KUR IA VLEN, DOMOSDO QE DUHET SHKRUAR


nga Harallamb Fandi


Kёto ditё mora nё duar nje libёr interesant tё ardhur nga Kanadaja e largёt, qё tashmё s’ёshtё mё e tillё pёr shumё prej nesh . Prania e njё numri jo tё vogёl bashkatdhetarёsh nё atё vend, tё afёrm, miq e shokё, qё jetojnё e nderohen pёr punёn e tyre, komunikimet e vazhdueshme e tё ngrohta si dhe lajmet e bukura qё vijnё shpesh, na i kanё shkurtuar distancat e dikurshme. Letёrsia dhe arti, ku krijimet e autorёve shqiptarё, nё tё cilat erёmimi i atdheut nuk tretet edhe pse pёrshkon ajrin e oqeanit, janё gjёra qё zenё vend te çdo njeri. Libri “Çizme lёkure nё kohё lufte” i Ajkuna Daklit nxitёs i kёtyre shёnimeve, vjen i sigurt me njё cilёsi tё tillё. E veçanta e tij ёshtё se, duke marrё prej rreshtave qё lexon njё butёsi e thjeshtёsi rrёfimi mjaft karakteristike, gjendesh natyrshёm nё mjedise, nё tё cilat ke jetuar e jeton. Futesh qetёsisht nё shtёpitё e thjeshta shqiptare si dhe nё rrugica e mjedise tё tjera, ku tё duket se gjёndesh jo vetёm nё atmosferёn, po dhe nё ngjarjet qё autorja i ka sjellё nё shumё raste si tё ishte duke bёrё pa zhurmё e bujё njё bisedё tё kёndshme. Natyrisht, tregimet shpesh trajtojnё probleme qё janё larg relaksimit dhe jo rrallё tё fusin nё mendime e nё kujtime tё trishta, madje dhe tё zymta, po gjuha e rrёfimit me butёsinё e saj tё kadifejtё si dhe sinqeriteti thuajse fёminor edhe kur s’flitet pёr fёmininё nuk tё lё pa njё mbёshtetje qё, gjithsesi, e ke. Eshtё mbёshtetja e autores dhe rruga e lirё qё ajo tё le pёr tё kёrkuar e gjetur mesazhe tё nevojshme shprese. Kjo, pa dyshim, ka tё bёjё me talentin, kulturёn dhe mjeshtёrinё. Diku , dikujt, Ajkuna Dakli i ka shkruar se ёshtё nё fillimet e saj si shkrimtare ndёrsa mua, pёrkundrazi, nuk mё duket se ёshtё kёshtu.

Ajkuna Dakli

Modestia ёshtё vёrtet gjё e mirё, po tregimet , qё shprehin tjetёr gjё, nuk i japin “leje armёmbajtjeje” shkrimtares pёr modestinё. Tregime si “ Çёshtje datash”, “Protezё”,”Armik qeni ose anasjelltas”,”Pika boje”,”Çizme lёkure nё kohё lufte”, “Njё taksi e freskёt nё njё ditё tё nxehtё korriku”,”Edhe çudia mё e madhe tri ditё zgjat”,”Udhё Qumёshti” etj. tregojnё mё sё miri se je duke lexuar njё libёr dinjitoz tё njё shkrimtareje tё formuar. Unё do tё thosha se kaq ёshtё pak pёr tё shprehur kёnaqёsinё qё merr teksa, qё nё fillim tё librit, ndeshesh me njё mёnyrё rrёfimi, qё tё shkёput pa sforcim nga ashpёrsia dhimbёse e realitetit tonё, sidomos mediatik , qё dёgjojmё e shohim pёrditё. E se mos vetёm kjo. Ka vёrtet shumё gjёra, qё syri i saj i mprehtё ka veçuar per t’i sjellё nё tregimet qё me mjaft nga temat qё trajton mund edhe tё sillnin njё atmosferё mbytёse . Po ja qё shkrimtarja, duke vepruar si nёnat e pёrshkruara bukur nё libёr , tё cilat ua zbusin me pёrralla fёmijёve pёrgjigjen pёr pyetjet e tyre tё befta e plagosёse mbi tё vёrtetat e hidhura tё jetёs, tё shkёput nga rutina mediatike dhe tё bёn tё lexosh librin e saj . Dhe duket menjёherё se tregimtarja nuk po rrёfen pёrralla. Nё shumicёn e rasteve lexuesi gjendet pёrballё zёrit me njё vetёpёrmbajtje tё admirueshmё, e cila transmetohet te çdokush, duke u bёrё ngrohtёsisht shtesё e natyrshme dhe e dёshiruar e botёs sё tij, Ajo qё duket e thjeshtё nё shumё tregime ёshtё edhe e thellё, e ngjeshur me mendime e maturi. Njohuritё gjuhёsore dhe saktёsia e tё shkruarit ( kёto tё dyja u bёjnё thirrje pёr kujdes edhe shkrimtarёve tё talentuar, madje edhe tё shquar, por qё ndonjёherё me shkujdesjen e tyre tregojnё se kanё mangёsi nё njohjen e detyrueshme tё gjuhёs ) si dhe kёrkesa pёr larmi pasqyrimesh, situatash etj. tё lenё mbresa dhe tё bёjnё tё shprehesh pa lёkundje qё libri ёshte vёrtet njё sukses dhe shёmbull i bukur i letёrsisё sonё bashkёkohore.

Pёr çdo tregim tё mirё, sidomos kur mbart njё mendim tё bukur si dhe frymё e trajtim poetik them se s’do tё gaboja po tё pёrsёrisja tё njёjtat fjalё, qё janё thёnё shpesh kur ёshtё folur pёr krijimet poetike: “Bota nuk ёshtё mё ajo qё ishte pasi t’i jetё shtuar qoftё dhe vetёm njё poezi”. Tregime qё do ta meritonin njё vlerёsim tё tillё nuk janё tё rralla te libri i suksesshёm i Ajkuna Daklit.

54 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif