“Kritika ndryshe” e Terziut fjala hyjnore për kritikën


Sejdi Berisha

“Kritika ndryshe” fjala hyjnore për kritikën

Sejdi Berisha


Studimi i Juaj, “Kritika ndryshe” është një vepër shumë interesante por edhe me rëndësi, e cila, përveç që jep një pasqyrë të vlerave dhe të qasjeve krijuese të një vistër autorësh e krijuesish jo vetëm letrarë, ajo, sikur edhe të detyron të krijosh opinion vetanak, por, gjithashtu edhe të provokon për tu angazhuar në studimin edhe më përkushtues të të gjitha veçorive e veçantive dhe vlerave por edhe të fushave poetike në çdo cep të krijimtarisë letrare, filozofike dhe të lëmenjve tjerë. Po ashtu, përveç vlerave të tilla, ke vënë në spikamë edhe ato gjëra të cilat mund ta rëndojnë dhe zvetënojnë rrugëtimin letrar, intelektual dhe filozofik të mendjes, mbase edhe të qytetërimit kulturor dhe krijues.

Përfshirja e shumë shkrimeve, përmes të cilave shprushen veprat dhe veçoritë por edhe karakteristikat krijuese veç e veç, japë edhe një tërësi të peshës dhe bagazhit letraro-krijues, gjëra këto të cilat gjithnjë tentohet të afirmohen drejtë e meritueshëm, por edhe jo rrallë, këto cilësi ngelin në margjina, atëherë kur nuk përfshihen edhe ata krijues të spikatur, e të cilët nuk janë shumë të afirmuar në skenën krijuese dhe lexuese. Këtu, kujtoj se qëndron edhe ai “mëkati” kur shpesh i afirmojmë vetëm krijuesit që tanimë kanë bërë emër dhe janë pjesë e historisë së vlerave letrare dhe kulturore, por që kjo nuk qëndron tek Ju.

Tjetër. Keni sublimuar një material shumë voluminoz, që dëshmon për këmbëngulësinë Tuaj krijuese, kuptohet për t’i afirmuar vlerat, por me një sens të “kritikës ndryshe”, që nënkupton edhe të shtrirjes së mendimit analitik më lirshëm dhe më sovran. Kjo, do të thotë se veprën Tuaj, qasja e tillë e bën më me vlerë, me peshë, por e bën edhe më joshëse për ta lexuar, dhe gjithsesi edhe për ta mësuar vlerësimin me mendimin e “Kritikës ndryshe”.

Po ashtu, edhe sekuencat tjera që e përcjellin rrjedhën krijuese, janë shumë interesante. Për këtë, edhe “histeritë” në këtë lëmi i ke prekur kujdesshëm mbase edhe shumë me vend, të cilat rrallë mund t’i hasim tek vlerësimet në fushën e kritikës, e cila, dorën në zemër, viteve të fundit, por ndoshta edhe decenieve të fundit, për shumë arsye ka rënë në aspektin cilësor. Keni bërë një bashkim, kushtimisht të them, të të gjitha “intimeve” krijuese, të cilat, secila në mënyrën e vet korrespondojnë me lexuesin, por edhe shprehin qartësinë e vlerave dhe të karakteristikave në botën krijuese.

“Kritika ndryshe”, ky material voluminoz në mënyrë cilësore reflekton ambiciet për të kontribuar sa më shumë që është e mundur në shprushjen, afirmimin por edhe në qortimin e atyre gjërave që e zvetënojnë begatinë dhe thellësinë shprehëse të zërit krijues. Pa hyrë detalisht tash për tash në studimin e veprës Tuaj, me këtë pjesë të shkrimit tim u shprehi përgëzimet për përkushtimin dhe për guximin që keni pasur për t’iu qasur një teme të tillë, e ndoshta edhe të shkruar ndryshe nga e rëndomta.

Unë e kam një vepër ku flas e shkruaj për krijimtarinë e disa krijuesve letrarë këtu në Kosovë e që e kam titulluar “E bukura e rrugëtimit”. Me këtë, desha të them se edhe Ju keni bërë një rrugëtim cilësor dhe me peshë shumëdimensionale, dhe se i tërë ai numër krijuesish dhe veprash të përfshirë në këtë studim ka edhe peshën e afirmimit jo vetëm të vlerave letrare dhe kulturore por edhe të afirmimit të krijuesve në përgjithësi.

#Sejdi #BERISHA #terziu

3 views

Shkrimet e fundit