LAJTHITJE NË MOSHËN E TRETË




LAJTHITJE NË MOSHËN E TRETË

 tregim nga Thani Naqo


Me Migenën u takua rastësisht në supermarketin Uoll Mart. Asaj i shkëlqyen sytë nga nostalgjia rinore dhe e ftoi të merrnin nga një sanduiç dhe kafe amerikane.

-Ti je pa punë, - tha ajo dhe i pagoi të gjitha.

Pavarësisht se vetullat e qerpikët linin përshtypjen sikur qenë përzhitur nga e nxehta e Floridës, fytyra e saj iu duk më fotozhenike se e të shoqes. Pas këqyrjes së paturpshme të skulptorit, befas, e mikloi:

- Tipare, vetulla e qerpikë kaq të natyrshme, i kanë zili edhe aktoret e Hollivudit.

Migena kapërdiu gllënjkën e kafes e klithi:

-O zot i madh! Pas njëzet vjet martesë, doli një mashkull e më pëlqeu kështu si jam!

Pasi shtoi se në kapitalizëm numërohen sekondat dhe jo vitet, u justifikua se nuk i mbetej kohë të respektonte, me vizita tradicionale, miqësitë e vjetra. Bënte dy punë e flinte pesë orë. Gëzimi, i shoqi, nuk e ndihmonte në punët e shtëpisë, “të paktën, - tha, - për landrin apo të bëjë pazarin.” Gëzimi kthehej nga puna i ngalluar me llaçra e bojëra.

-Më duket si qukapik larush, – tha ajo dhe qeshën të dy me krahasimin. Ndërsa ai e vëzhgonte me kërshëri estetike, Migena mbështeti bёrrylat mbi tavolinë e renditi të metat e të shoqit, duke palosur gishtat një e nga një.

E para: Gëzimi nuk di të zjejë vezë.

E dyta: me rrobat e punës shtrihet në kolltuk. Përton të bëjë banjë, por edhe se bën, përsëri del i larushitur nga bojёrat.

E treta: Gëzimi as është marrë e as merret me edukimin e fëmijëve. Djalin e ka zhdëpur në dru, vajzën e fshikulloi me rripin e pantallonave dhe ajo lajmëroi policinë. Pagova tre mijë dollarë avokatin që e nxora nga burgu.

E katra: fëmijët e tij, por edhe të të tjerëve, i duken të shpërfytyruar. “Është gjynah, por dhe e pamundur, - thotë me ironi, - t’ua ndryshosh mendjen, përderisa janë të lumtur në përzgjedhjen e stilit të jetës.”

E pesta: Në Shqipëri Gëzimi ka qenë kampion në tërheqje litari, kurse në Amerikë është kampion intrigash e pabesish.

E gjashta: dëgjon veç muzikë popullore; gërnetë, fyell, dajre e daulle.

E shtata…Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi, - tha Migena dhe qeshi. Atëherë ai pa gjuhën e saj të trëndafiltë, kur ajo lëpiu buzët. Pas çerek shekulli njohje, dalloi se edhe pjesën përqark gojës e kishte mahnitëse. Atëherë u kujtua se maturantët e quanin Migenën “zoçkë” për shkak se qe e shkurtër, gjimbushur dhe me pulpë e këllqe topolake. Ndërkohë që ajo ngriti gotën e kafes, atij i shkuan sytë tek nënsqetulla e parruar. Po ta kish parë e shoqja, do shprehej me ironi:

“Edhe në Amerikë mbeti femër e rëndomtë.”

Pikërisht atëherë u kurdis ta ngushëllojë Migenën se, martsa është eksperincë universale, ama, në moshën e tretë, shpërthejnë ndjenjat e tulatura rinore dhe askush nuk shpëton prej tyre. I tha se e shoqja ishte bërë grindavece dhe i kthente shpinën në shtratin e gjumit.

-Dyshoj se ka gjetur dashnor, - tha.

Atëherë Migena e pa drejt në sy, siç mund të shohë një femër e ngarkuar me dyshime dhe mllef. Ai vështrim i la përshtypjen se ajo ndjente keqardhje për të, një nga ato vështrime që pasohen me dridhjen e qerpikëve dhe lëvizjen mistike të buzëve. Ndërsa ai priti të dëgjonte “oh, i mjeri ti dhe e mjera unë,” befas, ajo përplasi pëllëmbët mbi gjunjë, tha:

-Njëlloj, njëlloj, njëlloj! Ja si ndodhi: na kish zënë gjumi qëkuri, por unë e ndjeva kur Gëzimi më puthi në buzë. U shalua mbi mua dhe më shtrëngoi fort. U befasova: O, zot, iu ngjall dashuria! - sepse kish një vit që më shihte vëngër, nuk më prekte e as më fliste. Mirëpo, ai shpërthim dashuror ma prishi gjumin tridhjetë e pesë ditë. Isha me fat; nuk kisha ngelur shtatzënë, por ende më terrorizon zëri i tij:

“S’jetoj dot pa ty, moj, Esmerkë e Bukur.”

Migena i tregoi se Gëzimi nuk e lejonte të ndizte dritën e vogël në dhomën e gjumit.

“Nuk dua të më shohë kamera e kompjuterit kur bëj dashuri me gruan time,” - justifikohet.

-Truri i shpik njëmijë pandehma që të mos bëjë dashuri me mua. Mezi orientohemi në errësirë. Në vend të shkojmë në banjë, hyjmë në dollapin e rrobave. Një natë Gëzimi ia ngjeshi me kokë derës. Koka i krisi si kungull. Ç’faj kam unë e shkreta, - tha me keqardhje. Mbështeti sërish bërrylat mbi tavolinë e numëroi pabesitë e të shoqit, duke mbledhur një e nga një gishtat, njëlloj si e shoqja e tij, dy javë të shkuara:

“E para: Gëzimi ka hapur llogari bankare sekrete në emër të tij.

E dyta: çohet në gjumë si sonmabul dhe kakarit si pulë.

E treta: në kuletë mban fotot e vajzave të shkollës së mesme dhe ato të fshatit të tij. Ç’kërkon Esmerka e Bukur në kuletën e tim shoqi? Ku e si e ka gjetur fotografinë e saj?

E katërta: Gëzimi zooteknik. Esmerka e Bukur mjelëse lopësh. Kanë dalë të dy në foto. Ne ishim të martuar në kohën që i ka shkuar asaj krahun pas belit. (Ky fakt bën muuuu! )

E pesta: Ç’e do se u martuam? Fillimisht Gëzimi vinte çdo javë në qytet, pastaj, pas një viti martese, njëherë në muaj. Jam gdhirë sypërlotur me qindra herë në shtratin bosh. (Në xhiron e mbrëmjes më dukej vetja se isha Vejushë me Burrë të Gjallë!)

E gjashta: Gëzimi, me sjelljen e tij prej rrugaçi, më ka shtyrë në ngasje që të bie në mëkat.

E shtata: Në kohën e komunizmit vishej me rroba shajaku, nga të barinjve dhe më ndiqte fshehurazi në qytet ku shkoja dhe me kë takohesha. (Ato rroba barinjsh na e mbushën shtëpinë me pleshta e morra!)

E teta: Unë, prej dhjetë vitesh, punoj në supermarketin e rrobave. Gëzimi vjen fshehurazi dhe më përgjon prej së largu. (Kish parë menaxherin tim, portorikanin, kur më përqafoi. Portorikani është i dashur dhe e ka huq se i përqafon të gjitha punonjëset. Ai më ka ngritur rrogën çdo vit, më

falënderon për punë të mirë, kurse Gëzimit i shkon mendja se unë jam pleksur me të!)

E nënta: kam pikasur eromë femrash në trupin e tij edhe kur punonte zooteknik, por edhe tani në Amerikë.

E dhjeta: Pesë vietet e fundit Gëzimi nuk më ka dhënë një dollar nga ato që nxjerr të shtunave dhe të dielave.

E njëmbëdhjeta: Gëzimin e kishin parë në plazh me një greçkë shëmtirë. (Shtrirë të dy në rërë dhe ai fërkonte me pëllëmbë vithet e saj.)

Migena hapi gishtat dhe u mbush fort me frymë. Piu një gllënjkë kafe, por kafeja i shkoi shtrembër dhe e zuri kolla.

-Përçartjet në gjumë dhe ëndrrat janë dëshira të parealizuara të moshës rinore, - i tha ai. Për t’ia bërë qejfin sërish Migenës i përsëriti edhe njëherë se ajo ishte akoma e bukur dhe duhej të tregohej e dashur me të shoqin. I premtoi se do të takohej me Gëzimin, do t’i fliste urtë e butë, si vëllai-vëllait, mirëpo ajo nuk qe bindur nga fjalët e tij.

-E di që je e bukur edhe kur je e zemëruar?

Atëherë Migena mbështeti gjoksin pas tavolinës dhe ai pa gjinjtë e spërkatura me prenka, por të fortë si shugje djathë deleje. Ajo afroi buzët fare pranë veshit të tij e tregoi të fshehtën:

-Unë e Gëzimi jemi ndarë me kohë, pavarësisht se jetojmë nën një çati. E kemi shtyrë divorcin për hatër të fëmijëve e druhemi nga opinioni. Mendja ma

thotë se ai do martohet me Esmerkën e Bukur. Gëzimi, me cilindo që takohet, flet për vendlindjen, për pulari dhe për racionet ushqimore të pulave. Është interesuar për çmimet e drithërave në Shqipëri. Sa mori vesh se kapanonet e repartit ushtarak në fshatin e tij nuk i ka blerë kush, urdhëroi të vëllanë t’i blejë me lek në dorë. Qysh prej një viti zhytet në llogari pulash. Ia lexova fshehur kartat: nga një pulë planifikon të marrë njëqind vezë në vit. Një vezë shitet njëqind lekë. Domethënë, një pulë sjell dhjetë mijë lek. Po njëqind pula? Një milion. Po njëmijë pula? Bëjnë dhjetë milionё. Po dy mijë pula? Para një muaji Gëzimi hapi krahët në gjumë dhe thirri:

“Unë e qeth vezën!”

-Atij i shkon mendja se unë do të braktis Amerikën që të mbledh vezët e pastroj glasat e pulave të tij. Nuk fle në dhomën e gjumit me mua, por shtrihet në divanin e sallonit. Të bëjë ç’të dojë. Fëmia  m’u rritën. Punojnë dhe janë për veten e tyre.

Ai i premtoi, për së dyti,se do ta takonte Gëzimin dhe t’ia hiqte mendjen nga kamerat e fshehta e nga ngritja e pularisë.

-Çdo premtim është i kotë, - tha Migena dhe vështroi orën. – Gëzimi, ka mbrritur në mes të oqeanit, - shtoi dhe qeshi e lumtur. Ai përfitoi nga lumturia e saj, e përqafoi dhe e puthi nxitimthi prapa veshit. Migena ngjeshi kokën në gjoksin e tij dhe u ngashërye për gati një minutë. Ndërkohë që mollëzat e gishtave i prekën gungëzën e lidhëses të sytjenave, u bind se Zoçkës të Gjimnazit nuk i mbetej kohë të qepte kopsa, ama kurmi i saj lavrak erëmonte njëlloj si në rini. Dëgjoi psherëtimën e thellë femërore dhe, së bashku me ajrin edhe atë, dyshimin e hidhur, që e kishte ndjekur për çerek shekull në dy kontinente:

-Në kuletë mban edhe foton e gruas tënde.


#thani #naqo #tregime #fjalaelirelonder

77 views1 comment

Shkrimet e fundit