Kuvendi zgjedhor


Hazir Mehmeti

Hazir Mehmeti, Vjenë

Kuvendi zgjedhor në tetëvjetorin e lindjes së Lidhjes

15 dhjetor 2019: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, mbajti kuvendin e saj të dytë zgjedhor në Vjenë në tetëvjetorin e formimit të saj. Në shenjë kujtim u mbajt një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Shqipëri dhe vdekjes së anëtarit të saj para pak kohe, njëri nga bashkëthemeluesit e Lidhjes, Prekë Brahimi. Mysafire e veçantë e Kuvendit ishte Saranda Iseni, nënkryetare e Lidhjes së Krijuesve Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë, aktiviste shqiptare e njohur. 

Kuvendin e hapi kryetari i Lidhjes, Anton Marku, i cili paraqiti raportin e punës katërvjeçare nga i cili po veçojmë: “Lidhja  u themelua në nëntorin e vitit 2011 dhe deri më tani ka krijuar lidhje bashkëpunimi me shumë shoqata, klube, institucione, veprimtarë. Gjatë jetës së saj tetëvjeçare ka organizuar mbi 60 orë letrare, prej tyre 25 lexime letrare nga viti 2015, dhjetë prej tyre në gjuhën gjermane. Janë mbajtur orë letrare në disa vende dhe në Atdhe. Lidhja ka botuar dy antologji “Iliricum I” në shqip dhe gjermanisht dhe “Iliricum II” në shqip ku janë përfaqësuar autorë shqiptarë, anëtarë të Lidhjes. Lidhja ka marrë pjesë në shumë aktivitete shumë kulturore të organizuara nga shoqata vendore dhe të kombeve tjera. Janë mbajtur dy konkurse letrare për krijuesit nga Austria dhe ka marrë pjesë në organizimet e aktiviteteve letrare si pjesë e Lidhjes së Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë Diasporë me seli në Koblenz të Gjermanisë. Lidhja është mbështetur financiarisht në dy projekte nga Ministria e Diasporës e Kosovës dhe nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri dhe është e vetmja shoqatë shqiptare në Vjenë pjesëmarrëse në “Javën e Integrimit” në Vjenë tani e disa vite, ku autorë/e shqiptarë/e kanë lexuar në të dy gjuhët. Kjo ka ndikuar në afirmimin e autorëve dhe botimeve të tyre në mesin e krijueseve nga shumë kombe tjera që jetojnë në Austri.