Kristaq Turtulli: NË TRENIN E LINJËS 16
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 2, 2025
- 4 min read

(Fragment nga romani: NË TRENIN E LINJËS 16)
Në respekt të miqve dhe dashamirësve të krijimtarisë sime po hedh një fragment nga ky libër. Ju uroj lexim të këndshëm. Ju uroj një muaj të mbarë.
Si një lule e përcëlluar nga erërat e hidhëta të vendit të huaj.
Zamira priti para derës së xhamtë disa minuta duke shtrënguar gjithë ankth duart në gjoks. Ajo u mbush me frymë, trokiti dhe, pa dëgjuar përgjigjen:
“Hyrë!”
Shtyu derën dhe, hyri brenda. Ajo menjëherë u ndesh me shikimin e habitur, të bezdisur, gati të acaruar të mjekut pa flokë.
“Më falni zotëri,” murmuriti Zamira gjithë ndrojtje:” Jam nëna e Jonës, kam ardhur prej së largu, nga Kanadaja.”
“Ah, ashtu! Hëm!” ia bëri mjeku dhe, për mirësjellje i bëri shenjë me dorë të ulej në stolin përballë. Mjeku u kollit me bezdi dhe shtoi me ton të akullt: “Zonjë, çfarë kërkon nga unë.”
Zamira e falënderoi me kokë dhe u ul. Mjeku qëndroi në këmbë dhe i paduruar vështronte herë mbas here orën e dorës.
“Ju lutem zotëri dhe më falni për shqetësimin, unë erdha të më thoni diçka për shëndetin e vajzës sime Jonës?” e pyeti zë dredhur Zamira.
Mjeku fërkoi ngadalë tullën e ndritshme të kokës dhe foli me vështrim të ngulur te dritarja:
“Ne po e mjekojmë pacienten me kujdes. Hëm, pacientja ka përmirësime, por këto përmirësime janë të ngadalshme. Përmirësimet e pacientes kërkojnë kohë dhe kujdes të vazhdueshëm.”
“Doktor, nëse më lejoni, nëse unë... mundem... të marr vajzën me vete,” foli zë ulët, por të vendosur Zamira.”
‘Çfarë thoni zonjë nuk ju kuptoj? Ku doni ta shpini vajzën tuaj?’
‘ Ta marr me vete vajzën time, në Kanada,-ngulmoi Zamira.
Mjeku e vështroi Zamirën vëngër, ai fërkoi përsëri çaçkën e ndritshme të kokës me vrull dhe, këqyri Zamirën me nge nga koka deri në këmbët. Nënqeshi lehtë dhe shtoi me zë solemn:
“Hëm! Zonjë, ju lutem, mund të shkoni, takimi mbaroi.”
Zamira nuk po mundte të merrte veten nga akullsia e punonjësve të spitalit. Çfarë ndodhte, këta punonjës të shëndetit të popullit nuk kishin respekt për nënën. Vallë këta njërës të pashpirt nuk mund të kuptonin dhimbjen e përgjegjësinë e nënës. Zamirës po i krijohej mendimi që këta njërës nuk mund të ishin mjekë, por njerëz me bluza të bardhe dhe të futur në kallëpe akulli. Zamira u kapërdi me vështirësi, ajo dëgjoi rrokullimën e pështymës në stomak. Ajo menjëherë e qetësoi trurin e lodhur, mblodhi veten dhe pa u tutur vështroi drejt në sy mjekun e çupës dhe i tha:
“Zotëri, pacientja juaj është vajza ime dhe, është detyra e nënës të përkujdeset për të.”
Mjeku i nguli një vështrim të ngrirë, ai futi duart ne xhepat e pantallonave, si të argëtohej me bisedën që po bënte dhe, lëvizi pak majtas nga tavolina.
“Zonjë,” nisi të fliste mjeku me ton ironik: ”Detyra juaj si nënë ishte dikur, përpara se të ndodhte kjo që i ndodhi vajzës suaj,” Mjeku heshti një hop, ai mori një pamje të rëndë zyrtari, vazhdoi me zë të zvargur: “Vajza juaj është nën përkujdesjen e mjekësisë dhe mbikëqyrjen e rreptë të policisë.”
Zamira u drodh si purtekë, asaj sytë iu mbushën me lot, ajo mblodhi duart në gjoks. Buzët iu thanë, zemra i oshtiu si kambanë.
“Ju lutem zotëri,” foli Zamira zë dredhur: “Ju lutem, më kuptoni; Ju jeni vetë prind dhe e kuptoni dhimbjen e prindit, të nënës. Dikur kur erdhëm ne këtu, në Itali, në vendin tuaj, ne ishim ardhacakë të mjerë, naivë, të paditur. Shumë nga fëmijët tanë u bënë pre e peshkaqenëve, mafiozëve, të liqve. Ne nuk donim të vinim këtu te ju, zotëri. Toka ku jemi lindur dhe rritur është e shtrenjtë dhe më e ëmbël se mjalti. Por ne zotëri, ne u detyruan të merrnim rrugën e rëndë të emigracionit nga kushtet e vështira të jetesës, varfëria në vendin tonë dhe, nga çmenduria e politikës. Ju lutem zotëri, mos e gjykoni nënën keq.”
Fytyra e mjekut u zbut. Hoqi duart nga xhepat dhe vështroi përsëri orën e dorës. Përjashta i dëgjua buria e makinës.
“Më dëgjoni me kujdes zonjë e mirë,” foli mjeku dhe nervoz liroi kravatën: “Edhe sikur unë të dua tu a jap vajzën, më beso, unë nuk mundem. Ju a thashë zonjë, vajza juaj është nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë. Së dyti, ajo është e padëshiruar në shtetin ku ju banoni, në Kanada. Vajza juaj është me kartelë nga Interpoli, si shpërndarëse e rrezikshme droge, përdoruese droge dhe prostitutë. Mua më falni... më duhet të shkoj, më pret makina përjashta.”
Mjeku i tregoi Zamirës derën, ai lejoi nënën të kalonte e para. Ai mbylli derën me çelës, ai nxitoi hapat e parakaloi pa vështruar nga Zamira dhe doli jashtë drejt makinës luksoze që e priste me motor të ndezur.
Një lëmsh i madh ishte mbledhur në gjoksin e nënës, ajo nuk mund të qante, nuk duhej të qante në praninë e të tjerëve.
Zamira shkoi në banjë dhe nisi të qante me dënesë dhe të villte pa ndërprerë. Fatmirësisht nuk hyri njeri në banjë. Zamira qëndroi e ulur përdhe në çimenton e ftohtë derisa u qetësua dhe mblodhi mendjen.
Zamira u ngrit me vrull. Ajo nuk ishte qurravece, ajo ishte nënë që kishte përballuar shumë erëra dhe tajfune të forta. Ajo lau fytyrën, krehu flokët.
Në hollin e madh të spitalit e priste e bija Jona, me fustanin e gjatë të hirtë dhe me xhaketë të lehtë te hedhur krahëve.
“Mjeku mori në telefon infermierin, dhe e urdhëroi të na lejojë të qëndrojmë së bashku disa orë,” i tha Jonila e gëzuar.
“Shumë mirë bijë e nënës,” i tha: “Le të çmallet nëna me ty.”
E bija e shikonte me vëmendje.
“Nënë ke qarë?” e pyeti vajza me dashuri.
“Ndoshta edhe kam qarë,” u përgjigj Zamira.
Nëna i ledhatonte flokët së bijës, ajo e ndihmonte të hante bukë, i fliste, tregonte, të shkuarën. Kur ishte e vogël, e përkëdhelur. Pushkatimin e atit të saj, internimin, persekutimin. Si u njoh me djaloshin e pashëm Teodor, më të bukurin dhe më trimin e botës, i cili luante dhe u vinte gjoksin erërave. Një ditë ajo u bë xheloze me erërat, mbasi si lozonjare i fërkoheshin Teodorit sikur donin ta merrnin me vete.
I bija dëgjonte kokulur, ajo kafshonte gishtat dhe buzëqeshte me trishtim. Zamira ndiqte me vëmendje shprehjen e fytyrës së vajzës, e cila i dukej e zbehtë, e brishtë, delikate, si një lule e përcëlluar nga erërat e hidhëta të vendit të huaj.









Ju pershendes dhe ju falenderoj miku im I nderuar Fatmir .Respekt per ju .