top of page

Kush mund të flasë mes asaj reje të madhe mbi atë fshat dhe Ankarasë


Kush mund të flasë mes asaj reje të madhe mbi atë fshat dhe Ankarasë


Tregim


Fatmir Terziu


„Ma thua vërtet? Ma thua me gjithë mend? Ai ndërroi jetë dhe ti s’e mban mend?“

„Ishte natë zotëri, ishte natë…, Eh, eh… Ishte një mal. Ishte një zhurmë, a piskamë. Ishte një natë…“

„Dhe kjo është koha që më tregon? Kjo është dita që ai ndërroi jetë?“

„Ajo ishte një natë. Ishte natë… Nuk mbaj mend asnjë ditë, nuk mbaj mend nëse ishte ditë, nuk më kujtohet asnjë datë. Eh, punëditë, … punëdatë?!

***

Ishte natë. Ajo natë ishte e muajit të qershive. Ishte aty fare pranë atyre të mirave, të ëmbëlave, që u sollën natën, e për gjithë natën e u mbollën nga ai vetë, nga ai zotëri, që e thirrën vite me radhë si të tillë.

Ishte natë…

***

Në atë rrugicë të ngushtë, ku qershitë janë si një ushtri e thirrur në alarm, Destani dhe vajza e tij pesë vjeçare u sulmuan dhe u torturuan gati për vdekje nga një hajdut ordiner. Dhe nuk u mjaftua me kaq por i ndoqi deri në shtëpinë e tyre në fshat. Atje, shtëpisë së tyre të vetmuar në mëhallë, i vuri flakën. Destani ndërroi jetë. Vajza për fat mbeti gjallë. Kanë kaluar mjaft vite dhe ajo ende nuk flet. Endet e tromaksur në një spital të Ankarasë pret e përcjell vetëm gazetarë, kureshtarë, studies e gjithëfarë me disa fjalë: “Ishte natë! Eh, punëditë,… punëdatë?!”

***

Destani, ishte djali i një tregëtari të vjetër e mjaft të pasur dikur në atë fshat. I Ati, që kishte bërë paratë me gjak, thuhej në fakt, i kishte lënë atij të paktën një zanat, pasi gjithë atë pasuri ia kishin marë me një fletore e një lapës gati për një natë. Ai nga fundi i jetës së babait të tij, u morr vetëm me bletari. E kështu njihej nga të gjithë për mjaltin e koshereve, dhe për përkrahjen e ndihmën që u bënte njerëzve në hall, tek e vërteta, sikurse bënte mjaft përkujdesje dhe për bletët e kosheret e veta. Ishte mjaft i lidhur me bletarinë. Kjo ishte e vërteta. Lexonte mjaft libra të lidhura me bletët, kullotën e tyre, lulet, bimët, pemët e mjaft gjëra të tjera që lidheshin me ndotjen.

“Ndotja”, -thoshte ai - “është armiku numër një i bletës, e pastaj kjo është dhe dëmi më i madh në njerëz.”

Kjo e fundit e kishte bërë atë që të kishte mjaft armiq. Armiq? Nëse do të ishin aty poshtë, apo rreth tij, ai dinte si të mbrohej, por ata ishin nga larg, ishin njerëz me pushtet e mjaft të rafinuar, disa ishin të sëmurë, e shumë partiakë. Kishin ardhur aty të kërkonin mangan. Thuhej se ishin për këtë mineral, por në heshtjen e tyre ngulnin e shkulnin çfarë të gjenin vërdallë. Hapnin një hartë dhe kthenin gjithçka në gërmadhë. Destani ishte i pari që bëri fjalë. Dhe ata ia kthyen menjëherë: “Nuk mund të flasësh ti, nuk mund të na mësosh ti që je …, që je vetëm një plehrë”. Destani u ankua më lart, por fjala e tij kaq e pat. I thanë të mbyllte gojën, se ai donte më shumë bletët e tij, se sa të mirën që e priste vendin nga ato zbulime që po bëheshin…

***

Kaluan muaj, vite dhe Destani i detyruar, që gojën…, shkurt ta mbyllte, rra në grackën e tyre. Një letër e gjatë erdhi nga lart. Dhe Destani, kaq e pat. Kaq e patën dhe bletët e tij. Destani rrinte vetëm. Nuk fliste me njeri, vetëm psherëtinte me veten. Një ditë i doli përpara një i panjohur. Ishte veshur jo dhe aq mirë. I tha ngadalë, shkurt dhe prerë, duke iu afruar afër tij në veshë: “Ki kujdes! Kaq po të them, bëj kujdes! Edhe kur psherëtin është njësoj sikur flet. Edhe muret dëgjojnë, edhe gurët edhe … pemët që ke përreth. Kaq po të them kujdes!”

***

Dhe ai vendosi të kthehej gati-gati memec. Edhe kur ndodhej në familje rrinte i heshtur. Bënte vetëm shenja me dorë dhe u thoshte se kishte një dhimbje të madhe në gojë. Edhe kur mendohej madje kthente sytë poshtë e përpjetë. Kështu edhe në këtë heshtje memece prapë nuk u la i qetë. I doli prapë ai njeriu “i thjeshtë”. I tha, prapë kujdes. Kujdes, se po i hedh sytë sa poshtë e përpjetë. “Kujdes se ke për ta pësuar keq!” Pra, Destani ishte në rrezik, ishte si keq e mos më keq.

Dhe nata bëri të sajën. Natë ishte. Ishte vetëm natë. E gjithë shtëpia e tij u kall në flakë. Flitej për vdekje…, por vetëm vërdallë. Ishte vdekje tragjike u tha edhe atje Lart.

***

Pas asaj vdekjeje tragjike vetëm fjala shkoi vesh më vesh. Vajzës së tij të djegur pesë vjeçe i thanë se kishte ikur një armik. Për babain e saj të ndjerë i thanë pa të keq, se kishte ikur një njeri dreq. Gruaja e Destanit, nëna e vajzës vdiq nga sikleti i fjalëve menjëherë dhe vajzën e djegur në trup, duar e fytyrë në fillim e dërguan në një spital, pastaj e sistemuan në një shtëpi fëmije diku në një qytet. Në fshat mbeti vetëm shtëpia e djegur e Destanit, ajo natë katastrofë, fjala e veshmëveshtë e njërëzisë. Dhe vetëm kaq. U harrua sikurse të kishte qenë një përrallë…

Nga një fshat tjetër pranë, erdhi me vrap një i Plotfuqishëm. Mblodhi disa njerëz në një sallë dhe u tha me të madhe: “Kemi vendosur ta dënojmë rrëndë kriminelin që bëri këtë masakër. Vdiq një bletëritës, pastaj gruaja e tij dhe na u gjymtua një vajzë. Ne duam ta kapim atë, ta arrestojmë, ta lidhim para jush këtu me pranga, ashtu të gjallë!”

Por vetëm kaq. Të tjerë po aq të Plotëfuqishëm erdhën vërdallë. Thanë edhe ata disa fjalë. Dhe fjalët iknin e vinin si retë nga dimri në dimër.

Një ditë u vendos që shtëpia e djegur e Destanit të ringrihej e të bëhej Zyrë e Këshillit Popullor. Dhe fjala në fakt ishte urdhër nga lart. E kush mund ta refuzonte. Dikush vuri gurë, dikush drurë, e dikush baltë dhe atë shtëpi të ndërtuar me para tregëtari e ngritën edhe njëherë lart e më lart.

Dhe u vendos se gjëja e parë që do të bëhej në atë Zyrë do të ishte dënimi kapital i kriminelit. Dhe filluan ta kërkonin prapë. Erdhën mjaft ekspertë nga Lart. I pyesnin njerëzit me radhë. Askush nuk dinte, askush nuk dinte tashmë qoftë dhe një datë.

-Punëdatë, apo Punëditë? – Klithi i Pari i të ardhurve nga Zyra e Punëve të Brendshme. Këtë e rregulloj unë pa fjalë. Ja këtë hiç menjëherë do ta kthejmë ligj.

„E lëmë dhe Punëdatë, por dhe Punëditë!“ - Foli e vendosi vetë duke zgurdulluar sytë. Që sot e tutje do të quhet sa vijon:

“Ligji i Punëditës:

Neni 1. – Të kuptosh “Punëditë” do të thotë të bazohesh tek poezitë. Ore, tek poezia…, pre në poezinë e Naim Frashërit, që e kam lexuar në shkollë fillore, pra “punë, punë natë e ditë/që të shohim pakëz dritë”, s'shënoj më qejf e qerata në këtë fletore. Kjo do të thotë se nuk na duhet ndonjë datë e saktë, as ditë dhe natë, por mjafton një e qartë: “Punëdatë”, pra kur dhe si në një datë është bërë krimi në fjalë.

Neni 2. – shkon më tej se shpjegimi dhe zbërthimi i fjalës së re ligjore. Punëditë nuk do të ketë vetëm kuptimin e saj të parë, as atë që vjen nga bashkimi i dy fjalëve në një fjalë, por mund të quhet çdo krim i atillë, që e mbulon një fshat, një qytet, apo një zonë të tërë me fjalë, si fjalët vrasje natën, djegje shtëpie, masakrim njeriu, degjenerim, apo dhe gjëra të cilat lidhen nga nenet e tjera.

Neni 3. – Koha me të cilën do të matet një punëdatë nuk ka të bëjë me kuptimin e thjeshtë një punëditë. Një punëditë e qartë mbetet e përcaktuar, një punëdatë shkon përtej një punëdite dhe vazhdon gjatë deri në paafat.

Neni 4. – Me punëdatë do të merren ekspertët dhe jo thjesht ata që kanë në hetim një të tillë.

Neni 5. – Punëdatë nuk do të jetë ndonjë shënjesë që gjendet në ndonjë kalendar.

Neni 6. – Elementët ndihmës në një punëdatë nuk do të pritet të merren nga memorjet, as nga hetimet në fjalë, por do të rrethrrotullohen me laps, do të bëhen me një vendim të qartë, sa herë që të përputhen me direktivat nga Lartë.

Neni 7. Punëdatë kërkon mirëkuptim të paqtë. Nuk duhet keqkuptuar nga fjalët. Një punëdatë është gjetja më e duhur kur gjurmët e një date të saktë të krimit janë zhdukur.

Neni 8. – Një punëdatë ka autoritet vetë. Ajo përcakton, ajo vendos, ajo flet.

Neni 9. – Neni 5 dhe 6 mund të funksionojnë si të barabartë dhe me elementin gjinor të krimit, kur një punëdatë është thjesht një puqje e paqtë.

Neni 10. – Punëdatë nuk duhet të përdoret me inat. Ajo ngushton veprimet e inatçorëve, kokëgdhëve, hundëmëdhenjve, mosbesuesve të ligjit.

Ky ligj është i menjëherëzbatueshëm.

Miratur nga: (I Pari i Zyrës së Punëve të Brendshme) d.v.”

Tashmë nuk kishte më pengesa. Ishte zgjidhur me ligj ajo që kërkohej. Ajo që do të kërkohej?! Njerëzit habiteshin. Kërkohej krimineli, apo kjo dita dhe data e krimit, apo si ia thoshin në atë ligj “punëditë” e “punëdatë”. E gjitha u bë si një puntatë, ku orkestra dhe muzika e asaj stine binte në zemër dhe shfaqej e dëgjohej vetëm në qiell.

***

Orkestra vjeshtake qasej me të madhe mbi shtëpinë tashmë Këshill të Destanit të shkretë dhe bëhej palë me fjalët e e njerëzve, që ende shpresonin se do të gjendej të paktën ai jetëmarrës. E besoje këtë? E besonte dikush se kishte jetëmarrës përveç …

Në anën tjetër të hapësirës ende ndodheshin skeletet e disa koshereve “allafranga”, që kishin mbetur s’dihet qëkur. Në muret e asaj shtëpie, sado që ishte lyer me gëlqere, tek-tuk dukeshin disa zhgarravina të vockla të duarve të vogëlushes së vetme të Destanit të shkretë. Në dritaret e asaj shtëpie vetëm yjet e Davidit nuk ishin mundur të mbuloheshin. Nuk dihej pse pikërisht aty në atë fshat, ku thuhej se kurrë nuk kishte pasur hebrenj, të ndodhej ky yll i Davidit, e madje në shtëpinë e një tregëtari, që kurrë nuk kishte lënë mënjanë besimin e vet. Kjo ishte një re tjetër që varej mbi mendjet e njerëzve, ashtu sikurse ajo reja e madhe që kishte mbetur pezull mbi shtëpinë Këshill të Destanit.

***

Një ditë erdhi lajmi. Lajmi që ishte pritur mjaft gjatë. U tha në një gjykim të përshpejtuar aty para shkollës së fshatit, se djaloshi i prangosur kishte qenë krimineli.

Ai ishte zënë nga forcat e Kufirit teksa mundohej të kalonte e të aratisej matanë. Djaloshi e kishte një emër. Quhej Ilmi, por kurrë nuk u la të thoshte një fjalë. Ai nuk foli, as atëherë, nuk foli asnjëherë. E burgosën dhe nga burgu e sollën të prangosur para shkollës, aty para plepave të gjatë duke e gjykuar prapë si më parë.

Ilmiu u dënua me burgim të përjetshëm dhe për disa muaj u mendua se njerëzia e kishte besuar dhe ata atje Lart ishin të bindur se të paktën tashethemnaja po zbehej dalëngadalë nga mendja e tyre. Por, kjo ishte vetëm për pak muaj.

Vetë Ilmiu, kishte shkruar një letër para se t’ia vinin prangat. Letra ishte gjetur nga një bari poshtë një guri në kufi.

Aty shkruhej: “Unë tashmë do të jem i mirë. Do të shkoj në botën e lirë. Do të shpëtoj nga torturat që më bëjnë të pranoj vrasjen dhe djegjen e shtëpisë së Destanit. Vetë këta tashmë më kanë dhënë këtë mundësi. Nesër në orën dymbëdhjetë të natës, këtej nga Lugina e Prushit, do të iki nga këmbët sytë, e krimin e shejtanit, do ta kërkojnë ashtu sikurse u dogj prej duarve fantazëm shtëpia e Destanit. E si mund ta digjja unë atë shtëpi? Si mund ta torturoja atë me gjithë fëmijë? Si… Ai që na kishte mbajtur me bukë e me mjaltë, jo vetëm neve në fshat? Unë po iki o njerëz të mirë, në një botë tjetër të lirë. Ju përqafoj fort Ilmiu. Nëse ju ndodh ndonjë gjë e keqe, lutem mos më mallkoni!

Kjo letër nuk u pa më me sy për vite të tëra me radhë. As njerëzit nuk donin më të lexonin, nuk dëshironin më të pëshpërisnin, as dhe të lëshonin për Destanin e shkretë ndonjë fjalë.

***

Ikën vitet dhe gjërat ndryshuan. U tha se mjaft turistë dhe besimtarë hebrenj kaluan në ato anë. Kërkonin shtëpinë e Destanit. Ajo gati ishte kthyer në një gërmadhë. Por, diku në tërë atë shtëpi të abandonuar ata kishin mbetur pa fjalë. Thuhej se kishin gjetur atë që e kërkonin të gjenin pikërisht në atë shtëpi, në atë fshat. Afër asaj shtëpie u zbulua madje dhe një varr. Në atë varr është gjetur edhe simboli i Yllit të Davidit i vendosur në qendër të fushës ku skajet e gjashtë cepave të tij shoqërohen nga simboli Fleur de Lys (zambaku).

Por kjo ishte ende një punëditë, edne një punëdatë, tashmë mjaft e largët që u shfaq në gazeta, televizionet e shumta që ishin hapur dhe vetëm sa kishin zgjuar dhe një plagë. U kujtuan atëherë të paktën, se kishte mbetur gjallë dhe një vajzë.

Një ditë në një nga ekranet e shumta televizive u shfaq ajo vajzë. Fytyrën e mbante të mbuluar. Gazetarët kërkonin ndihmë për ta kuruar. Dhe thoshin të gjitha bëhemi bashkë, ta shërrojmë të paktën atë vajzë jashtë. Brenda pak orëve të gjithë mbetën pa fjalë. Paratë ishin grumbulluar sa të hapësh e të mbyllësh sytë, sihin para pa masë, dhe ajo do të shkonte drejt spitalit të Ankarasë.

Tashmë ajo është shërruar. Është në jetë prapë. E pyesin. I kërkojnë të flasë, por heshtjen e ka bërë urrë si ajo e Bosforit. Hesht dhe vetëm hesht, pa masë. Më mirë thotë të mos e zgjasë „Kush duhet të flasë mes asaj reje të madhe mbi atë fshat dhe Ankarasë“.

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page