top of page

Kur Adem Kormaku debatonte me Manush Myftiun


Gjurmët e inxhinierit shqiptar në ngritjen e bazamentit të monumentit të Luftëtarëve të Lirisë në Mat’hauzen


Kur Adem Kormaku debatonte me Manush Myftiun për 15 – katëshin


Halil RAMA – Mjeshtër i Madh



“Konstruksioni dhe arkitektura e hotelit 15 katësh janë bërë nga konstruktori me përvojë Ferit Stërmasi dhe arkitektja Valentina Pistoli. Nuk ka asnjë dyshim për konstruksionin e zbatuar që nga themelet, katet teknike, kolona, trarë, ndërsa pjesa e betonimit të hotelit, janë mure betoni me dopjo zgarë me betonime cilësore, me marka të larta betoni. Kështu, ka garanci të plotë e sikur të bjerë hoteli, do të mbetet si shkrepëse pa prishur!”



Në artin e ndërtimtarisë shqiptare, Hotel “Tirana Interanational”, ose 15 katëshi i para ‘’90-tës në qendër të Tiranës, sot mund të konsiderohet edhe si “embrioni” i kullave shumëkatëshe që janë ngritur e po ngrihen thuajse në çdo rrugë të kryeqytetit. Kjo, edhe për peripecitë që përjetoi stafi inxhiniero-teknik që projektoi dhe ndoqi zbatimin e punimeve të 15-katëshit. Më së miri këto i shpjegon Ing.Adem Kormaku, ish-drejtori i kantierit të “21 Dhjetorit”. Në librin e tij enciklopedi, me 400 faqe “U rrita me lotët e nënës,” ndër të tjera ai shkruan: “Nga fundi i vitit 1972 u bë një analizë në organet e larta qeverisëse në Tiranë ku doli se në stadin aktual, ishte e nevojshme ndërtimi i disa objekteve të rëndësishme për Tiranën. Këto objekte ishin: Një hotel 15 katësh në qendër të Tiranës, Hotel ‘Arbëria’ ku është sot Ministria e Drejtësisë; Galeria e Arteve; Shkolla përballë Arkivit të Shtetit; godina e banimit shtatë katëshe para Ministrisë së Drejtësisë, Rezidenca e Ambasadës së Kinës, ndërtimi i hotelit të kinezëve-sot Policia e Shtetit; ndërtimi i Antibiotikut etj”. Ing.Kormakut i cili ka gjurmët e tij në pothuajse të gjitha këto vepra, pasi kishte udhëhequr punimet në ndërtimin e metalurgjikut të Elbasanit, me kantierin e “21 Dhjetorit”, iu besua detyra e vështirë për zbatimin e projektit të 15 katëshit, një objekt me përmasa e vështirësi specifike që realizohej për herë të parë në vendin tonë. Si një nga mjeshtrit e njohur të artit të ndërtimtarisë në vendin tonë, Ing.Kormaku thekson se në ndërtimin e këtij objekti unikal në Shqipëri për kohën dhe më vonë, ishin përqëndruar e thirrur specialistët më të mirë, grupuar në një brigadë prej 300 vetësh, mjeshtër në profesionet e karpentierit, hekurit, suvatimeve, patinimeve, sistemet hidraulike, hekurkthyes, marangozë, elektricist…


Debati me Manush Myftiun për katet e larta të hotelit 15 katësh


Në kohën kur ishin kapërcyer momentet më të vështira, zbatuesit e projektit u gjendën para të papriturës sepse vinçi i blerë për këtë qëllim nuk mund të realizonte ndërtimin e kateve të larta. Ky qe edhe shkaku që Adem Kormakun e thirri me urgjencë në ballafaqim Manush Myftiu, duke i kërkuar të jepte gaaranci për konstruksionin e 15 katëshit.

“Konstruksioni dhe arkitektura e hotelit 15 katësh është bërë nga inxhinieri dhe arkitekti me përvojë, siç janë konstruktori me përvojë Ferit Stërmasi dhe arkitektja Valentina Pistoli. Nuk ka asnjë dyshim për konstruksionin e zbatuar që nga themelet, katet teknike, kolona, trarë, ndërsa pjesa e betonimit të hotelit, janë mure betoni me dopjo zgarë me betonime cilësore, me marka të larta betoni. Kështu, ka garanci të plotë e sikur të bjerë hoteli, do të mbetet si shkrepëse pa prishur!”, ka qenë garancia që i ka dhënë ish byroistit Myftiu, inxhinieri i talentuar me origjinë nga Stebleva. Kështu, Adem Kormaku, ka lënë gjurmë me artin e ndërtuesit, jo vetëm tek Hotel “Tirana Interanational”, ose 15 katëshi i para ‘’90-tës në qendër të Tiranës, por edhe në ngritjen e bazamentit të monumentit të Luftëtarëve të Lirisë në Mat’hauzen; në ngritjen e Pallatit të Madh të Kulturës në Tiranë, në Galerinë e Arteve, në ndërtimin e kompleksit të ambasadës kineze, sot Ministria e Jashtme e Shqipërisë, duke fituar mirënjohje e vlerësim nga qindra punëtorë, teknikë, inxhinier, nga drejtues e institucionet më të larta shoqërore e shtetërore.

Mjafton të lexosh librin e tij “U rrita me lotët e nënës,” për të kuptuar se me sa dashuri shkruan ai për plejadën e madhe të ndërtuesve, për ata që sakrifikuan në rindërtimin e vendit për pesë dekada. Ashtu si artin e ndërtimarisë në këtë libër ai ka derdhur edhe artin e të shkruarit me cilësi dhe me ndjenjë.


Inxhinerët shqiptarë që zbatuan punimet

e memorialit të Mat’hauzenit


Në mars të vitit 1968, Adem Kormaku, kur sapo kishte fituar titullin inxhiner-asistent, ngarkohet me një grup pune për të përgatitur bazën materiale për zbatimin e punimeve në monumentin kushtuar të rënëve në kampin famëkeq të Mat’hauzenit në Austri. Në këtë detyrë me shumë përgjegjësi inxhinieri nga Stebleva ishte së bashku me Taqo Mihon dhe Llazar Maznikun.

Ishte vërtetë një nga momentet më të lumtura të jetës së tij, pasi djali që ishte rritur jetim (pa baba që në fëmijërinë e tij të herëshme) me vështirësi të panumërta në një zonë mjaftë të varfër, ishte përzgjedhur të përfaqësonte shtetin shqiptar në një vepër monumentale në një nga shtetet kryesore të Europës. I ndërgjegjshëm se do të linte gjurmë në një vepër që do përjetësonte martirët e lirisë të rënë në kampin famëkeq të shfarosjes në Mat’huazen, iu përkushtua detyrës me përgjegjësi maksimale.

“Pasi u përgatit gjithçka, më 23 shtator u nisëm për në Austri dhe në dhjetor të vitit 1968 kthehemi nga Austria me detyrë tëvrealizuar”, shkruan ai në faqen 155 të librit të tij “ U rrita me lotët e nënës”. Mbresëlënëse janë kujtimet e tij të hedhura me dashuri në faqet e këtij libri, për kohën kur në Tiranë nisi dhe u realizua ndërtimi i banesave me punë vullnetare. Shkruan ai për vitet 1966-1970 kur nga organet vendimmarrëse të kohës u pa e nevojshme që ndërtimet me kontribut vullnetar të ishin të përqëndruara. Dhe pikërisht për këtë qëllim u krijua Drejtoria e Objekteve me Kontribut vullnetar, nga e cila vetëm në vitin 1970 do të ndërtoheshin 2000 apartamente. Më pas Adem Kormaku do të ishte i pranishëm në ndërtimin e veprave të rëndësishme në Tiranë, ku do të spikasnin përkushtimi dhe sakrifica e tij në përmbushjen e detyrave.

Në korrik të vitit 1976 inxhineri i talentuar Adem Kormaku emërohet Drejtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit Nr.10 në Tiranë. “Që të jem i sinqertë, me shpirt nuk e prita mirë këtë ngritje në përgjegjësi. Kjo pasi me vrull të madh u kthyem nga Elbasani ku punuam e sakrifikuanm aq shumë për të përfaqësuar denjësisht Tiranën në ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik, e për aq kohë sa punuam atje, patëm rezultate shumë të mira, Edhe ndërtimin e objekteve kapitale në Tiranë, e filluam nga zero dhe ia dolëm me sukses falë një pune të vështirë, lodhëse, por dhe që na dha kënaqësi”,-shkruan ai me modesti në librin e tij, (fq.173-175). Në këtë libër ai shkruan edhe për ndërtimin e objekteve të rëndësisë së veçantë, ku ndër të tjera rendit repartin 101-K për Rezervat e Shtetit, Ministrinë e Rendit si dhe Godinën e Radio Televizionit...


Dashuria e zjarrtë për vendlindjen dhe njerëzit e saj


Jo më kot, kapitullin e parë të këtij libri ai ua kushton vendlindjes dhe personaliteteve të Steblevës. Referuar librave të autorëve vendas e të huaj që ofrojnë shkaqe të ndryshme për emërtimin e vendlindjes së tij, si Vahid Kormaku, Ramazan Hoxha, Ilmi Sadiku, Kujtim Boriçi, Velo Cfarku, Mehmet Hasani, Artan Lila, Agim Çadri etj, ai me kompetencë jep etimologjinë e saktë, sipas të cilit mbizotëron varianti i prejardhjes nga “s’të bleva”, (pra “nuk të bleva”), nga u përshtat emri– Stebleva.

Biri i denjë i kësaj krahine të Gollobordës, i rritur jetim me përkujdesjen dhe dashurinë e nënës së tij (të cilën e ka patur dhe e ka idhull dhe kështu e përshkrun me madhështi edhe në këtë libër), referuar Barletit shpreh krenarinë për faktin se Oraniku (Stebleva e sotme) ka qenë një nga vendqëndrimet dhe baza e Skënderbeut në luftimet me hordhitë e ushtrisë turke.

Krenari të ligjshme shpreh auutori i kësaj vepre edhe për origjinën e Mustafa Qemal Ataturkut nga Stebleva e Shqipërisë.

Ashtu siç përshkruan mjaftë bukur bukuritë natyrore të kësaj zone të stolisur me male të larta e pllaja të bukura mes pyjeve shekullore që i ngjajnë një amfiteatri të mrekullueshëm, Adem Kormaku shprehet për njerëzit e kësaj zone, natyra e virgjër e së cilës i ka edukuar ta duan punën dhe dijen e kudo ku kanë punuar e jetuar, kanë lënë mbresa dhe një emër të mirë.

“Në këtë fshat të virgjër me tradita patriotike, që është i dëgjuar për vlerat historike në shekuj, steblevasit me virtyte të larta njerëzore janë njerëz të ndershëm, të siqertë, të dashur, për t’u pasur zili që kanë krijuar harmoni brez pas brezi”. Si të tillë ai i profilizon me mjeshtri artistike tribunët popullorë dhe personalitetet e zonës Hazis Lila e Islam Hoxha, Adem Bojaxhiun që për 30 vjet me radhë ishte kryeplaku i Steblevës, sidhe mësuesin e dashur e të paharruar Gani Vaid Kormaku.

Ndonëse i ka kaluar 80 vite jetë, me ndjenjë njerëzore ai sjell edhe kujtimet e babait të tij Hamit Musa Kormaku (Terziu), rrëfimet e nënës dhe të të tjerëve.

Në këtë libër mbresëlënës mëson për kalvarin e njeriut të punës, me virtyte të rralla njerëzore e intelektuale, që nga një fëmijë i rritur jetim, më 1959 do të përzgjidhej si pjestar i bandës së ushtrisë për të mbrritur më 5 korrik 1970 tek diploma e kursit të lartë (Pasuniversitar) dy vjeçar të Inxhinisrisë së Ndërtimit, që mban numrin 96 të regjistrit zyrtar.

Në këtë libër mësojmë gjithashu se si intelektuali me kontribute kombëtare në artin e ndërtrimtarisë, Adem Kormaku do të arrinte të krijonte një familje solide dhe sot ju gëzohet dy djemve e vajzës së vetme si dhe nipërve e mbesave.

Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Kujtim Boriçi, në parathënie të kësaj vepre enciklopedike, ndër të tjere evidenton modestinë e autorit Kormaku, i cili edhe kësisoj ngre në piedestal njeriun e punës e të veprave të mëdha. “Mendoj se duhet evidentuar dhe modestia e autorit për këtë produkt (librin), e cila theksohet që në faqen e parë e deri në mbyllje. Ai, ndonëse thotë se kujtimet, dokumentet e përmbledhura në këtë libër i ka shkruar për tu lënë fëmijëve, të afërmve e të njohurve, copëza jete të dekadave që ai ka mbi supe, në fakt, libri në tërësi është shumë më tepër se kaq”,-shkruan redaktori Boriçi. Kjo sipas tij edhe për faktin se lexuesi i këtij libri do të shikoj se Ademi ka qenë specialist apo drejtues në disa vepra shumë të rëndësishme, që nuk janë pak, por krenaria e ndërtimtarisë në Shqipëri, e si të tilla, për ta edhe rreth tyre, ne sot, por dhe brezat që vijnë, duhet të dinë apo të kenë të dokumentuar jo vetëm projektet, por dhe punën e gjallë që është bërë për materializimin e tyre, sakrificat e mijëra njerëzve që bënë gjithçka për ti ngritur ata në këmbë. Edhe me këtë vepër enciklopedike Adem Kormaku ka dhënë diçka me vlerë për shoqërinë.



61 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page