Kulti i natyrës dhe i dashurisë mjeshtëria e shkrimtarit Myrteza Mara


Myrteza Mara

Kulti i natyrës dhe i dashurisë mjeshtëria e shkrimtarit Myrteza Mara

Dr Fatmir Terziu


Njëqind e dy faqet e romanit ‘Dy dashuri’të shkrimtarit dhe poetit Myrteza Mara mbajnë ‘shtrydhur’ mes germave të tyre një itinerar kohor që nis në pikun e vapës së Gushtit 2007 dhe bitis në muajin e shtrenjtë ‘vlonjat’ Nëntor, që shënon vitin 2009. Ndërsa me muajin e parë, Gushtin, janë të lidhur ‘ngushtë’ mjaft lidhje dashurish që forcohen me detin, diellin, dhe plazhin, me të dytin, (tek i cili del në dritë mendimi i Marës), muajin Nëntor, janë lidhje që historikisht mbeten korniza të arta lidhjesh jo vetëm me Vlorën, por edhe me gjithë shqiptarët. Të njëqind e dy fletët e këtij romani në fakt marrin ushqimin e tyre metaforik që në mbështjellje. Është ngjyrë-detësia që rrethon krejt këtë histori dy-dashurish. Janë simbolika që pikëtakojnë syrin e lexuesit që në kapjen e parë. Në fillim dy pulëbardha të lira në qiellin e kaltër, që shfaqen midis një hapësire të kaltër, mbi det, dhe në cep të një pjese toke trekëndore, ku dergjet një Yll Deti.

Dy pulëbardhat në fluturim, dallgët e qeta të detit, retë e shfaqura shkitazi në horizont dhe prania e yllit të detit, duken jo rastësi. E gjitha duket si një pikënisje tërheqëse në tërë atë disimetri që është ndërtuar më pas me linjën jolineare të rrëfimit. Këtë e përforcon edhe kopertina mbyllëse që ‘mbytet’ nga një blu e fortë dhe që jep në sfond të bardhën e përhumbur të pulëbardhës së vetme, me sqepin e gjatë të kuq dhe të zezën mbi kokë, duke na afruar një dimension kuq e zi në valëzim të qetë e premtues në perspektivë...

Një perspektivë që shihet nga Petraq Kote, Anëtar i Akademisë Europiane të Artit, si ‘Një nivel i lartë i prozës bashkohore shqiptare’. Një perspektivë që vazhdohet nën pikasjen e Kotes si një thirrje në shqip nga prozatori i rinisë Myrteza Mara “Për botën dhe njerëzit”, dhe që për të është vetëm Një dashuri e vazhduar prej Erinde... Sipas Kotes “Nuk mund të ndodhte ndryshe te Altini, të cilin asnjëherë nuk e kuptoi socialiteti shqiptar, aq sa e kuptoi Niko Limani, një vjehërr i dyzuar ndërmejt urtësisë dhe mentalitetit. Dhe urtësia e dyzuar ndërmjet burrërisë dhe dashurisë prindërore. Dhe mentaliteti i dyzuar ndërmjet arkaizëmit dhe bashkohësisë. Aq sa e kuptoi Altini, Altinin. Një roman modern tejet konciz, kontekstaul, kontemporan. Një organizim semantik i shkëlqyer dhe pse tek tuk ngrenë krye tempuj, kishëza krahinorie të kodit tonë të shenjtë, Gjuhës Shqipe.”

Dhe si për të shtuar e përforcuar simbolikën dhe metaforën e kësaj ideje të hershme autori na delegon me një filozofi të fuqishme edhe poezinë retorike “Kur do kthehet dielli?” (2011). Mes vargjeve të saj poeti Myrteza Mara vështron tej ‘Perëndimin e pafajshëm/të diellit’ dhe mes një lidhjeje anatematike ai na rikujton se është në vëzhgim e sipër duke na hapur siparin e mesazhit të tij ‘e përcjell pragmbrëmjeve/me frikën e mosardhjes:/Ndoshta i zënë pritë,/e dhunojnë,/e marrin peng,/e lënë pa zjarr/dhe mua më mbeten/lotët e natës pa tharë?/Prometeu ka vdekur,/tok me legjendën,/po unë kë të pyes/"Do kthehet dielli?"/Mbështes mjekrën e zbardhur/mbi jastëkun e zi të natës/dhe lotët rrëshqasin,/si pikë zhive,/brazdave të faqes,/psherëtimat marrin udhë./Kur do kthehet Dielli?!” (Mara, Poezia: “Kur do kthehet dielli?” 2011).

Me diellin, detin dhe ngjyrëdetësinë, po aq edhe me fizionominë dhe historinë që e lidhin krejt hapësirën, kohën dhe vendin me të cilat shkrimtari bashkëudhëton janë prekjet metaforike që vijnë nga poezia e shkurtit 2000 “Lundërtar dhe shpresë” në vëllimin e tij poetik “Nisje e vonuar” (2003); poezia e Majit 2003 “Të dua Vlorë” në vëllimin e tij poetik “Gjurmët e heshtjes” (2005); poezia “Nusja e qiellit” në vëllimin e tij poetik “Qiriri i penduar: lirika dashurije” (2007) apo edhe tek novela tepër tërheqëse dhe kuptimplote e autorit “Lisiana” (2008). Në këto poezi dhe në mjaft të tjera botime të hershme të autorit që nisin me rininë e tij dhe pikëtakohen me “Gruaja e një ëndrre të bardhë” (Toena, 2008) shkrimtari na parashtron një lidhje të fuqishme të kultit të natyrës me një nyjëzimlidhje teoriko-filozofike me kultin e shembëlltirave historike. Le të shohim paksa këtë lidhje mes kultit të shembëlltyrave ndjenjësore të dashurisë tek romani “Gruaja e një ëndrre të bardhë”. Romani që i ka dhënë lexuesit shkrimtari para disa kohësh ka në qendër fabulën dhe idiomën e qartë të kultit mbizotërues në një lidhje historike dhe pikëtakuese se dashuria e ngujuar pas hekurave të shpirtit është një metaforë jete që duhet analizuar. Rreth kësaj dashurie zhvillohen ngjarjet e krimit, jeta në emigracion, që lëviz drejt vendlindjes, ku mundësinë e kap prej fyti pamundësia. Në qendër të romanit qëndron “ngjarja e padëgjuar ndonjëherë”(siç shkruan Gëtja, në një vlerësim të novelës së Cvajgut), që del nga e zakonshmja e jetës, bile veçohet edhe nga disa të padëgjuara të tjera. Autori nuk e ka kërkuar, por e ka jetuar ngjarjen, se shkrimtari di t’i zbulojë e t’i magnetojë “të pandodhurat”. Kur e lexon romanin të duket sikur shkrimtari ndodhet aty “tek e pandodhura”. Shkrimtari hyn në jetën e personazheve jo nga porta, por nga një derë dytësore, që quhet “dera e fshehtë e shkrimtarit” dhe bëhet vetë-personazh, “zot shtëpie” jo mik shtëpie. Nuk është e lehtë kjo. Diku shkruhet “Pyesni Myrteza Marën si mund të hyhet”, por për ta mbrojtur atë ide sa më bindshëm dhe për ta popullarizuar sa më ndjeshëm e qëmtueshëm vlen të citohet tërë krijimtaria e këtij autori. Por ja pas një pyetje për të nga Vangjel Sako zbulohet edhe një fakt tejet dometëhënës: “Nuk mund të ketë ndarje mekanike midis personazheve të veçantë dhe idesë së veprës. Ato janë në unitet. Mendoj se e rëndësishme është të dish se çfarë duhet të arrish, çfarë kërkon autori të përcjell tek lexuesit e sotëm e ata të nesërm, tek koha e perspektiva. Ndërsa njohja e personazheve dhe veshja e tyre me artin e duhur është cilësi e autorit, e penës së tij, e aftësisë për të njohur tipa e karaktere të pranueshëm, jetësor. Nëse në vepër është një personazh negativ, kriminel apo hajdut, duhet të “bëhesh” vetë “hajdut, kriminel”, pra autori duhet të ndihet nën lëkurën e çdo personazhi. Ndryshe vepra do thartohet sa të shfletosh faqen e parë. Në veprat e mija gjithë personazhet janë pjesë e shpirtit, e gjakut dhe e jetës. Tashmë ata janë “familja” ime. Para se të çoja për botim romanin “Dy Dashuri” kam qenë në mëdyshje të madhe për një personazh pozitiv, Erinda, të cilën unë e “vdiqa”. Shpirtërisht kam vuajtur deri në depresion e përlotje.

Jo vetëm vëmendje, Mara, një shkrimtar bashkëkohor

“Nemo cupido ignotum”, që do të thotë nga latinishtja: çfarë nuk njihet, nuk duhet, duket se është mesazhi që shkrimtari dhe poeti vlonjat, Myrteza Mara, përcjell në tërë krijimtarinë e tij. Një prognozë, kjo, që ka lindur hershëm në shqetësimin letrar shqiptar. Hershëm, pra qysh në 1939-tën, kur një nga kritikët më në zë të asaj kohe, por që çuditërisht i mungojnë të dhënat bibliografike në arkivën letrare shqiptare, Andrea Shuli, do të diskutonte me guxim për “shterpësinë letrare” (Shuli; 1939, 31 Dhjetor, f.2. Gazeta: “Fashizmi”). Ai ngriti zërin në një kohë tjetër, me një problematikë tjetër, duke theksuar me të madhe se ‘shterpësia politike’, nuk vinte vetëm nga kriteret politike, por edhe nga nga mosnjohja, nga korrelacionet e kohërave, trajtimet klasike, apo edhe imponimi si “condition sine qua non”, pra si interpretim i diktuar dhe i shtirur(po aty). Por, në thelb diktoi atë që në vite mbeti një dilemë filozofike e krijimtarisë shqiptare. Një dilemë që vonë u kryqëzua nga mashat e ndikimit marksist-leninist. Deri në ditët kur krijimtaria e shkrimtarit, Myrteza Mara vjen e bollshme, janë ende dihatje kritike të kësaj ‘shterpësie letrare’ edhe pse libra, botues, autorë, poetë e shkrimtarë kemi boll. Mara, ka ditur me një përkushtim kritik të dalë nga ajo bina që tejësohet në mesin e lavdisë së vetëshpallur kritike, duke krijuar hapin e tij të matur letrar, duke flakur tutje ‘shterpësinë letrare’, që më së shumti sot shfaqet edhe tryezave me krijues interesash, apo mes tezgave ku shitet libri për bukën e gojës, e që i ngjan shpeshherë fatit të rrobave në tregun e vjetërsirave. Fati e solli rastësisht të gjeja dhe lexoja krijimtarinë e Marës. Vlora e tjetërsuar, dhe një ditë mes krijuesish vlonjatë, më solli këtë shans të ndjehem mirë nën peshën e vargut, letrave dhe talentit të tij. Nuk mjafton një orë, një bisedë, një njohje spontane, … natyrshëm as edhe një respekt rasti. Natyrshëm mes një mjedisi letrar nuk është as e lehtë as edhe e vështirë të ndezësh motorët e të frysh e shfrysh energjitë. Por, kur e ndjen se je flakur tutje ‘shter