Fatmir Terziu: Bota

Fatmir Terziu: Bota
Kur shkela për herë të parë në Spahikore, syri më zuri, anës rrugës së shtruar me gurë të vegjël, tip kalldrëmi, një grua të moshuar me çintiane të mëdha. Ishte e përkulur mbi lulet që ujiste pranë portës së shtëpisë, aq e përfshirë në atë punë të vogël, sa dukej sikur nuk po ujiste thjesht disa lule, por po i jepte ujë vetë ditës që sapo kishte nisur. Trupi i saj pothuajse humbiste brenda asaj rrobe të gjerë e të madhe dhe vetëm duart, të zgjatura drejt luleve, tregonin se brenda asaj figure të kërrusur kishte ende një botë të tërë që nuk ishte dorëzuar. Kur kalova pranë saj, ajo zgjati duart dhe më tha diçka që më bëri të qesh, pastaj menjëherë tha se kishte bërë shaka. Kështu ishte dita e parë. Nuk e dija atëherë se disa njerëz nuk hyjnë në kujtesën tënde me ndonjë ngjarje të madhe, por me një gjest të vogël, me një fjalë të çuditshme, me një shaka pranë një porte, dhe se pas shumë vitesh do të kujtosh jo vetëm fytyrën e tyre, por edhe mënyrën se si e shihnin botën.
Ditët e tjera ajo vishej ndryshe, ndoshta me rrobat tradicionale të krahinës nga kishte ardhur, por ama na fliste përditë. Ne shkonim për në shkollë dhe gjithnjë merrnim prej saj një mëngjes dhe një mirëdita, sikur rruga jonë të mos mund të niste pa kaluar më parë nëpër atë zë. Një ditë nisi të na tregonte histori. Në fillim ne qeshnim, pastaj dëgjonim më me kujdes, sepse ajo dinte të niste nga një gjë fare e zakonshme dhe, pa e kuptuar si, të na çonte diku tjetër. Njëherë, pas një heshtjeje të vogël, na pa me atë shikimin e saj të mprehtë dhe tha: “Po ju them diçka që bota nuk ka dashur kurrë ta pranojë. Humori dhe seksi mund të jenë në një vend. Pse jo? Njerëzit duan të qeshin, burrat e gratë duan të afrohen, dhe kur këto dy gjëra takohen, ndodh një shpërthim që ndonjëherë është më i fortë se çdo fjalë serioze. Mos u trembni nga fjala, sepse fjala nuk është turp. Turp është të jetosh gjithë jetën duke u shtirur sikur nuk ke trup, dëshirë, frikë e dobësi.”

Ajo qeshi vetë me atë që sapo kishte thënë dhe vazhdoi sikur të ishte duke rrëfyer diçka shumë të zakonshme: “Unë do t'ju tregoja për burrat që kam njohur, për çastet kur kam qeshur me ta, për ato çaste kur dashuria dhe dëshira kanë hyrë në të njëjtën derë, por edhe për situatat absurde në të cilat një grua mund ta gjejë veten, herë me dëshirë e herë pa e kërkuar fare. Sepse, më besoni, pjesa më qesharake nuk është gjithmonë ajo që ndodh, por mënyra se si burrat përpiqen ta marrin veten shumë seriozisht kur u ndodh. Mund t'i shoh edhe tani fytyrat e tyre, të habitura, të indinjuara, të gatshme të mbrojnë nderin e madh mashkullor. ‘Po këto lodra nga dolën? Ç'janë këto? Ne jemi njerëz seriozë!’ E pastaj, pas gjithë asaj fytyre të rëndë, jeta vazhdon dhe njeriu kupton se edhe më seriozi prej tyre është vetëm një njeri që di të skuqet, të qeshë, të dëshirojë dhe të bëjë ndonjë marrëzi.”
Ajo e ngriti dorën, sikur të kërkonte që askush të mos kundërshtonte, dhe vazhdoi: “Burra të fortë, të guximshëm, të zgjuar, mos u zemëroni. Ne gratë ju duam, ju admirojmë dhe kemi nevojë për ju, edhe atëherë kur bëjmë sikur nuk kemi nevojë. Ndoshta kjo është pjesa më e bukur dhe më qesharake e kësaj loje. Secili prej nesh e di se nuk mund të bëjë pa tjetrin, por përpiqet të mos ia pranojë vetes. Ju doni të dukeni të pathyeshëm, ne duam të dukemi të pamposhtura, dhe ndërkohë jeta na mëson se askush nuk është as njëra, as tjetra. Prandaj mos e ktheni këtë lojë të përjetshme mes gjinive në luftë. Ruani brenda vetes një copë fëmijë, sepse vetëm fëmija di të luajë pa e kthyer çdo lojë në betejë. Luani me sinqeritet, me kënaqësi, me respekt dhe, mbi të gjitha, qeshni me veten.”
Pastaj, si të donte ta mbyllte ligjëratën e saj me një të vërtetë që kishte ardhur ta mësonte pas shumë vitesh, tha: “Ka fusha ku duhet një mendje e vendosur, një dorë që vepron, një forcë që e shtyn jetën përpara, dhe atje, burra të dashur, ju jeni në elementin tuaj. Por ka edhe çaste kur nuk duhet të shtysh, por të kuptosh; nuk duhet të fitosh, por të pajtosh; nuk duhet të flasësh, por të ndiesh atë që tjetri nuk po arrin ta thotë. Atëherë gratë kanë një fuqi tjetër. Nuk është më e madhe, nuk është më e vogël, është thjesht ndryshe. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron sekreti që ne e kemi harruar, dy gjinitë nuk janë dy ushtri përballë njëra-tjetrës. Janë dy pjesë që mund të përshtaten, të plotësojnë njëra-tjetrën dhe të krijojnë një pamje që asnjëra nuk mund ta krijojë vetëm.”
Ne e dëgjonim dhe nuk dinim nëse duhej të qeshnim, apo të mendonim. Ajo, ndërkaq, ishte kthyer sërish nga lulet. Sikur gjithë ajo bisedë të mos kishte ndodhur fare, mori enën e ujit dhe nisi t'i lagte një nga një. “Shikoni,” tha pa u kthyer, “bota është pikërisht kështu. Është një enigmë e madhe dhe secili prej nesh është një copë e saj. Problemi është se ne duam të futemi me zor në çdo vend, edhe aty ku nuk përshtatemi. Duam të ndryshojmë tjetrin, ta bëjmë si veten, dhe pastaj çuditemi pse nuk del tabloja. Duhet të gjejmë se cila copë përshtatet me cilën, jo cila është më e fortë. Dhe kjo lojë mund të zgjasë një jetë të tërë.”
Më vonë, shumë më vonë, kam menduar se ajo grua nuk po fliste vetëm për burrat dhe gratë. Ndoshta ajo po fliste për njerëzit. Për mënyrën se si e kemi ndërtuar botën mbi një keqkuptim të vjetër, se për të qenë i fortë duhet të jesh mbi tjetrin. Se për të fituar duhet të humbasë dikush tjetër. Se dallimi është kërcënim dhe jo mundësi. Se njëri duhet të ketë të drejtë që tjetri të ketë gabim. Ndoshta ajo, pa e ditur, po na jepte një mësim që sot, në një botë të mbushur me mure, kufij, luftëra, urrejtje dhe njerëz që flasin gjithnjë e më shumë e dëgjojnë gjithnjë e më pak, tingëllon më i madh se sa dukej atëherë. Tani mendoj se ajo grua e kuptonte diçka që bota moderne e ka harruar në zhurmën e saj: nuk mund të ndërtohet një tablo vetëm me një ngjyrë. Nuk mund të bëhet një kalldrëm vetëm me një gur. Nuk mund të krijohet paqe duke kërkuar që të gjithë të mendojnë njësoj. Dhe nuk mund të ketë dashuri nëse njëri hyn në jetën e tjetrit për ta pushtuar atë. Ndoshta edhe marrëdhënia mes burrit dhe gruas, me gjithë humorin, dëshirën, trupin, gabimet, xhelozitë, keqkuptimet dhe pajtimet e saj, është një provë e vogël e asaj që njerëzimi duhet të mësojë në përmasën e madhe: të jetojë me ndryshimin pa e kthyer atë në armiqësi.
Kur e kujtoj tani, e shoh përsëri atë rrugë të vogël të Spahikores, gurët e saj, portën, lulet dhe gruan e përkulur mbi to. Më duket sikur ajo nuk po ujiste vetëm lulet, por po ujiste një ide për botën. Një ide që nuk kishte nevojë për libra, universitete apo konferenca ndërkombëtare. Mjaftonte një grua, një portë dhe disa lule. Mjaftonte një shaka. Mjaftonte të kuptoje se njeriu është qesharak kur e merr veten shumë seriozisht dhe i bukur kur pranon se ka nevojë për tjetrin. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse fjala e saj më është kthyer kaq gjatë në kujtesë: “Le ta shijojmë lojën.” Jo lojën si mashtrim, jo lojën si pushtet, jo lojën si luftë, por lojën e të qenit njerëz. Të ecim pranë njëri-tjetrit, të qeshim kur mundemi, të duam pa e kthyer dashurinë në pronësi, të dimë të jemi të fortë kur duhet dhe të përkulemi kur duhet, të gjejmë copën tonë në tablonë e madhe dhe të mos e shqyejmë tablonë vetëm sepse nuk jemi në qendër të saj. Dua ta rishtjelloj, se Bota, ndoshta, nuk është ajo që shohim nga larg. Bota është ajo që ndodh pranë një porte, kur një grua ujit lulet dhe një fëmijë ndalon për ta dëgjuar, është ajo që ndodh kur dy njerëz qeshin pas një serioziteti të panevojshëm; është ajo që ndodh kur një burrë dhe një grua kuptojnë se nuk kanë ardhur për të mundur njëri-tjetrin, por për të gjetur mënyrën se si të përshtaten; është ajo që ndodh kur një njeri, për një çast të vetëm, nuk pyet se sa i madh është vetë, por sa vend ka në zemrën e tij për tjetrin. Dhe atëherë, vetëm atëherë, rruga me gurë të vegjël nuk duket më si një rrugë e zakonshme. Ajo bëhet vetë Bota.
Dhe pikërisht aty, mes një rruge të vogël të Spahikores dhe një bisede që mund të dukej krejt e zakonshme, më është dukur gjithmonë se fshihej diçka shumë më e madhe se lagja, qyteti, vendi, apo koha jonë. Bota ka një mënyrë të çuditshme për të na mësuar gjërat më të mëdha përmes gjërave më të vogla. Një grua ujit lulet dhe ne mësojmë për jetën. Një burrë qesh me veten dhe ne kuptojmë se sa e brishtë është krenaria. Dy njerëz afrohen dhe largohen dhe, pa e kuptuar, kanë përsëritur në një dhomë të vogël atë që njerëzimi ka bërë prej mijëra vjetësh në një planet të tërë. Ata kanë kërkuar njëri-tjetrin. Ndoshta për këtë arsye humori dhe dashuria kanë qenë gjithmonë më pranë njëra-tjetrës nga sa kemi dashur ta pranojmë. Njeriu qesh më shumë aty ku ndihet i çliruar dhe dashuron më thellë aty ku mund të heqë për pak kohë mburojën e seriozitetit. Edhe ajo që quajmë intimitet, në thelb, është një marrëveshje e heshtur për të qenë për një çast më pak të mbrojtur përpara tjetrit. Prandaj, kur njerëzit bashkojnë dëshirën me humorin, ndodh diçka e fuqishme, jo sepse humori e zvogëlon dashurinë, por sepse ia heq asaj atë madhështinë artificiale me të cilën shpesh e mbështjellim. Njeriu që nuk di të qeshë me veten rrezikon ta kthejë edhe dashurinë në një gjykatë, ndërsa ai që di të qeshë e kupton se afërsia nuk është pushtet mbi tjetrin, por një mënyrë për të mos mbetur vetëm përballë vetes.
Kam menduar shpesh për burrat dhe gratë, për mënyrën se si hyjnë në jetën e njëri-tjetrit, për ato çaste kur gjithçka duket e rëndësishme dhe për ato çaste të tjera kur një gjë e vogël, një fjalë, një shikim, një keqkuptim apo një shaka e pavend e kthen gjithë madhështinë e skenës në një komedi të vogël njerëzore. Ndoshta komikja lind pikërisht aty ku njeriu e merr veten shumë seriozisht. Sa më bindshëm përpiqet dikush të duket i pathyeshëm, aq më qesharak bëhet kur jeta i kujton se është vetëm njeri. Burra të fortë, të guximshëm, të zgjuar, gra të bukura, të mençura, të ndjeshme, secili prej nesh hyn në botë me bindjen se e di se çfarë është, dhe pastaj kalon një jetë të tërë duke zbuluar se nuk e ka ditur ende.
Kjo lojë mes burrit dhe gruas është ndoshta një nga lojërat më të vjetra të njerëzimit, por nuk është një luftë, edhe pse shumë herë ne kemi dashur ta bëjmë të tillë. Burri kërkon të jetë i fortë, gruaja kërkon të ndihet e sigurt. Burri kërkon të zgjidhë, gruaja shpesh kërkon të kuptojë. Njëri afrohet përmes veprimit, tjetri përmes intuitës, por asnjëri nuk është një botë e plotë pa tjetrin. Ka raste kur duhet forca, vendimi, qëndrueshmëria dhe veprimi, dhe atëherë burri ndihet në elementin e tij. Ka raste të tjera kur duhen finesa, durimi, ndjeshmëria, aftësia për të dëgjuar edhe atë që nuk thuhet dhe për të pajtuar atë që duket e papajtueshme, dhe aty gruaja mund të shfaqë një forcë që nuk matet me muskuj, zë apo pushtet. Por në të dyja rastet, ajo që duket si dallim mund të jetë në të vërtetë një mundësi për plotësim.
Ndoshta kjo është arsyeja pse bota nuk është ndërtuar si një trup i vetëm, por si një mozaik. Secili prej nesh është vetëm një copë e saj, një fragment që kërkon vendin ku përshtatet. Ne lindim duke menduar se duhet ta gjejmë botën, ndërsa ndoshta ajo që duhet të gjejmë është vendi ynë brenda saj. Dhe kjo është shumë më e vështirë. Një gur i vogël në një rrugë mund të jetë i padukshëm për mijëra njerëz, por nëse hiqet, dikush mund të pengohet pikërisht aty ku ai mungon. Një grua që ujit lulet pranë një porte mund të mos ketë lënë emër në ndonjë libër, por mund të ketë lënë në kujtesën e një fëmije një mëngjes që do të zgjasë më shumë se shumë libra. Një fjalë e thënë rastësisht mund të shpëtojë një njeri nga një ditë e rëndë, ndërsa një fjalë e menduar keq mund të hapë një plagë që nuk duket.
Kështu është Bota! E madhe në hartë, por e pafund në gjërat e vogla. Ne flasim për kufij, kombe, ekonomi, luftëra, fe, ideologji, pushtete dhe qytetërime, ndërtojmë mure dhe pastaj habitemi pse nuk dimë të jetojmë me atë që është në anën tjetër të tyre. Flasim për të ardhmen e njerëzimit dhe harrojmë se njerëzimi fillon aty ku një njeri i thotë tjetrit “mirëmëngjes”. Flasim për paqen në botë, por shpesh nuk dimë të bëjmë paqe me njeriun që kemi pranë. Kërkojmë drejtësi për miliona njerëz dhe, ndërkohë, mund të mos e kuptojmë dhimbjen e një njeriu të vetëm që na pret në një portë. Ndoshta problemi ynë global nuk është se bota është bërë shumë e madhe, por se zemra jonë nuk ka ditur të zgjerohet me të.
Prandaj më kthehet shpesh në mendje ajo grua e Spahikores. Ndoshta nuk e dinte se po më jepte një mësim. Ndoshta as vetë nuk e mendonte se duart e saj mbi lulet do të mbeteshin diku në kujtesën time. Ajo thjesht ujiste lulet, fliste me kalimtarët, bënte shaka dhe u jepte mëngjes njerëzve që shkonin në shkollë. Por ndoshta pikërisht kjo është mënyra më e vërtetë se si ndërtohet bota, jo nga deklaratat e mëdha, por nga miliona gjeste të vogla që nuk hyjnë në histori. Dhe në fund, kur mendoj për burrin, gruan, dashurinë, humorin, trupin, dëshirën, vetminë dhe gjithë ato marrëdhënie të çuditshme që na bëjnë të qeshim e të vuajmë, më duket se jemi ende duke kërkuar copën tonë të enigmës. Secili kërkon dikë që të mos e plotësojë, sepse askush nuk është gjysma e askujt, por dikë që të përshtatet me të në një mënyrë që e bën të mundur ecjen. Si dy gurë të ndryshëm të një kalldrëmi që, vetëm kur vendosen pranë njëri-tjetrit, bëjnë të mundur që dikush të kalojë.
Ndoshta kjo është e gjithë filozofia që na duhet, të mos kërkojmë të jemi e gjithë bota, por të gjejmë vendin tonë në të. Të mos e kthejmë ndryshimin në luftë, dashurinë në pronësi, forcën në pushtet dhe humorin në tallje; të dimë të qeshim kur jeta na rrëzon nga piedestali dhe të dimë të përkulemi kur një tjetër ka nevojë për dorën tonë. Sepse bota, në fund të fundit, nuk mbahet vetëm nga ata që ndërtojnë qytete, shkruajnë ligje apo drejtojnë shtete. Ajo mbahet edhe nga një grua e moshuar që ujit lulet pranë portës së saj dhe i thotë një fëmije “mirëmëngjes”, pa e ditur se, për atë fëmijë, ajo portë do të bëhet një ditë një nga hyrjet më të largëta drejt kuptimit të jetës. Me sa duket, bota nuk është gjë tjetër veçse kjo, një rrugë e gjatë me gurë të vegjël, ku ne ecim pranë njëri-tjetrit, qeshim, dashurojmë, gabojmë, ndahemi, kthehemi, kërkojmë vendin tonë dhe, ndërsa mendojmë se po shkojmë drejt së ardhmes, kuptojmë se çdo hap që hedhim po na mëson diçka për fillimin.








Comments