top of page

Labinot Dizdari: Gjeneralogjia e vëllaznisë Dizdari

  • 14 hours ago
  • 2 min read

 

Promovohet libri i Sherif S. Dizdari: “Gjeneralogjia e vëllaznisë Dizdari të fisit Hoti në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës”


Nga Labinot Dizdari

 

Në një atmosferë të veçantë kulturore e studimore u promovua libri i autorit Sherif S. Dizdari, një vepër që hedh dritë mbi historinë, rrënjët dhe shpërnguljet e vëllazërisë Dizdari të fisit Hoti në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës.

Në këtë aktivitet morën pjesë profesorë, studiues, familjarë dhe dashamirë të librit, të cilët vlerësuan lart rëndësinë e këtij botimi si një kontribut i çmuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe identitetit kombëtar.

Sipas studiuesit Labinot Dizdari, ky hulumtim nuk përbën vetëm një përmbledhje faktesh historike, por është një përpjekje serioze për të dokumentuar dhe ruajtur trashëgiminë familjare dhe kombëtare. Studimi është mbështetur kryesisht në dëshmi gojore dhe kujtime të brezave më të vjetër të familjes, përfshirë rrëfimet e nënës Ryve Dizdari, motrave të babait Ali, si dhe të afërmve të tjerë.

Duke pasur parasysh shkatërrimin e dokumenteve gjatë luftës së Kosovës (1998–1999), autori ka përdorur metoda krahasuese, duke verifikuar të dhënat përmes burimeve të shumta gojore, me qëllim që libri të mbetet një referencë sa më e besueshme për brezat e ardhshëm.

Studimi sjell në vëmendje sakrificat, lëvizjet dhe qëndresën e kësaj vëllazërie ndër shekuj. Për më shumë se dyqind vjet, një pjesë e familjes ka jetuar në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër në Kosovë dhe në treva të tjera shqiptare. Megjithatë, lidhja shpirtërore dhe kombëtare mes tyre nuk është shkëputur asnjëherë.

Kjo lidhje u dëshmua fuqishëm në periudhat më të vështira historike. Vëllazëria Dizdari ka dhënë kontribut të rëndësishëm në çështjen kombëtare, duke mbështetur rezistencën dhe përpjekjet për liri. Veçohet kontributi i axhës Shefqet në ndihmën ndaj grupeve të rezistencës, si dhe sakrifica e dëshmorëve të kësaj vëllazërie në luftën për çlirimin e Kosovës.

Po ashtu, edhe pjesëtarët e familjes në Kosovë kanë qenë aktivë në organizimet e hershme për liri që nga viti 1994. Gjatë luftës, burrat e kësaj vëllazërie nga zona të ndryshme si Kosuriqi, Peja, Krusheci, Zllopeku dhe Smolica u rreshtuan në vijat e para të frontit. Nga mosha 16 deri mbi 60 vjeç, ata vazhduan traditën e qëndresës së fisit Hoti për mbrojtjen e trojeve dhe identitetit kombëtar.

Në këtë frymë sakrifice, edhe brezat e rinj kanë ndjekur rrugën e të parëve, duke ruajtur idealin për bashkim kombëtar dhe për një Shqipëri të lirë e të bashkuar.

Një rol të veçantë në ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve familjare ka luajtur autori i librit, Sherif Dizdari, i cili me përkushtim ka mbledhur dokumente, dëshmi dhe kujtime që sot përbëjnë një trashëgimi të vyer për gjithë vëllazërinë. Falë punës së tij, jo vetëm që është dokumentuar historia e familjes, por janë forcuar edhe lidhjet mes brezave.

Ky botim vlerësohet si një urë mes së kaluarës dhe së ardhmes, një dëshmi e gjallë e identitetit dhe e vazhdimësisë së traditës. Ai dëshmon se çdo familje që ruan historinë e saj, kontribuon në ruajtjen e historisë kombëtare.

Në përmbyllje të aktivitetit u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe u shpreh dëshira që Shqipëria të jetë e bashkuar, e fortë dhe e begatë, ashtu siç e kanë ëndërruar brezat ndër shekuj.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page