KUR DIELLI SHFAQ FLAMURIN E TIJ MBI DET E MBI SARANDË


Prend BUZHALA: (Epirus-i, Saranda, antika, modernia dhe spektakli)

I nderuari mik i shtrenjtë, Anastas Nika,

kur u gjendëm në hotel EPIRUS, për spektaklin NJË POEZI PËR SARANDËN, nuk e di se si më shkoi mendja te Gjergj Kastrioti Skënderbeu që e quante veten epirot (e jo arbër). Gjergj Kastrioti e kishe formulën e tij mbifetare e mbikrahinore: epirotizmin... Në frymën e Renesancës evropiane, që depërtoi edhe në trojet e Arbrit, për të ndjekur traditat etnike, Skënderbeu deklaron se është pasardhës i mbretit Pirro të Epirit... Barleti kur po shkruante për Skënderbeun si humanist, dhe heroin e tij; fjalia e parë retorike, me figurën e apelacionit, hapet me fjalinë që ka thelb të saj lirinë: "Ju epirotët (arbnorët, P.B.), mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë...". Nga oratorë raguzianë Skënderbeu quhej ylli më i ndritur, krahasohet me një perëndi, mbrojtës jo vetëm i Epirit, po edhe i Raguzës e Maqedonisë, Italisë etj, ai quhet shpëtimtar e çlirimtar. Përmenden betejat fitimtare të tij kundër sulltanit e pashallarëve otomanë, ai quhet tmerri i turqve, krahasohet me Aleksandrin e Madh dhe Pirron epirot. edhe Pal Engjëlli, edhe Frang Bardhi e autorë të tjerë, veten e quanin epirotë... Gjuha shqipe aso kohe quhej gjuhë epirotase... Dhe le ta mbajë ai hotel këtë emrin tjetër, Epirus, në shenjë të lavdive të së kaluarës... sepse aty, si mësuam nga ju, aty gjetën strehim refugjatët e dëbuar shqiptarë të Kosovës...

2. Dhe kombi shqiptar, dje e sot, i ka gjetur formulat e veta të mbijetesës. Së fundmi, kur u krijua ky sintetizim e gërshetim “multikulturash, multireligjionesh e multi-identitetesh”, gjeti formulën e shqiptarisë:”Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Në Sarandë u takuam me antikën e rrënjëve sarandiote-arbërore-shqiptare, antikë që jeton brenda nesh. Figurat e shquara të Sarandës, intelektualë e atdhetarë, luftëtarë e poetë shqiptarë, ngjasonin tashmë si në ditët e lashta të Epirit dhe Ilirisë: me Fjalën e Shenjtë, që jehonte shesheve e teatrove antike... Kur me Ismet Krasniqin Lala, shëtitnim bulevardeve, shesheve dhe buzë detit Jon, me atë kompleks të pasur anijesh, varkash, dritash, palmash, drurësh zbukurues; qëndronim për pak çaste ulur nëpër parqe, nëpër shëtitoret e qytetit, nëpër hapësirat ku qëndronin memorialë, përmendore, obeliskë a pllaka përkujtimore; qëndronim në shenjë homazhi pranë hapësirave të lashta, si ajo e Pagëzimores për 40 shenjtorë, pranë disa muzeve memorialë, pranë asaj pasurie të pafund trashëgimore; domosdo që ti ndalesh për një çast për t'i zënë ato pamje jo vetëm me sy, po edhe me aparatet telefonikë, me shënime shpejt e shpejt për ndonjë mbresë... Ismeti tregonte për shfaqjen e monodramës së tij "Obelisku" aty, te anijet mbi ujëra... dhe jehonën që pati ajo shfaqje. Ismetit i tregoja për disa nga krijimet ( e tërësitë poetike) që ia pata kushtuar Sarandës e rrethinës, e që i përfshiva te libri im poetik "Ani i ilirishteve" (disa ekzemplarë që i kisha me veti, ishin dhuratë për disa krijues). E thashë edhe në spektaklin artistik (kur flisja për Musa Jupollin, poezitë e esetë e tij me shpiritn e sotëm e të djeshëm dardan), se shumë familje nga Kosova, pa qenë asnjëherë në Sarandë, vajzave të tyre ua kanë vënë emrin Saranda... Dhe janë me qindra vajza që e kanë emrin Sarandë, Saranda... Ishin ato vitet '70-90 për ta shfaqur jo vetëm dashurinë ndaj Shqipërisë, po edhe për t'i ndërtuar lidhjet shpirtërore me atdheun e përbashkët që quhet Shqipëri.

3. Spektakli! Mbrëmje mbresëlënëse. Gjithçka vjen nën dorën e maestros Anatastas Nika, për ta shijuar spektaklin e natyrës, perëndimin e diellit në det, mbi kodrat e ishujve e mbi qiellin e ndezur blu të Sarandës. Dielli ka flamurin e tij mbi det e mbi Sarandë. Imazhi i jashtëm i ligjëron gjendjes së brendshme të shpirtit. Është besimi te e bukura, te jeta e te arti që mbjellin e kultivojnë artistët, edhe në këto kohë aspak të lehta. E krijojnë këtë besim, sepse e krijojnë të vërtetën. Nuk kishte se si artistët të mos shfaqnin një forcë të brendshme që buron nga karakteri i tyre i bukur, nga krenaria e tyre e ligjshme për lumturinë që ta dhuron ambienti, spektakli, arti: guximi për të thënë e krijuar atë që e ndien. Metaforat e së bukurës. “Zoti do të përdorë gjithçka që dëshiron për të shfaqur lavdinë e tij. Qiejt dhe yjet. Historinë dhe kombet. Njerëzit dhe problemet” do të thoshte Maks Lucado. Një poezi për Sarandën: secili çmim ishte domethënës, me emërtime të gjetura metaforike, me një lule, me një bust të vogël, pllakë, apo Mirënjohje... më bukur s'ka se si të nderohen vargjet, poetët... me recitime të ndjeshme nga aktorët e aktoret me zë sirenash të ujërave joniane. Me insertet filmike që spikatin të bukurën dhe semiologjinë e pasur në mitologji, histori, rrëfime, legjenda... nëpër vargje poetësh. E gjithë kjo nuk do të arrihej, sikur të mos kishin punuar me aq zell, sakrifica, përkushtim e dashuri për artin, siç janë Anastas Nika dhe djali i tij Enea. Eneu. Me atë ekip kameramanësh, fotografësh, vallëzuesish, solistësh, kuzhinierësh, teknikësh të profileve mediatike... deri te ato vajzat me maskat e moçme ilire (kështu visheshin ato në çaste solemne, siç na thonë ilirologët). Aty, me thjeshtësinë e një të riu që stolsiet gjithnjë me një buzëqeshje spontane, gjendet Anxhelo, me kamerën e tij, i bashkuar te familja e tij e artit. Një gërshetim i mrekullueshëm i antikes me modernen. Por, le ta themi detyrimisht që mikpritja ishte proverbiale. Dhe njohja me miq të rinj. Dhe për këtë mikpritje, pa zhurmë e bujë, por me shumë nderim e dashuri, meriton një shënim më vete.

(Prend N. Buzhala, 14 tetor 2020)



30 views

Shkrimet e fundit