top of page

Ku shkojnë vlerat e trashëgimisë…mbi Gjorg Golemin?!


Gjorg Golemi

Ku shkojnë vlerat e trashëgimisë…mbi Gjorg Golemin?!


Prof Dr Fatmir Terziu


Në familjen Alla, në Polis Valë të Elbasanit, ndërsa shënohej dita e parë e hapjes së Shkollës, jo thjesht si ditë e parë e shkollës, por si një ditë e parë e hapjes për herë të parë të shkollës në atë fshat, ishte dhe një ditë gëzimi “kolektiv”. Kjo pasi zonja e shtëpisë mësuese dhe dy fëmijët e saj, për herë të parë do të kishin shkollën e tyre të arsimit të detyruar tetëvjeçar të viteve nëntëdhjetë, jo më një orë larg shtëpisë së tyre, por vetëm pesë minuta. Kështu gëzimit të rastit, do t’i shtohej dhe prania ime, si drejtuesi i kësaj shkolle, që tashmë kishte hyrë në historinë e arsimit të kësaj zone. Kjo më bënte të shihja dyfish gëzimin në sytë e të gjithëve. E ndërsa gëzimi kapërcente gotën e rakisë, që natyrisht uronte për suksese, sytë kalonin nga një mur në tjetrin, në atë banesë tipike të zonës. E në një nga muret e saj syri im u bë peng u një kohe jo të vogël, i një kohe që i duhej syrit tim nga ai kënd të lexonte në sexhadenë në mur të shkruarën me qëndisje të bukur: “Ky Sulltani qan me lot’,/kam dhe një Skënder n’Sopot…”. Sakaq sytë nuk u hapërndanë të shkoqisnin pamjen dhe ngjyrat, por me kapjen e parë përcollën një mesazh të tillë, që do të pasohej vite e vite më pas memorjes që zbret në këtë shkrim nga Londra. Nga ajo qasje leximi në sy mbaj mend se “sexhadeja ishte një dhuratë e vjetër e trashëguar kushedi sa vite nga të parët. Ndoshta disa breza si pjesë e pajës së nuseve…”. Kjo të paktën u tha, ndoshta fjalë për fjalë, si një përgjgje për kureshtjen e syve të mi, nga të zotët e shtëpisë, që kishin orrigjinën e tyre të ndarë midis Çermenikës, Shpatit dhe Sopotit.


E aty më pas bisedat dhe kërkimet e mia të vazhdueshme më bënë që të mësoja se motet kishin lënë jo pak gjëra që ndoshta nuk kishin rënë në sy të të tjerëve, por që kishin deleguar zërin dhe melosin e tij popullor deri në festivale. Këto ishin memorje që kishin zënë vendin e vet në letrat e Zihni Sakos dhe Qemal Haxhihasanit, por nuk kishin shkuar më tej se viti 1972 kur vetëm një faqe kishte përcjellur “Tregime dhe këngë për Skënderbeun”. Kjo ndoshta për arsye të panjohura, por edhe se ndoshta i vjehrri i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Gjergj Arianit Golemi, i cili ishte zot i Çermenikës, kishte mbetur ende një mëdyshje për emrin e dualizuar në këngët e zonave, si Gjorg Golemi, dhe si Gjergj Arianit Golemi. Sidoqoftë ky emër kishte zënë mjaft rrënjë dhe kishte shpërndarë rrënjët e tij anembanë, pasi pas vdekjes së Skënderbeut, populli humbiste një udhëheqës të madh dhe qëndresa kundër të huajit nuk u shua, falë përfshirjes së tij, kryengritjet shpërthenin kudo, ndërsa Turqia derdhej me forca gjithnjë e më të mëdha. Dy vargjet e mësipërme natyrisht si hyrja e këngës së njohur për Gjorg Golemin, flisnin atëherë mjaft, dhe flasin ende dyfish edhe për atë lidhje dhe për memorjen me trashëgiminë kulturore të asaj familjeje në Polis Valë.

Nga të dhënat e këngëtarëve, kënga e Gjorg Golemit, ashtu sikurse është gjetur deri më sot, mund të shtyhet deri rreth 1750-ës. Thuhet në mjaft kërkime dhe studime se kjo këngë është krijuar sipas një legjende të përhapur në Bërzeshtë, Polis dhe Sopot. Por, duhet të theksojmë se në bazë të legjendës egzistojnë ngjarjet dhe faktet historike. Nga emri gjorg Golemi dhe dis atëdhëna të legjendës e të vetë këngës, duket se ky princ, pra ishte Gjergj Arianit Golemi i cili nuk ishte vetëm zot i Çermenikës, por edhe i Shpatit, dhe ai madje sundonte edhe në Myzeqe e në disa vise të Jugut.

Kënga dhe legjenda popullore ruajnë kujtimin e qëndresës së tij të fundit kundër Turqisë, në viset e Polisit e të Shpatit, por gjithnjë me qendër Sopotin. Përmbajtja me pak fjalë është kjo: Sulltani e ka njohur tashmë shpirtin luftarak të shqiptarëve. Ai e di se me anënn e forcës është e zorshme të përkulësh qëndresën dhe të rrëmbesh lirinë, prandaj përdori tradhëtinë.

Vendi sulmohet në një kohë kur të gjithë burrat janë larguar në një fshat tetë orë larg për t’u lutur, sipas zakonit, në një festë fetare të vitit. Turqit që ruanin momentin me anë të një spiuni hynë në Sopot dhe morën vendin. Sopotin e mbrojtën gratë dhe turqit e mbytën vendin në gjak. Për fatin e Gjorgut kënga nuk bën fjalë, por marrja e Sopotit ndoshta duhet parë si përfundimi i tij. Pjesa më e bukur e kësaj kënge është ajo kur flet për luftën e grave: “Sopotare moj të ngrata,/rrokni thika, rrokni shpata,/a do ikim të shpëtojmë,/a do rrimë të luftojmë?/Na do rrimë të lëftojmë,/Gjorg Golemin s’e turpërojmë!”

Kënga ruan elemente që e tregojnë të vjetër, sepse u ngjan këngëve legjendare, por sexhadeja me ato vargje nga filli i kësaj kënge ndoshta ka një jetë të mëvonshme, mjaft të vonë, aq sa ndoshta mbeti për të shkundur memorjen tonë. Kjo këngë u soll përherë të parë në vëmendje publike në vitin 1938. Ai që e solli këtë këngë ishte Shahin Zharri (1915-1991) nga Bërzeshta e Librazhdit. Këtë këngë e botoi në revistën “Shkolla Kombtare” (Nr. 16-17, faqe 22). (A.Alcani; kënga historike me titull: “Kanga e Gjorq Golemit, i kushtohej Princit të Sopotit”,1) një prej figurave më të shquara historike të shekullit të 15-të, Princit Gjergj Aranit Komnen Golemi, Zotit të Çermenikës, Mokrës dhe Shpatit.). në librin tip Antologjie, “Almanaku” të botuar në Elbasanin e viteve 1974-5 ndodhet dhe një shënim i vogël poshtë një poezie të poetit elbasanas Musa Vyshka, lidhur me këtë këngë, që thuhet se shërbeu si frymëzim. Ka pasur dhe frymëzime të tjera nga kënga dhe vlerat e këtij heroi, ku mjaft janë në faqet e librave dhe letrësisë shqipe, por kjo në një kënd të vogël vlerash. Vlerat e tjera, dhe vlerat e trashëgimisë, nëse ka pasur dhe të tjera si këto, duke mos përjashtuar dhe realizimet në art e skulpturë flasin sot ndryshe, teksa një pyetje ende mbetet: Ku shkojnë vlerat e trashëgimisë…?!

@copyright

89 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page