjen e tij është vendosur edhe në murin e kalasë së Tepelenës.
Fund
Mesollongj 2004- Tiranë, më 30 të vjeshtës së dytë, moti 2020.
Comments