Kujtim Stana: Një gurë i çmuar në kolanën kombëtare të letrave shqipe
- 2 hours ago
- 6 min read

Falënderimet më të sinqerta dhe më të thella shkojnë sot për poetin, publicistin dhe analistin e vlerave letrare, z. Kujtim Stana, për leximin e kujdesshëm, të ndershëm dhe profesional që i ka bërë krijimtarisë sime letrare. Në një kohë kur shpesh ndodh që vepra të gjykohen me nxitim, ose të komentohen pa hyrë në thellësinë e tekstit dhe pa njohur udhëtimin krijues të autorit, vlerësimi i z. Stana merr një rëndësi të veçantë. Ai nuk u ndal vetëm te leximi i fjalës së shkruar, por depërtoi në shtresimet estetike, filozofike dhe simbolike të saj, duke i vendosur ato në një kontekst më të gjerë të zhvillimeve të letërsisë moderne dhe postmoderne.
Më nderon veçanërisht fakti që ai gjeti kohën dhe përkushtimin për të analizuar jo vetëm tregimin tim “Shkrafanjitje”, por edhe poezitë e mia më të fundit, duke evidentuar elemente që lidhen me figuracionin artistik, metaforën, simbolikën, ritmin e lirë poetik dhe mesazhin shoqëror që përçon teksti. Një qasje e tillë më kujton traditën më të mirë të kritikës letrare botërore, ku vepra lexohet me durim, studiohet me seriozitet dhe vlerësohet mbi bazën e meritës artistike.
Në historinë e letërsisë botërore, autorë si Franz Kafka, Jorge Luis Borges, T.S. Eliot, Milan Kundera apo José Saramago patën fatin të gjenin kritikë e studiues që jo vetëm i lexuan, por i ndihmuan lexuesit të kuptonin dimensionet e fshehta të veprës së tyre. Në përmasat tona modeste kombëtare, një punë e tillë analitike mbetet po aq e rëndësishme, sepse krijon urën më të vyer midis autorit, veprës dhe lexuesit. Shkrimi i z. Kujtim Stana dëshmon kulturë letrare, ndjeshmëri artistike dhe respekt për fjalën e shkruar. Ai është një shembull i atij lloji lexuesi-kritik që letërsia e vërtetë e çmon dhe e pret gjithmonë me mirënjohje. Për këtë arsye, e falënderoj publikisht nga zemra. Jo vetëm për fjalët vlerësuese, por mbi të gjitha për seriozitetin intelektual, për ndershmërinë e gjykimit estetik dhe për përpjekjen për të nxjerrë në pah ato vlera që shpesh mbeten të fshehura nën heshtjen e kohës.
Mirënjohje, i nderuar Kujtim Stana!
Vlerësime të tilla janë një inkurajim i madh për çdo krijues, sepse dëshmojnë se letërsia vazhdon të gjejë lexues të vëmendshëm, mendje të hapura dhe zemra që dinë ta dëgjojnë zërin e saj. (F. Terziu)
Kujtim Stana: Një gurë i çmuar në kolanën kombëtare të letrave shqipe
I.
Me krijimtarinë studimore dhe letrare të Profesorit të nderuar Fatmir Terziu, jam takuar shumë rrallë. Do të isha i lumtur po të më jepej mundësia për t’u njohur me të.
Kur po bëja korektimin letrar të vëllimit me tregime të zgjedhura lirike "Pena e vjeshtës së artë", në vitin 2015, u befasova nga tregimi i shkrimtarit Fatmir Terziu, jo vetëm nga titulli, por dhe nga brendia e tij.
Ai mbante një emërtim disi të rrallë për mua, që të fuste në ngasje kureshtjeje: -Shkrafanjitje - Të them të drejtën, një fjalë të tillë, nuk e gjeta as në fjalorin e madh të gjuhës shqipe. Kontekstualisht, kuptova se ishte diçka e ngjashme, ose e përafërt me gudulisje, apo shkriftim, mbase dhe jam gabuar. Tregimi më pëlqeu shumë. Aty rrëfehej një ndodhi e dukuri nga periudha moniste në vendin tonë. Ajo që e bënte të veçantë tregimin, qenë përshkrimet mjeshtërore dhe zhvillimi në dy shina paralele, jo të njëvlefshme, i ngjarjeve:
1. Animizmi, nëpërmjet bimës së preshit të destinuar për eksport, por dhe zhbërja e shpirtit njerëzor duke e shëndruar atë në send.
2. Jeta reale e njerëzve, me vuajtjet, peripecitë e tyre nën trysninë e regjimit.
Disa shprehje me ngarkesa të tilla, ndjesore dhe emocionesh që të ngjisin në kujtesë, po i shpërfaq më poshtë:-
„E kishin shkulur me kujdes (prasin) dhe një ditë e kishin zhveshur nudo.“
„Sistemi ynë, nuk ishte dashuri, por një çekiç për të shtypur tjetrin.“
„Duart e saj u qasën si një kapse flokësh në mesqafën time.“
„Unë isha si një brumbull i vogēl në retinën e saj.-„
Siç shihet më lart, një aureolë, figurash artistike letrare, mbështjellin butësisht tregimin, duke vallëzuar me metaforat: - si kishin zhveshur nudo… (preshin), çekiç për të shtypur tjetrin (sistemi), brumbull i vogël në retinën e sajë (personazhi)- etj.
Ndër krahasimet do përmendja: - si një kapse flokësh në mesqafën time (duart e saj).-
Në të njejtën mënyrë mund të rendisja dhe epitetet e shumtë.
Brezave të sotëm, mbase ky tregim do ju dukej i çuditshëm, por ne që e kemi përjetuar atë periudhë, jemi të ndërgjegjshëm dhe për peshën historike që mbart letërsia në faqet e saj.
II.
Gjatë muajit Qershor të këtij viti, duke ndjekur poezitë e shkrimtarëve tanë në rrjetet sociale, lexova katër poezi të shkurtra nga shkrimtari Fatmir Terziu. I veçova dhe ju bëra një koment modest, siç unë i vlerësoj ato.
Strofa
Strofa
kjo strofkë e vogël e qëndisur dhe e bukur
që mbetet në mendjen time,
(si një yrnik i hollë)
edhe pse kemi kapërcyer një gjysëmshekull
autostradën për në shkollë.
Hap plagë
Ka njëzetë ditë që hap plagë dhe kutërbon
përmes maleve,
urave dhe tuneleve,
dhe reve,
përmes një boshllëku midis kalave
(prej rëre)
deri në një fund
të vetvetes dhe asgjëje.
Ai flet
Ai flet
(arroganca çmendurisht gëlltit)
fjalë të kequshqyera,
tehet e fjalëve dalin jashtë, shpojnë lëkurën.
Por ato vazhdojnë t'i hanë gjoksin pa zë
dhe të godasin ëmbël
atë.
Pemishtja në bulevard
Pastaj mendoj për sytë e enjtura prej godinës së plotfuqishmit
ndërsa këmbët e tij shkelin produktet e yndyrshme,
mes tulit dhe bishtit.
Lëvizje
të kujdesshme,
por të shpejta.
Faqe të fryra lëpirje në gishta.
Të shtrira drejt tij, format pa bythë,
ato marrin formën e një kavanozi.
Para atij pisanjozi.
Në tërësi, të katër poezitë e shkurtra që shpalosa më sipër, janë të njëjta në stil, por të ndryshme nga ngjarjet që trajtojnë. Sipas këndvështrimit tim, dallojnë nga vjershërimi me rrregulla metrike, strofa të traditës, me katër vargje e rima të alternuara. Poezia e Fatmirit, rrjedh në lirinë e frymëzimit, vargu thyhet kur duhet të theksojë një mendim, apo ide, kur dëshiron të ndërrojë ritmin, apo t’i japë ëmbëlsi intonacionit, pa asnjë kufizim ose rregull të shkruar për vargëzimin. Kjo formë e të shkrurarit të poezisë, si nga ndërtimi, ashtu dhe nga mënyra si përcillet, ndjenja, mesazhi, i përket poezisë moderne e post moderne. Në pak vargje, me fjalë ajke të gjuhës tonë të bukur, që thonë shumçka përjeton poeti, i transmetohet estetikisht mesazhi lexuesit.
Më konkretisht, te poezia "Strofa", kemi ngarkesa vlerash që më sjellin në mendje, fjalë të urta nga populli ynë, si:
- I vogël është floriri, por ka çmim të lartë.-
Këto strofa të poetit Terziu janë të vogla në formë, por të bukura e të qendisura në përmbajtje, aq sa të ngjitin në kujtesë, si një yrnik i hollë.
Sa bukur e hijeshon poezinë fjala yrnik, sa i hollë është, aq dhe i rrallëpërdorur. Kjo strofë e vogël në hapësirë, por e shtrirë gjysëmshekulli në kohë, ia rrit cilësinë vetes dhe me një element tjetër filozofik si, (kapërcime autostrade për në shkollë, drejt dijes).
Në këtë linjë, mund të vijoja dhe me tre poezitë e tjera, por për të mos u bërë i përsëritshëm do veçoj, vetëm ndonjë tipar të veçantë që përbën ndryshimin. Pikërisht ato, janë koherente dhe emergjente, stigmatizojnë falsitetin e propogandës së pushtetit, të ngritur mbi kështjella rëre. Kjo përqaset, nga sytë e enjtura të godinës së plotëfuqishmit, diktatorit modern të veshur me petk demokracie.
Pena e Terziut, godet me artin e tij, faqefryrët e gishtlëpirët, para atij pisanjozi.
Më tej te poezia "Ai flet", figuracioni letrar arrin kulme të rralla ( arroganca çmendurisht gëlltit fjalë të kequshqyera ). Sa therëse, e drejtpërdrejtë dhe asgjësuese, është kundërvënia e sarkazmës së Terziut në këtë poezi.
Më kot nuk kam quajtur metaforën si mbretëresha që nusëron, vargjet. Arroganca e çmendur, gëlltitja e fjalëve, mandej dhe të kequshqyera, shprehin thellësinë, keq qeverisjen e trashëguar në dekada dhe simbolikën e mesazhet e duhura, nga një tranzicion i tejzgjatur, me nëpërkëmbje prej pushtetmbajtësve.
Mahisja e problematikave çon në ngritjen e uraganeve me protesta, për të gjetur zgjidhjet e duhura. Poeti, nuk mund t’i anashkalojë këto procese dhe pse jeton në emigracion, shpreh fuqishëm zërin e tij të zemrës për atdheun ku lindi dhe u rrit, me anë të vargjeve.
Fatmir Terziu, sot gjej rastin dhe ta uroj për arritje të reja, pasi ai nuk është vetëm një studiues i njohur e i suksesshëm, akademik, por dhe një shkrimtar po aq i pëlqyer e shumë i vlerësuar, për prozën, publicistikën e poezinë e tij, duke shëndritur si një gurë i çmuar në kolanën kombëtare të letrave shqipe.
Kujtim Stana, poet, publicist, Tiranë, Qershor 2026








Comments