Astrit Lulushi
“Po sikur...?” ose “Çfarë do të kishte ndodhur, nëse”...? Janë pyetje që bëhen kur njeriu i ka zgjidhur të gjitha problemet e kohës, ose i klasifikon si të pazgjidhshme në këtë botë që përsërit gabimet; me të pasur e të varfër, të drejtë e të padrejtë, shtypës e të shtypur.
Nëse Perandoria Bizantine, për shembull, do të kishte mbijetuar, ajo do të mbulonte sot pjesën më të madhe të Europës Juglindore dhe Anadollit. Emër Ballkan nuk do të kishte, as ballkanizim. (Gadishulli Ballkanik është sinonim i krijuar në shekullin e 19-të, për provincat e Perandorisë Osmane në Evropën Juglindore).
Në qoftë se kryqëzata e katërt, që kulmoi në vitin 1204 me shkatërrimin e Kostandinopojës në vend të Egjiptit siç ishte planifikuar, fillimisht do të shmangej, dhe pushtuesit Perëndimorë, që maskoheshin si kryqtarë, do të ishin në anën e Perandorisë, turqit osmanë nuk do të lejoheshin kurrë të hynin në Europë. Por, duke marrë parasysh të metat e Perandorisë Bizantine, nuk mund të imagjinohet që ajo të zgjerohej, sidoqoftë do të kontribuonte shumë për një Europë më paqësore pa frymën e kryqëzatave që i solli më shumë dëme vetes sesa osmanëve. Në fund të fundit, Luteri i quajti Kryqëzatat Historike si "E Keqja e Papatit" dhe historiani Runciman shkroi: “Nuk kishte kurrë një krim më të madh kundër njerëzimit sesa Kryqëzata e Katërt."
Mbijetesa e Perandorisë Bizantine do të nënkuptonte gjithashtu që propaganda cariste se Moska ishte Roma e Tretë do të ishte e pakuptimtë. Sidoqoftë, Ballkani Jugor do të ishte me Albanë, Dardanë dhe Maqedoni të veriut që do të flisnin gjuhën zyrtare të perandorisë (greqishten). Mbajtja e osmanëve jashtë Europës do të nënkuptonte lehtësim për shumicën e shteteve europiane. Mbretëria e Hungarisë do të ishte lojtar kryesor në rivalitet me Boheminë. Të mos ishin në gjendje të zgjeroheshin drejt Lindjes ose Veriut do të thotë që Habsburgët duhej të zgjeroheshin drejt Jugut dhe Perëndimit; kështu, Zvicra do të ishte më e vogël. Vendet rreth Serbisë dhe Bullgarisë do të begatonin dhe heronj do të kishte më shumë nga fushat e dijes dhe mendimit sesa nga ushtria. Luftra më pak do të kishte.
Sa i përket vetë Perandorisë Bizantine, monarkia ishte thelbësore dhe nëse do të ishte me fat mund të krijohej një Dinasti tjetër maqedonase e cila do të siguronte vazhdimësinë e Maqedonisë nga koha e lashtë në të sotmen. Përveç osmanëve, armiqtë kryesorë të Bizantit do të ishin Republikat e Genovas, Venedikut dhe Mbretëria e Siçilisë, që mund të baraspeshoheshin nga një Aleancë mes Hungarisë, Perandorisë së Shenjtë Romake dhe shteteve të tjera italiane. Nacionalizëm nuk do të kishte. Nëse kështu, një formë e re Iluminizmi mund të përhapej në mbarë Perandorinë, duke shkaktuar reforma. Por Monarkia do të ishte forma bazë e qeverisjes dhe Perandoria ndoshta do të dukej si një formë më e vogël e Perandorisë cariste ruse e cila do të ishte shpërbërë.
Comments