LAKJA PAS RINGJALLJES


Resmi osmani

Tregim

Nga cikli “Koha e çudirave”

Pas ngjalljes nga ajo që u quajt vdekje klinike, Lakja po e merrte veten ngadalë.Ishte një lëngatë e çuditshme, kur asgjë s’të dhemb dhe gjithçka të ther e të sëmbon, e ajo këputja dhe shkrehja e gjithë kurmit, të bën të ndjehesh i lodhur, pa gjallëri, i tymtë , i havadantë dhe me mungesë dëshire për të gëzuar jetën.Sheqerja, e shoqja, i rrinte mbi kokë dhe e kujdesonte si të ishte një fëmijë i sapolindur. Mjeku që ajo thirri për ta vizituar, e gjeti atë mirë me shëndet, tha që ishte një gjendje apatike dhe që do të kalonte. I dha ca barna për fuqi.Për atë sëmundjen “apatike” Sheqerja, që të mos rrëfehej e paditur, nuk e pyeti doktorin, po me mëndje të saj, e mori për mërzitje. Lakja u bë ca kohë që nuk delte në qytet. Bezdisej kur e shihnin syshqyer e të çuditur, si një të ardhur nga bota tjetër. Shoku i ngushtë Cufe Zavalli, s’linte ditë t’i shkonte bosh pa i bërë një vizitë, sa për ta parë, rrëkëllyer një gotë të shkretë rakie dhe për të sjellë lajmet, të rejat dhe thashethemet.

Djali dhe vajza, që pinë atë kupë helmi të mynxyrshëm, dhe të çuditur e mahnitur kur e gjetën të atin të gjallë,pasi qëndruan disa ditë dhe u shmallën, ikën në punë të tyre, në Greqi dhe Gjermani. Të dy i thanë të atit që kur të bëhej për udhë, të shkonte mysafir te ata, të çlodhej por edhe të shihte botë me sy. Djali i la edhe lekët që do t’i duheshin për udhëtimin. Kur kaloi muaji dhe Lakja u bë mirë, e pleqëroi punën me sheqeren që të shkonin te djali në Athinë. “Çap ti, o baba. Unë se le dot vetëm shtëpi e katandi, pa kemi shpezurinat dhe dhinë. Desh Zoti, ishin mirë i pashë dhe më panë.”- i tha ajo dhe e mbylli atë muhabet. Lakja filloi përgatitjet. E para duhej nxjerrë pasaporta për jashtë për vete dhe Sheqeren. Dhe kjo donte një muaj kohë. S’ishin bërë mukajet më parë. Shkoi në gjendje civile.Pllakat e koridorit ishin të drangura dhe gjithandej të pështyra me ceflat e farërave të lulediellit.Gëlqerja e mureve e kishte humbur bardhësinë dhe vende-vende ishte ceflosur.Anës mureve në ca ndenjëse të drunjta ishin ulur dhe prisnin radhën nevojtarët.Tre sportelet, si ca sy të përgjumur,linin të dukeshin pas tyre nëpunëset të rrëgjuara e të bezdisura,që pyesnin, hapnin regjistrat e mëdhenj, shkruanin e vulosnin. Kur i erdhi radha, Lakja futi kokën te sporteli dhe përshëndeti. Nëpunësja,një lëneshë, fytyrë vrerosur, me rrudha që s’ja mbulonte dot kremi e pudra, hundë gremçe dhe sy të future thellë në zgavra. Në buzën e sipërme i dukej një nishan sa një bizele me një tufë qime. Lakja nuk e njihte.Nëpunëset ndërroheshin sa herë partitë vinin në pushtet. E ku e kanë psonisur? Kjo, mendoi ai, është si macja e zezë, që po e hase përpara ne mengjes po deshe që dita të mos shkojë ters, duhet të ndrrosh rrugën!

- Me se mund t’i shërbej zotërisë,kërkoni gjësendi? - zëri i saj vinte i ngjrrur si krrokamë dhe i zvargur, si e folura e një të përgjumure.

- Jo. Kalova këndej pari se më ra udha dhe u ktheva t’u shoh sesi ja kaloni.

Lënesha u kreshpërua dhe deshi të mbyllte sportelin, po Lakja e pengoi me dorë.

- Ngadalë moj pëllumbeshë. Kam një orë që pres në radhë. Njeriu s’vjen nga qefi këtu. Dua të bëj një pasaportë për të udhëtuar jashtë shtetit.Do të shkoj te djali.

- Ne s’jemi këtu për të bërë ju llogje. E sheh që jemi të mbytura në punë sa s’kemi kohë të marrim frymë! Letërnjoftimin!

Lakja ja dha. Ajo pasi e shqyrtoi, u ngrit dhe u drejtua te raftet ku mori një regjistër të madh me indekset e emrave dhe nisi ta shfletonte deri sa gjeti atë që kërkonte.Papritur ajo u step dhe e pa me një shikim zhbirues, u shfytyrua, pastaj ju shkreh:

- Me cilë tallesh ti?Pale,dukesh dhe goxha burrë!

Lakja s’po kuptonte gjë ngase asaj i erdhi ai mllef.

- Vjen të nxjerrësh pasaportë për një të vdekur!

- Jo, zonjë, për një të gjallë, që jam unë vetë, para teje, e që mund ta vertetosh me letërnjoftimin.

- Ç’na the! Iljaz Doko, figuron i vdekur dhe është çregjistruar nga libri i gjëndjes civile në bazë të akt-vdekjes, mbi bazën e të cilit është lëshuar leja e varrimit më datë….Ja shihe.

Në regjistrin familjar të gjendjes civile, emri i lakes ishte prishur me laps të kuq dhe anash ishte vënë shënimi me datën e vdekjes.

-Ashtu vërtet, po është punë e ngatërruar. Vdiqa dhe u ngjalla, dhe ja tek jam i tëri para teje.

- Kush je ti more, Jezu Krishti? Ti je kokrra e mashtruesit, një fallsifikator dokumentash. Ne punojmë me shkresa, u besojmë atyre dhe jo kujtdo, që ka vdekur e hiqet si i gjallë! Ti fizikisht mund të jesh i gjallë, por ligjërisht për ne je i vdekur dhe ne u bindemi ligjeve.Pikë!

I ndodhur para kësaj të papriture, Lakja u trondit dhe e humbi torruan. Mbeti si i ngrirë para sportelit dhe zëshuar pyeti:

-Po tani,zonjë, si i bëhet?

-Duhet të sjellësh një akt- ngjallje, të lëshuar nga ata që të shpallën të vdekur. Por më mirë ec e këshillohu me një avokat. Tashti shko në hall tënd, liroma sportelin se të tjerit po presin në radhë. Tjetri!

Lakja s’dinte nga të shkonte dhe i la këmbët kuturu, ta shpinin ku të donin. “Hall i gjallë e hal