KËRKIMTARI ERUDIT

(Përsjatje rreth veprës "Fjalor Frazeologjik i Gjuhës Shqipe" dhe krijimtarisë së Profesor Doktor Eshref Ymerit.) Një nga gëzimet e veçant që kam përjetuar së fundmi ka qenë dhurimi nga Prof. Dr. Eshref Ymeri i kryeveprës së tij "Fjalor Frazeologjik i Gjuhës Shqipe". Shtangesh me fuqinë mbinjerëzore të Autorit për një realizim të tillë kaq vëllimor e thellësisht shkencorë, shto dhe fjalorët frazeologjik italisht-shqip, rusisht-shqip, anglisht-shqip e frëngjisht-shqip prej mijëra e mijëra faqe, për të cilët do duheshin grupe profesionistësh t'i kryenin. Ndërsa e falenderova për dhuratën e çmuar, u trishtova kur mësova që botimin e kishte paguar me lekët e pensionit. Prandaj iu luta t'ia paguaja dërgesën e postimin, por nuk pranoi absolutisht. Më preku gjesti. Kishte qenë i shtërnguar të paguante nga pensioni, pasi kërkesës së tij për një financim tejet modest, pushteti i qe përgjigjur me shurdhmemecëri, domethënë me refuzim, vetëkuptohet, për shkak të qëndrimeve opozitare të Profesorit. Dihet që kësilloj "privilegjesh" e presin çdo intelektual me personalitet e integritet të lartë. Ai ka pësuar shumë më keq në regjimin e kaluar. Vetëm sepse nuk pranoi të bëhej komunist dhe të përdorej nga njerëzit e kastës sunduese, menjëherë e ndëshkuan me transferim, nga Profesor i Universitetit të Tiranës, me vënien në dispozicion në rrethin e Kukësit. Në fakt ishte interrnim e varrosje e perspektivës prej pedagogu e studiuesi të talentuar.
Refuzimi prerë i atij vendimi krejt të padrejtë e absurd nga z.Ymeri, i kushtoi dy vjet pa punë dhe një mbijetesë bashkë me dy fëmijët e vegjël, veçse me pagën modeste të bashkëshortes. Nuk e shpjegon dot, duke patur parasysh atë kohë shtypëse, përse duhej të rrezikonte kaq, kur mund t'ia çonte bukur mirë e bënte karrierë. Apo mos i përkiste atyre karaktereve që e dashurojnë dhe e kërkojn vetë sakrificën e rrugën mundimtare për hir të ca kapriçove?! Jo, jo, më përgjigjet jetëshkrimi i Profesorit, i shkruar nga Vilhelme Vranari Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe, që ashtu është i ngjizur e farkëtuar qysh në agimin e jetës. Ai e ka prejardhjen, si nga linja e babait dhe e nënës, nga familje të njohura për virtytet kombëtare e kulme atdhetarizmi, dhe të një vijimësie në breza deri tek i Ati i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për trimëri në luftën për çlirimin e Vlorës më 1920. Kontributet në disa rrafshe të Profesor Doktor Eshref Ymerit, i përfytyroj figurativisht si një pejsazh madhështor, ku malet, kodrat, pyjet, lumenjtë, janë veprat gjuhësore, arsimore, pedagogjike, përkthimore, të studimeve e analizave historike e letrare, publicistikës… Ka në to pa fund dituri të dhënë me një qartësi diellore, gjelbërim të pasur faktesh, argumentesh e arsyetimesh shkencore, shkëmbinj mendimesh të mermertë, graniti e stralli, hapësira kuptimesh e tolerance dhe gjithçka për të lartësuar mendjen. Është aty, si për ta zbutur mjedisin hijerënd, edhe një lulëzim i sinqertë ndjenjash, zjarre dashurie dhe përrenj gugullues malli për vendin e njerzit, lugina të gjera bujarie e dashamirësie… E kam fjalën për tërë ato shkrime të një tjetër natyre, si letërkëmbime, portrete, përgëzime, inkurajime, mirënjohje, kujtime, prononcime, përsiatje, refleksione, komente dhe eksplorime analitike për krijimtarinë e qëndrime të ndryshme, ku Autori ka shpërfaqur margaritët e shpirtit. Të duket sikur tek Ai hera-herë ka ngritur krye e ka marrë flakë pasioni i artistit për të sfiduar shkencëtarin që e dominon. Po le të vijojmë konkretisht me Fjalorin, që jam duke e lexuar me vëmendje e kureshtje dhe të shpreh diçka nga përjetimet. Nuk e kam aq lehtë përballë analizave të një profesionalizmi sipëror të Prof. Dr. Fatmir Terziut, Prof. Dr. Rami Memushajt, Prof. Dr. Hajri Shehut dhe shkrimtarëve e studiuesve Vilhelme Vranari Haxhirajt e Fatmir Mingulit.
Ashtu siç vlerësojn këta personalitete të shquar, edhe unë ndiej në çdo faqe të veprës zërin prej kërkimtari erudit e poliglot të autorit të saj. Si një lundërtar i sprovuar Ai noton i sigurt në këtë det të paanë gjuhësor të shpirtit të popullit, duke mbledhur perlat më vetëtitëse dhe zbuluar vende e udhë të reja.
Vështrimi i tij i mprehtë si rrezja rëntgen depërton veshjen, lëkurën e mishin e fjalës dhe sos në shpjegimin e gjithanshëm të kuptimeve dhe të shndërrimit në togfjalësh të figurshëm, proverbë mençurie apo aforizëm përshkënditës.
Puna me fjalën është sa delikate dhe tejet e vështirë. Veç intuitës e nuhatjes së hollë për ta pikasur e ia njohur aromën, kërkohet shumë dituri e përvojë, aftësi vrojtuese e fushëpamje e gjerë siç i ka Profesori. Falë kësaj përgatitje, por edhe zellit, durimit e dashurisë pa kufi për shqipen, ai ndihet këtu në arën e tij, ashtu si kopshtari pasionantë që ia nis me përzgjedhjen e farës e vazhdon me ndjekjen e mbirjes, degëzimit dhe lidhjes së frutave.
Në hyrje të Fjalorit Profesor Doktor Eshrefi falënderon ata që e kanë ndihmuar, midis të cilëve dhe bashkëshorten, Zonjën Hava. Përveç si bashkëpunëtore shkencore, mendoj se roli i saj mbetet i jashtëzakonshëm si shoqja më e ngushtë e jetës e z.Ymeri. Vështirë t'i përballonte të tillë pesha pa dorën e dashurisë e kujdesit të vazhdueshëm të Asaj, pa krijimin e atyre gjendjeve që shndërrohen në burim energjie, besimi, optimizmi. Rrallë kombinon fati kësi përputhje shpirtrore e intelektuale. Duke iu falenderuar shumë përzemërsisht e me mirënjoje për dhuratën ju uroj shëndet e jetë të gjatë plot me gëzime e ngjarje sa më të bukura.








Njatjetime të përzemërta miku im, Profesor Eshrefi! Ndihem mjaft bukur
shpirtërisht që paskam arritur t'iu emocionoi me këtë përsjatje të shkurtër-refleks i
veprës tuaj. Të gjitha urimet, falëndermet dhe mirënjohja iu përkasin vetëm Juve,
krijuesit të saj e jo neve përfituesve.
Me respekt, K.Gjergji.
I dashur Kozma,
Ju falënderoj me shpirt dhe ju jam shumë mirënjohës për fjalët tuaja të arta që Ju burojnë nga zemra. Vlerësimet tuaja më kanë emocionuar tej mase. Me këtë rast, mik fort i nderuar dhe i respektuar, dëshiroj të nënvizoj se, siç ua kam theksuar edhe shkrimtares dhe përkthyeses së njohur Mira Meksi dhe poetit, shkrimtarit dhe studiuesit vlonjat Idajet Jahaj, unë nuk kam bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Vetëm kam shfrytëzuar kohën sa më shumë. Sepse kam pasur parasysh tri këshilla të çmuara: njërën ma pati dhënë Babai, i cili, kur po më përcillte për në gjimnazin “Ali Demi” më 30 gusht 1955, mes këshillave të tjera, më tha:
“Bir i Babait, ki kujdes në jet…