KTHIM NE VENDIN NGA KU NUK U NISA KURRE


HARALLAMB FANDI

KTHIM NE VENDIN NGA KU NUK U NISA KURRE

( Ja ç’tё kujton e ç’tё bёn poezia )

Kur nisa tё lexoja poezitё e vёllimit “Kёngё e verdhё zogu nё mesnatё”,Alisa Velajt, me synimin pёr tё mos i lenё pa hedhur mbresat nё letёr, i thashё vetes qё, sё pari, duhet tё jem njё lexues i mirё. Duket si njё fjalё goje, po kjo s’ёshtё gjё e lehtё pёderisa, sipas Borges-it, lexuesi i mirё ёshtё po aq i rrallё sa dhe njё shkrimtar i mirё. Vёshtirёsitё rriten sidomos kur pёrshtypjet nga leximi shtohen pa u kuptuar dhe kthehen nga xixa nё prizma tё prushtё, qё shtyjnё njёri-tjetrin. Shumё shpejt, po nuk i “ kape”, prizmat kthehen pёrsёri nё xixa, qё “tё lenё shёndetin “ e fluturojnё. Dhe, teksa vazhdon tё tё vijё keq pёr kёtё dhe shkon mё tej duke lexuar, poezi tё tjera tё rrёmbejnё dhe tё bёjnё tё harrosh se duhet tё futёsh nё punё dhe dorёn, qё mezi pret pёr tё shkruar. Kur, mёnёfund, vendos tё shkruash dhe qortuar veten pёr çka ke humbur, ve re qё Borges-i, me urtёsinё e tij prej gjeniu, ёshtё pranё teje pёr tё tё thёnё qё s’ke faj se “…tё gjithё ne e ndjejmё bukurinё e njё poezie mё parё se tё mendojmё pёr kuptimin e saj “. Nisur nga kjo, mendimet i lashё pёr t’i shёnuar nё njё lexim tё dytё, i cili mё ёshtё bёrё shprehi qё nga dita kur miku im, poeti i mrekullueshem Ilirian Zhupa, mё tha se “Poezia ( natyrisht, e mira) nuk lexohet. Ajo tё vjen edhe mё e plotё , madje merr dhe forma nga mё tё ndryshmet, sa herё qё rilexohet.”Dhe, shumё shpejt, rileximi i poezive tё Alisёs u bё njё çelёs kёnaqёsish vёrtet tё rralla.

Do tё mё pёlqente ta filloja shkrimin me rrёfimin e sinqertё tё njё trishtimi qё, pёr fajin tim, m’u shfaq nё trajtё tё njё muzgu tё zymtё prej leximit “paraprak” ( aty-kёtu dhe tё nxituar!) tё disa poezive, po nuk do tё doja qё ai tё mbetej si fill i gjatё dhe i pandёrprerё nё libёr. Kёrkimi i tё kundёrtёs, apo mё mirё, largimi i vullnetshёm nga ajo mugёtirё gri, pёr tё gjetur njё atmosferё tjetёr poetike, u bё gjatё dёgjimit ”, nё sfond”tё leximit, tё njё melodie tё njohur tё Mozart-it, e cila mё zbuloi shpejt njё botё tё ndritur ngjyrash, me nuanca tё shumta. Muzika dhe libri qё kisha nё duar mё zhytёn shumё herё mes imazhesh reale e surreale si dhe tingujsh tё vargjeve qё, nё çastin e duhur, ia linin vendin heraherёs …heshtjes. Kёtu mё duket se ёshtё e nevojshme tё pёrsёris shprehjen qё mё vjen shpesh nё mendje gjatё dёgjimit tё tingujve magjikё tё gjeniut : “Mozart- i, nuk ёshё vetёm muzika e tij, po dhe heshtja qё vjen pas saj”. E theksova kёtё sepse melodia qё ma hoqi si me dorё trishtimin, pikёrisht nё çastin kur kisha mё shumё nevojё, ishte Adagio-ja e koncertit me klarinetё dhe orkester e Mozart-it, ardhur si njё baticё mbushёse e qetёsuese, ndёrsa lexoja vargjet e poezisё kushtuar Fatos Arapi-t. Erdhi si pa u ndier dhe krejt natyrshёm ajo baticё - melodi, krahas me kujtimin e imazheve tё filmit “Out of Afrika”ku protagonistёt e filmit, me njё aeroplan tё vogёl dykrahёsh, tё linin pёrshtypjen se po lundronin nё njё qiell mbrёmjeje tё artё, teksa, poshtё tyre, mbi lagunё e mbi det, fluturonte qetё dhe e pandarё njё tufё prej qindra e qindra flamingosh.

Ç’kërkojnë këto flamingo brigjeve të tua, Poet? - u dёgjua me njё ngarkesё emocionale tё paprovuar pyetja qё ngrihej nga libri i Alisёs. Mes rrjedhёs sё tingujve mozartianё, qё shoqёronin fluturimin e flamingove erdhi butёsisht dhe pёrgjigjja drithёruese e poetes:

“Ato po vallëzojnë,

po vallëzojnë,

po vallëzojnë,

me flatra të purpurta,

si hëna mbi qiparisa.

Vallëzojnë të lira si shpirti yt mbi ujëra.

Vallëzojnë, vallëzojnë, vallëzojnë,

pastaj befas heshten dhe ato.

Vallëzojnë e heshten,

heshten e vallëzojnë,

si liria jote e bukur,

pezull mbi shkëmbinjtë tanë të mohimit.”


U ndala nga leximi nё tё njёjtёn kohё me heshtjen, qё erdhi pas muzikёs. Ndoshta po aq e bukur sa muzika, heshtja erdhi kur duhej, pikёrisht atёhere kur e kёrkonin vargjet e fundit tё poezisё dhe kur pёrmbi ishullin e bardhё lundrues tё flamingove, pashё me kёnaqёsi tё veçantё, tё ngrihej e tё hapej mbi lagunёn e Zvёrnecit, vizatuar me delikatesёn e rrallё tё vargjeve, portreti i poetit tё lindur nё atё vend-mrekulli, Fatos Arapi-t. Mbyllja e jashtёzakonshme e poezisё me goditjen kontrastuese tё fjalёs “pezull” e le lirinё tё paplazmuar deri nё fund e dhimbёse prej plagёs sё pashёruar tё mohimit qё vazhdon…


**********

Nuk e lexova dy herё librin. E lexova mё shumё, sepse libri mё pozicionoi pёrpara njё afresku tё madh me figura tё gjithfarёllojshme, jo vetёm reale, po dhe abstrakte (kёto madje tё shpeshta e mendimnxitёse) , me ngjyra e tinguj modernё, qё tё tёrhiqnin pёr te leximi e nёnvizimet.Veçova jo pak vargje nga mё shumё se 60 nga qindra poezi tё librit, pёr tё mbledhur prushe tё ndritura si kёto:

Dritë mbi dritë,

dritë nën dritë,

dritë tej drite…


…E kaltra e ujërave është zëri i shtegtimeve të mia.

thirrja e bekuar e thellësisë së qiejve.

… e vetmja lumturi pa brenga lamtumirash


…Të mbushesh me ty

është si të zbrazesh nga lulëzime kaktusesh…


…Parfum avujsh jasemini

është prania jote e munguar…


… Ti dhe në mos ndodhsh, je i kudondodhur

asnjëherë në mos ardhsh, s’ke kurrë për të shkuar

prej meje, prej qiejve dhe asaj stine

që veç unë ia njoh shenjat!...


…Unë tani erdha

me tërë paqen e shpirtit dhe të frymës sime…

…Do të rri aq sa duhet dhe asnjë çast më tepër.

Ikja ka vlerë kur fryjnë erërat e diellit.

Ardhja pagëzohet me disa pika shiu,

në një ditë të kthjellët si ujërat e Jonit…



Parafytyrimi i ujёrave tё Jonit dhe tё Adriatikut , mё solli pёrpara syve dhe njё autoportret metaforik tё autores, qё u shfaq buzё detit, duke parё perёndimin e diellit pas Sazanit :


… Jam krejt lule-zjarr

kur disku i diellit

digjet pas ishullit

në perëndim...


si dhe njё parapёlqim, shprehur me vendosmёri vajze vlonjate pёr perёndimet e pakёmbyeshme me bukuri tё tjera tё botёs:


…Më fal një lule-zjarri

t’u jap lamtumirën

netëve boreale.


Nga hapja e “sirtarёve” me vargje tё vёllimit, pashё tё rrotullohen, ndёrthuren e tё dalin prej tyre perla me shkёlqime fjalesh poetike si : “Më thanë se vaditje ti një kopsht me jargavanë”, nxjerrё nga njё kёngё popullore, tё cilat bashkёrendohen hijshёm me vargjet vendosur me delikatesё filigranore nga poetja nё buzёt e njё vajze tё re :

Vetmia është brymë, i bukuri im, është brymë.

Mëngjeseve mund të bjerë mbi mua

mbi ty, mbi jargavanë.

Është brymë e shtrirë mbi gjymtyrët e mi në pritje.

Mjegull joshëse që fsheh një fytyrë të dashur

dhe shpatullat e tua të forta,

ku mbështetet butësisht tërë qielli im!...


Sirtarёt” e vargjeve mё sollёn befasisht nё kujtesё dhimbjen e poetit tё madh, Kavafis-it, shprehur te poezia “ Nga sirtari “, pёr njё portret tё dashur, qё e kish fshehur dhe s’guxonte ta vendoste nё mur. Duke kujtuar nga kjo poetin dhe mezikthimet e rralla te vendi i prindёrve tё tij , kujtova emigrantёt dhe largimet e detyruara prej atdheut tё tyre. Veten time po e po. Dhe s’kish se si tё mos i kthehesha edhe njё herё kёrkimit nё libёr, pёr tё nxjerrё nё dritё vargje drithёruese si kёto:


…Pas asaj dere të mbyllur ti mund të jesh

dëshmitari i parë i ardhjes së pranverës,

ose i mbrami i vrapimit të vjeshtës…

…E di se nuk duhet të trokasësh dhe s’e bën.

…Dy hapa prapa dhe merr udhën e kthimit,

pa marrë mundimin as të trokasësh në atë derë.

Trembesh mos i zgjon meloditë brenda vetes

në një strehë që nuk e dite kurrë,

në do të jetë e jotja apo e tjetërkujt.


********


Duke lexuar, rilexuar e shёnuar mbresa dhe mendime prej librit, nga dita nё ditё po mё forcohej bindja se isha duke bёrё njё punё tё mirё pёr theksime vlerash tё veçanta. Por, kёnaqёsia m’u zbeh disi kur u kujtova qё jo pak autorё nuk i pranojnё kollaj shkurtimet e poezive tё tyre. Madje, nё shumё raste edhe mua vetё m’u duk e padrejtёtё mos t’i nxirrja nё dritё ashtu siç ishin, tё paprekura, disa nga poezitё, si kёto:


ATLAS


Rrënoja resh i bien mbi shpatulla.

Ka një emër dashurie: Atlas.

Kraharorit i rreh një zemër e kaltër dhe shtrëngatat janë

shpesh frymëmarrja e tij.

Ka një emër dashurie, nën të cilin nuk u kërrus kurrë.

Mbi shpatulla qielli, retë, dielli, yjet e hëna!

Atlas! Atlas! Atlas!

Mbi kryet e tij mjegulla është muzikë.

Në shpatullat e tij vajtojnë fantazmat e reve në mot të

kthjellët.

Ai është Sizifi i dashurisë dhe biri kryelartë i erërave.

Shtati i tij, shtrat i puhive, nënkresë e klithmave të zogjve.

Stivosur këngët e ujërave në gjoksin e tij.

Ai frymëmerr me afshin e diellit pas shiut.

Ai është shi dhe ka një emër dashurie.

Rrënoja resh i bien mbi shpatulla papushim, gjersa

shndërrohen në zëra drite.

Atlas! Atlas!

Unë e thërras sa herë gdhihem hon dhe ai vjen!!!

Pasi e veçova kёtё poezi - tablo, sa monumentale aq dhe piktorike, ku muzika vjen e lodron mes dritёngjyrimesh metaforike nё mjegullnaja, qiej tё paanё, puhiza, cicёrima zogjsh, pika shiu e afshi diellor, nuk mund tё mos shkёpusja nga afresku edhe dy poezi tё tjera spikatёse, me qasje bashkёkohore, jo vetёm pёr shkathtёsinё e pёrdorimit tё mjeteve letrare, por edhe nё frymёn e veçantё qё sjellin:


RITUAL


I drejtë e i lartë si një palmë, ai hyn në pyllin pranë shtëpisë me një sëpatë në krah dhe mendon t’i ndajë në pjesë, dy drurët e rrëzuar mbrëmë nga stuhia.

Dje kur erdhi ishte i vetëm dhe pa këtë mendim.

Ky mendim iu ngjiz në tru, ndërsa shtriqej mbi shtrat.

Është mëngjes dhe druvari po hyn në pyll.

Ajo nuk e di se ai është druvar.

Gjithë çka di ajo është se ai ka qejf të gdhendë drurin për të bërë kukulla për fëmijët, apo lloj lloj krijesash të vogla që ai ia dhuron përherë pasi bëjnë dashuri.

Pastaj vjen perëndimi dhe ajo i drejtohet shtëpisë së saj.

Ai mbetet në të tijën duke gdhendur.

Shpesh harron t’i thotë “natën e mirë!”

Ai po hyn në pyll i përmallur për të.

Si nëpër ëndërr i kujtohet se kanë ditë pa u takuar.

Hyn në pyll, merr drejtimin nga pemët e rrëzuara dhe trishtohet si fëmijë.

Pemët nuk janë më aty.

Pemët dikush tjetër i ka marrë.

Dikush që gdhend si ai ndoshta.

Ai nuk do ta bëjë kurrë të presë dru të shëndoshë.

Ai kurrë s’e ka bërë këtë!

Ajo i ka flakur tërë të gdhendurat e tij në det në të njëjtin çast, kur ai trishtet.

Ka një ditë të tërë duke udhëtuar me një anije.

Det, e det e prapë ka më det.

Anija ndalet në ishull.

Ajo nuk zbret.

Anija ndalet në gadishull.

Ajo nuk zbret.

Ajo do më det, ta përpijë me sy e nuhatje.

Ajo i vështron nga larg udhëtarët tek vizitojnë ishullin dhe gadishullin.

E vetme në varkën bosh, ajo i pret të kthehen.

Ajo është mësuar të presë...

Ai del nga pylli, ulet mbi një cung lisi në të hyrë të tij dhe fillon qëron lëvozhga vetmie.

Ligështohet edhe më që nuk i gjeti pemë.

Çdo të gdhendë tani?

Ai ka mall për të dhe qëron lëvozhga vetmie.

Ajo nuk di sa do të zgjasë udhëtimi nëpër det.

Ajo nuk di nëse do apo jo që ky udhëtim të mbarojë.

Ajo ka mall, shumë mall.

Ka perënduar!

Poezi – performancё kjo , ngaqё nё çdo rilexim vjen me diçka ndryshe: imazhet surrealiste, me levizje skenike, ndёrthuren e priten heraherёs si me sёpate dhe shume pjese te tyre qёrohen e thermohen si lёvozhga drurёsh vetmie. Tё gjitha bashkё treten paskёtaj nё njё muzg perёndimi. Po dhimbja e dashurisё?..Edhe ajo ?....Kushedi. E tёra duket si njё pёrrallё, po ardhur si e vёrtetё, tё bёn te mendohesh e te mendohesh pёr njё agim tё ri qё, sic ёshtё thёnё shpesh, “pёr tё mbёrritur deri te ai, duhet tё kalosh detyrimisht nёpёr natё”.


Ndёrsa ky “Flori i vogёl”, qё vjen kёtu poshtё si KËNGË E VERDHË ZOGU NË MESNATË, i venё nё ballё tё “nuses-libёr”, duhej tё binte fort nё sy, po s’bie. Sepse vlerёn nuk e ka te shkёlqimi. Kur e merr dhe e mban nё duar, zogu i vogёl ta kalon rrёnqethjen e tij (kёngёdritё dielli tё brishtё) nё gjithё qёnien, dhe tё bёhet i dashur, shumё i dashur, njёlloj si çdo fёmijё i porsalindur:


Ai nuk shihet,

nuk shihet aspak.

Veç dridhet nëpër ajrin e territ

si një ankth i brishtë...

Rreze hëne nuk ka.

A thua se dielli u harxhua papritur,

e hëna nuk pati më ç’të reflektonte.

Dridhet një ankth imëtak

në trup të natës

dridhet

e një si fashë drite e verdhë, e verdhë

hidhet saora nga një pemë në tjetrën.

Si mund të fluturoka drita kështu?

Nuk është dritë,

nuk është dritë

por këngë e verdhë zogu,

si një diell i brishtë, i sapongjizur

për mua dhe për ty...

Një diell i vogël

si foshnjë e brishtë

nëpër ajri!

Mund tё shkruaja dhe shumё pёrshtypje tё tjera pёr kёto poezi, tё cilat ka tё ngjarё qё tё kenё zenё nё kёtё shkrim vendin e poezive edhe me tё bukura. Po ja qё kёto veçova. Mbresa tё lindura nga perceptime ndryshe nga tё miat, mund tё shkruhen pa dyshim edhe nga shumё tё tjerё. Sepse nё libёr shembujt e bukur vijnё me bollёk, si nga ndёrveprimet midis vargjeve ashtu dhe nga shpёrndarja e mirёmenduar e poezive nё afreskun e madh tё krijuar prej tyre.

“Vendmbjellja” e duhur e poezive nё humusin e librit, pёrbёn vёrtet njё vlerё mё vete nё kompozimin e tij, sidomos pёr frymёn dhe mesazhet qё mbartin. Kalimet nga trishtimi te gёzimi tё mbushin shpeshherё me frymё. Ato tё kujtojnё hapjet e mbylljet e befta tё kohёs nё njё qiell pranveror, ku dielli mbulohet dhe lirohet me shpejtёsi nga retё qё shtyhen vrullshёm nga era. Strukturimi i kulturuar i poezive, ashtu si caktimi i vendit tё secilёs mes simotrave, ka mundёsuar edhe gjetjen e atmosferёs ndihmёse pёr kuptimin mё tё plotё tё tyre. Midis poezive gjen shembuj ku ky kuptim, nё pamje tё parё, s’ёshtё i lehtё, sidomos nё ato raste ku ka abstragime tё guximshme, apo ku metaforat vijnё me bollёk njёra pas tjetrёs. Hermetizmi, gjithashtu, pёr t’u hapur dhe pёr tё shfaqur paskёtaj vlerat e veçanta, kёrkon çelёsat e vet, por autorja e ka zgjidhur bukur vёshtirёsinё me pjekuri e mjeshtёri artistike , duke e bёrё tё notojё fjalёn, ndonjёherё edhe tё vetme, nё ujёra kontekstesh kthjelluese. Kam pёrshtypjen se njё nga poezitё qё e tregon qartё kёtё do tё ishte kjo:

AUREOLË


Ne kurrgjë s’dimë

pse lulja fle në mjegull

e qeshet me veten e qiejt.

Kurrgjë nuk dimë

pse frymorët para syve tanë

zgjohen me një tjetër dritë

në sy e në shtat.

E si mund të dimë

kur askush s’guxon

t’i lexojë një herë mjegullat…?!


Do tё doja tё krijoja pёrshtypjen se, ndonёse s’ishte e lehtё, provova tё guxoj. Dhe, ndoshta, diçka bёra.

Mjafton kaq?..Kurrsesi! Libri nuk tё le pa e marrё pёrsёri nё duar.


HARALLAMB FANDI


187 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif