top of page

Kërrabat

Updated: Nov 19, 2022


Kërrabat

Tregim nga Fatmir Terziu


Nuk mund të flija atë natë. Pasditja që më kishte shtrënguar dorën time të djathtë më dukej se mbante ende peng ato kërraba të rrjeshtuara, si një ushtri e vogël uniforme në fletoren time të Bukurshkrimit, e që më dukej se tendosej si një kokëkryeneçësi e kryqëzuar mes dorës së babait dhe dorës sime të vogël e të brishtë.

Ishte java e dytë e Klasës së Parë. E ajo ishte një ushtri kërrabash me kokën poshtë dhe lart. Ishte Detyrë Shtëpie. Babai që kishte ëndërruar për një djalë, dhe jo vetëm kaq për një djalë, por për një model në mësime, tashmë nuk e kishte më ëndërr. Në dorën e tij të djathtë mbahej fort dora e djalit të tij, pra dora ime. E ashtu të dy duart shtrëngonin fort penën kineze që ngjyhej me bojë tush dhe drejtohej të bënte atë që ishte kërkuar nga mësuesi i Klasës së Parë.

Nuk ishte një lojë. Nuk ishte as dhe një gjë e lehtë për dorën time, ndërsa në mendjen e babait ajo që mbetej, dhe ajo që shënohej ishin më shumë se një detyrë. Mua më ngjante si një shaka, por që kishte ndoshta një kuptim tjetër, të cilin unë atëherë nuk e kuptoja. E kështu detyra ime e parë e shtëpisë më detyroi që të kapja me kërraba pushtetin e vijave të drejta e të bardha të fletores së Bukurshkrimit. E me këtë detyrë ishte një risi që mësova të rrjeshtoja një ushtri, pa e kuptuar, por ama, një ushtri të disiplinuar kërrabash.

Ishte një kapje e bardhësisë? Po. Në fakt ishte një lloj imagjinate që bënte detyrën. Detyrën e Shtëpisë me kërraba.

Kërrabat parakalonin përpara zixllave të syve të mi. E duart më dukej se i mbathnin e i armatosnin me stilin e tjetërsuar të disiplinës në një rrjesht. Uniforme. Dhe kjo e zbrazur uniforme në fletën e bardhë, ashtu e shtrirë mes vizave të fletores dhe bardhësisë së saj, më mbajti peng të paktën tre javët e para të shkollës.

Pas këtyre tre javëve, dora ime nuk kishte më nevojë për dorën e babait, por sidoqoftë sytë e tij ishin pak më shumë shtrëngim se dora e tij në dorën time. E ndjeja zhvendosjen e tyre. Sytë e babait më ndiqnin përditë në rrjedhën e të shkruarit mbi fletore.

Më dukej se edhe shkrimi i atyre gjërave të para ishte sikurse vetë rrjedha e jetës. Në fillim je një foshnjë, pra një bebe, pastaj zvarritesh, çapitesh dhe ngrihesh e më pas herë ngrihesh e herë rrëzohesh derisa mban ekuilibrin dhe tërë disiplinimi të bën të hedhësh hapin e duhur e të ecësh në jetë.

Kështu nisi dhe shkrimi. Sikurse të mësuarit e atyre gjërave ndryshe, edhe të shkruarit e gërmave, fjalëve, fjalive, e më shumë më sillnin kuptimin e vetë jetës. E unë e nisa me kërrabat. Ato kërraba të përthyera me peshën që u jepte dora dhe pena ime më këshilluan që të mbaja ekuilibrin në të shkruar.

Dhe jo më kot më thoshte babai, se shkrimi dhe të shkruarit është si vetë jeta, si do ta nisësh do ta bitisësh. Nuk kisha më kohë për të humbur. Duart e mia kërkonin gjithnjë e më shumë penën, fletoren, librin, shkrimin.

Shkrimi! Shkrimi më ndiqte tërë udhën e ditës. Edhe kur nuk shkruaja në të vërtetë, mendja më dukej se imitonte atë që s'e bënin duart. Duart nuk kërkonin ëmbëlsira, akullore, gurabije, por penën, fletoren, librin. Asnjëherë në buzët e mia nuk mund të ndjeje shije tjetër, veçse bishtit të penës, të cilin e kisha sakatuar instiktivisht duke e mbajtur penën në dorë.

Duart e mia më dukej se nuk kërkonin lodra. E fundja isha një fëmijë. Nuk mund ta them se lojërat nuk i kam dashur. Nuk mund ta them. E ç'rëndësi kanë të gjitha këto, kur goja ime ishte mjaft herë vetëm me bojë. Shokëve e bashkëmoshatarëve u dukej sikur unë pija bojë. E imagjinoni të pihej ajo bojë? Një shishe plastike, nga ato që nuk u derdhej boja, mbushej në darkë e mbaronte në mesditë. Unë vetëm shkruaja.

Vërtet vetëm shkruaja. Nuk mbaj mend që të kem luajtur ndonjëherë pa bërë detyrat. Nëse do të ndodhte e imagjinoni si do të ndjehesha?

Në ditëlindjen time pas festës së Abetares, erdhën disa të afërm. Mes tyre kishte gëzim. Festohej ditëlindja e një djali të lindur pas disa vitesh martesë dhe normalisht disa më mbushën xhepat e vegjël me dhjetëlekëshe. Ndërsa ata nisën festën, festë e asaj kohe, unë nisa të numëroja në një kënd dhjetëlekëshet e reja. I bëra tufë. Dhe menjëherë vrapin e ndala tek libraria. Kërkova mes librave. Bleva dy librat e mi të parë. Njëri ishte „Djemtë e Rrugës Pal“ dhe tjetri „Si u kalit çeliku“.

Kur erdhi babai të më përqafonte nëna ime e dashur më kishte mbukuar me një batanije pambuku. Por unë nuk po flija. Kisha frikë se do të më kërkonin llogari për paratë që më kishin dhënë të Tjerët në atë ditëlindje.

Edhe atë natë fjeta me gjysma.

Në mëngjes babai u afrua pranë meje dhe pasi më përqafoi më pyeti se sa faqe kisha lexuar nga „Djemtë e Rrugës Pal“. Unë shtanga dhe nisa të flisja për librin…

Me lekët e tjera që më kishin mbetur bleva dhe dy libra të tjerë.

Sa futa në derë dëgjova një zë nga dhoma ngjitur.

-Prapë libra? Po të kishe blerë ndonjë gjë tjetër për vete…“

Ishte zëri i gjyshit kësaj radhe, ai që më shumë se zëri i babait tregonte më shumë përkujdesje.

-Prapë libra?

Në atë rast mendimi më shkoi për keq. Imagjinata shkonte përtej atij togfjalëshi. Por në fakt ishte ndryshe. Të gjithë më kuptonin? Vërtetë a më kuptonin?

Ndoshta mund të ishte më e vështirë, nëse do të më kuptonin dëshirën time, dashurinë për librin. Gjyshi më thoshte se edhe Zoti i do ata që lexojnë libra. Gjyshja shakatonte, e i kthehej Gjyshit, „E ku e di Zoti se kush lexon e kush blen libra?“

Unë isha më i përfituari. Nuk futesha në debate. Vetëm libra. Libra, dhe me to flija dhe me librat zgjohesha. Për ditë libra, përditë shkrime. Vitet kalonin. Vitet fluturonin. E dora ime kurë nuk e ndau dorën e dytë mbi të. Kurë nuk e largoi syrin dhe peshën e atij syri mbi atë dorë. Shkroi. U bekua. Dhe ashtu ka mbetur e tretur në atë ushtri kërrabash, në atë bardhësi mes vijave të Bukurshkrimit, me dritën që vjen nga lart, dritën e mallit, për një pasuri të madhe që më mbeti nga dëshira dhe dashuria e babait.

Nuk mund të flej edhe këtë natë. Nuk mund të flej …, është një ushtri e tërë kërrabash të reja, të ndjera, që mbushin bardhësinë e hapësirës kompjuterike e më tërheqin me stilin e shkrimit. Jeta është vërtet e çuditshme, ashtu si do ta nisësh, ashtu do ta bitisësh…

88 views16 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page