Kur emocionon ende “Trirema e Poezisë Joniane”



Fatmir Terziu

Kanë kaluar thuajse njëqind e njëzetë e tre vjet nga koha kur një telegram i “Reuters” botuar në gazetën britanike “Edinburgh Evening News”, që botohej në Midlothian të Skocisë, do të shtynte kurreshtjen e një grupi studiuesish britanikë. Ndërsa lajmi kishte të bënte me diçka tjetër një guackë e konsiderueshme e marrë në rrugëtim e sipër nga deti Jon do të shtonte kurreshtje dhe vëmendje. Telegrami në faqet e brendshme të kësaj gazete të së premtes 19 mars 1897, do të citonte arsyen se përse një anije britanike me avull nuk u lejua si fillim ti afrohej Gumenicës. Arsyeja ishte e thjeshtë se anija kishte në bordin e saj disa kuaj, dhe kuajt ishin blerë pa pëlqimin e autoriteteve. Kuajt më pas do të bënin historinë e tyre në sportin e garimit në Jorkshire, ndërsa në kthim e sipër guacka e marrë në Detin Jon do të sillte vëmendje...

-1-

Kur anija me avull, ngarkesa e së cilës ishte me kuaj të blerë në Vlorë nga një grup biznesmenësh të sportit me kuaj gare, nuk u lejua të ndalonte në afërsi të Gumenicës, ajo u detyrua të ndalonte në Sarandë, në kushte të vështira. Gjithësesi, jashtë egërsisë zyrtare të kohës, sarandiotët e treguan mikpritjen e tyre dhe i mbajtën edhe të mbrojtur madje tregëtarët e kuajve të sportit. Ditëve të qëndrimit ata morën me vete edhe një guackë deti. Një guackë që siç deklaruan ata ishte e ‘magjishme’; u shpëtoi “jetën”, i mbajti me zërra të bukur rrugëtimit dhe me muzikalitet joni. Ky muzikalitet sillte në skenë fjalën e bukur, timbrin, dhe më saktë ison e bukur që rrëshkiste memorjes dhe fletëve të një grupi kërkuesish për isopolifoninë.

Ndërsa kuajt shqiptarë të garave ndiqnin Sarandën dhe në ‘heshtjen e tyre premtonin’ të ngrinin lart emrin e vendit që i solli në jetë, duke garuar e fituar, faktet tregonin se shqiptarët në fakt me kuajt e tyre që në vitin 1853 kishin garuar në ngjyrat britanike me agjencinë britanike të Bukureshtit. Guacka e Jonit mesa dukej ishte e para që do hynte në historinë e medias britanike, po aq sa edhe fakti që shqiptarët nuk ishin më të egër por ‘tepër trima dhe mikpritës’, madje edhe rebelë për të shpëtuar jetë njerëzish...

-2-

Për këtë më vonë u sollën në jetë edhe mjaft poezi, siç bëri dhe u frymëzua më pas në poemën e tij kushtuar Skënderbeut, Longfellou. Poeti i shquar amerikan i shekullit tё 19-tё, Henry Uadsuorth Longfellou (1807 – 1882), botoi me 1873 vёllimin e tretё tё veprёs sё tij me poezi Rrёfenja tё njё Hani ndanё Udhёs, ku pёrfshihet edhe kjo poemё pёr heroin tonё kombёtar Gjergj Kastrioti. Edhe Gladstone, që i quajti shqiptarët të çmendur në vitin 1879, pse ishin sipas tij të çliruar nga Traktati i Berlinit, nuk e çimentoi ndjenjën shqiptare tek ai se ata dëshironin lirinë më shumë se çdo gjë se sa lirinë e paguar me jetën e njeriut. Kështu një artikull tjetër i gjatë në faqet e gazetës “Sheffield Daily Telegraph” të po atij viti do të sillte sërrish faktin e kuajve, guackës, mikpritjes dhe bukurive shqiptare, po aq sa edhe gjuhës së tyre që kërkonte respekt dhe vëmendje...edhe në atë ndalesë në Sarandën e asaj kohe.

3.

Por, vitet vërtet kaluan dhe sot udhëtimin e ke ndryshe. Zbret me avionin e linjës direkte nga kryeqyteti britanik dhe ndalesh në Korfuz, e pastaj mjaft shpejt gjendesh në Sarandë. Pikërisht në Sarandën që ndryshon mjaft klimaterikisht, gjeografikisht dhe me arsye të tjera më udhën e gjatë nga ishulli britanik. Arsyeja është kulturore, po aq e lidhur me aktivitetin kushtuar krijimtarisë sarandiote organizuar nga Klubi i krijuesve Jonianë nën përkujdesjen e Bashkisë së qytetit dhe nën drejtimin e atëvitshëm (2013) nga z Agim Mato “Mjeshtër i Madh”, ish-kryetar i Klubit dhe një nga emrat më në zë të poezisë shqiptare. Pra, kështu niste jeta kulturore në një stinë jashtë sezonit turistik të verës, duke promovuar një risi të re atë të turizmit kulturor nën një pjesëmarrje të gjerë në manifestimin poetik me titullin domethënës "Trirema e poezisë joniane".

Dhe natyrshëm "Trirema e poezisë joniane" të sjell rastin të takosh e të shtrëngosh duart me Agim Maton, Andrea Zarballan, Irena Gjonin, Timo Mërkurin, Dashamir Malon, Konstandin Voglin, Vangjel Zafiratin, Bardhyl Maliqin e mjaft të tjerë vendas, si artistët Odisea Papa, Lefter Çekon, Niko Godrolin, Vasil Kaçin, Spiro Shtukën, pesë autorë të mjaft punëve të spikatura qysh në monizëm, të cilët nuk i ndau nga Saranda as emigrimi i gjatë në Greqi, për mjaft prej të cilëve ka nisur që më 1991. Por edhe me një listë të madhe poetësh nga qytetet e tjera shqiptare, nga Anglia, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Italia e vise të tjera si Iliriana Sulkuqi, Agim Vinca, Fatmir Terziu, Ibrahim Kadriu, Pandeli Koçi, Beatriçe Balliçi, Sabit Rrustemi, Sarë Gjergji, Zejnepe Alili Rexhepi, Puntorie Zyba Muço, Miradie Maliqi, Zimo Krutaj, Aqif Hysa, Riza Braholli, Alma Begaj, Nikolla Spathari, Vladimir Muça, Agim Bajrami, Xhelal Tosku, Sadik Bejko, Ana Kove, Izet Duraku, Robert Martiko, Grigor Jovani, Stefan Martiko, Kiço Papa, Liljana Furrxhi, Brikena Qama, Shahin Hasan Shkoza nga Kroacia, Margarita Mataçi, Vasilis Kaniaris, Niki Rapti, Jota Partheniou, Natasha Karahristou, nga Greqia, Lalka Pavlova, dhe nga Bullgaria Albena Dekova dhe Emilia Trifonova etj.

-4-

"Trirema e poezisë joniane" ishte dhe fitoi dimensionin e saj kulturor në ambientet komode të Hotel “Grand”-it, ku dashamirësia e pronarit të tij, Kastriotit, edhe pse me një distancë gjeografike të lindjes, me një kulturë mirditore, u dha dhe u dhuroi të pranishmëve të "Trirema e poezisë joniane" një arsye më shumë për të festuar poetikisht. Natyrshëm brenda sallave të saj komode, si ushqimi letrar ashtu edhe ai shpirtëror forcuan bindjen se "Trirema e poezisë joniane" ishte muri kryesor kulturor që formon kështjellën autentike të poezisë dhe jonit poetik në këtë pikënisje të bukurndërtuar.

Nata e parë solli përpara të pranishmëve interpretimin e poezive të vendasve në një tens ritmik dhe profesional të dy aktorëve të qytetit, Vangjel Agora e Valentina Boçi. Pos duartrokitjeve dhe tingujt në sfond që shoqëruan ditën poetike i dhanë larmi festës së poezisë. Dita tjetër ishte një vizitë në Butrint ku autobuzi ndjeu veç rrezeve të diellit të Tetorit sarandiot edhe pastimën e shirtit poetik të pjesëmarrsve. Pastaj me radhë vizita tek varri i Bilal Xhaferrit dhe homazhi pranë tij deri tek promovimi i librit studimor e tipologjik të Timo Mërkurit. Axhenda e manifestimit u pasurua kështu në veçanti me promovimin e librit të autorit sarandiot Timo Mërkuri titulluar "Kur flasim për artin jonian", për të cilin folën disa studiues dhe dashamirës. Manifestimi poetik vijoi pra ditën e shtunë me homazhe në varrin e shkrimtarit disident Bilal Xhaferri, buzë shetitores së Sarandës, me vizita në Galerinë "Arta Saranda" e në muzeun e Traditës në këtë qytet.

"Trirema e poezisë joniane" vazhdoi festën e saj poetike për dy ditë me radhë. Ajo dëgjoi interpretimet poetike nga vetë pjesëmarrësit në finalen e saj. Interpretimet e poezive të poetëve, vendas e të huaj duke sjell krijimet e tyre më të mira, i dhanë jetë aktivitetit. Të gjithë të ardhur me zellin e poezisë dhe me dashurinë ndaj saj, si Mbretëreshë e Fjalës dhuruan dhe fituan emocione dhe ovacione. Në fund pjesëmarrsve të shumtë iu dha simbolika "Trirema e poezisë joniane" e ideuar dhe konceptuar nga kryetari Mato dhe disa certifikata të firmosura prej tij.

-5-

Kështu në mjediset e “Grand Hotel” në Sarandë, edicioni VII i manifestit poetik, "Trirrema e poezisë joniane" i dha jetë një evenimenti të rrëndësishëm në mbarëvajtjen dhe integrimin kulturor e poetik, po aq edhe kulturoro-turistik të Sarandës, që ish-kryetari i Bashkisë Stefan Çipa ka dëshiruar. Edhe pse vetë z Çipa për arsye angazhimi zyrtar nuk ndodhej, në emër të tij fjala përshëndetëse u soll nga zëvendësi i tij zyrtar në Bashki, Jorgo Mitro.

Kryetari i Klubit të Krijuesve jonianë në Sarandë, poeti Agim Mato, tha se ky është një organizim tradicional që organizohet prej shtatë vjetësh në këtë qytet tipik buzë Jonit. Sipas tij, emërtimi i këtij manifestimi është një qasje ndaj poezisë antike që është lëvruar, ka qarkulluar dhe është deklamuar midis këtyre brigjeve.

Pjesëmarrës në edicionin e sivjetëm të kësaj sofre poetike, siç e thamë ishin autorë të afirmuar nga disa shtete të rajonit, si: Shqipëria, Greqia, Italia, Maqedonia, Kroacia, Bosnja e Kosova. Të pranishmit ndoqën në ekran videoguidën e vitit 2013 "Romanca joniane", me autor Virgjil Kulen, që prezanton Sarandën dhe rrethinat e saj si destinacion dhe atraksion turistik mjaft të kërkuar. Në prani të dhjetëra emrave të njohur të fushës së poezisë nga rajoni, aktorët e estradës profesioniste Vangjel Agora e Valentina Boçi, interpretuan poezi të autorëve sarandiotë, si një metaforë e qëlluar kësaj here për të treguar se evenimenti edhe pse bëhej në diell tetori dhe pak grimë anakronike të mjedisit, ishte dhe mbetet një model për të gjithë, edhe kur në mendje bluan ndryshe. Arti i organizmit i takoi të gjithëve, por më së shumti Agim Matos, dhe kështu mes tij të gjithëve, gjithë Sarandës së bukur dhe mikpritëse. (ribotim)



53 views1 comment

Shkrimet e fundit